DR. RUGOVA ISHTE VIZIONAR I PAKONTESTUESHËM (Pjesa II)

1
Ibrahim Rugova

Gani Mehmetaj: “Rugovën, si e kam njohur”
– pasqyrë e një epoke të trazuar

IDRIZ ZEQIRAJ

Më 24 prill 1992, në Kosovën e pushtuar nga soldateska serbo-sllave, populli i Kosovës, në kushtet e dhunës dhe terrorit të egër, organizoi zgjedhje të dinjitetshme e demokratike, Parlametare dhe Presidenciale. Subjektet dhe individët pro-jugosllavë, të tufëzuar në UJDI, lëshuan sallën, me akuza për gjakderdhje e luftë civile, kinse, po provokohet Serbia. Dhe, kjo po ndodhte pas -2 Korrikut të Pavarësisë- dhe -Kushtetutës të 7 shtatorit 1990-!

Ndarja e Kosovës dhe tri opsionet në rrethana të reja:

Në komunikimin javor me popullin, Konferenca për shtyp të Presidentit Rugova, shpalosi tri opsionet e mundshme të platformës së tij:

1) Nëse Jugosllavia do të ruajë kufijtë e jashtëm, Kosova do të jetë Republikë e barabartë;

2) Nese kufijtë e brendshëm ndryshojnë, sipas parimeve etnike, shqiptarët do të jenë në një Republikë, (përfshirë trevat jashtë Shqipërisë londineze);

3) Nëse Jugosllavia do të shpërbëhet, shqiptarët do të bashkohen në një shtet.

Evropa dhe SHBA hezitonin të pranonin shpartallimin e Jugosllavisë! Ndërkohë, Rugova i ngushëllonte ata, me slloganin e përsëritur: “Kosova e pavarur, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Qarqet politike serbe bisedonin për ndarjen e Kosovës, të paraqitur nga Dobrica Qosiq, akademik, babai i kombit serb. Serbët ta marrin Leposaviçin, por jo të japin tri komunat në Kosovën Lindore.

Gazetari Mehmetaj trajton edhe konfliktin Rugova-Franjo Tuxhman. Luftën serbo-sllovene dhe serbo-kroate shqiptarët e panë me simpati. Dy Republikat i propozuan Millosheviqit -Federatë asimetrike-, por serbët nuk e pranuan dhe sllovenët e kroatët shpallën pavarësinë. Tuxhmani i kërkoi Rugovës: “Ne e hapëm frontin në veri të Jugosllavisë, ju hapeni frontin e luftës në jug!” SHBA-Anglia e pyetën Rugovën: “A mund ta mbani frontin 7 muaj!” Rugova u gjegj: “As 7 ditë. Mbrojtjen territoriale të Kosovës, e ka shkatërruar Serbia. Kosova është plaçkitur. 100 mijë punëtorë janë larguar nga puna!” Sllovenët u treguan fisnik, i përcollën ushtarakët profesionalë të Kosovës për Gjermani e Zvicër.

Ndërsa kroatët u bënë thirrje oficerëve dhe ushtarëve tanë të luftonin për Kroacinë. Rugova nuk u pajtua, me arsyetimin se “djemtë tanë duhet të përgaditen për çlirimin e Kosovës”. Në atë kohë isha korrespodent i Mërgatës, për Radio-Zagrebin, por, kroatët e ndërprenë bashkëpunimin, u koritën. Megjithatë, atje luftuan disa oficerë dhe ushtarë të Kosovës, përfshirë edhe Bekim Berishën- Abeja, Hero i tri shteteve!

Me ngrohtësi, repekt e dashuri shkruan luftaraku i shqiptarizmës, Gani Mehmetaj, për miqësinë e dlirë Rugova-Papa Gjon Palin e Dytë, i cili u “bë engjëlli ynë mbrojtës”; për Kishën Katolike të Dardanisë, me Imzot Nikë Prela, i cili u kujdes si ati i kombit; prifti i shumëdashur dhe i kudondodhur në takime, Dom Lush Gjergji: “E takova Rugovën për herë të parë në Brezovicë, në takimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Për herë të parë, nga goja, mendja e zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin e Tij: “Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare”…, – tha Dr. Rugova.

