DIALOGU I BRUKSELIT PO SHNDËRROHET NË PUNË SIZIFI

0
Kurti - Vuçiq - Borrel - Lajçak - takim

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

BE-ja i heq vizat për serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të Serbisë

– Për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen (Schengen), serbëve të Kosovës u nevojiteshin viza. Këshilli i BE-së mori vendim për t’ia hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Bashkërenduese e Serbisë. Ministrat e Jashtëm të BE-së, vendimin e lartpërmendur e morën më 22 korrik të vitit në vazhdim.

Autoritetet e Kosovës i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës. Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i vitiт 2024. Kosova nuk i njeh pasaportat që i lëshon e ashtuquajtura Drejtori Bashkërenduese e Serbisë e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Mbajtësit e pasaportave të tilla nuk mund të fluturojnë nga aeroporti i Prishtinës.

*   *   *

Vendimi i sipërthënë i Këshillit të BE-së cenon tërësinë tokësore të Kosovës dhe sovranitetin e saj.

Për çfarë dialogu të Brukselit mund të flitet? Cili është qëndrimi i udhëheqjes së përtashme serbe ndaj Kosovës?

– Në Kushtetutën e Serbisë, Kosova figuron si pjesë e pandarë e saj;
– Me rastin e betimit solemn, udhëheqësit serbë, përkatësisht serbomëdhenj betohen se do ta mbrojnë tërësinë tokësore të Serbisë, me Kosovës si pjesë të pandarë të saj;

– Serbia e quan Kosovën “Kosovë dhe Metohi”;
– Kryekrimineli i gadishullit, Aleksandar Vuçiqi, pareshtur deklaron se Serbia kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës;

– Serbia armatoset duke blerë armë kryesisht nga Rusia dhe nga Kina;
– Lloje të caktuara armësh Serbia i prodhon edhe vetë;

– Serbia armatoset kundër shteteve ndaj të cilave ka pretendime territoriale, siç janë Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia;

– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjek politikë luftënxitëse;
– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjek politikë destabilizuese;
– Serbia ndaj Kosovës dhe rajonit ndjekë luftë psikologjike;

– Serbia pranë kufirit të Kosovës ka përqendruar forca të mëdha ushtarake dhe policore;

– Në Serbi veprojnë haptazi shërbimet sekrete ruse, me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit;

– Për ta destabilizuar Kosovën, Serbia organizon dhe mbështet grupe paramilitare, përkatësisht grupe terroriste;

– Më 26 korrik 2011, në Albanik, afër pikës kufitare në Bërnjak, gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e shtetit të Kosovës në veri të vendit, u qëllua nga strukturat paralele serbe polici Enver Zymberi (3 prill 1979 – 26 korrik 2011). Është polici i 14-të i rënë në detyrë;

– Më 24 shtator 2023, terroristët serbë, të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, në fshatin Banjskë të veriut të Kosovës ndërmorën sulm kundër njësive speciale të Kosovës. Me këtë rast mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku (15.04.1973 – 24.09.2023). BE-ja e cilësoi si sulm terrorist, ndërsa ShBA-ja e dënoi sulmin;

– Beogradi nuk e dorëzon kreun grupit terrorist që e udhëhoqi sulmin, Milan Radoiçiqin;

– Më 14 qershor 2023, gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës, në vendin e quajtur Tresavë/Bare, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, u rrëmbyen nga forcat serbe. Ishte një rrëmbim klasik i kryer brenda territorit të Kosovës;

– Më 5 nëntor 2022 serbët i braktisin të gjitha institucionet e Kosovës: Qeverinë ku e kanë një ministër; Kuvendin ku i kanë dhjetë deputetë; katër komunat në veri, të administruar nga kryetarë serbë dhe nga stafi administrativ serb; organet e gjyqësisë; organet e policisë etj.;

– Braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët në veri, pa asnjë arsye të bazuar, flet për bojkotimin e tyre, përkatësisht për zbatimin e mosbindjes civile, pasive apo vepruese,

– Më 29 maj 2023 grupet paramilitare, terroriste serbe, të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, në Zveçan të veriut të Kosovës sulmuan ushtarët e KFOR-it. Me këtë rast u plagosën 90 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Midis të plagosurve ishin edhe ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it. Sulmi i serbëve ndaj paqeruajtësve ishte i paprovokuar;

– Më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia duhej të nënshkruanin në Ohër shtojcën e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryetari i Serbisë, Vuçiqi nuk e nënshkroi dokumentin. Me ironi tha: “Nuk e nënshkruaj ngase më dhemb dora”. Në nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit thuhet: “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e  Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Ndërkohë, Serbia ngriti një grup pune për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës;

– Mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit tregon qartë se Vuçiqi dhe Putini nuk do ta njohin pavarësinë Kosovës edhe asociacion sikur t’u japësh serbëve në veri;

– Vuçiqi dhe Putini nuk kërkojnë të drejta për serbët në veri. Serbët në Kosovë, përfshi edhe bashkësitë etnike të tjera, i kanë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend të BE-së;

– Serbia e Vuçiqit kërkon në Kosovë territor. Me fjalë të tjera, këtu s’kemi të bëjmë me kurrfarë kërkesash për të drejta. Këtu kemi të bëjmë me synim dhe aspiratë serbomadhe për territor. Aspirata serbomadhe ndaj Kosovës dhe mbarë rajonit është hegjemoniste, kolonialiste, ekspansioniste dhe fashiste;

– Kisha Ortodokse – fashiste – Serbe nuk merret me çështje fetare. Preokupim i saj është rimëkëmbja e perandorisë së car Dushanit;

– Politika e sotme serbe është vazhdim i politikës ekspansioniste dhe pushtuese të zjarrvënësit të Ballkanit, Milosheviqit;

– Që nga viti 1999 e këndej Serbia udhëhiqet nga njerëz që e kanë vendin në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit, siç janë: Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi etj. Pas tyre qëndrojnë kriminelët e luftës Vojislav Shesheli, Tomislav Nikoliqi.

