JEMI BA ME… “NA E PRE TUTËN”

0
Llesh Ndoj

OPINION

Nga Llesh NDOJ

Që nga fëmijëria e hershme më ka mbetur edhe sot në mendje shprehja “…duhet me ia pre tutën”, që përdorej atëherë kur fëmija i vogël ishte në përpjekjet e para për t’u ngritur në kembë e për të ecur drejt, duke u shndërruar sadopak në zot i vetvetes. Kjo periudhë vinte natyrshëm pas asaj kohe, kur ai ecte këmbadoras që shoqërohej edhe me rrëzime të herëpashershme në çdo pengesë që do t’i dilte përpara, apo kur duhej të shkëputej nga të marrurit “ca – ca” prej nënës e të tjerëve që përkujdeseshin për të.

– Asht koha me ia pre tutën! – thoshin plakat atëherë, dhe ftonin ndonjë grue të moshuar, zakonisht grua të ve, për t’a bërë këtë rit. Po si ndodhte?

Çorapet e leshta që fëmija mbante veshur i lidheshin me një fije peri prej të njëjtit material, rreth 30 – 40 cm të gjatë, pastaj e merrnin fëmijën ngadalë para vetes, kapur prej të dyja duarve, dhe tek shqima (pragu) e derës, gjithnjë prej druri dhe e ngritur nga dyshemeja 8 – 10 centimetra, ia kalonin fëmijës vetëm njërën këmbë në krahun tjetër të saj, e gruaja e thirrur për me “ia pre tutën” ia këpuste fijen e perit me sqepar mbi shqimë të derës. Ndodhte gjithçka jashtë syve të të tjerëve dhe ajo “plaka e tutës” diçka mërmëriste me vete si nëpër dhëmbë, por nuk më janë fiksuar të gjitha fjalët që thuheshin në këto raste. Mbaj mend vetëm pak prej tyre:
Hidhe hapin, mos u tut

Mos u ndal e mos u ngut…

Më erdhi në mend ky rit i hershëm, kur po mendoja rrugëtimin e mundimshëm jetësor dhe historik të popullit shqiptar ndër shekuj, rrugëtim që në vend që t’ia “priste tutën” (frikën) atij, sa më shumë kohë kalon, ai vjen e bëhet me më shumë frikë dhe pikëpyetje. Ky riti që thamë më sipër bëhej në shqimën e derës dhe në daljen e fëmijës në drejtimin nga brenda – jashtë. Të dyja këto kishin simbolikën e tyre: shqima simbolikisht ishte pengesa, ndërsa kryerja e ritit në dalje nënkuptonte kapërcimin e vetvetes, tejkalimin e frikës… I sjellë në kuptimin e shoqërisë shqiptare ky rit, mund të shpjegojet në mënyra të ndryshme. Njëri ndër to është edhe ky: ne si popull ndër shekuj mbijetese kemi guxuar dhe e kemi kapërcyer pragun në dalje, duke marrë udhët e botës pambarimisht.

Është fakt i njohur historik se shqiptarë autoktonë gjenden që nga lashtësia jonë në Itali (arbëreshët), në Turqi, në Rumani (minatorë), Amerikë, Kroaci, Zvicër, Gjermani e kudo, bile edhe në Kinë, në Brazil, në Argjentinë e vende të tjera aziatike e afrikane, përveç trojeve tona me të cilat na kanë ndarë dhunshëm e padrejtësisht, të lëna nën Serbi, Greqi, Maqedoni e Veriut dhe Malit të Zi. Si rezultat i kësaj dukurie të vjetër e të re, sot më shumë shqiptarë ka jashtë Shqipërisë e Kosovës, se sa në Shqipëri e Kosovë, si dy shtete të pavarura shqiptare. Por kjo dalje, herë masive e herë më pak e vrullshme, u krye dhe vazhdon të kryhet pa e kryer ritin e hershëm të “prerjes së tutës”, falë guximit individual dhe karakterit shqiptar, prandaj ne ikim e ikim gjithnjë, por fatkeqësisht nuk mbetemi vetvetja.