Fillimisht, kreu i Kishës Katolike Imzot Nikë Prela, me përvojën e gjyqeve dhe burgjeve plolitike, me ndërmjetësimin e Profesor Anton Çettës; më vonë Rugova punoi shumë edhe me Imzot Mark Sopin. Kisha ndihmoi shumë në themelimin dhe organizimin e Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze”. Pritja në audiencë ke Papa Gjon Pali II, Presidenti Rugova, Don Lucian Avgustini, Don Dodë Gjergji, më 11 mars 1993. Me atë rast takoi edhe kryeministrin italian, Xhuliano d`Amato, të cilit i kërkoi ndihmën e Italisë. Thënë në sintezë: “Rugova shkroi histori si dhe mbeti në histori”.

Për takimin e shumëpërfolur të Adem Jasharit me Komandantin Ibrahim Rugovën, studiusi Gani Mehmetaj sjell elemente të reja, të dhëna e të thëna për herë të parë. Shefi i Zyrës në Përfaqësinë e Kosovës, Skënder Zogaj, rrëfen: “Fotografia është bërë, më 12 mars 1993, në Aeroportin e Rinasit me gazetarët. Adem Jashari më shprehu dëshirën për t`u takuar me -Komandantin- Ibrahim Rugova. Ai ka qenë adhurues i madh i Rugovës, dhe unë, jam dëshmitar – para robit dhe para Zotit -, që Ademi e quante Rugovën vazhdimisht -Komandanti-, dhe këtë e shprehte me një ndjenjë butësie dhe respekti të veçantë, me seriozitet të qartë dhe me një bindje të thellë përcaktimi”,- deklaron veprimtari i devotshëm Skënder Zogaj, kryetar i Komisionit zgjedhor të kryetarit të LDK-së, më 23 dhjetor 1989.

Dr. Rugova ishte vizionar i pakontestueshëm.”Kafen e mëngjesit do ta pimë në Durrës, kurse drekën do ta hamë në Prishtinë”. “Rruga Prizren-Durrës do të ndërtohet domosdo. Jam i sigurtë në këtë projekt. Kombi do të bashkohet, madje më shpejt nga sa mendojmë ne. Do të ndërtohet edhe hekurudha nga Gjakova në Durrës”,- deklaronte Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, tej tri dekada më parë. Atëbotë, në një gazetë kozmopolitike të Kosovës, gazetari argat dhe zëdhënës i Serbisë, dje dhe sot, Baton Haxhiu, shkruante për Rugovën: “ëndërrimtar në delir, fantazi, jo seriozitet!” Si motër e saj ishte fletushka kundra-kombëtare, “Zëri i Kosovës”, e dominuar nga kuadro partiak të Tiranës zyrtare social-komuniste dhe enveristët e Kosovës, hafije të dyfishtë, të UDB-së dhe të SHISH-it, të instruktuar nga “diplomatët” e monizmit shqiptar enveristë.

Autori i vëmendshëm, Mehmetaj, sjell në librin “Rugovën, si e kam njohur” Konferencën famëkeqe dhe fatkeqe të Dejtonit, e cila, realisht, Bosnje-Hercegovinën e bëri shtet rakitik, hiç funksional, duke e lënë vegzën për ndarje të çdokohshme të saj. Të entuziasmuar nga lufta në Kroaci, disa aventurierë, profanë në politikë dhe në artin luftarak, kërkonin luftë, edhe pse disfata ishte e parathënë. “Pse të mos e rikthejmë Radio-Prishtinën, që e pushtuan forcat serbe”,- thoshte Adem Demaçi?! -Por mund të vritën shumë njerëz,- i thanë bashkëbiseduesit. “-Ani çka nëse vritën 20 mijë njerëz!” Ai ngulmonte dhe bëri thirrje për luftë të përgjithshme. Përsëri i thanë se mund të vritën shumë njerëz. “S`është gjë nëse vritën 350 mijë burra” – deklaronte Demaçi!

Zakonisht, në këtë çështje ishin të bashkuar grupet enveriste e titiste, të cilët e kritikonin, madje edhe e anatemonin Rugovën, pse nuk po e fillonte luftën! Realisht, ata cyteshin nga Rusia dhe Serbia, të cilët prisnin këtë aventurë të shqiptarëve, për t`i dhënë shkas një sulmi pushtues serb, duke e bërë “fait a copli”, siç thonë frengët, pra -fakt të kryer-! Dhe, kjo ka ndodhur me pushtimin dhe boshatisjen nga shqiptarët të Çamërisë, 85 vjet më parë.

