Meti Rexhepi
Pas dhunës mbi njëqind e pesëdhjetë vjeçare ndaj dhe mbi të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve, madje edhe të atyre të drejtave më themelore njerëzore e kombëtare, të garantuara me konventa ndërkombëtare; në të gjitha trojet autoktone të etnisë së lashtë shqiptare, kombi shqiptar, u mohua dhunshëm, pandërprerë nga Perandoria Osmane, mandej u rrudh deri në çerekun e shtrirjes tij prej Serbisë gjakatare!
Serbia, gjithnjë e motivuar nga programet për shfarosje të shqiptarëve, që nga Milosh Obrenoviq programoi dhe zbatoi qëllimet nam-këqija të ideologëve sadistë serbë, si: Garashanin, Nikolla Pashiq, Vasa Çubriloviq dhe, zbatues të vazhdueshëm programesh të atilla të dhunës nga Mbretëria Serbe dhe, secila qeveri e Serbisë nën ombrellën e Federatës së sllavëve. Janë të njohura Konventa Jugosllavi-Turqi për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, me qindra mijëra! Aksioni namkeq “Dorëzimi i armëve”, i zbatuar me dhunë të egër mbi qindra e mijëra shqiptarë, nga krimineli Aleksadër Rankoviq, sidomos, mbi inteligjencën shqiptare, si dhe krime të tjera të papërshkrueshme!…
THIRRJA E TOKËS
Shpërbërja e mbizotëruar nga serbët e Federatës Jugosllave, arriti përmasën kulmore në periudhën e “Kasapit të Ballkanit”, zbatuesit të gjenocidit mbi kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët!
Ora për t`i kapur armët dhe, për t`ia drejtuar asaj makinerie të urryer vrastare nxitonte! Erdhi ajo orë e mallkuar dhe bekuar prej nënash tek secili i ri shqiptar, qoftë dhe pa armë?! Si pa armë?! Ashtu! Me mllefin dhe vullnetin e bashkuar, pastaj shihnim e bënim?… Erdhi thirrja e tokës, uratat e nënave, uratat e brezave!… Para së gjithash me vullnetin për çlirim e shtet-bërje. Të rinjtë dhe të rejat, mbi të gjitha, ngritën përcaktimin e tyre madhor: përkushtimin e përbashkuar për të përgjithshmen e lirisë, edhe me kushtin e çmimit për flijimin e jetës, më të çmuarën që ka njeriu! Jeta i donte hapësirat e gjera të lirisë, si vlera më universale e çdo populli të qytetëruar!
Jeta e shqiptarëve të vetëdijesuar ishte buzë zgripeve të shuarjes materiale, identitare, kulturore, morale! Kjo jetë e përjashtuar nga çdo mundësi rrojtjeje, në çdo kënd-vështrim, qoftë për kanosje veçorish që pësonte gjuha, shkolla, ekonomia, kultura, në përgjithësi etnia; pritej të rrënohej edhe thelbësorja: ekzistenca biologjike?!
Zona Operative e Karadakut ishte kryesisht zonë kufitare, e udhëve të qarkullimit dhe të furnizimit të policisë e të ushtrisë pushtuese të Serbisë. Këndej shtrihej treva e Kosovës Lindore, e Luginës së Preshevës, një bashkësi e konsiderueshme etnike. Në vend-shtrirje të caktuara iu bashkuan kësaj Zone të UÇK-s, moria e vullnetarëve kryesisht të rinj, por edhe të moshuar, djem e vasha.
Hapësirës së Pellgut të Moravës së Binçës, Maleve të Zeza, që duhej të ishte toponim i përdorimit burimor, pra, Malet e Karadakut, të Gallapit, të Zhegocit e të Marecit… Këtyre trevave po iu ngjallej fryma luftarake e Idriz Seferit, e Mulla Idriz Velekincës; Epopeja e Kikës, e Velia Glauas, e kapiten Shefketit – Bylykbashit, e Gjon Serreçit; e Hasan Remnikut; e prijatarëve shpirtërorë, intelektualë e kombëtarë, si: Kadri Halimi, Ramiz Cernica, Metush Krasniqi-Dajkoci, Rexhep Elmazi; Rexhep Mala, Skender Kastrati, Kadri Zeka, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu me familje, të tjerë atdhetarë veprimtarë, për të cilët historia jonë më e re, iu ka borxh t`ua ndriçojë bëmat atdhetare.
TË VDISJE POR, JO I FIKUR DHE I KORITUR
Tema e këtij përvjetori të UÇK-s për Zonën Operative të Karadakut, që mori një shtrirje të gjerë të Pellgut të Moravës, prej Vitisë, Gjilanit, duke përfshirë Dardanën (Kamenicën), Malësinë e Gallapit, pikë-pjekjet me Llapin dhe me pikat kufitare me Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, njëkohësisht zgjerohej e faktorizohej.
