KËNGA E ZOGUT HERAK
Kjo tokë e ëmbël e bukës dhe lirisë
e ka kuptimin e këngës së pakënduar
është muzikë, art pamor, një jetë arti
me një qiell hyjnor yjesh dhe diell
Në Roganë dhe gjithandej Kosovës
një zë himni vlon nga gjiri i atdheut
zhurmë bën heshtja që nanuris, sa
herë himnohet kënga e zogut herak!…
Në Roganë ndjej një ndjesi të fortë
një ndjesi të një fryme më ndryshe
e ndjej unë furinë e zemrës së dheut
tek i bie kitarës me këngë herakësh!…
Në Roganë dhe gjithandej atdheut
çdo njeri e di si lëvizet dhe si bëhet
qasja më e mirë për një revolucion,
ai i bukuri i ardhshëm është atdheu!
Në Kodër të Brijës te Kepi i Pemës
një kaçubë rrënje më ka pas thënë;
jam pak e vogël dhe s´kam aq shtat,
por vesë prej barit unë pijë çdo natë…
Atdhe Geci – Roganë, Gusht, 2023