Studiusi Gani Mehmetaj, në një kapitull të veçantë, pasqyron një qasje të gabuar të liderit të së djathtës shqiptare, Dr. Sali Berishës, karshi Rugovës, rrjedhimisht, të Kosovës, me kërkesën absurde për pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë, në mbështetje të opozitarit serb, Drashkoviqit, kundër Millosheviqit. Dihet, ajo ishte një humbje e parathënë. Por, Rugova dha përgjigjën e duhur, madje proverbiale: “Nuk përzihemi në punët e një shteti të huaj, sepse kjo do të ishte njohje e shtetit të Serbisë, mohim i shpalljes së pavarësisë, më 2 korrik1990”.

Ndërsa qasja ndaj subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, përbën fajësi. Dr. Berisha dërgoi dy anëtarë të kryesisë të PD-së në Tetotvë, për të parë zënkat e partisë së Arbër Xhaferit e Menduh Thaçit me “Prosperitetin” e Nevzat Halilit. Arbër Xhaferi ishte argat i katër Shërbimeve Informative. Vinte nga UJDI-ja për shpëtimin e Jugosllavisë. Filloi të flirtonte me PD-në e Berishës, por, në të njëjtën kohë, “kulloste” me PS-në e Nanos, sepse të një brumi ideologjik ishin. Me emigracionin e shqiptarëve në Maqedoni, kishim bashkëpunim të shkëlqyer, sepse shumica e tyre kontribuonin për Fondin shtetëror 3 %-shin, Shoqatën “Nëna Tereze” dhe organizimet e tjera i kishim të përbashkëta. Në nivel Gjermanie ishte veprimtari Nami Ramadani, me shokë, nga Ilirida, i cili vazhdon edhe sot të jetë aktiv.

Në Ludvigshafen, në Republikën e Rheinland Pfalz-it, në vizita të ndara, erdhën kryetari Nevzat Halili dhe rektori i Universitetit të Tetovës, Profesor Fadil Sylejmani. Duke qenë kryetar i LDK-së për atë Republikë, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë të LDK-së, në nivel Gjermanie, më kërkuan të organizoja disa takime me qytetarët nga Maqedonia, ose -Ilirida- e Nevzat Halilit. Përkrahja ishte për kryetar Halilin. M`u lut të bisedoja me kryeministrin Bukoshi, sepse Arbër Xhaferi po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm, po bashkëpunon me pushtetin maqedonas. Bisedova me Bukoshin, duke ia kujtua se Nevzat Halili është anëtarë i Këshillit të Partive Shqiptare në ish-Jugosllavi. Dr. Bukoshi ishte i një mendjeje me Dr. Berishën. “Nevzati na pyet, na konsulton, por e bënë të kundërtën çfarë ne i sugjerojmë!” Kjo dizinformatë servirej nga intriganti Xhaferi.

Ngjashëm me kryetar Nevzatin, u ankua edhe Rektori Fadil Sylejmani dhe kërkoi, gjithashtu, organizimin e disa takimeve me qytetarët e Maqedonisë, për të mbledhur ndihma për Universitetin e bojkotuar të Tetovës, nga pushteti maqedonas dhe bandës të agjentit Arbër Xhaferi. Shumë emocional dhe krejt i besueshëm ishte në rrëfimin e tij të çiltër, të organizuar në sallën e madhe të xhamisë në Ludvigashafen, ku merrnin pjesë edhe shqiptarët nga Kosova dhe trevat tjera. Loti i Rektorit, përloti të gjithë të pranishmit. E habitshme, si ka mundësi që një profesor Universiteti, siç ishte Arbër Xhaferi, ta luftonte aq egërsisht Universitetin shqiptar të Tetovës dhe rektorin e tij Sylejmani?! Vlen të theksohet se shqiptarët, pavarësisht, nga vinin, kontribuonin për Universitetin e memëzi hapur të Tetovës.

Gazetari hulumtues, Gani Mehmetaj, në përmbledhjen publicistike, “Rugovën, si e kam njohur”, ka arritur të jetë gjithëpërfshirës i ngjarjeve kryesore, ku protagonist ishte intelektuali shumëdimensional, Ibrahim Rugova, për të cilin, në mesin e shumë personaliteteve të vendit dhe botërore, kanë dhënë vlerësime supreme. Ndër ta edhe Presidenti Sali Berisha dhe shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare: “Në historinë shqiptare, Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës, që nga Gjergji ynë i Mesjetës, për rolin unik në bërjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan – Kosovën”.

