Nga Isak A H M E T I
SHB “Rozafa” në Prishtinë, ka nxjerrë në dritë romanin më të ri:
I DËBUARI (2015), i autorit tashmë të njohur në letrat shqipe, Vilson Culaj.
I. Pak biografi për autorin
Vilson Culaj u lind më 6 gusht 1973 në Klinë.
Shkollën fillore dhe të mesme i ka mbaruar në Klinë, kurse Fakultetin Juridik në Universitetitn e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar poashtu në Prishtinë, në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci.
Është laureat i disa çmimeve dhe mirënjohjeve Në vitin 2023 në Tiranë është shpërblyer ne çmimin e parë “NDRE MJEDA” për prozën më të mirë nga Akademia “MIRDITA”. Shkrimtari Vilson Culaj shquhet për shkrimet fikozifike dhe psikologjike nga lëmenj të ndryshëm, sidomos në recensione të cilat i ka botuar në periodikët e kohës dhe gazetat e rregullta ditore dhe elektronike.
Si autor është përfshirë në disa antologji dhe shumë libra autorial me shkrimet dhe studimet e tij. Për opusin e tij letrar kanë shkruar, në mënyrë afirmative, me dhjetëra kritikë letrarë të njohur.
VEPRAT QË KA BOTUAR DERI MË TASH:
1. Tinguj të padëgjuar, poezi, Klinë, 1998,
2. Furra e Nabukodonozorit, roman, Klinë 2001,
3. DAHO&VE, poezi, Prishtinë, 2003,
4. Stuhi e fjetur, prozë, Prishtinë, 2009,
5. Dy kohë, poezi, Prishtinë, 2013,
6. Dashuri të paprekura, roman, Prishtinë, 2015,
7. I DËBUARI, roman, është i shtati me radhë i cili, siç dihet, i ka kaluar kufinjtë nacional sa i përket vlerave të tij ideo-artistike dhe mesazhit që ngërthen në të.
Është anëtar i LSHK që nga viti 2002 …
II. Romanin në fjalë të titulluar :
I DËBUARI, të cilin po e marrim në shqyrtim, autori e ka shkruar me gjuhë dhe stil të zgjedhur, origjinl dhe modern. Këtë roman autori Vilson CULAJ e ka strukturuar në katër pjesë :
1. Në kërkim të vetes,
2. Takimi me gjurmën e të parëve,
3. Të ngadhënjesh mbi vuajtjen, dhe
4. Elegji për kohën.
Romani fillon me një si parathënie që është diçka e veçantë në letërsinë tonë , e ku,ndër të tjera shkruan,citojmë :” Mirëmëngjesi , jeta ime dhe ju që bëni pjesë në lidhjen vëllazërore të vetmitarëve dhe që vuajtja ju puthi në ballë ende pa filluar mirë jeten”,mbaron citati(fq.5).
Romani ka Prologun ku shkruan:” Askush nuk më kishte folur se kishin mbërritur Letrat e Shën Palit në Kamenicë të Kosovës, askush nuk kishte folë më parë kush ishim ne, cila ishte historia jonë, si erdhëm në jetën baritore nga Shkodra në Kosovë… Kjo është vetëm shenja e parë e kryqit tim …
Unë endem brenda një makthi të madh “(fq. 423). Ç’është e vërteta , këtu ,autori që në fillim shpërfaq narratorin si kryepersonazh në veten e parë.Kryepersonazhi i romanit , Adem Keka , më vonë Gjon Keka , nga një fshat i Artanës që në rini të hershme përjeton skena të dhimbshme , përbuzje , ftohtësi familjare , ai në të vërtetë përjeton një dramë të vërtetë jetësore dhe shpirtërore. Për më tepër , narratori , kryepersonazhi i romanit në fjalë, është skalitur me mjeshtëri të rrallë , madje, siç është vërejtur , në tri dimensione dhe atë:
1. Si vetërrefimrar i mbërthyer nga mbijetesa,
2. Si rrëfimtar që shpërfaq luftëtarin e pambrojtur përballë valëve të tërbuara të jetës, por që kurrë nuk dorëzohet as në grahmat e fundit të jetës dhe