Natyrshëm shtrohen pyetje të një pas njëshme: kush ishin ata që iu përgjigjën zërit të thellë të kësaj toke, të këtij relievi kodrinor – malor e fushëgropash? Çfarë tërheqje magnetike ishte ajo: t`i dalësh përballë asaj force egërshane të pabarabartë dhe t`i presësh shpërthimet e minahedhësve, të granata hedhësve, të predhave, të qindra mijëra plumbave prej mitralozave të rëndë e të pushkëve drejt trupit njerëzor?
Çfarë përfaqësonin ata vullnetarë, që më shumë se jetët e tyre, donin hapësirën e gjerë të lirisë, ngaqë e parandienin se vdekja ishte këmishë e ngjitur për gjakun e trupit të çarë, ose mbi kraharorin e copëtuar?! Le ta pohojmë për të mos e tejkaluar realitetin: ishte shtyrja e zorit të përditshmërisë robëruese, që i motivoi pakthyeshëm vullnetarë të shumtë t’ia mësyjnë betejave me armiqtë.
Më mirë të vdisje një herë se për çdo ditë i fikur, i koritur dhe i poshtëruar… Motivet ishin të shenjta! Këto motive nuk niseshin nga pikë-caku i parasë, ndonëse kishte nevojë për para, as i bamës për famë, as nga dehja e andrallave të jetës, as për aventura kalorësiake, as për zulmën e emrit, as si mercenarë! Qëllimet ishin (j)etike!… Ato e lëkundën rutinën përtej logjikës së ligë të përfitimit… Dikush, për ta fshehur ligësinë e vet shpirtërore të paragjykuar, hedh baltë e vrer mbi UÇK-në, akëcilët besuan se me ndejë pasive paqësore, do të ndalej mësymja shfarosëse e Serbisë?! Por, nuk ndodhi asnjëra, as tjetra. UÇK-ja ishte, është dhe mbetet vlera jonë më e shenjta! Ajo po sprovohej edhe këtyre trojeve… Shpëtimtarja jonë!
Motivimi parësor që kishte shtyrë vullnetarët atdhedashës të pranonin vdekjen për jetën kuptimplotë, që do ta përfaqësojë liria e njëmendët, dihej… Para së gjithash, dëshmorët e rrumbullakuan përcaktimin thelbësor, duke reflektuar te të gjallët për vazhdimësi të forta motivuese: të thyhen e shporren pushtuesit shekullorë dhe, të vijojë lufta tjetër me dije e mjete paqësore për ngritjen e institucioneve të shëndosha, të përgjegjshme për popullin e varfër e të sakrifikuar, për jetësimin e shtet-ndërtimin e lirisë me Aleancën Veri Atlantike.
PROFILE LUFTËTARËSH TË ZOK-ut
Le t`i shpalojmë qoftë dhe përciptas disa nga profilet çlirimtare, që iu shkrinë bustet, ose do t`iu shkrihen portretet në bronzin e pakalbur të historisë, të Zonës së Karadakut dhe më tej kësaj Zone. Zhegoci, Verbica, Zllasha, Mareci e tjera, nga toponime, jo aq të njohura në nivele të hapësirës kombëtare, do të shndërrohen në pika referimi për çlirimtarët tanë të rinj. Luftëtarët do të sprovohen me gjendje të befasishme e të tmerrshme të përballjes, me trajta e taktika sulmesh tinëzare të pushtuesit. Luftëtarët kishin qiellin për tavan…
Grumbullohen nga Gjilani, nga vendbanimet përreth për t`i përdorë pushkët, të tilla çfarë i siguruan, për t`ua drejtuar tytat njësive armike, profile karakteresh të ndryshme, kryesisht të motivuar dhe, atje takojnë Komandantin e Zonës e Zëvendës Komandantin. Marrin bekimin, udhëzimet edhe urimet për Dasmën e Lirisë; mirëpo, gjithsesi duke iu nënshtruar logjikës, disiplinës dhe rregullave të rrepta të Komandës Ushtarake.
Aty, mes vullnetarëve do të jetë profesionisti, urtari, guximtari dhe kuadri i mirëfilltë ushtarak nga Gjilani, Major Muharrem Ibrahimi. Do të duken dhe do të lëvizin nga ato mjedise kodrinore shpërthyese: në drejtimet Gjilan – Zonë Operative me misione të caktuara çifti simpatik Tefik Zymberi e Hanëmshahe – Nushe Abdullahu-Zymberi, atdhetarë e arsimtarë të çiltër, modele edukatorësh me bindje të hershme dhe të vazhdueshme atdhedashurie. Atje do të dilte dhe profesori i Agronomisë Sahit Baftiu.
