JAKUP HALIMI – NJË JETË NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES SHQIPTARE

0
Jakup Halimi

Nga ARIF EJUPI

Rrëfimi i Jakup Halimit paraqet një dëshmi me rëndësi të veçantë për historinë e rezistencës shqiptare në diasporë. Ai dokumenton me saktësi përvojat personale të një veprimtari të hershëm, i cili me përkushtim të pandërprerë ka kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përpjekjet për çlirim.

Ky artikull është përpiluar mbi bazën e një bisede të drejtpërdrejtë me z. Halimi, duke ruajtur autenticitetin e rrëfimit të tij. Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është që të ndihmojë në dokumentimin e një pjese të rëndësishme të historisë së mërgatës shqiptare në Zvicër dhe të kontributit të saj në çështjen kombëtare.

Më 20 shkurt 2025, në orën 15:35, më telefonoi z. Jakup Halimi nga Skifteraj i komunës së Vitisë, i cili prej vitesh jeton në Gjenevë. E takova para hyrjes së Migrosit në Villereuse dhe së bashku shkuam në banesën time.

Deri në orën 19:30, kur u kthye në banesën e tij, ai më rrëfeu jetën dhe angazhimin e tij të palëkundur për çështjen shqiptare. Ishte një rrëfim i ndjerë, i mbushur me dhembje, sfida dhe vendosmëri.

Jakup Halimi u rrit në një kohë kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me represionin e vazhdueshëm të pushtetit jugosllav. Ai kreu katër klasë të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes, por kur nisi klasën e pestë e cila atëherë njihej si progjimnaz, arriti të përfundonte vetëm gjysmën e semestrit të parë.

Pushteti i dominuar nga serbët dhe malazezët e mbylli shkollën, duke lënë qindra fëmijë shqiptarë pa mundësi arsimimi. Si shumë moshatarë të tij, edhe Jakupi u detyrua të merrej me ruajtjen e bagëtive, një realitet i dhimbshëm për shumë të rinj shqiptarë, të cilët ëndërronin një jetë ndryshe.

Gjendja e rëndë ekonomike e familjes e detyroi që, ende pa i mbushur 16 vjet, të largohej nga shtëpia për të kërkuar punë në Kikindë të Vojvodinës. Ai u përball me vështirësi të shumta, e mbi të gjitha, me punë të rëndë fizike që i dëmtoi shëndetin. Një infeksion veshi e detyroi të shtrohej në spital, por as kjo nuk i ndali përpjekjet e tij për të luftuar me tërë qenien varfërinë dhe padrejtësinë.

Në vitet 1965–1966, Jakup Halimi kreu shërbimin ushtarak në një fshat pranë Vipavës, në Slloveni, ku u caktua nga eprorët përgjegjës në sektorin e inxhinierisë civile.

Për një shqiptar nga Kosova, shërbimi ushtarak në Jugosllavinë e asaj kohe nuk ishte thjesht një detyrim, por një përvojë e hidhur ku çdo moment ndodhte diskriminimi dhe pasiguria për jetën.

Kjo ishte një periudhë tepër e tensionuar politike, pasi përkonte me rrëzimin e Aleksandër Rankoviqit, njërit prej figurave më famëkeqe të shtypjes së shqiptarëve. Pikërisht në këtë periudhë, Halimi filloi të kuptonte se çlirimi i Kosovës nga zgjedha sllave nuk do të vinte nga politika zyrtare, por nga organizimi i shqiptarëve në Lëvizje të strukturuara mirë kombëtare.

Frymëzimin për këtë angazhim e mori nga Fazli Abdullahu, i fshatit Shurdhan të Gjilanit, mësues në Preshevë, i cili kishte përjetuar persekutimin e regjimit jugosllav.

Abdullahu dhe vëllezërit e tij ishin burgosur për veprimtari patriotike. Ky ishte një moment kyç në jetën e Jakup Halimit, pasi kuptoi se çështja kombëtare kërkonte sakrifica të mëdha, nuk vonoi dhe ai u bë pjesë e rezistencës shqiptare në diasporë.

Halimi u organizua në një celulë të përbashkët ilegale me figura të njohura të Lëvizjes kombëtare si Hydajet Hyseni, Kadri Abdullahu dhe Kadri Zeka (ky i fundit i njohur në ilegalitet si “Zeqa”).

