IDRIZ ZEQIRAJ
Një përvijim biografik i gazetarit, publicistit, shkrimtarit, studiusit dhe personalitetit drejtues artistik, Gani Mehmetaj: U lind më 1955, në Dubovë të Pejës. Shkollën fillore dhe Gjimnazin i kreu në Pejë, ndërsa Fakultetin e Shkencave Politike, Dega e Gazetarisë e mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Intelektuali i kompletuar, Gani Mehmetaj, ka shkëlqyer në angazhimet e tij në mediat e shkruara, art dhe kulturë. Ishte kritik filmi, redakor, analist e komentator në gazetën zëmadhe “Rilindja”. Përgjatë viteve 1997-1999 ishte redaktor, më vonë kryeredaktor i gazetës “Rilindja”, me seli në Cyrih të Zvicrës.
Drejtoi revistën “Titanic”; drejtor i revistës “Anza.” Profesor në Fakultetin e Arteve Mediale.
Pas kthimit në Kosovë, në fund vitin 1999, themeloi gazetën e përditshme “Dardania Press”. Punoi në QIK, pastaj drejtor i gazetës “Bota Sot”. Ligjërues në Akademinë e Filmit; producent dhe drejtor i “Kosova Filmit” për vite me radhë. Bashkëpunëtor me gazetat dhe revistat e Etnikumit shqiptar dhe Amerikë.
Ka botuar më shumë se një duzinë veprash letrare, në gjini të ndryshme: romane, drama, publicistikë, studime, skenarë filmash dhe të tjera.
Njeriu i letrave, Gani Mehmetaj, ka bërë perurimin të disa librave në Kosovë dhe në Evropë, ku ka qenë gjithherë i mirëpritur dhe i vlerësuar, në veçasnti, nga Mërgata, shqiptare. Së fundi, peruroi romanin “Zogjtë e Qyqës” dhe përmbledhjen publicistike: Ngjarje, takime, kujtime, titulluar “Rugovën, si e kam njohur”, në Frankfurt, Mannheim, Nordheim Westfalen.
Kësaj radhe, po kufizohemi vetëm në trajtimin përmbledhës të librit “Rugovën, si e kam njohur”, ku përshkruhen, madje besnikërisht, ngjarje, takime, kujtime. Sentenca e hershme latine: “Scripta manent”, që i paraprinë “verba volant”, thënë shqip: “Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet”. Dhe, kjo e përshkon të gjithë polemikën e rreptë, në demantimin bindës të kundërshtarëve inatçorë, smirëzi e zuzarë të Presidentit Rugova. Mendoj se nuk ka gazetar të dytë, që, në mënyrë kronologjike, ka nokautuar, bindshëm e dinjitetshëm, të gjithë lukuninë shkarravitëse kundra-Rugovë!
Dr. Ibrahim Rugova nuk ishte rastësi historike, por rezultat i një intelektuali dhe personaliteti të papërsëritshëm, jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë në Ballkan, Evropë dhe botë. Studiuesi i vëmendshëm, Gani Mehmetaj, konstaton se ishte, pikërisht, Rugova që i priu elitës intelektuale, madje, në një kohë zezonë për vendin, për ta zëvendësuar elitën politike të zgjyrosur, të dalë boje, të Kosovës. Disa syresh qenë zhytur në krimet serike e numerike, në vrasjen e mijëra atdhetarëve shqiptarë, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, e sidomos në vitet 1944-1949. Krejt ngjashëm, në mos njësoj, kjo gjëmë u përsëritë në luftën e fundit në Kosovë, duke i kopjuar metodat kriminale të partizanëve të Enver Hoxhës, për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, përdhunshëm e përgjakshëm, nga disa “komandantë” pa ushtarë, por me banda të bollshme, që po u kushton dhe do të vazhdojë t`u kushtojë shqiptarëve të Kosovës.
