Ibrahim Kelmendi
Fatos Klosi [nga minuta 23 e intervistës rrëfen]: “Të parin [nga njerëzit e UÇK-së] kam takuar Ibrahim Kelmendin. Një shoqe e klasës e kishte kushëri. Ajo ishte nga Plava [Vera është vajza e vuthjanit Sadik Bekteshi / Ahmetaj]. Dhe më tha kështu, kështu, ka ardhur. I thashë: ‘Po, më lejo të takoj, me shumë dëshirë, të shoh çfarë do të thotë’ (duke e shoqëruar me zgërdhirje idiote). Dhe më foli që po organizohen. Por më çuditi se ai e konsideronte luftë klasike. ‘Do blejmë tanke, do blejmë aeroplan.’ Nuk e takova më. (sërish qaraveshje idiote). I dyti ishte Xhavit Haliti. E pashë që Xhaviti ishte tjetër gjë, fare. Dhe më sqaroi pse ishte në Tiranë, çfarë përfaqësonte, çfarë kishin bërë deri atëherë dhe çfarë do të bënin, ku donin të arrinin. Natyrisht më pëlqeu. (…)”
Më erdhi keq për profesor Fatos Klosin që ndjeu të detyrohej të thërriste matrapazin e tv-emisionit “Komshia Show” që ta sqaronte për lajthitjen e tij në një intervistë televizive dhënë Raport TV, më 1 tetor, ku kishte broçkullisur se UÇK-ja kishte luftuar që Kosovës t’i kthehej autonomia që ia kishte dhënë Tito (përfrazim; citimin origjinal e gjeni në postimin tim, më 4 tetor). Kërkimfalja që e bëri në këtë emision ishte e paraprirë me një mori dezinformimesh e lajthitjesh, të cilat dëshmojnë se tashmë zoti Klosi i qenkësh bërë përvijim i kësaj lloj dekadence. Por unë po reagoj vetëm kundër dezinformimit që paskësh bërë kundër meje.
Duhet të ketë qenë 9 apo 10 mars 1998, kur, nga sikleti që më kishte përfshirë për tragjeditë më të reja në Kosovë – për të cilat nuk kishim informacion konkret – spontanisht vendosa të ndalem për një vizitë të shkurtër te kushërira Vera (Sadik) Bekteshi, me mendimin se biseda me të do më ndihmonte, meqë po kaloja pranë banesës së saj. Sapo hapi derën më mirëpriti me bujari që e shquante, por duke më bërë me dije se në orën gjashtë të darkës priste mysafir, prandaj mund të rrija vetëm deri atëherë, rreth 40 minuta. Pra, ishte vizitë krejtësisht rastësore, e paparaplanifikuar, rrjedhimisht edhe pa porosi që ajo ta ftonte z. Klosi, siç dezinformoi ky, tashmë dekadent, në këtë “intervistë”.
Biseda na bëri që të harronim për orën; unë nuk u largova pak minuta para orës gjashtë. Z. Klosi më gjeti aty. Bile, Vera, duke u ndier keq, i tha: “Më fal, e kam kushëririn Ibrahim Kelmendi këtu dhe harruam që ai të ikte para se të vije ti.” (përfrazim) Klosi ia ktheu: “Uaaa, sa mirë që po e takoj, meqë kam nevojë për të. Po ndihem keq kur takoj kolegë të huaj e nuk di çfarë t’u them për UÇK-në, meqë ata po presin t’i informoj. Unë deri tani vetëm Shuaip Mujën e kam takuar, por nuk kishte informacion. Xhavit Halitit i kam dërguar disa herë fjalë, por ka refuzuar të më takojë.” (përfrazim)
Në vazhdim, meqë po e takoja për herë të parë, e zvarrita informimin konkret për ato që dija në ato momente. Doja të kisha ca minuta kohë për të krijuar mendim për pozicionimin e tij, meqë mua, fatkeqësisht, politikanët shqiptarë tashmë më kishin zhgënjyer. Kur tha se “po habitem që edhe CIA nuk ka informacion mbi UÇK-në, atëherë më rezulton që praktikojnë konspiracion të thellë”, i thashë: “Besoj, CIA i di pothuajse të gjitha, sepse duhet t’ia ketë përcjellë simotra RDB e Serbisë, që është ish-UDB-ja, e riemërtuar nga regjimi i Millosheviqit. UÇK-ja tani është përtokë nga sabotimet e komplotet e brendshme, nuk ka fare komandë qendrore, është guerile e dërmuar nga përndjekjet dhe vrasjet në Kosovë, por edhe nga përndjekjet këtu në Shqipëri e gjetiu.