Askush nuk “na e preu tutën” në dalje, por tuta (frika) na barti e na përplasi pamëshirshëm në të gjithë botën, ndërsa trojet po rrezikohen seriozisht, gjë që më shtynë të mendoj se jo shumë larg do të thuhet për to: Dikur këtu banonin një popull i shtypur nga të tjerët e i frikësuar nga vetja, që quheshin shqiptarë! Nuk dua ta bëj më të errët çështjen se ç’është në realitet, por e ardhmja nuk paraqet shumë ngjyra e mundësi zgjedhjeje. Të emigruarit, sa nga shtypja normale që vjen nga të jetuarit në vend të huaj, sa nga përfshirja në ethet e mbijetesës, nga krijimi i familjeve të përziera nga martesat me të huajt, po aq edhe nga mungesa e përkundesit amëtar të Shqipërisë për t’i ruajtur e kultivuar gjuhën e traditat e tyre aty ku jetojnë, dalëngadalë por humbasin identitetin.

Nga ana tjetër, brenda trojeve etnike situata nuk paraqitet edhe aq e kandshme. Çamëria e trojet shqiptare nën Greqi, tashmë janë nxjerrë dhunshëm edhe nga historia. Një situatë e njëjtë po ndodh me Luginën e Preshevës, ku çdo gjurmë shqiptare zhduket me një program të mirëmenduar të pastrimit etnik. Edhe në Mal të Zi, mungesa e zhvillimit të zonave shqipfolëse ka bërë që shqiptarët t’i braktisin ato, ndërsa malazezët gjejnë kushte zhvillimi e jetese edhe aty; në Maqedoninë e Veriut, sa herë hidhet një hap në drejtim të kompaktësimit të faktorit shqiptar, bëhen tri hapa pas për t’a zhbërë atë. Ironia e fatit vjen nga fakti se protagonistë të zhvillimeve përqarëse bëhen vetë shqiotarët.

Nuk është rozë as situata në dy shtetet zyrtare shqiptare, Kosova e Shqipëria. Emigracioni po i boshatis këto troje dita – ditës. Sa kohë që jetojnë ende brezi i moshës së tretë, fatkeqësisht përherë e më dominues në raport me fashat e tjera moshore, falë humanizmit e traditës, por edhe nga mungesa e shërbimeve sociale në vend, emigrantët dërgojnë remitanca për t’ua mbajtur atyre shpirtin gjallë dhe i vizitojnë maksimalisht 1 – 2 herë në vit. Nga ana tjetër, më shqiptarët ndër shqiptarë prej tyre u tregojnë fëmijëve se këta janë gjyshërit e tyre edhe u mësojnë ndonjë fjalë shqip sa për të komunikuar në telefon me ta.

Po e ardhmja e afërt? Gjyshërit do të ikin një ditë nga kjo botë, e emigrantët e brezit të dytë e të tretë s’do të kenë më as motive për t’u ndjerë shqiptarë, as motive për t’u kthyer në këtë vend, se shtëpitë e prindërve do të rrenohen, tokat do kthehen në pyje e kullota dhe egërsirat do zbresin fushës. Ndoshta, banorë të tjerë të panjohur prej tyre, do t’i presin në porte, aeroporte e kufinj tokësorë, në mos edhe tek pragu i derës e do t’u thonë: – Kush jeni ju, e çfarë kërkoni këtu? Duket shumë imagjinare kjo, por si po venë punët, shpejt do të mund të shihet si realitet në zhvillim. Në zonat e thella malore, në Veri e në Jug, përveç tokave shqiptare jashtë Shqipërisë e Kosovës, atyre në Greqi, Maqedoninë e Veriut, Serbi e Mal i Zi, ky realitet preket e shihet që sot.

“…Na duhet prerë tuta!”, po për çfarë?

Historia ka treguar se ne “nuk kemi tutë” me ik nga trojet tona, e as për t’u bërë evropianë, amerikanë, kinezë e afrikanë. Nuk kemi tutë të tregohemi ”ínternacionalistë” e të përshtatemi lehtësisht me kulturat e çdo vendi tjetër, por dukshëm “kemi tutë” pët të qendruar në trojet tona e pëe t’i thenë krenisht botës se jemi shqiptarë.
Kjo është “tuta që na duhet prerë” sot. Po kush mund t’na e presë?

Evropa plakë, megjithë pamjen e një nuseje “fringo”, mbetet po ajo. Duket se edhe asaj i pëlqen që ne të bëhemi evropianë duke shkuar në Evropë e jo duke qëndruar në trojet tona. Investimet serioze me mision qëndrimin e shqiptarëve këtu e rikthimin e atyre që janë larguar, as që duken gjëkundi në horizont. “Investimet” për një qeveri e qeverisje tonën e për ne, ndoshta nuk janë fare në fokusin e tyre.

