GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së (33)

0
Jehona Sabit Raka

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

JEHONA (Sabit) RAKA
 (6.11.1976 – 9.4.1999)

Kaçaniku, qyteti më jugor i Kosovës, nuk është thjesht një pikë gjeografike në hartë, por një simbol i fortë i identitetit dhe i qëndresës së palëkundur të popullit shqiptar. Gryka e Kaçanikut, me relievin e saj të ashpër e imponues, nuk mund të përshkruhet vetëm si një formacion natyror, pasi ajo mbart një kuptim shumë më të thellë dhe më të ndërlikuar, është një monument i gjallë i historisë dhe i krenarisë kombëtare. Nëpër shekuj, kjo grykë ka qenë dëshmitare dhe skenë e betejave vendimtare, ku shqiptarët kanë mbrojtur me vendosmëri trojet, nderin dhe të drejtën për të jetuar të lirë. Këtu janë përballur ushtri dhe janë testuar vullnetet, është derdhur gjak dhe janë bërë betime për liri. Ajo ka shërbyer jo vetëm si barrierë natyrore kundër pushtuesve, por edhe si simbol frymëzimi për brezat që janë rritur me rrëfimet e qëndresës së pamposhtur.

Për shqiptarët, Gryka e Kaçanikut nuk është vetëm një vendkalim mes maleve – ajo është një shenjë e thellë e identitetit kolektiv, një dëshmi e ashpërsisë së historisë, por edhe e qëndrueshmërisë së karakterit kombëtar. Në të gërshetohen natyra e egër dhe shpirtërorja, duke krijuar një hapësirë të shenjtë ku kujtesa historike jeton dhe përcillet brez pas brezi. Në vitin 1910, në kohën e Kryengritjes Shqiptare, Gryka e Kaçanikut u bë arenë e një përballjeje të ashpër dhe historike, kur forcat shqiptare të udhëhequra nga Idriz Seferi ngritën një rezistencë të vendosur kundër ushtrisë osmane.

Në atë terren të ngushtë dhe strategjik, shqiptarët jo vetëm që e ndalën avancimin e një force të madhe dhe të mirëpajisur, por e shndërruan atë hapësirë në një simbol të pathyeshëm të qëndresës kombëtare. Kjo përballje heroike, e njohur në histori si Beteja e Grykës së Kaçanikut, mbetet edhe sot një gur themeli i kujtesës sonë historike, një shembull i vendosmërisë për të mbrojtur atdheun me çdo çmim.

Po kjo grykë, me relievin e saj imponues dhe me historinë e ngarkuar me legjenda të trimërisë, nuk e humbi kurrë rolin e saj simbolik dhe strategjik. Edhe gjatë luftës së fundit për çlirimin e Kosovës, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me rrebeshe dhe furtuna të egra ushtarake, Gryka e Kaçanikut dëshmoi sërish vlerën e saj. Ajo u bë një pengesë natyrore dhe morale kundër pushtuesit, një fortesë ku forcat e UÇK-së qëndruan me stoicizëm dhe vendosmëri të patundur. Kështu, Gryka e Kaçanikut nuk është thjesht një vendkalim gjeografik apo një element i peizazhit të Kosovës, por një hapësirë e shenjtë e historisë sonë kombëtare – një dëshmi e përhershme e rezistencës, e sakrificës dhe e idealit të palëkundur për liri.

Në këtë vend me histori të lavdishme qëndrese dhe në këtë qytet që është vetë simbol i krenarisë kombëtare, lindi dhe u formua edhe vasha trime Jehona Sabit Raka. E lindur më 16 nëntor të vitit 1976, nga babai Sabiti dhe nëna Hamdije, ajo e mori frymën e parë dhe hapat e parë në Kaçanik, në një mjedis ku kujtesa e betejave dhe e sakrificës për liri ishte pjesë e përditshme e edukimit dhe e vetëdijes kolektive.

Shkollimin fillor Jehona e kreu në vendlindjen e saj, në Shkollën “Emin Duraku” të Kaçanikut, ku përveç njohurive bazë, u formua edhe në ndjenja të forta atdhedashurie dhe respekti për traditën. Ecuria e saj në mësime dhe përkushtimi për dijen ishin tregues të hershëm të karakterit të saj të vendosur dhe të vullnetit për të kontribuar për kombin.