Kanë mbetur ca grupe të vogla që imitojnë ‘Lëvizjen Kaçake’, për të cilën kanë lexuar kryesisht në dy libra: atë të Ajet Haxhisë ‘Shote Galica…’ dhe atë të Liman Rushit, që e kishte atë emërtim. (…) Xhaviti duhet ta ketë pasur detyrim nga shokët e tij të kryesisë së LPK-së të komunikon me gjithë funksionarët vendimmarrës të Shqipërisë, sepse na duhet përkrahja e juve.” Pra, gjatë asaj bisede, vërtetë nuk e ka përmendur askush emrin e aeroplanëve e tankeve, meqë kishim brenga e shqetësime të përtokshme, e jo të përqiellshme, siç i paskësh fluturuar truri Klosit.
Sapo përfundoi ajo ndejë rastësore, vendosa ta takoja Xhavitin dhe t’ia thosha ato që i pata dëgjuar nga Klosi. I takova atë, bashkë me Ali Ahmetin, Emrush Xhemajlin, Gafurr Elshanin, buzë Lanës. Mund të ketë qenë edhe Fazli Velia me ta. Kur i fola Xhavitit, ai zgjodhi metodën e rrugaçit për t’u arsyetuar pse e kishte refuzuar takimin: “Aiii, kush po ia qi nanën atij, kur unë e kam shok shefin e tij…” Koqevarët që i kishte shokë të “celulës” dogmatike nuk reaguan. Sigurisht reagova unë, siç gjykova se e meritonte, pothuajse me të njëjtin fjalor arrogant.
Duhet të ketë qenë 5 prill 1998, kur e kontaktuam me telefon nga BajramCurri profesorin Klosi, sepse atje ishte krijuar situatë alarmante, eksplozive. Gjatë dy-tre netëve të fundit në Tropojë kishin ardhur mbi 1,400 kryengritës, nga anë të ndryshme të Kosovës. Kërkonin armë që të ktheheshin për të luftuar kundër forcave pushtuese serbe. Dhe tashmë, ata jo vetëm që nuk po u furnizoheshin me armë e municion, por ishin privuar edhe nga ushqimi. Drejtori i Policisë së Shqipërisë, tashmë i ndjeri Sokol Bare, kishte urdhëruar policinë e BajramCurrit t’i izolojë “refugjatët” (siç i quate ai ata që po prezantoheshin si kryengritës të UÇK-së), që të mos furnizoheshin as me bukë, që uria t’i detyronte të pranonin të regjistroheshin refugjatë, që të sistemoheshin në kampe përkatëse anë e këndë Shqipërisë.
Shefi i SHIK-ut në BajramCurr i telefonoi Klosit dhe e alarmoi për gjendjen. Me atë rast, me kërkesë të Klosit, ma kaloi telefonin mua. Klosi më propozoi: “Ejani ti dhe shefi Hyka në Tiranë, ju pres në zyrën time, sado vonë që të vini, që të sqarohemi e të gjejmë zgjidhje, meqë qenka gjendje shumë alarmante.” Me shefin e policisë, tashmë të ndjerin Hyka (emri nuk po më kujtohet në këtë moment), u nisëm për në Tiranë rreth muzgut. Mund që Hyka nuk e preferonte xhipin e tij zyrtar, sepse shofer e kishte një kriminel gangster [Bislim Demiri], i cili më vonë vrau me pagesë Ilir Konushevcin e Hazir Malën më 9 maj 1998, në Malësi të Tropojës; prandaj u detyrova të angazhoja me pagesë një tropojan që kishte xhip të mirë (por që gjatë rrugës, kur e mori vesh ku dhe për çfarë po shkonim, refuzoi pagesën, siç ishim marrë vesh).