Vitet ’80-a, ishte një pushtim ndryshe i Kosovës nga Serbia. Të parët u sulmuan inteligjenca dhe rinia studentore, kultura dhe arsimi. Nga libraritë dhe bibliotekat e Kosovës, u hoqën veprat e Akademik Mark Krasniqit dhe të Ismail Kadaresë, për çka Rugova reagoi i pari guximshëm. “Po ngjallej logjika e veprimit UDB-esk, që synonte gjunjëzimin e shqiptarëve”, shkruan autori Mehmetaj. Takimi i shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd, më 26-27 pill 1988, Rugova deklaroi se “nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës”. Ai përfaqësonte Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe foli guximshëm dhe pazakonshëm për kohën dhe rrethanat. Shpërthimi i Rugovës ishte logjik, sepse shkrimtarët serbë, nuk u distancuan nga platforma shoviniste D.Qosiqit, I. Andriqit, I.Garashaninit, për zhdukjen e shqiptarëve.
Publicisti Gani Mehmetaj e përshkruan Rugovën ashtu siç ishte: I heshtur nga natyra, paksa i zymtë, me syze dioptrie, me shallin karakteristik, pallton e gjatë e qeshjen, ndonjëherë, shpërthyese, u bë intelektuali më i përfolur. “Personaliteti i Rugovës gjithnjë e më i dallueshëm: intelektual fjalëpak, i vendosur, i pa kompromentuar, pa poste e privilegje, i tërhequr në botën e tij të shkrimeve. Njerëzit e natyrës së tij rrallë i patëm”. Në debatet në revistën javore “Fjala”, ai ishte kryetar i Këshillit, ishte më i zëshmi dhe “e gjuante gurin më larg”. Televizionet dhe shtypi, sidomos francezët, e intervistonin shpesh, pothuaj se, fshehurazi, larg përgjimit të zyrtarëve, në periferi të Prishtinës. Tashmë, krijuesi letrar, Ibrahim Rugova, ishte preferenca dhe referenca e parë politike në Kosovë. Rrjedhimisht, elita intelektuale nismoi ta zëvendësonte elitën politike.
Gazetari Gani Mehmetaj duke qenë pjesë aktive të themelimit të LDK-së, përshkruan, deri në detaje, këtë nismë fisnike, prijetare të pluralizmit politik, jo vetëm në Kosovë, por më gjerë në hapësirat ballkanike. Vullneti i mirë nuk mungonte, por si të veprohej nuk kishim dijeni. Shkrimtari dhe redaktori i “Rilindjës”, Jusuf Buxhovi “ishte motori i të gjitha procedurave që ne nuk i dinim”. Grupi inicues i themelimit, 127 anëtarë u nënshkruan në listën themeluese. Buxhovi u autorizua të bisedojë me Akademik Qosjen, por ai nuk e pranoi kandidaturën. Në qendër të vëmendjes ishte Rugova. Ndoshta, kandidati i vetëm, Ibrahim Rugova, ndiqte modelin e Vaclav Havel, disident çek. Dhunës nuk i përgjigjej me dhunë, por me padëgjueshmëri qytetare dhe me qendresë.
Përzgjedhja e emrit të partisë, Lidhja Demokratike, zë fill nga Lidhja e Prizrenit, si organizatë politike çlirimtare. Kryetar i LDK-së u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm Jusuf Buxhovi. Kjo ndodhi me 23 dhjetor 1989. Për pak muaj, Rugova e pushtoi botën demokratike me guximin, mençurinë e maturinë, që nuk e pati asnjë intelektual tjetër. Kuvendi i parë i LDK-së u mbajt më 5 maj 1991, në godinën e Bashkësisë Islame. Në Komisionin zgjedhor ishin: Skënder Zogaj, kryetar dhe Ramadan Musliu e Mejdi Bardhi, anëtarë. Kryetar u propozua dhe u zgjodh Dr. Ibrahahim Rugova.
