11.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi E LAGU, S’E LAGU BISHTIN DHELPRA NË LUMË?!…

E LAGU, S’E LAGU BISHTIN DHELPRA NË LUMË?!…

0
Dhelpra dhe pula

Nga Hysen Kobellari

Përpara kotecit të pulave kaloi me vrap një dhelpër. Pulat flinin, këndezat bënin roje tek dera. Kur u përmendën ato, Skilja plakë kishte kaluar lumin dhe po futej në pyll. E ndiqnin nga prapa një tufë qensh.
Skilja kishte dashur të kobonte pulat në pularinë e madhe, në të dalë të qytetit. Por nuk kishte mundur, me gjithë dredhitë që kishte përdorur, për t’ia arritur qëllimit.

Teksa dhelpra u fsheh në pyll, pula Qorre kroi zërin dhe tha:
– E lagu bishtin dhelpra në lumë!
– E lagu, e lagu, m’u bëftë kurban!… – i mbajti ison pula Shushatkë.
– Nuk e lagu, moj Shishkë, jo! – ntrashi zërin pula Bardhoshe. – Unë e pashë mirë, kur notonte, e mbante bishtin përpjetë…
– E lagu, moj, posi! – Nguli këmbë pula Qorre, duke çukitur përdhe me inat dhe duke kakarisur me të madhe.
– Nuk e lagu, nuk e lagu! – bërtitën në kor të gjitha pulat e bardha, kushurirat e Bardhoshes.

Nga prapa shkurres, ku ishte fshehur, dhelpra e trembur dëgjoi zënkën e pulave dhe rregulloi frymëmarrjen. Vuri veshin të dëgjonte më mirë. Sa më shumë rritej zallamahia që bënin pulat, aq më mirë e ndjente veten Skilja.

” – Ua kallzoj unë, në m’u lag bishti, apo jo!” – ia bëri ajo. Por më e forta ndodhi, kur në debat u përzjenë edhe këndezat. Koteci i shkretë u bë shumë i vogël për tufën grindavece të shpendëve. Plasi shamata sheshit. Puplat dhe pendët fluturonin në qiell.
– E lagu bishtin dhelpra!
– S’e lagu bishtin dhelpra!
– E lagu… s’e lagu…

Doli Skilja, më në fund nga shkurrja ku ishte strukur. Qeshi e kënaqur me shfaqjen që po jepnin para saj, tufa e pulave dhe këndezave.
Gjithmonë sherri ndërmjet shpendëve i kishte sjellë fat asaj. Por këtë rradhë ishte ndryshe. Një tufë e tërë ishte hardallosur dhe turrej pa frikë drejt saj.

Ajo akoma nuk po u besonte syve. Ja, ku po vinte pula Qorre, e majme dhe gjaktrashë! Pas asaj pula Bardhoshe; pak më tutje pula Shushatkë, Gjel Kokoshi…

Skilja, kap e mbyt e verë ndër këmbë. Dhelpra plakë bëri kërdinë atë ditë. Dasëm të madhe si rrallëherë në jetën e saj. Ndërsa ato pak pula e këndeza që shpëtuan rastësisht atë ditë, edhe sot e kësaj dite nuk e kanë sqaruar nëse e kishte lagur apo jo bishtin dhelpra në lumë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.