Pas përfundimit të shkollës fillore, ajo e vazhdoi rrugëtimin e saj arsimor në Prishtinë, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”. Kjo zgjedhje nuk ishte e rastësishme, se tregonte prirjen e saj për t’u shërbyer të tjerëve, për të qenë në anën e jetës dhe të humanizmit, dhe njëkohësisht shprehte maturinë e një vajze që e kuptonte se mjekësia nuk është thjesht profesion, por mision.

Jehona Sabit Raka, që u rrit mes maleve të Kaçanikut dhe ndërmjet rrëfimeve për betejat e lavdishme të Grykës, formoi një karakter të fortë dhe një ndërgjegje të lartë kombëtare, duke u përgatitur për sfidat që do ta prisnin në një kohë të trazuar për atdheun. Në vitin 1995, Jehona Sabit Raka e vazhdoi rrugën e saj të dijes dhe formimit intelektual duke u regjistruar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Përzgjedhja e kësaj dege nuk ishte e rastësishme, por tregonte dashurinë e saj për gjuhën dhe letërsinë kombëtare, si dhe një ndjenjë të thellë për të ruajtur dhe kultivuar trashëgiminë shpirtërore të popullit të saj.

Gjatë viteve të studimeve, ajo u shqua jo vetëm për zellin dhe seriozitetin në mësime, por edhe për nivelin e lartë akademik, duke u dalluar si një studente e shkëlqyeshme. Përkushtimi i saj i pandërprerë dhe dashuria për dijen u shpërblyen me sukses të merituar, kur ajo përfundoi me rezultate të larta vitin e tretë të studimeve. Por Jehona nuk ishte vetëm studente e dalluar. Në vitin 1998, në një periudhë të vështirë dhe vendimtare për Kosovën, ajo u angazhua vullnetarisht në Shtëpinë e Shëndetit “Nëna Terezë” në Kaçanik. Ky angazhim nuk ishte thjesht një aktivitet humanitar, por një shprehje e qartë e shpirtit të saj të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj njerëzve dhe komunitetit. Ishte një dëshmi e gatishmërisë për të ndihmuar të tjerët në kohët më të vështira, duke treguar karakterin e saj të fortë dhe të dhembshur njëkohësisht.

Jehona kishte një shoqe të ngushtë e të veçantë- Lumnije Rakën, e cila ishte edhe kushërira e saj. Marrëdhënia e tyre kishte rrënjë të thella që nga rinia e hershme. Ato i lidhte mosha e afërt, shkolla që e kishin ndarë së bashku dhe një jetë familjare e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Por me kalimin e viteve, lidhja e tyre u forcua edhe më shumë, duke u bërë bashkë jo vetëm në përditshmëri, por edhe në idealet e mëdha kombëtare. Të ndara nga shumëçka tjetër, ato u bashkuan fort në aspiratën për liri dhe dinjitet kombëtar, duke e kthyer shoqërinë e tyre në një motërzim të vërtetë dhe atdhetarë.

Jeta studentore në atë kohë nuk ishte thjesht një periudhë mësimesh dhe provimesh për Jehonën dhe shoqet e saj, por një fazë vendimtare e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të tyre shoqëror dhe kombëtar. Rrethanat historike dhe politike të asaj periudhe i lidhën ato ngushtë me zhvillimet dramatike që përjetonte Kosova, duke e kthyer universitetin në një vatër të zjarrtë diskutimesh dhe organizimesh kundër pushtuesit.

Në mjediset studentore të asaj kohe, mbizotëronte një atmosferë tensioni dhe vendosmërie. Bisedat e përditshme shpesh përqendroheshin rreth organizatave ilegale atdhetare dhe strategjive për t’i bërë ballë regjimit shtypës serb. Universiteti nuk ishte vetëm hapësirë për dije, por edhe një terren i gjallë për përhapjen e ideve të rezistencës dhe të lirisë.

Në këto ambiente, shumë studentë nuk u mjaftuan me fjalë apo mendime, por morën vendimin e guximshëm për t’u radhitur në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u bënë pjesë aktive e lëvizjes çlirimtare, duke kryer detyra të shumta e të ndryshme, si në zonat e luftës së drejtpërdrejtë ashtu edhe në ato ku zhvillohej përgatitja e heshtur dhe e pandërprerë.

