FJALË ME RASTIN E MARRJES SË TITULLIT “QYTETAR NDERI” NGA BASHKIA MALËSI E MADHE

2
Arben Çokaj - Qytetar Nderi - Malësi e Madhe
Arben Çokaj - pass foto
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Pas Rexhep Qoses e Gjekë Marinaj (kandidat për çmim Nobel në letërsi), e personaliteteve të tjera, që kanë marrë titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia Malësi e Madhe, më erdhi radha edhe mua. Me ketë rast, mbajta edhe këtë Fjalë:


Si fillim, dua të falënderoj Këshillin e Bashkisë ‘Malësi e Madhe’, në veçanti Kryetarin e Bashkisë, Tonin Marinaj dhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak, Ilir Halaj, për këtë nder që më bënë. Uroj e shpresoj të jem në gjendje të jap një kontribut më me vlerë në të ardhmen, për Shqipërinë e për shqiptarët.

NJË LEKSION I JETËS: MË MIRË PUNO KOT, SE RRIN KOT!

Pasi jeta më goditi në një moment, bammm!, fillova ta vlerësoj atë më ndryshe. Isha mësues informatike në një Qendër Informatike në Sekretariatin e Punës në Bash­kinë Kopenhagës. Gjërat po ecnin mjaft mirë për mua, u regjistrova edhe në dy degë në Universitetin e Kopenhagës, paralelisht me punën e plotë. Ndihmoja herë pas here edhe shqiptarët në Kopenhagë me organizimet e tyre, për luftën e tyre të drejtë për liri në Kosovë – dilja nganjëherë edhe në TV-të daneze, në përkrahje të tyre… Ishte viti 1999, mars. Bammm… një goditje e fortë dhe jeta m’u kthye me kokë poshtë!

Rrugës me biçikletë për të dentisti, atë mesditë, më ndodhi një aksident fatal. Pas 46 ditësh në koma, fillova të rikthehem në jetë, me një humbje të madhe. Gjëja e parë që mendova kur u zgjova, ishte: ‘a ka ndonjë buton pendimi Undo, Mosbëj’, por jo, jeta ecën vetëm me një vektor përpara… Nuk kthehesh dot pas… Është shumë e padrejtë nganjëherë, por kjo është jeta.

Arben Ç - Moza Rexhvelaj - Tonini Marinaj - Gjekë Marinaj - - dorëzimi i titullit Gjekë Marinaj (poet), Tonini Marinaj (kryetari) dhe Mimoza Rexhvelaj (poete) i dorëzojnë titullin Arben Çokajt

Më vonë, në një takim me ish-kryeministrin danez, që më pas u bë edhe shef i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, pyetjes së tij, ‘po ti kështu?’, iu përgjigja: ‘Një goditje e majtë, nga e djathta, dhe ja, përfundon kështu!’ Ai me miqtë tij aty pranë qeshën…

Të gjithë ne kemi hallet tona të përditshme, por kur jeta të godet, hallet shtohen, gjërat marrin vlerë disi më ndryshe, fillon dhe e vlerëson jetën pak më shumë! Po t’i referohem Erick Fromm-it, ai thotë se ‘jeta e një njeriu nuk mjafton, për të përmbushur unin e tij.’ Të gjithë përpiqemi për më shumë, për më mirë, por nuk përmbushemi dot, megjithatë. Kështu që përpjekjet e mira duhet të bëhen gjithmonë, por pa e tepruar, me keqardhje, duhet t’i pranojmë edhe kufizimet tona në këtë jetë!

Arbeni - Tonini - Gjeka - qytetar nderi

Kryetari i Bashkisë Tonin Marinaj, mban fjalën e rastit

Kisha mundësi të tërhiqesha nga puna, të dilja në pension të parakohshëm, ku të ardhurat i kisha edhe më të mira se sa kur punoja, dhe ashtu bëra. Por problemet, të ndjekin pas… Me ndihmën e pakursyer e sakrificën e pashembullt të vëllait tim mjek, Dashamirit, vendosa të mos dorëzohem, por të bëjmë aq sa të mundemi në këto kushte të reja. Unë u tërhoqa në fakt nga puna, por punën nuk e lashë asnjëherë.

Më pas kuptova më mirë, se ‘njeriu ka prirje të fuqishme irracionale drejt destruk­tivitetit’. Një prirje e tillë irracionale e të tjerëve ndaj meje, më goditi mua… Mendonin se po shpëtonin Millosheviqin.. Dhe arsyeja pse vendet e Perëndimit, shikojnë t’i punësojnë njerëzit, nuk është vetëm për të marrë produktin dhe tatimin, por  kryesisht për të shmangur te njerëzit këtë prirje destruktive, që e ka njeriu kur nuk është i zënë me punë.

