Recension për Artistin e njohur si
Poet i Urës së Vjetër (Ponte Vecchio)
Nikolin Sh. Lëmezhi
Hyrje për autorin
“Kam filluar ta kuptoj se heshtja mund të dëgjohet dhe të mësohet prej saj.”
(Chaim Potok)
Poezia e Nikolin Sh. Lëmezhit lëviz në kufirin e hollë midis dimensionit shpirtëror dhe konkretësisë së gjendjes njerëzore, me një frymë universale që përqafon tema si heshtja, besimi, dhimbja, dashuria dhe gëzimi. Çdo varg buron nga një përvojë thellësisht e jetuar, e rrënjosur në historinë personale dhe kolektive, por gjithnjë e drejtuar drejt një kërkimi të tejdukshëm. Poezia, e vërtetë dhe e pastër, është e ngarkuar me kuptime simbolike dhe me referenca teologjike e ekzistenciale, që e gjejnë fjalën si një mjet meditimi dhe dialogu të brendshëm.
«Kam kuptuar
se Heshtja
ka çdo përgjigje. […]
Ajo i jep secilit
atë që meriton!
(“Heshtja ka çdo përgjigje”)
Primati i Heshtjes shihet si një dimension njohjeje dhe shpirtëror. Nikolini e koncepton heshtjen jo si boshllëk, por si një hapësirë e ngarkuar me prani dhe kuptim, një gjendje në të cilën çdo përgjigje shpaloset. Kjo temë, e pranishme në disa poezi, sjell ndër mend poetikën e Thomas Merton, i cili shkroi: Heshtja është porti i fjalës: këtu ajo lind, këtu ajo kthehet. Për Nikolinin, heshtja nuk është vetëm një gjendje contemplative (soditëse), por një udhë për të dëgjuar thellë Zotin dhe vetveten, siç del qartë në pah në “Ndalu pak!” dhe “Heshtja që dua”.
Dimensioni shpirtëror mbizotëron në gjithë krijimtarinë e Nikolinit. Poezia e tij është shpesh lutje, rrëfim apo meditim. Marrëdhënia me Zotin është qendrore, jo vetëm si objekt adhurimi, por si vend takimi intim. Besimi, megjithatë, nuk është kurrë pasiv, por një dëshmi e gjallë, siç shihet në “Gjaku i një fetari”, ku martirizimi bëhet shenja më e lartë e lirisë.
Në veprat e Nikolinit, dhimbja dhe gëzimi janë të ndërthurura në një dialektikë që pasqyron gjendjen njerëzore të shpëtuar nga hiri hyjnor. Dhimbja përjetohet si një kalim i domosdoshëm drejt një gëzimi të përjetshëm. Po ashtu, gëzimi shihet si dëshmi dhe dhuratë hyjnore, një forcë transformuese që përshkon çdo aspekt të ekzistencës: Kemi kuptuar, o Zot, se buzëqeshja që dhurojmë/është shenja dalluese e jona. Ky polaritet mes dhimbjes dhe gëzimit kujton poetikën e David Maria Turoldo, i cili shkroi: Vetëm ai që ka qarë shumë mund ta kuptojë gëzimin.
Poezia e Nikolinit është një dëshmi e thellë dhe autentike e besimit, shpresës dhe dashurisë. Nëpërmjet gjuhës së tij të thjeshtë dhe imagjinatës së pasur me simbole, autori arrin të përkthejë përvoja personale dhe kolektive në mesazhe universale që flasin drejt zemrës së çdo lexuesi. Aftësia e tij për të ndërthurur fytyrat e kundërta të së njëjtës medalje, e vendos atë ndër poetët që dinë t’i japin zë të papërshkrueshmes, duke e shndërruar fjalën në lutje dhe meditim. Për Nikolinin, poezia nuk është kurrë qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një të vërtetë më të lartë, një dritë që udhëheq dhe ngushëllon.
Mbaje të ndezur dritëzën time është një thirrje për të qenë të qëndrueshëm në besim dhe kërkim, pavarësisht errësirave që përshkojnë ekzistencën.
«Shumë i afrova tek Burimi,
e ujë s’po pinë; […]
të tjerëve iu dhurova Jetën,
e seç po vdesin; […]
disa i mbusha me Dritë […].
O Zot, kështu po të lutem:
mbaje të ndezur dritëzën time!».
(“Mbaje të ndezur dritëzën time!”).
Marrë nga vëllimi poetik “I Poeti di Ponte Vecchio vëll. 1 ˗ Dantebus Edizioni, Roma 2025, 75˗76. Teksti origjinal në italisht nga Massimo Gherardini”.