Në prapavijë, studentët luanin një rol vendimtar në sigurimin e furnizimeve, në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve mbi lëvizjet e forcave armike, si dhe në strukturimin e rrjeteve të ndihmës dhe të logjistikës. Aktivitetet e tyre përfshinin gjithashtu fushatën e rekrutimit të vullnetarëve të rinj, propagandën për çështjen e drejtë të luftës çlirimtare dhe organizimin e mbështetjes së gjerë popullore.

Ishte një kohë kur ideali për liri nuk mbetej i mbyllur në librat universitare, por zbërthehej në veprim konkret, duke i kthyer studentët në pararojë të rezistencës kombëtare dhe në shembull të përkushtimit për një të ardhme më të denjë e më të drejtë për popullin e tyre. Përkushtimi dhe angazhimi atdhetar i dy bashkëluftëtareve, Jehona Sabit Raka dhe Lumnije Raka, nuk ishte diçka që lindi papritur në kohë lufte – rrënjët e tij shtriheshin që në periudhën e studimeve të tyre universitare e edhe më herët. Ishte pikërisht në këtë mjedis ku ato filluan të ndërtojnë lidhje dhe të bashkëpunojnë me figura të njohura të rezistencës studentore si Xheladin Kurtaj, Nehat Mustafa dhe Bashkim Fazliu.

Në atë kohë të mbushur me tension e vendosmëri, Jehona dhe Lumnija nuk u mjaftuan me vetëm me mbështetje morale apo me diskutime teorike. Ato morën përsipër detyra konkrete dhe me rëndësi të madhe për lëvizjen çlirimtare. Detyra e tyre e parë ishte veçanërisht delikate, vëzhgimi i lëvizjeve të armikut përgjatë rrugës kryesore të Kaçanikut, duke mbajtur nën kontroll hyrjet dhe daljet e forcave serbe, si dhe evidentimin e lëvizjeve të bashkëpunëtorëve lokalë të pushtuesit.

Ky aktivitet kërkonte guxim, vëmendje të jashtëzakonshme dhe një aftësi të lartë për të vepruar në fshehtësi. Jehona dhe Lumnija e kryen këtë detyrë me një përkushtim të rrallë dhe me sukses të plotë, duke mbledhur informacione të vlefshme që përbënin një armë të rëndësishme në duart e strukturave të organizuara të rezistencës. Për një periudhë të caktuar, ato raportonin rregullisht te përgjegjësi i tyre, Fadil Qaka, i cili ishte caktuar për këtë detyrë nga komanda e luftës.

Ky aktivitet nuk ishte thjesht një fazë përgatitore, por një dëshmi e pjekurisë dhe seriozitetit të tyre si veprimtare të përkushtuara të çështjes kombëtare. Ky përkushtim u konkretizua edhe më qartë më 20 tetor të vitit 1998, kur Jehona dhe Lumnije Raka paraqiten në komandën e Brigadës për të ndjekur stërvitjet e nevojshme ushtarake dhe luftarake. Ishte një hap vendimtar që shënonte kalimin e tyre nga aktiviteti informativ dhe organizativ në angazhimin e drejtpërdrejtë si pjesëtare të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një zgjedhje që tregonte qartazi gatishmërinë për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut.

Gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 1998, Jehona Sabit Raka kreu me përkushtim të plotë stërvitjet ushtarake, të cilat i zhvilloi individualisht nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e drejtpërdrejta të komandës. Ky proces përgatitor nuk ishte thjesht formalitet, por një fazë themelore për të fituar aftësi dhe disiplinë ushtarake që do t’i duheshin në misionet e vështira që e prisnin përpara.

Përgatitjet specifike për detyrat e vëzhgimit, që kërkonin vëmendje të madhe, vlerësim të saktë të situatës dhe aftësi për të vepruar në fshehtësi, i zhvilloi nën udhëheqjen e eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Qaka. Në këto stërvitje nuk ishte e vetme, krahas saj mori pjesë edhe Lumnije Raka, shoqja e saj e ngushtë dhe bashkëluftëtare e palodhur, si dhe një grup ushtarësh e ushtaresh të tjerë nga Kaçaniku.