Sahitin e karakterizonte maturia, burrëria, qetësia dhe modestia, përvoja e një edukatori dhe profesionisti i përgatitur për fushën e vet profesionale. Nuk iu mungoi vullnetarëve as mësuesi Nijazi Osmani; dëshmorja Zylfije Gashi, veteranë, mandej profile studentësh si Alban Shaqir Ajeti, ish gjimnazisti Ibrahim Uruçi, Pajazit Ahmeti-Paja, studenti Afrim Myrtaj, që mori nëntë plagë plumbash dhe, mbijetoi sikurse në rrëfime legjendash të arealit të këngëve kreshnike!
Emrat e lakuar nëpër rasat gramatikore të emrit e të cilësive gramatikore të mbiemrave të tyre: kush në pozicione luftarake, kush në prita të befasishme për lëvizjet e tyre misionare, akëcilët në veprimtari logjistike, mjekët e mjeket në veprime për shërim plagësh, punëmarrësit në furnizime të mirash materiale e financiare, amviset për gatitjen e bukës së gojës; shënuan me djersët e gjakun e tyre të pastër 15 Prillin e mëngjesit të hershëm të Pranverës së Lirisë, në Betejën e Haneve të Zhegocit, mandej pas tri ditësh pasoi Beteja e Marecit, nga 18 deri më 23 prill 1999.
Të gjallët, që i shpëtuan granatave e plumbave të armikut, janë kapitulli i heshtur në mesin tonë, kapitull ende i pashkruar i Betejës së Zhegocit dhe betejave tjera të UÇK-së.
ËNDRRA E TRISHTUAR-REALITET I GJALLË
Zonës Operative të Karadakut i bashkohen personazhe luftëtarësh e strategësh, të cilët me shembullin e tyre shkëlqyen në vend-ndodhjet dhe pozicionimet që zunë, para dhe gjatë Luftës Çlirimtare në Trevën e Gjilanit me rrethinë. E përfaqësuan me dinjitetin dhe guximin antologjik, atje ku lypsej si domosdo: Abdullah Tahiri, trim i orëve të para të UÇK-së. Mandej, poeti, piktori i talentuar, ushtaraku profesionist, i pjekur si atdhetar i kahershëm, i kthyer nga mërgimi, strategu i Betejës së Koshares Agim Ramadani (1963-1999); Ai i më tejshmi i kujtesës së historisë. Intelektuali, veprimtari i traditës atdhetare, profesori Isë Kastrati, që do të bie në pritën e armikut në Marec, bashkë me djalin e vetëm të profesor Mustafë Sopit.
Fatmir e Shqipe Mehmeti, babë e bijë, do t’iu bashkëngjiten luftës, një zone tjetër, atje ku ishte vlugu më i madh i përballjeve luftarake. Doktoreshë Teutë Hadri, ajo që përçoi lidhjet e brezit të Rexhep Malës me pas-rendësit, vijuesit e ilegales së Nuhi Berishës, me Ahmet Isufin, Ilmi Ramadanin e të tjerë…Të gjithë këta personazhe, edhe ndonjë, që nuk përfshihet në këtë shkrim, i shquan trinia: trimëria dhe gatishmëria për sakrificën sublime, niveli i ngritjes intelektuale dhe, strategjia organizative e motivimet për-bashkuese.
Këto figura, këso profile karakteresh largpamëse në çastin, kohën e vendin e duhur, i vunë në veprim të gjitha cilësitë e prekura dhe të tjera vlera, që i ngritën me e pa akademi ushtarake, në shërbim të mbrojtjes së popullatës duarthatë. Kësisoj, u bënë fanarë dritëdhënës për të tashmen dhe të ardhmen e këtij populli, gurë themeltarë të lirisë e të demokracisë në këto hapësira prore të trazuara.
Komandanti dhe Zëvendës Komandanti Ahmet Isufi e Shemsi Syla, patën fatin e rrallë t`i vijojnë ëndrrat e tyre deri tek zhgjëndrra! Këta bashkë veprimtarë, që nga ilegalja atdhetare, kapja e përballjet me torturat e një krijese shtetërore, ekonomike, politike, ushtarake, juridike, diplomatike, historike, kulturore, krejtësisht kundërshqiptare… Nuk i premtohej askujt nga askush mundësia për mposhtje e shpartallim të kësaj Ngrehine… Personazhet e librit tim të pashkruar përjetuan shumë të zeza, por edhe rrethanat e bartjes mbi supet e tyre, rolin e organizimit ushtarak të njërës nga Zonat e UÇK-së, të një Zone, të Zonës Operative të Karadakut! Kjo profeci: vetëm një dhjetëvjetorë më parë mund të ishte ëndërr e trishtuar dhe, ja: ndodhte realiteti i prekshëm, i gjallë i ëndrrës së dikurshme, i profecisë së ëndrrave!