3. Si rrëfimtar kur vëhet në pah dinjiteti , kërkimi i dritës dhe diturisë (M.Osnabaj) .
Është me shumë rëndësi të theksohet se romani në fjalë është një ndërtim letrar-artistik-filozofik mbi jetën reale të kryepersonazhit , që ne e njohim me emër dhe mbiemër , por që pëson transformime , metamorfozë shpirtërore , është ky kryepersonazhi Adem Keka (Gjon Keka), i dhënë në dimensionin real- letrar që gëzon një ndihmë morale , do thoshim të pakursyer , nga personazhe , poashtu reale , që njihen me emër dhe mbiemër si: Dom Noshi , Sarë Gjergji , Nuni(Vilson Culaj), Isak Ahmeti , Florenti, Elbasani ,Dauti ,etj . Vlen të theksohet se autori i romanit në fjalë, duke njohur për së afërmi jetën e kryeheroit të tij , por edhe traditën historike , kombëtare dhe biblike , na e ka përshkruar me mjeshtëri të rrallë artistike rrugën jetësore dhe shpirtërore të Adem Kekës , i cilin të vetmen mbështetje , në jetën familjare , e pati hallën Fanë , një personazh strumbullar që ndërlidhet shkëlqimisht mr fabulën e romanit.
Hallë Fana që kishte besimin më të madh tek Adem Keka , para se ajo të kalojë në jetën e amshuar ,do i rrëfejë historinë e gjyshërve dhe stërgjyshërve dhe kjo e prek thellë në shpirt kryepesonazhin që ishte vazhdimisht në kërkim të identitetit.Hallë Fana dhe rrëfimet e saj para kryepersonazhit ,tek i cili kishte një besim të madh , janë disa nga copëzat më të bukura , më të ndjeshme dhe më interesante të romanit në fjalë që përçon ide , mesazhe të forta dhe sublime…
Pas rrëfimeve të hallë Fanës , kryepersonazhi bën një kthesë të madhe në jetën e tij, sidomos pas martesës së tij me Gjinën kur edhe ndryshon rrënjësisht jeta e tij… nga skenat e dhimbjes, përbuzjes , dëbimit , kalon në skena të suksesit , të dijes , të krijimit të pasurisë më të çmuar , të familjes.Kështu ,prandaj , ky roman është edhe biografi e një njeriut që nga skëterra del në dritë ;është roman i triumfit të dritës mbi errësirën, është roman i triumfit të së vërtetës , përballë gënjeshtrës , për identitetin… kryepersonazhi , që karakterizohet nga qëndrueshmëria e pathyeshme në kërkim të së vërtetës dhe identitetit , është një fitues moral , fizik dhe shpirtëror -është model i njeriut që , pas aq shumë vuajtjeve dhe sfidave të jetës , arrin te e vërteta ,triumfon mbi gënjedhtrën jetësore dhe historike!…
Krejt në fund le të theksojmë se përmes dy kryepersonazheve (Adem Kekës dhe hallë Fanës , që janë bartës dhe përçues të idesë kryesore të romanit , autori ka lidhur dy kohëra , atë të hallë Fanës dhe atë të Adem Kekës (Gjonit), në kërkim të identitetit të të parëve ,por edhe në kërkim të diturisë she dashurisë njerëzore për njerëzit dhe për Zotin.Mënyra e ndërtimit të rrëfimit, përshkrimi dhe skalitja e botës shpirtërore e kryepersonazheve , fjalët e urta , filozofike , që i ka vënë në funksion autori ,përbëjnë substancën artistike të këtij romani që lexohet me shumë andje dhe , si i tillë , të krijon një kënaqësi të veçantë estetike.