Ky trajnim nuk ishte vetëm një përgatitje teknike, por edhe një mënyrë për të ndërtuar frymën e bashkëpunimit dhe të besimit reciprok midis pjesëtarëve të ardhshëm të njësive luftarake. Pas përfundimit me sukses të këtyre stërvitjeve ushtarake, Jehona, së bashku me shokët dhe shoqet e saj, u sistemua në njësitin e vëzhgimit, një strukturë e specializuar e UÇK-së që kishte si zonë veprimi vetë qytetin e Kaçanikut.

Kjo njësi kishte një rëndësi strategjike të veçantë, ai merrej me mbikëqyrjen e lëvizjeve të forcave armike, sigurimin e informacioneve për hyrjet dhe daljet, si dhe identifikimin e rrjeteve të bashkëpunëtorëve të armikut. Jehona, tashmë e përgatitur mirë dhe e vendosur, u bë pjesë e pandashme e kësaj strukture, e cila përbëhej nga luftëtarë të vendosur si Fadil Qaka, Muhamet Zeneli, Nehat Qaka, Lumnije Raka, Rrustem Dema e të tjerë.

Kjo ishte një fazë e rëndësishme dhe e ndershme e kontributit të saj në luftën çlirimtare – një angazhim i heshtur por vendimtar, ku përkushtimi dhe trimëria përktheheshin në mbrojtje të popullit dhe përgatitje të terrenit për përballjet e ardhshme të armatosura.

Në fillim të vitit 1999, situata në rrethin e Kaçanikut mori një kthesë vendimtare, duke hyrë në fazën e zhvillimeve të hapura luftarake kundër forcave pushtuese serbe. Në relievin e ashpër dhe strategjik të maleve të Sharrit, mbi vetë qytetin, ishin vendosur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuara në Brigadën 162 “Agim Bajrami”. Ky përqendrim ushtarak dhe intensifikimi i përballjes i dhanë një dimension krejtësisht të ri rezistencës, duke e shndërruar Kaçanikun në një vatër të zjarrtë të qëndresës shqiptare.

Këto zhvillime nuk mbetën pa jehonë tek Jehona Sabit Raka dhe shoqja e saj e ngushtë dhe bashkëluftëtarja e palëkundur, Lumnije Raka. Deri atëherë, ato kishin vepruar në mënyrë të fshehtë, duke kryer detyra të ndjeshme të vëzhgimit dhe informimit. Por përshkallëzimi i luftimeve i afroi edhe më shumë me strukturat e drejtpërdrejta të luftës. Tani nuk kishte më vend për prapavijë, ato të dyja morën vendimin të fortë dhe të vetëdijshëm për të hyrë në vijën e parë të rezistencës.

Jehona dhe Lumnija u vendosën në një nga pikat më të rëndësishme të luftës urbane në Kaçanik, në lagjen “Rakoc”. Në këtë pikë strategjike, ato vepruan jo vetëm si ushtare të armatosura e të përgatitura për ballafaqim të drejtpërdrejtë, por edhe si profesioniste të shëndetit, duke vënë në shërbim të luftës njohuritë dhe përvojën e tyre si infermiere. Në kushte të vështira dhe shpesh të rrezikshme, ato u kujdesën për të plagosurit dhe të sëmurët, duke e bërë luftën e tyre të plotë, me armë në dorë dhe me përkujdesje humane për shokët.

Jehona nuk ishte kurrë vetëm në këtë përballje heroike. Ajo veproi krah për krah me një grup të tërë bashkëluftëtarësh që ndanin të njëjtin ideal dhe të njëjtin rrezik. Mes tyre ishin Lumnije Raka, Emsale Frangu, Fadil Qaka, Mukadeze Lika, Ilir Zharku, Nehat Qaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Rrustem Dema, Kadri Trena, Abdurrahman Shehu, Melihate Shehu, Valdete Shurdhani dhe të tjerë.

Secili prej këtyre emrave përbënte një hallkë të fortë në zinxhirin e qëndresës së organizuar. Ata nuk ishin vetëm bashkëluftëtarë të rastësishëm, por një familje e madhe e krijuar në zjarrin e luftës, të lidhur me një besë të pathyeshme të qëndronin bashkë deri në fund, për lirinë dhe dinjitetin e popullit të tyre.

Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, fronti i Kaçanikut u përball me një ofensivë të ashpër dhe të organizuar mirë nga forcat pushtuese serbe. Armiku kishte mobilizuar një numër të madh trupash dhe kishte angazhuar teknikë të rëndë ushtarake, duke e bërë sulmin jo vetëm të fuqishëm por edhe të frikshëm në pamje të parë. Qëllimi i qartë i kësaj goditjeje të përqendruar ishte të sprapste dhe të mbante jashtë qytetit njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të shmangur çdo mundësi që Kaçaniku të binte në duart e tyre.

Në strategjinë e armikut, mbrojtja e qytetit nën kontrollin e tij ishte një hallkë kyçe për të siguruar Grykën e Kaçanikut – këtë arterie natyrore historike dhe strategjike që përshkon jugun e Kosovës dhe që ka qenë gjithmonë rrugë e domosdoshme për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve. Kontrolli i kësaj gryke nënkuptonte për ta qarkullim të lirë dhe mundësi për të mbajtur të ndarë dhe të dobësuar rezistencën shqiptare.

Mirëpo këto plane dhe synime të pushtuesit nuk ishin të panjohura për komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe për luftëtarët e saj. Ata e kishin të qartë rëndësinë jetike të Grykës së Kaçanikut – jo vetëm si terren strategjik ushtarak, por edhe si simbol historik i rezistencës shqiptare ndër shekuj.

Pikërisht për këtë arsye, njësitet e kësaj brigade kishin marrë vendimin e patundur që të mos tërhiqeshin, duke qenë të gatshëm të mbronin çdo pëllëmbë të asaj toke deri në sakrificën e jetës. Ishte një përballje jo vetëm e forcave, por edhe e vullneteve, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi se nuk do të linte kurrë që Gryka e Kaçanikut – ky prag i nderit dhe i historisë kombëtare – të binte pa rezistencë dhe pa flijim.

Beteja e 9 prillit 1999 në Kaçanik qe një përballje e ashpër dhe e vendosur, e karakterizuar nga një qëndresë e pamëshirshme dhe e pakompromis nga ana e luftëtarëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ata nuk luftuan vetëm për territor, por për dinjitetin, lirinë dhe nderin kombëtar, duke e kthyer çdo pozicion mbrojtjeje në një simbol të vendosmërisë shqiptare.

Në radhët e para të kësaj beteje qëndronin luftëtarët e njësive të Batalionit të Dytë, të cilët ishin nën drejtimin e komandantit të tyre të palëkundur, Azem Guri. Këto forca nuk u ligështuan për asnjë çast, pavarësisht intensitetit të furishëm të granatimeve të armikut. Ata përballuan me guxim breshëritë e artilerisë së rëndë serbe, të topave, tankeve dhe autoblindave, si dhe gjithë arsenalin tjetër ushtarak që armiku përdori në përpjekje për të thyer vijën e mbrojtjes së UÇK-së.

Njësia e Policisë Ushtarake ishte po ashtu në vijën e zjarrit, duke treguar të njëjtin nivel heroizmi dhe përkushtimi. Ata qëndruan krah për krah me shokët e tyre, duke mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe duke mos lejuar që forcat pushtuese të depërtonin dhe të merrnin kontrollin e qytetit e të Grykës së Kaçanikut – rrugës kyçe strategjike që kishte rëndësi jetike për lëvizjen e trupave dhe mbrojtjen e popullsisë.

Në këtë përballje të madhe dhe të vështirë, nuk mungoi as pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e vetë komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi. Me praninë dhe udhëheqjen e tij, ai dha një shembull të qartë të udhëheqjes së guximshme dhe të solidaritetit me ushtarët e tij. Ai nuk e pa veten si një komandant të largët, por si pjesë organike të rezistencës, duke qëndruar në vijën e parë të zjarrit dhe duke frymëzuar luftëtarët e tij që të mos dorëzoheshin për asnjë çast, pavarësisht furisë së armikut.

Kështu, beteja e 9 prillit u bë një simbol i sakrificës, qëndresës dhe unitetit të forcave çlirimtare shqiptare, duke dëshmuar se vendosmëria dhe guximi mund të qëndrojnë përballë çdo makinerie lufte, kur mbrohet një ideal i madh siç është liria. Atë ditë të 9 prillit 1999, Jehona Sabit Raka dhe Lumnije Raka ishin në pozicionet e tyre të frontit, duke kryer me përkushtim detyrat që i takonin çdo luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato nuk ishin thjesht pjesë e luftës, por mishërim i qëndresës dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj idealit të lirisë.