Ahmet Isufi me intuitën e tij të hollë, largvajtëse, me gjakftohtësi e me mençuri, edhe të shokëve bashkëluftëtarë, diti t`i shmangej euforisë, veprimeve euforike, të cilat aty-këtu ngrehnin kokë për mësymje të rastit, për djegien e jorganit për një plesht, për ndezjen e një zjarri prej kashte, për ngrohje veçse sa mund të zgjaste djegia e një grumbulli kashte! Menjëherë do të shtriheshin pasojat e paparashikuara për Gjilanin, për popullatën brenda qytetit, që jepte sado kudo mundësi furnizimesh për djemtë vullnetmirë atje në pozicione.
NËNA SHQIPTARE HEROINË ANONIME
Gjithsesi, veprimet kokë më vete si brenda qytetit të Gjilanit dhe tek banorët e rrethinës, ishin të palejueshme nga Komanda e ZOK-ut. Nuk u lejua asnjë veprim i ndërmarrjes hakmarrëse, për t`i dhënë Luftës sonë Çlirimtare tipare terroriste. Në Zonën Operative të Karadakut nuk pësoi asnjë plak, asnjë grua, asnjë fëmijë, asnjë fshatarë serb! Ishte krejtësisht diçka e kundërt me barbarinë tradicionale serbe! A nuk ishte kjo një dëshmi e denjë, për t`u theksuar kudo në botën e qytetëruar: pastërtia e Luftës tonë Çlirimtare?! Ishte kjo një madhështi dinjitoze e një lufte, për ruajtjen e ekzistencës biologjike kundruall mbi katërqind (400) masakrave më të tmerrshme, më çnjerëzore, që bënte një polici e ushtri me kriminelë dhe udhëheqje sadistësh, në krye të një shteti me krye-sadistë!!!
Kësaj Zone Operative, si e vumë në pah, iu qasën karaktere me shpirtra atdhedashës, por, dhe thellësisht të njerëzishëm. Kishim dy përballje: tiparet e trimërisë me armatim të thjeshtë por, me vullnet mbinjerëzorë, kundruall tipareve të shëmtuara të sadistëve, me të gjitha armët moderne për shfarosje! Zonës iu qasën mjekë e mjeke të dëshmuara në profesionin e mjekësisë, pa përmendur këtu emra të përveçëm…
Mirëpo, ajo që bëri të dështojë me turp çdo projekt i programimeve për shfarosjen tonë nga Serbia, është nëna, gruaja, motra, vasha shqiptare! Ishin heroinat tona anonime! Janë ato që dhanë bijtë e bijat më të mira; ato magjetoret tona të devotshme! Ato që ua hapën dyert burrave dhe, ua lanë shtretërit e shtëpitë e zbrazëta!… Nënat: magjia e UÇK-së! Kishte nga të rejat që rrokën pushkën dhe ranë në betejë, sikur Zylfije Gashi, që u përjetësua dëshmore e popullit!
SHEMBUJ PËR T’U SPIKATUR
Major Muharrem Ibrahimi, të cilit nga plaga e madhe në trup gjatë ofensivës serbe, i rridhte gjaku pa mundur ta ndalte… Rrjedhës së gjakut, që do t`ia shuante jetën, i rridhte dhe kënga, si akti i fundit i jetës Tij të lavdishme!
Përderisa parandjenjën, të cilën e shihte si diç të pashmangshme, për jetë-dhënien e Tij Lirisë; dëshmori Tefik Zymberi, që bie në pritë të armikut së bashku me Nushën, fundin e jetës e formuloi kësisoj:
“… Bomba e parë le të hidhet mbi mua, dhe copat e trupit tim vendosni në muret e kalasë së Shqipërisë!”[1]
Vetëdije e lartë kjo por, e pashmangshme, e dhimbshme, e madhërishme, e admirueshme!
Për të gjithë dëshmorët çështja madhore e kombit, e Bashkimit brenda Një Shqipërie Natyrale, shihej si amanet i mbetur peng…
Spikatje të këtilla karakteresh të rrëqethin, të prekin në ndjeshmërinë më të thellë ekzistenciale, të frymëzojnë dhe ta zgjojnë admirimin e përhershëm, për t`i nderuar e çmuar dëshmorët tanë, si shenjtëri jona e gjallë!
Andaj: poetë, shkrimtarë, artistë figurativë, skulptorë, kompozitorë e këngëtarë, historianë, ekonomistë, politikanë, besimtarë, ja: lënda e parë e gjallë për ju!
Gjilan, më 14 prill 2023
1. Tefik Zymberi “DIELLI NUK VRITET” (Poezi, Prozë, Publicistikë); URA, Gjilan, 2002