Talleshin me PKJ, e cila për 50 vjet kishte 80 mijë anëtarë, kurse LDK, partia më e madhe në Gadishullin Ilirik, me 700 mijë anëtarë. Rugova shmangu diferencimin. “Jemi pak, nuk kemi njerëz që të humbasim apo t`ia lëshojmë në dorë armikut”, ishte parimi fondamental i Ibrahim Rugovës. “Duhej të ktheheshin edhe delet e humbura, por që nuk kanë marrë pjesë në krime e në tortura ndaj bashkëkombasve”. Rugova nisi të ndërtonte filozofinë e rezistencës paqësore, kultivonte kulturën demokratike, tolerancën, dialogun. Rugova dhe rugovizmi nuk u bënë vetëm sinonim i rezistencës paqësore pa përdorimin e dhunës, por edhe sinonim i kultivimit të qytetarisë, me një përcaktim të qartë për Evropën. Fryma e tolerancës, e mirëkuptimit, e qytetarisë ishin vlera fondamentale. “Më parë duaje vetën, pastaj fqinjin tënd”, – ishte filozofia politike e Rugovës. Debatet qytetare rrezatonin mirësi e mirëkuptim.
Gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve, që i udhëhiqte Profesor Anton Çetta, një personalitet i fuqishëm shqiptar, punëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku punoi edhe Ibrahim Rugova, u pa se pjesën më të madhe të këtyre ngatërresave e kishte nxitur Shërbimi i Fshehtë jugosllav: UDB-a dhe OZNA, njësoj si SHIK-u dhe “Shqiponjat e Zeza”, “BIA”, gjatë dhe pas Luftës së Kosovës. Rugova e mbështeste nismen sublime të Profesor Antonit, student i të cilit kishte qenë.
Autori i librit, Gani Mehmetaj, “Rugovën, si e kam njohur“, pasqyron vizitën e Rugovës në Tiranë, i shoqëruar nga Bujar Bukoshi e Ali Aliu, takimin me prasidentin Ramiz Alia, vizita ke varrezat e dëshmorëve, mospranimi i përkuljes para varrit të diktatorit Enver Hoxha.
Rugova kishte konsideratë për djemtë, ish- të burgosur politikë, i priti në selinë e LDK-së, ofroi bashkëpunim, sepse, siç thoshte Ai: “Më mirë t’i fusim brenda LDK-së, se sa t’i lëmë të na sulmojnë nga jashtë“. Disa prej tyre u ngritën në udhëheqjen e lartë të LDK-së, por synuan ta “pushtojnë kështjellën nga brenda”, dështuan dhe u larguan, duke u strehuar në partitë e kriminalizuara: PDK-AAK-NISMA! Se fundi, duket se janë këndellur dhe po korrigjojnë fajet fatale, të cilët, përtej një dekade u bënë pjesë e partive-banda, ekzekutuese të FARK-istëve luftëbërës të Ibrahim Rugovës dhe të kuadrove e veprimtarëve të LDK-së.
Janë, pikërisht, eksponentët e këtyre partive-banda, të cilët i akuzojnë të burgosurit politikë, cinikisht e poshtërsisht, si spiunë të instruktuar në burgjet jugosllave, duke mos ofruar asnjë provë të vetme?! “Zgjidh shokët, biro”, – thonin gjyshërit tanë! Ish-të burgosurit politikë, janë ajka e burrërisë dhe e djalërisë qendrestare, të cilët i frymëzuan brezat shqiptarë. Ndërkohë që sot akuzohen nga disa “biçim komandantësh”, të cilët nuk kanë dhënë asnjë provë të kundërshtisë ndaj armikut. Këtë qyqarllëk e kanë kompensuar, duke vrarë kundërshtarët politikë bahkëkombas, gjatë dhe pas luftës, njësoj si byroistët e filosllavit Enver Hoxha.