Pas disa orësh të tëra përleshjesh të ashpra në kodrat përreth Kaçanikut, situata në qytet u rëndua deri në atë pikë sa u bë e domosdoshme që popullsia civile të largohej dhe të strehohej në zonat më të sigurta të maleve mbi qytet, për t’i shpëtuar granatimeve të pamëshirshme të forcave serbe. Në atë moment kritik dhe të mbushur me ankth, Jehona dhe Lumnija nuk hezituan asnjë çast të merrnin përsipër një nga detyrat më të rrezikshme dhe më njerëzore- ndihmën dhe shoqërimin e popullatës civile gjatë tërheqjes.

Ato ishin në ballë të kolonës që kalonte nëpër shtratin e ngushtë dhe të vështirë të Përroit të Rakocit, duke udhëhequr dhe përkrahur njerëzit e trembur e të rraskapitur, bashkë me disa shokë dhe shoqe të tjerë ushtarë e ushtare. Në çdo hap të tyre, ato treguan guxim, përgjegjësi dhe ndjenja të thella humane – ishin luftëtare, por mbi të gjitha bija të popullit që nuk e braktisën as në orët më të errëta.

Por, para se të arrinin në lartësitë e sigurta të Përroit, forcat serbe kishin ngritur një pritë të befasishme, duke krijuar një situatë të menjëhershme dhe të pashmangshme përleshjeje. Aty, në atë përballje të drejtpërdrejtë, Jehona dhe Lumnija qëndruan krah për krah, siç kishin qenë gjithmonë – të pandara në jetën civile, në idealet e tyre kombëtare dhe në betejën për liri.

Në atë çast tragjik dhe heroik, ato ranë bashkë, pranë njëra-tjetrës, duke e dëshmuar me jetën e tyre se përkushtimi ndaj çlirimit kombëtar nuk ishte për to thjesht një fjalë, por një betim i shenjtë dhe një ideal që ia vlente të paguhej edhe me jetën. Rënia e tyre nuk ishte fundi i miqësisë së tyre të shenjtë, por kurorëzimi i saj në pavdekësi – një shembull i paharrueshëm i sakrificës dhe i dashurisë për atdheun që do të frymëzojë brezat që vijnë.

Duhet përmendur se në librin e tij Flakë e pashuar, ushtaraku dhe studiuesi Hajrush Kurtaj, sjell një dëshmi të rëndësishme dhe prekëse për sakrificën e madhe të bërë më 9 prill 1999 në Rakoc dhe në Lagjen e Re të Kaçanikut. Ai shkruan se pikërisht atë ditë të zjarrit dhe të vendosmërisë, shumë bij dhe bija të këtij vendi ranë në altarin e lirisë – jo për të vdekur, por për të jetuar përjetësisht në kujtesën e kombit.

Në mesin e këtyre dëshmorëve, të cilët përjetësuan me gjakun e tyre idealin më të lartë të lirisë, renditen emrat e Izahir G. Troni, Fadil I. Qaka, Nehat I. Qaka, Muhamet N. Zeneli dhe Ilir E. Zharku – të gjithë luftëtarë të pathyeshëm që qëndruan të palëkundur përballë armikut. Po ashtu, bien për të mos u harruar kurrë Ejup Dushkaja, Faruk V. Dogani, Kjani M. Bela, Nexhmush Q. Elezi dhe Nexhmush Fera, të cilët e lidhën fatin e tyre personal me fatin e popullit të tyre.

Në këtë listë nderi janë edhe Shefket N. Fera, Lumnije Sh. Raka – shoqja dhe bashkëluftëtarja e pandarë e Jehonës, Emsale Z. Frangu, Mukadeze Lika Muhaxheri, Nevzat M. Qallaku dhe Minir B. Thaqi – të gjitha figura të guximshme që dëshmuan me jetën e tyre vlerat më të larta të përkushtimit kombëtar.

