ENIGMA E PËRSOSJES

0
Prend Buzhala
Mehmetali Rexhepi
Mehmetali Rexhepi

Meti Rexhepi

PREND BUZHALËS

në daç lype Prendin
t`ia vizatosh dukjen dhe shkëlqimin si një ylli
çdo ditë e sheh
e çdo ditë pak e më pak e njeh
largësia e lëvizjes i duket e ngathët
buzëqeshjes Tij lërja në buzë qershorin
me qeshje qershish
nëse të iku qershori
e gjen në Kallnorin me Buzëqeshje të Përskuqura
krahneza ia mbështjellke kopertinat e hapura në verë
po i hape prite dehjen e ngjyrave dhe hijeshinë e tulipanëve autokton
t`ia matësh fiziologjinë e mendjes imagjinare është iluzion

*
mos ngurro t`ia shkëputësh ndonjë fletë te(k)stamenti
me çfarë syzesh i shihte Ai vrimat e zeza
tek ti tek unë dhe te vetja
të udhëzon t`ia qëmtosh urtësinë në kulmin e vapës
dhe ta presësh nën ombrellë breshrin me akuj
e ndonëse mbi shkëmbinj bimë nuk mbijnë
gurit ia gjen peshën në vendin e vet ose tek zoti i mullirit
tashmë letrën e mëkimit të zemrës ta ka shkruar
por e mbajte në xhep shuk të dërmuar
ta dërgon tjetrën
të mos iu verbohen sytë e simboleve të kohës
thotë: shpëto metaforat prej shurdhimit për meloditë e Prenk Jakovës

*
universi i pakufi nismën mund ta ketë pasur sa Ky Njeri
kur e gozhduan të përgjakur Jezusin
ekzekutorët harruan se akti i krimit
nuk iu zhbëhej dot prej përfytyrimit
të bërat iu vinin ndotëse
deri në vdekje ose vetëvrasje u drejtohet gishti i shekujve
lum Prendi Prend Miku
ngrite Çati Shtëpish ku flenë në rafte e të zgjohet shpirti
në fjalët tua ka ethe të shërueshme në rreze
po të mos kishte kaq rreze nuk do të shihej as prarimi
çka t`i bëje njerëzisë
doemos e ndizje një copë dielli të poezisë

*
një vashë të vetmen që e dashuroje tërë jetën
ajo të mori në kraharor në gji metaforash
e thithje dhe ta thithte nektarin
por as e ngopje as të ngopte
e kishte dhe ajo bezdinë
porse dorë për dore të pandarë në suferinë
dinte të lypte role e metafora për Një Mbretëreshë
ia preferoje Enigmën e Përsosjes së Thjeshtë
si është e mundur në atë trup mesatar të tkurret një det i gjallë
det fjalësh dhe dije fora tej përmasash mrekullie

Gjilan, korrik 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.