Feja dhe aktiviteti i saj irracional, si po merren shqiptarët me leshin e harapit…

0
Hoxha i rrahur - Zeqir Berisha

Arben Çokaj - gazetar Arben Çokaj

Kjo puna e fesë është e ndërlikuar. Se pyetja është, si po e lufton Bajram Kabashi islamin? Sa rezultate ka? Islami luftohet në dy mërnyra, ose me ndërgjegjësim, ku besimtari merr dije dhe nuk beson më në fe, e kjo vlen për të gjitha fetë – por rrezikojmë të kalojmë te ateizmi, e komunizmi. Ose për llogari të një feje tjetër, krishtërimit. Kjo e dyta është propagandë fetare, për llogari të një feje tjetër, dhe rezultatet janë gjithmonë minimale, por ka edhe një rrezik, të konfliktit fetar. Te rasti i orientimit fetar në një fe tjetër, ne shqiptarët kemi vetëm katolicizmin, që e ndiejmë më afër interesave kombëtare, por edhe ai në botë ka abuzuar. Më e fundit, në Gjermani, në Münster, ka një hetim për 6000 fëmijë të abuzuar seksualisht në vitet 1945 – 2000 nga priftërinjtë katolikë në atë dioqezë. Atëherë, cila është alternativa në këtë rast? A e ka menduar Bajrami këtë, apo ai sulmon vetëm ekstremizmin fetar?!

6000 raste të abuzimit të fëmijëve në dioqezën e Münster – 4,5 për qind e priftërinjve në dioqezën e Münsterit abuzuan me fëmijët

Tani në demokraci feja ka pushtetin e vet, jo si dikur, por ka, se feja për budallën është Zot. Atëherë si largohet muslimani shqiptar nga feja e tij, nga Zoti i tij, All’ahu xhelushan? Duke i ofruar një fe tjetër si alternativë, apo mundësi tjera në jetë. Por feja nuk ndryshohet sot me dhunë, por vetëm me ndërgjegjësim. E sa e ndërgjegjëson Bajrami muslimani shqiptar, nëse e dëgjon kush, por vështirë se e dëgjon kush, se ata që besojnë, që janë edhe në objektivin e Bajramit, nuk lexojnë shumë. Sapo muslimani i mirë i Bajramit, ndërgjegjësohet, ai ndryshon edhe emrin në Gjergj, etj. dhe nuk merret më me fe. Ka raste që e mban edhe emrin musliman, se ashtu e njohin tjerët… Ky është fati tragji-komik i shqiptarëve, sa i përket fesë. Pra, nuk merret më as me katolicizëm, ku është edhe synimi në këtë rast. Kështu që i shkon puna Bajramit me shumë gjasa në një vrimë në ujë.

Këtu duhet synuar – se edhe unë jam marrë shumë me diskutime të tilla në kohën e ISIS-it, kur rreziku ishte më i madh, që shtetet shqiptare të ndikohen dhe politika të mos merret me fe, si në Europë, por ta kufizojë veprimtarinë fetare deri në atë masë, sa fetë nuk dalin kundër interesave tona kombëtare… Edhe kjo nuk është e lehtë të bëhet, se Turqia dhe Arabia Saudite, kanë para, fuqi e ndikim të madh, dhe ata duan të ndikojnë edhe përmes fesë islame, kulturës së tyre. Arabia Saudite mbrohet nga Amerika, kurse Turqia është vendi me ushtrinë më të fortë në NATO, pas Amerikës. E sigurtë është se Amerika ka me ta interesa më të forta se me ne shqiptarët, prandaj shanset që Bajrami, apo ne tjerët, të kemi sukses, janë shumë të vogla në këtë rast, sepse ata kanë blerë edhe politikën e politikanët tanë…

Por me integrimin drejt BE-së, e sigurtë është që gradualisht edhe feja të vijë tek ne si në BE, duke humbur kuptimin. Frojdi e ka parashikuar këtë në kohën e tij, kohë që po e shohim më shumë sot, që kur njeriu bëhet i ditur, ka dije e vetëdije, nuk merret shumë me fe dhe feja vjen duke humbur kuptimin, duke u shuar. Fenë e mban gjallë injoranca. Para një viti, një artikull gjerman tregonte se njerëzit po ikin nga kisha, protestante e katolike, mbi 700 mijë vetë kishin ikur vetëm në vitin e fundit, dhe të krishterët në Gjermani përbënin rreth 52% të shoqërisë. Nëse tendenca është e tillë, thuhej në artikull, Gjermania shumë shpejt bëhet me një popullsi dominante jo-të-krishterë. Kështu që edhe ideja e Arian Çanit se BE është klub i krishterë bie. Në fakt BE nuk është ashtu, por kështu e shohin disa shqiptarë, që nuk i plotësojnë standardet për anëtarësim.

Prandaj, me sa kam pa unë, orientimi shqiptar, nëse do zhvillim e përparim, duhet të jetë drejt shkollimit e dijes, e jo drejt fesë apo konkurrencës fetare, se po merremi me leshin e harapit, e nuk do të kemi sukses. Dhe fetarët kanë prirje irracionale, prandaj edhe nuk kanë produkt. Po ashtu si ata, kanë prirje iracionale edhe këta, që merren me fenë gjithë kohës, besojnë ose jo në një fe të caktuar… Prandaj, rekomandoj, të mos merreni shumë me fe, se bëheni irracionalë si fetarët… Dhe nëse mendoni se po reagoni, pasi i shihni punët keq… Është e kuptueshme, por prapër se prapë, nuk ndreqni gjë.

Xhamia e madhe në Prishtinë do të bëhet, me fonde turke, edhe më e madhe se në Tiranë, dhe nuk e ndalon dot Bajrami maninë e kësaj konkurrence fetare, derisa këta që sot besojnë në kotësi – besë-tytëni – besë në tytë, në zbrazëti – thoshte Mati Logoreci, ta kuptojnë se po xhirojnë në boshllëk (zbrazëti), se nuk ka për të xhiruar para gjithmonë ky lloj aktiviteti, nëse njerëzit në Shqipëri e Kosovë i kthehen punës dhe nuk kanë shumë nge për fe, e përralla hebraike – arabe.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.