Po kështu, përkujtohen me respekt të thellë edhe Fatmir A. Horuni, Blerim R. Raka, Habit R. Dullovi, Avdurrahim D. Shehu, Remzi Sh. Zharku dhe Reshat Sh. Shehu – dëshmorë që e kurorëzuan me flijimin e tyre betimin për liri.

Lista e sakrificës përmbyllet me emrat e Daut dhe Adem Sh. Rakoci, Raif A. Krivanjeva, Sylejman R. Kuka dhe Burim S. Rexha – të gjithë pjesë e pandashme e asaj gjenerate të artë që vendosi ta shkruajë me gjak kapitullin e lirisë së Kosovës.

Këta emra nuk janë vetëm fjalë në një libër historie. Ata janë testament i gjallë i qëndresës dhe i idealit të papërkulur për atdheun. Ata janë drita që nuk shuhet kurrë dhe që do të ndriçojë përherë rrugën e brezave që do të vijnë, duke u kujtuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe me gjakun e të mirëve.

Një kapitull i veçantë i dhimbjes dhe i krenarisë së asaj dite tragjike në historinë e Kaçanikut i përket edhe popullsisë civile, e cila u bë pjesë e pashmangshme e sakrificës kombëtare. Në atë 9 prill të përgjakshëm, shumë burra e gra të pafajshëm u martirizuan, duke dëshmuar me jetën e tyre se lufta për liri nuk kursen askënd dhe se çmimi i saj paguhet rëndë nga i gjithë populli.

Midis këtyre martirëve që u ngritën në altarin e lirisë renditen emrat e Nebih H. Topojani, Izahir T. Qaka dhe Irfete B. Qaka – dëshmi e dhembjes familjare që goditi pa dallim. Po ashtu, Jonuz B. Bajra, Murat S. Raka dhe Menduh S. Nallbani ranë si viktima të një dhune të pamëshirshme, duke u shndërruar në simbole të qëndresës së heshtur të civilëve që nuk patën armë në dorë, por paguan me jetë.

Në këtë listë martirësh që mbush me pikëllim çdo faqe historie përmenden edhe Tefik M. Nallbani, Maksut N. Nallbani, Gjili B. Rexha dhe Hamide Z. Rexha – familje të tëra që u goditën në zemër. Po ashtu, kujtohen me nder dhe dhimbje Mine A. Gashi, Mezrike B. Dogani dhe Hamid H. Shehu, të cilët nuk mundën të mbroheshin nga urrejtja e armikut, por mbeten përgjithmonë në kujtesën e gjallë të popullit.

Kjo listë e gjatë e martirizimit civil përfshin edhe Haki H. Livoreka, Gyli B. Raka, Ekrem I. Raka, Xhemajl A. Haziri, Bajrush Q. Axhami, Izjadin R. Frangu dhe Ilaz B. Rakoci – emra që janë bërë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe të ndërgjegjes sonë kombëtare. Martirizimi i Osman N. Livorekës, Arif S. Rakës, Nebih A. Livorekës dhe Avdullah Sh. Burrnikut flet për mizorinë e pushtuesit, që nuk kurseu asnjë jetë të pafajshme. Po ashtu, Adnan I. Gula, Riza H. Koraqi, Bedri A. Zharku dhe Aziz I. Agjani mbeten shembuj të dhembjes së përbashkët dhe të përjetshme.

Në këtë galeri të dhimbjes dhe të krenarisë përfshihen edhe Rufki B. Mulaki, Ramadan S. Spahiu, Afet R. Bushi dhe Maliq H. Zharku – martirë që me gjakun e tyre vunë një gur themeli në ndërgjegjen kombëtare, duke e dëshmuar se liria u arrit mbi sakrificën e të gjithëve: ushtarëve dhe civilëve, të rinjve dhe të moshuarve, burrave dhe grave. Ata nuk ishin vetëm viktima të një agresioni të verbër, por martirë të një populli që pranoi të paguante çmimin më të lartë për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë dhe me dinjitet në tokën e vet.

Pas përfundimit të luftimeve, trupi i dëshmores Jehona Sabit Raka dhe i bashkëluftëtarëve të saj u zbulua në një varrezë masive në fshatin Kaçanik i Vjetër – një dëshmi e dhimbshme dhe e rëndë e mizorisë së pushtuesit serb. Ky zbulim i tronditi të gjithë, por njëkohësisht shërbeu si një kujtesë e gjallë e çmimit të lartë që pagoi ky vend për lirinë.