Gjekë Marinaj mban fjalën e tiojPoeti i njohur, kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Gjekë Marinaj mban fjalën e tij

Sepse forcat e brendshme të njeriut, duhet të kanalizohen disi, kur nuk bëjnë mirë, ato forca, mund të marrin drejtim, për nga e keqja. Dhe unë e bëra motiv të jetës, të punoj, edhe kot, më mirë se sa të rri kot. Dhe të jem i dobishëm, brenda mundësive, në ato që bëj. Sepse nëse je negativ, ose priresh të bësh keq, me ligjin themelor të mekanikës në fizikë, “çdo veprim, ka kundërveprim”, kështu i bie që e keqja të të kthehet po në atë masë, që ti e jep atë.

Me mjetet e reja të komunikimit, me kompjuter e internet, puna ime konsistoi si punë nga shtëpia. Shkruaja shkrime të ndryshme për mediat shqiptare dhe ndonjë të huaj, dhe bëja edhe punë në internet, sidomos uebfaqe të ndryshme. A e dini ju psh. se uebfaqja e parë në histori, e Partisë Demokratike është bërë nga unë?! :p

Arben Çokaj po lexon fjalën e përgatiturArben Çokaj po lexon fjalën e përgatitur me këtë rast

Përmes internetit, u njoha edhe me Gjekën (Marinaj), që e kam me kohë një mik të mirë. Por Gjeka si një njeri, e malësor i mirë, di të tregojë mirënjohjen e tij, për ndihmën që i jep. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Toninin, nuk janë njerëz mosmirënjohës. E kanë këtë njerëzi, si trashëgimi e traditë të familjes. Dinë t’i lënë vend vetes dhe të lënë një gjurmë të mirë në shoqëri. Ashtu si ndihmova Toninin më 2015-n, pata ndihmuar edhe PD-në e Ramiz Çobaj, 10 vjet para tij, në vitin 2005. Por Ramizi u bë deputet e tha: ‘kalova lumin, të dhjefsha kalin’… Ramizi nuk e dinte se çdo veprim, ka kundërveprim dhe bashkë me PD-në, ata e bënë halen mbi veten e tyre. Shikoni ku janë sot…

Politikisht, se në Shqipëri, fatkeqësisht korruptohen të dyja palët, Rama e PS po luajnë një politikë më të zgjuar, për të marrë e mbajtur pushtetin. Mendoj se në demokraci, opozita duhet të jetë e fortë, se opozita e kontrollon pozitën dhe ia frenon demonët e pushtetit. E kështu ruhet edhe ekuilibri politik. Në shkrimet e mia unë pri­rem të jem kritik, ta godas të keqen, por e di se nuk jam as Superman. Dhe përmbahem shpesh, para të keqes, se ajo të dëmton edhe ty, gjithmonë duke iu bindur ligjeve të fizikës. Ti godet, por edhe të godasin… Nganjëherë të godasin edhe kur nuk godet kënd!

Arben Çokaj, gjatë diskutimit

Se në demokraci, kur nuk funksionon ligji, shoqëria kthehet në anarki, si psh. në Shqipëri. Dhe në anarki, njerëzit nuk kanë një sistem vlerash hierarkik, ku pushteti atje lart e sundon me hierarki vlerash shoqërinë nga lart – poshtë. Kështu që te ne, kemi konkurrencë të njeriut me njeriun: ‘a e din ti more, kush jam unë?!’ Dhe fiton më i forti. A e keni parë në rrugë, në institucione e kudo ku shkon, gjen njerëz që fryhen nga pasiguria e vetë-poshtërimi?! U duket vetja se kush janë. Kjo sjellje është më shumë instinktive e irracionale, nuk ka mend shumë aty. Se mendtë të tregojnë ty e kujtdo, pozicionin real në jetë. Ne jemi disa grumbuj aminoacidesh të përkohshme, me inteli­gjencë. Po të përdorim trurin, normalisht se jetojmë më mirë e më gjatë!

Faleminderit që më dëgjuat!

Arben Çokaj, 06.08.2024


DISA KOMENTE:

Mimoza Rexhvelaj në FB te postimi i Zani Veriut:
Arben Çokaj e meriton plotësisht titullin, vlersimin, mirënjohjen tonë!
Benin e njoh prej një jete në fillim si politikan dhe mbështetës i demokracisë, pastaj si profesor dhe botues, më vonë si përkthyes që shumë herë më ndihmoj tek pêrkthimi i poezive të mia kur konkuroja në festivale jasht vendi, më vonë si poet me një poezi të ëmbël dhe të ndjer.
Beni është natyrë kritike, fjalën e tij e thotë gjithmonë, është gazetare dhe njeri që reflekton vlera.
Urime Ben dhe faleminderit për ftesën dhe nderin që më bëtë sot! 🤗


Pershendetje Arben ! Me lejoni te uroj per Titullin “Qytetar Nderi” i Bashkise M. Madhe. Me shume sinqeritet te uroj. Desha ta pasqyroja tek ALBDREAMS, por ndryshova mendim se pastaj shoket e qeverise se Malesise dhe te Partise ne Pushtet mund te marrin ne vazhdim me sy te keq se po u marrke me nje Rush Dragu (nga Michigan), që ka përsëri në rrjet atë “mut website” !!! Të fala miku im.
– mesazh i dërguar me Whats App.
: Rush, mos u shqetërso shumë, se demokratja Mimoza Rexhvelaj kishte nderin të ma dorëzonte këtë titull, në prani të kryetarit Tonin Marinaj dhe mikut tonë, poetit të madh, Gjekë Marinaj.