Amerika? Edhe ajo historikisht është kujdesur për të na i prujt rreziqet nga jashtë (e kjo nuk është pak dhe e meriton mirënjohjen e admirimin, që çdo shqiptar ka ndaj tyre!), por që të jetojmë këtu me dinjitetin e amerikanëve e evropianëve, jo.

Qeveritë shqiptare, majmen me ikjen tonë dhe kujdesen “me na e pre tutën”, ndoshta vetëm për të ikur, duke na i shtuar ankthet e qëndrimit në këtë vend. Ato as që e vënë “ujët në zjarr” që shqiptarët të mund të jetojnë në menyrë dinjitoze në vendin e tyre, apo të kërkojnë të rikthehen këtu, për mundësitë që ky vend të ofron për jetesë dinjitoze, jo thjesht për humanizëm ndaj prindërve të moshuar.

Një “plakë shprese” për të na e “pre tutën” u duk se ishte SPAK – u, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, por edhe ajo, në vend që t’a presë atë (tutën) me guximin e kirurgut, po e trash “me kurot e paplota e me doza frikacaku”, që iu bëhen shëndet vetëm qeveritarëve, pushtetarëve e kriminelëve, arësyeja e shkaku që këtu jetohet me frikën e pasigurisë për të nesërmen, në vend që t’i “vrasë” ata…

Kush pra do na e “presë tutën”, e të rikthehemi zotër të fateve në trojet tona? As qeveria “Pelinçi” dhuratë nga emigracioni, zor se do të mundet, as partitë tona të vjetra e të reja, jo! Ndoshta veç Zoti ka me na i kthye mendt në krye dhe na e “pret tutën” e ne të rikthehemi bartës e zotër të dinjitetshëm të të qenit shqiptarë të lirë në trojet tona.

Dhe kjo s’është e pamundur.

Të gjithë e pamë se çfarë krenarie ndjemë nga fitorja e skuadrës kombëtare shqiptare të futbollit me skuadrën serbe, brenda në Serbi. Po aq krenarë na bëri edhe fitorja e skuadrës përfaqësuese të futbollit të Kosovës në Suedi. Krenaria e të qënit shqiptar mbërriti kulmin me festimet nëpër sheshet e qyteteve, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, as vetëm në trojet etnike shqiptare përreth nesh, por edhe në mjaft vende të tjera ku emigracioni shqiptar është i zhvilluar. E ky nuk është rasti i parë, as i vetëm. Kujtoni fitoren me Greqinë në vitin 2004, apo kualifikimin në europianin e para pak viteve me trajnerin De Biazi. Është ky shembulli më i mirë se si mund “të na pritet tuta!”

Një Shqipëri e Kosovë e zhvilluar në ekonomi, në infrastrukturë e teknologji, me qeverisje të lehtësuara e të pa korruptuara, vende ku fjala “liri” e shfaq të gjithë kuptimin e saj, përkthyer si mundësi, vende ku dija, talenti e aftësitë personale përkrahen e respektohen nga shoqëria, ku i pasuri nga puna e djersa e vet admirohet dhe i varfëri e i pamunduri përkrahet të tejkalojë “gropën” ku ndodhet, vende ku i ndershmi e i afti votohet, zgjidhet dhe emërohet, ndërkohë që servili, i korruptuari dhe krimineli urrehen e tregohen me gisht nga shoqëria, janë e vetmja rrugë që të na “pritet tuta” e rikthimit për të jetuar dinjitetshëm e shqiptarisht këtu. Kjo u jep shpresë edhe trojeve shqiptare jashtë administrimit shqiptar.

E këto troje s’janë të mallkuara, as shqiptarët s’mbeten pas popujve të tjerë për nga inteligjienca e aftësitë personale, por energjitë tona shkojnë më së shumti për të penguar njëri – tjetrin dhe ende nuk kemi mundur t’i shndërrojmë ato në sinergji bashkimi.

Deri atëherë tuta për të gjalluar e përparuar krenarë në vendin tonë, do të na i lidhë jo vetëm këmbët, por edhe duart e mendjen.
Lezhë, më 15 tetor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.