Në korrik të vitit 1999, pas çlirimit, populli, bashkëluftëtarët dhe familjarët organizuan me nderime ushtarake rivarrimin e Jehonës dhe të dëshmorëve të tjerë. Ceremonia u zhvillua në Varrezat e Dëshmorëve, në vendin e njohur si “Te Dardha” në Kaçanik. Ky akt solemn dhe i dhimbshëm nuk ishte vetëm një përmbushje e detyrës ndaj të rënëve, por edhe një akt nderimi dhe falënderimi të thellë për sakrificën sublime që ata dhanë për lirinë e atdheut.

Për të përjetësuar kujtimin e tyre dhe për t’u shërbyer brezave të ardhshëm si dëshmi e sakrificës dhe e lavdisë, në vendin e rënies – në altarin e atdheut në Rakoc të Kaçanikut – u ngrit një lapidar i përbashkët. Ky monument përkujton Jehonën, 18 dëshmorë të tjerë dhe 22 martirë, të gjithë bij dhe bija të këtij vendi që ranë për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar. Ky lapidar nuk është thjesht gur, por një testament i historisë, një kujtesë e gjallë e dhimbjes dhe krenarisë.

Jehona Sabit Raka nuk ishte vetëm një luftëtare e armës dhe e sakrificës, por edhe një shpirt i ndjeshëm dhe krijues. Që nga fëmijëria e hershme ajo ishte marrë me shkrime, duke mbajtur edhe një ditar personal, në të cilin rrëfente ndjenja, ëndrra dhe reflektime për jetën dhe atdheun – një pasuri shpirtërore që, për fat të keq, humbi gjatë vorbullës së luftës.

Jehona la pas vetes një boshllëk të thellë në familjen e saj, duke i ndarë përjetësisht nga prania e saj të ngrohtë babain, Sabitin, nënën Hamdie, motrat Violetën dhe Lenditën, si dhe vëllezërit Diamantin, Kadriun dhe Fisnikun. Por njëkohësisht, ajo u bë pjesë e pavdekësisë kombëtare, duke hyrë në histori si simbol i qëndresës, i guximit dhe i dashurisë së pakufishme për atdheun.

Literatura:

  1. Hajrush Kurtaj, Kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe Han të Elezit (1998–1999), Prishtinë, 2022
  2. Hajrush Kurtaj, Flak e pashuar, Prishtinë, 2016
  3. https://www.radiokosovaelire.com/jehona-sabit-rakajehona-sabit-raka-6-11-1976-9-4-1999/
  4. https://telegrafi.com/tag/jehona-raka/
  5. https://deshmoretelirise.com/faqja/jehona-s-raka/
  6. https://www.facebook.com/Sjekacaniklinese/posts/lavdi-d%C3%ABshmoreve-t%C3%AB-kombit-mukadeze-lika-muhaxheri-jehona-dhe-lumnije-raka-dhe-e/945022524473570/
  7. https://www.instagram.com/p/Cq1KaeEL03s/
  8. https://indeksonline.net/memorial-per-heroinat-e-kacanikut/
  9. https://www.facebook.com/GrykaKacanikut/photos/d%C3%ABshmoret-e-ka%C3%A7anikut-mukadeze-lika-muhaxheri-jehona-raka-emsale-frangu-lumnije-/1188175045487228/?_rdr
  10. https://www.instagram.com/sjekacaniklinese1/p/C4PnsTWr_m4/
  11. https://fax.al/news/3337641/sot-ne-kacanik-perkujtohen-deshmoret
  12. https://telegrafi.com/po-marrin-vendin-qe-u-takon-ne-histori-presidentja-osmani-per-te-pare-ndan-urdhrin-heroina-te-kosoves/
  13. https://www.dukagjini.com/osmani-ndan-urdhrin-heroina-te-kosoves-edhe-per-vajzat-dhe-grate-qe-luftuan-ne-radhet-e-uck-se/
  14. https://www.arbresh.info/lajmet/perkujtohen-deshmoret-e-rakocit/
  15. https://ferizajpress.com/perkujtohen-kater-deshmoret-e-kacanikut/

(Vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.