Gjelosh Kasa: (Koment te postimi i Kryetarit) Bravooo kryebashkiaku i nderuar z. Tonin Marinaj, bravooo Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe për Vendimin e dhënjes së këtij titulli nderi për z. Arben Çokaj 

👏👏👏🎉
Një titull mese i merituar, Arbeni është një intelektual qe ka dhënë shumë, e më shumë do jap në të ardhmen, jo vetëm për Malësine e Madhe, por shumë më tej.
Ai është unik, i rrallë dhe një djal me zemër të madhe, ashtu si vetë Malësia e Madhe 🙏

Bruno Rexhaj, mesazh në FB:
Përshëndetje i nderuar Arben! Uroj të jesh mirë dhe punët të kenë shkuar mbarë. Më lejo të përcjell urimet e sinqerta për vlerësimin e merituar “Qytetar nderi” i Malësisë së Madhe. Edhe pse nuk njihemi nga afër, më mjaftoi një përmbledhje e shkurtër (që lexova në profilin tënd) e veprimtarisë shumëdimensionale profesionale & akademike, e cila është vërtetë e konsiderueshme👏👏. Respekte dhe mirënjohje për punën, vlerat dhe kontributin qe ke dhënë & vazhdon të japësh në shërbim të komunitetit tonë dhe jo vetëm. Vërtetë vlerë e vyer për Malësinë dhe më gjërë. Edhe njëherë përgëzime dhe suksese të mëtejshme👌👏.

2 KOMENTE

  1. Urime të përzemërta, Zoti Arben Çokaj!

    Akordimi i titullit “Qytetar nderi” i Bashkisë Malësi e Madhe, për Ju, është vlerësim i lartë për Ju, si; student i Dhjetorit ’90, intelektual, publiçist, gazetar, përkthyes dhe mbi të gjitha si njeri me vlera të spikatura patriotike dhe atdhetare. Puna juaj si botues i përmbush më së miri këto vlera, që Ju i keni vënë në shërbim të kombit…

    Zoti Arben të përgëzoj për punën fisnike që bëni, për shpirtin rebel dhe human që keni dhe për lartësimin e vlerave dhe traditave të Malësisë së Madhe, Shqipërisë dhe trevave shqiptare. Njerëzit e vlerësuar dijnë të vlerësojnë të tjerët. Ndaj e përgëzoj Këshillin Bashkiak, dhe Kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe, zotin Tonin Marinaj. për vlerësimin tuaj me këtë titull të lartë e plotësisht të merituar nga ana juaj.

    Le të shërbej ky vlerësim i tyre, si një motiv më shumë për Ju, për realizimin e misionit tuaj fisnk.
    Të përshëndes, të uroj jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme, zoti Çokaj!

    Miqësisht, Ibrahim Kabili.
    Tiranë, 06.08.2024

  2. Z. Arben Çokaj e ka merituar kaherë një mirënjohje të tillë. Ai nëpërmjet platformës së tij “Fjala.info” na ka mundësuar me i shtruar dhe debatuar të gjitha temat që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat tona.

    Z. Çokaj ka njohuri të gjithanshme si në shkencat shoqërore ashtu dhe në ato të Natyrore, ku ka fituar edhe tituj të ekspertit në Fizikë dhe Informatikë. Sinqerisht habitem prej nga e merr gjithë atë energji për punën e pandërprerë.

    Çdo punim të dëguar në çfarëdo kohe brenda pesë minutave e shohim të redaktuar dhe edituar, ashtu siç e kërkohet me rregullat e gazetarisë profesioniste.

    Veç kësaj Z. Çokaj i jep rëndësi dhe anës estetike të shkrimit. Arbeni është nga të rrallët, që dokumente dhe fotografi i ruan në pozitat e veta.

    Ai na ka bashkuar në një sofër të gjithë krijuesve shqiptarë. Ndihem krenar, që mbi një decenie jam i pranishëm në këtë dritare informative, që publikon mendimet e gjithsecilit pa ndërhyrjen më të vogël. Po ashtu ka larushi temash nga çdo cep i trevave tona.

    Z. Çokaj përveç kësaj mirënjohje meriton edhe përkrahje financiare nga shteti dhe disa vullnetmirë që janë mirë ekonomikisht dhe janë dashamirës të vërtetë të gjuhës dhe kulturës sonë.

    Këta pak rreshta po i mbylli me lutjen që z. Arben Çokaj, ta ketë shëndetin dhe të vazhdoj me këtë mision fisnik e në dobi të Atdheut !
    Me respekt dhe mirënjohje, Arif Ejupi ! (Zvicër)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.