Jakup Halimi, në këtë rreth, vepronte me emrin konspirativ “Hamiti”. Në prill të vitit 1981, kur shpërthyen demonstratat studentore në Kosovë, jehona e tyre u ndje edhe në diasporë. Në Gjenevë u përhap lajmi se ishte vrarë Hyrije Hyseni, motra e Hydajet Hysenit.

Ky lajm më vonë doli i rremë, por mbeti e paqartë se kush e kishte përhapur dhe me çfarë qëllimi. OMLK (Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës) mbajti një tubim të rëndësishëm në Bernë të Zvicrës, ku u vendos për strategjinë e mëtejshme të lëvizjes.

Në këtë periudhë, Kadri Zeka shkoi në Bruksel për të koordinuar protestat me aktivistët atje. Veprimtarët e atjeshëm kishin paralajmëruar se nuk do të lejonin flamurin me shqiponjën dykrenore dhe yllin pesëcepësh.

Sipas z. Jakup Halimi, për shkak të mospajtimeve ideologjike, demonstruesit u ndanë në dy grupe: pjesa dërrmuese protestoi në Bruksel, ndërsa një grup tjetër prej disa vetave, me në krye Hajrullah Terpezën, protestoi në Paris të Francës.

Jakupi thotë se ai dhe shokët e tij nga Gjeneva, në demonstratën e Brukselit, për herë të parë u njohën me Enver Hadrin, veprimtar të njohur të çështjes shqiptare, i cili u vra më 25 shkurt 1990 në Belgjikë nga UDB-ja jugosllave.

Halimi mendon se demonstratat e vitit 1981 ishin shprehje e pakënaqësive të shumta të popullit shqiptar të Kosovës. Si pasojë e kësaj pakënaqësie, edhe pse në rrethana tepër delikate, krahas Prishtinës, u demonstrua pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës. Këtë pakënaqësi të popullit shqiptar Jugosllavia komuniste, veçanërisht Serbia, e shtypi me dhunë, duke vrarë dhe burgosur mijëra të rinj, kryesisht studentë dhe profesorë të Universitetit të Kosovës.

Andaj, rrëfimi i Bacës Jakup nuk është thjesht historia e një njeriu, por një pasqyrë e sakrificave që shqiptarët kanë bërë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Në vitet e errëta të shtypjes, ai ishte ndër ata që guxuan të ngrinin zërin dhe të vepronin, duke vënë në rrezik gjithçka për të drejtat e popullit shqiptar.

Jakup Halimi, për shkak të përkushtimit të tij atdhetar, u burgos nga UDB-ja, jugosllave dhe u dënua me 5 vjet burgim të rëndë. Pas daljes nga burgu, ai u vendos sërish në Gjenevë të Zvicrës, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga ideali i tij kombëtar.

Dera e banesës së tij gjithmonë mbeti e hapur për të gjithë veprimtarët e ndjekur nga regjimet diktatoriale të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Jakup Halimi, me një vullnet të çeliktë dhe me një dëshirë të jashtëzakonshme për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës nga Serbia, mbështeti të gjitha organizimet e shqiptarëve të mërguar në Gjenevë.

Ai, vite të tëra, kontribuoi në baza vullnetare në LAPSH, Këshilli në Gjenevë, ku me përpikëri kreu detyrën e arkëtarit. Jakup Halimi, i angazhuar si shtëpiak nga miku i madh i çështjes shqiptare, z. Ueli Leuenberger, themelues i Universitetit Popullor Shqiptar, me mirësjellje dhe butësi punoi në këtë çerdhe integrimi deri më 2007, kur edhe doli në pension.

Baca Jakup, siç e quajnë me respekt të gjithë bashkatdhetarët në Gjenevë, edhe pse në moshë të thyer, ndihmoi me të holla dhe mjete logjistike edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai, si askush tjetër, iu gëzua formimit të institucioneve të Kosovës, të cilat me vendosmëri luftuan pushtimin serb.

Baca Jakup, sot në një moshë të shtyrë, jeton në Gjenevë, por mendja dhe zemra e tij mbeten gjithmonë në Kosovë, në tokën që e deshi dhe për të cilën sakrifikoi gjithçka.

Shënim i autorit: Ky artikull është hartuar mbi bazën e dëshmisë së drejtpërdrejtë të z. Jakup Halimi dhe para publikimit është verifikuar me të.

Të gjitha vlerësimet, qëndrimet dhe interpretimet e paraqitura në tekst përfaqësojnë pikëpamjet e tij personale dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e autorit.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 23 shkurt 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.