Rreth orës 23 duhet të kemi arritur në zyrën e Klosit në Tiranë. Aty gjetëm edhe Sokol Baren. Të dy po ankoheshin që kryeministri Nano nuk po ua hapte telefonin. Në bisedë e sipër u ashpërsua gjendja, meqë Sokoli këmbëngulte të zbatohej urdhri për t’i detyruar me uri të regjistroheshin refugjatët. Unë kundërshtova, duke folur për kryengritësit që po ndiheshin të ofenduar duke i quajtur refugjatë. Sokoli atëherë shpërtheu: “Nga ky moment je i arrestuar!” Profesori Klosi: “Jo, në zyrën time nuk u ndodh miqve këso pabesie…!” U shpërndamë pa gjetur zgjidhje. U ktheva në BajramCurr me ata që isha ardhur në Tiranë. Ajo gjendje është zgjithur në mënyrë tjetër, por nuk po e rirrëfej edhe me këtë rast.
Me profesor Klosi jemi takuar disa herë, meqë pas atyre dy takimeve që kishim pas, mbetëm miq që respektonim ekstra njëri tjetrin. Por një takim për një hall, në gusht 1998, e ka shpërdoruar edhe më herët. Atë rast e pata lutur që të angazhohej për tolerim të aeroplanit nga Kina, ku kishim ndërmend të blinim snajperë, të cilët deri atëherë po na vinin nga SHBA (por të “kontrabanduar” si armë gjahu nga Florim Krasniqi me shokë, e jo si ndihmë amerikane për UÇK-në, siç dezinformoi kësaj radhe Klosi; nga Florimi isha informuar se snajperët që i blenin në USA ishin prodhim kinez dhe se po i paguan të paktën dhjetë herë më shtrenjtë, se sa kushtonin në Kinë…).
Pra, i tregova që me konsullin nderi të Kinës, i angazhuar si atashé tregtar me zyrë në Cyrih, po shkonim në Pekin për të biseduar për blerje të snajperave e kallashëve dhe ndonjë gjë tjetër që përdorin kryengritësit gueril. E pata informuar se do më shoqëronte ushtaraku mitrovicas Bashkim Kalaveshi, meqë është specialist për armatim. Prof. Klosi e pati tumir atë përpjekje, duke thënë që Ushtria kineze i di më mirë aeroportet tona ushtarake, dhe se nuk i duhet leje nëse simulon avari. As atëherë nuk ka qenë biseda për blerje të aeroplanëve e tankeve, meqë ne nuk po e furnizonim dot UÇK-në tonë guerile as me municion, veshmbathje e ushqim…
Klosi, tendencioz, kësaj radhe dezinformoi ekstra, se Shqipëria nuk e ka ndihmuar fare me armë UÇK-në, vetëm se ende nuk e ka tejkaluar inatin me kryeministrin Majko, i cili kishte urdhëruar: “Ushtarakët të mos guxojnë më të kontrabandojnë armët e Ushtrisë Shqiptare, sepse UÇK-ja ato do t’i ketë dhuratë – të gjitha armët që i duhen – dhe i posedon Ushtria Shqiptare!”
Jam i sigurt se, nëse Vera Bekteshi do t’i përcjellë këto “përplasje” mes nesh, do t’i japë një karton të verdhë shokut të saj të studimeve, Z. Fatos Klosi.
Këtu është “intervista” e Fatos Klosit, ish-kryeshef i SHISH-it:
FATOS KLOSI:
“[këtë Prof. Fatos Klosi e shoqëron edhe me një zgërdhirje idiote]. Ata luftonin që Kosova të paktën të merrte, të fitonte ato pak të drejta që i kishte pasur në kohën e Titos (…)” [intervistë, më 1 tetor 2025 në Report TV]
Lajthitje aksidentale, taktizim apo bindje? Një profesor universitar, madje në lëmin e shkencave ekzakte, siç është fizika, me një përvojë të madhe politike, deri edhe kryeshef i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), nuk do të duhej t’i shpëtonin lajthitje aksidentale në një intervistë televizive, siç ndodhi kësaj radhe.
Uroj të jetë vetëm lajthitje aksidentale, meqë nuk dua ta pësoj edhe një zhgënjim të rëndë, pasi kisha respekt për pozicionimin dhe angazhimin e profesor Klosit gjatë Luftës, sidomos në ato që i kam përjetuar unë në raport me të.
Për ata që nuk e dinë, Fatos Klosi gjatë Luftës ishte kryeshef i Shërbimit Informativ të Shtetit [të Shqipërisë, i afirmuar me akronimin SHISH] dhe tashmë e ka statusin e veteranit të UÇK-së.😰😰
***
Këtu mund ta dëgjoni në origjinal këtë deklaratë (video që zgjatë 65 sekonda):
https://www.facebook.com/reel/1132443944997056