Rugova në rrethanat supërspecifike të pushtimit, mbizotëron opinioni se bëri maksimumin e mundshëm për Kosovën. Kontaktoi që nga Papa i Romës e deri ke Presidenti amerikan, Bill Klinton. Megjithatë, në “Çarshi” flitej se duhet luftë. Amerikanët kishin një porosi të prerë për Dr. Rugovën: “Nëse një pushkë kërcet në Kosovë, me vullnetin dhe dijeninë tënde, rruga e mbarë pa ne. Luftën duhet ta nisë e para Serbia dhe jo Kosova”. Këtë e konfirmojnë, të paktën, dy akademikë shoqërues të Rugovës, Jusuf Buxhovi dhe Milazim Krasniqi.

Arsyet e ndërprerjes të ndihmave nga Qeveria në egzil, për Prishtinën, jo zyrtrisht, është thënë se LDK-ja ka shpërfillur kërkesën e dhënies llogari -kush dhe sa paguhet-, nga 50 mijë makat gjermane në muaj, për 99 personat në Kosovë, kërkesë kjo normale dhe ligjore. Por, rreth Rugovës ka pasur edhe kapadai dhe përgjigja ka qenë neglizhiuese, ndoshta, edhe mospërfillëse! Ose ka pasur edhe arsye më të thella!?

Emërimi nga Presidenti Rugova i një kuadri shumë meritor, Anton Kola, ish-nënkryetar i LDK-së dhe i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë, i dënuar në mungesë, tani, shef në Zyrën e Përfaqësisë të Kosovës, në Tiranë, nuk u pranua nga kryeministri Bukoshi. Dhe, kjo ishte nonsens i madh, për kushtet në të cilat ndodhej Kosova. Megjithatë, Rugova “lëshoi pe”, e tërhoqi vendimin. Por, kjo la shije të hidhur në opinionin vendor dhe në Mërgatë, që përjetohet rëndë edhe sot, pas tej tri dekadave!

Për ta kompensuar bllokadën qeveritare, Rugova kompozoi një qeveri në heshtje, sepse rreziku i arrestimeve ishte permanent. Ndërkohë, djemtë veprimtarë, kryetarë të Degëve të LDK-së në Mërgatë, të prirë nga: Hafiz Gagica, kryetar i Kolegjiumit të Degëve në Diasporë dhe në Gjermani, Hajdar Sadria në Zvicër, Ismajl Bytyçi në Beneluks, Dr. Muhamet Shatri në Suedi, Skënder Gashi, i pasuar nga Ibish Rugova, në Austri, Shaqir Shabani në Francë, Enver Seferi në Norvegji, Shaqir Shaqiri në Angli, Agim Rexhaj në SHBA, të tjerë në Itali, Kanada, Ausrali…, me komisionet e Fondit të 3 %-shit, vazhdonin begatimin e Fondit në fjalë.

Organizimi ka qenë i përkryer dhe verifikimi ka qenë dhe mbetet i mundur edhe sot. Dhënia e dhunshme e miliona markave, frangave, dollarëve “komandantëve” fiktivë dhe abuzivë, ka qenë skandal i madh financiar, sepse nuk janë përdorë për nevojat e luftës, por janë përvetësuar nga disa “komandantë” kriminelë e hajna. “Pusullat”, letrat e futura në -kutinë postare-, të varur në derën e jashtme të Përfaqësisë të Kosovës, në -Rrugën “Skënderbeu”-, në Tiranë, për ministrat me emër e mbiemër, me përmbajtjen klishe: “Për tradhti ndaj Atdheut, jeni i dënuar me vdekje. Në rastin më të parë do të ekzekutoheni. – SHTABI I PËRGJITHSHËM I UÇK-së -!

1 KOMENT

  1. Z. Zeqiraj!
    Fort mirë dhe me rend i “keni shkuar” asaj që e ka shkruar z. Gani Mehmetaj: “Rugovën si e kam njohur”, por ka qenë të shkruhet edhe kjo:

    “Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.”
    *
    IMH

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.