– Dy ministra të qeverisë së përtashme të Serbisë janë nën sanksione të ShBA-së,  Aleksandar Vulini (1972- ) dhe Nenad Popoviqi (1966- );

– Beogradi sot ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë. Kur u shpërbë Jugosllavia, Shesheli deklaroi: “Maqedoninë e marrim me pesë tanke”;

– Që se është shpërbërë amalgama jugosllave, Serbia ndjek politikën e forcës;

– Ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Serbia ushtron gjenocid të heshtur;

– Serbia është shtet gjenocidal. Politika e ndjekur prej saj ka qenë politikë gjenocidi. Këtë e dëshmon edhe Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, e Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, e miratuar më 23 maj 2024;

– Serbia nuk arrin të organizojë zgjedhje të lira. Kjo tregon se ajo ka shkallë të ulët të demokracisë;

– Serbia është pothuajse i vetmi shtet në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës;

– Politika e sotme e Beogradit sjell në rajon Rusinë dhe Kinën, ndikimin rus dhe kinez;
– Serbia është përçuese e interesit rus në rajon;
– Serbia i takon zonës ruse të interesit, përkatësisht sferës ruse të ndikimit;

– Më 8 qershor 2024, me nismën e kryetarit të Serbisë, Vuçiqit dhe të kryetarit të Republikës Serbe, Milorad Dodikut, u mbajt në Beograd i ashtuquajturi “Kuvend Gjithëserb”. Parulla ishte “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” (Republika Serbe). Dy qeveritë miratuan “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb”. Këtë farë kuvendi dikush e quajti “ditë historike” për popullin serb.

– Nga mesi i vitit 2020, disa intelektualë dhe politikanë serbomëdhenj e vunë në përdorim termin “Bota Serbe”. Me këtë farë ideje synojnë të vënë në veprim lidhjen e serbëve të Serbisë me serbët në shtetet përreth. Disa mbështetës të kësaj ideje flasin për lidhjen shtetërore të serbëve në një bashkësi shtetërore, ndërsa disa të tjerë – për lidhjen kulturore, ekonomike dhe lidhje të tjera të serbëve në shtetet fqinje, me Serbinë.

– Udhëheqja e Republikës Serbe vazhdimisht deklaron se një ditë, këtë entitet do ta shkëpusin nga BH-ja;

– Serbia në vend që të kërkojë falje për krimet e kryera dhe të paguajë reparacion lufte, ajo kërkon territor.

*    *    *

A thua vallë mund të ketë dialog në Bruksel me një Serbi të këtillë, që ndërton dhe ndjek një filozofi politike retrograde dhe anakronike. Ideologjia politike serbe e dhjetëvjeçarëve të fundit është në kundërshti të plotë me parimet demokratike të BE-së.

*    *    *

Qëndrimi i BE-së dhe i Uashingtonit ndaj SerbisëNjë Serbi e sipërthënë meriton ndëshkimin e Perëndimit, të Uashingtonit dhe të fuqive evropiane – Berlinit, Parisit dhe Londrës. Serbia jo vetëm që nuk po ndëshkohet nga fuqitë perëndimore, përkundrazi ajo edhe shpërblehet. Ajo është e përkëdhelura e fuqive perëndimore, e ledhatuara e tyre. Në vend të saj ka kush  ndëshkohet. E dhimbshme!

*    *    *

Kosova është shteti më demokratik i rajonit. Në të mbizotëron rendi dhe rregulli, luftohet korrupsioni dhe nepotizmi. Zgjedhjet vendore apo të përgjithshme organizohen dhe realizohen si në asnjë vend tjetër të Evropës. Liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike respektohen me kushtetutë, si në asnjë vend të BE-së. Për katër për qind serbë kërkohet asociacion!! Rast i paparë në historinë e botës. Në BE nuk bëhet luftë për territore, por për vlera demokratike. Asociacioni nuk u siguron serbëve më shumë të drejta se që i kanë sot, e s’duan t’i shfrytëzojnë, ose duan por s’i lë Beogradi.

Mos vallë mëkati i Kosovës është synimi i saj për t’u integruar në organizmat euroatlantikë?!

Kosovën e sulmojnë ngase nuk i jep territor Serbisë. T’i falë tokë Vuçiqit që të bëhet e mirë me qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes. Po cili shqiptar do ta kishte bërë një gjë të tillë?! Cili shqiptar pranon të hyjë në histori si Esat Pashë Toptani?! Të tillë nuk ka dhe s’ka për të pasur.

Nga ta kthesh kokën, mercenarë. Studio televizive mercenare, TV-programe mercenare, analistë politikë mercenarë, debate televizive mercenare, udhëheqës apo moderatorë debatesh televizive – mercenarë, mediume të shkruara dhe elektronike – mercenare; gazeta, revista, artikuj, të ashtuquajtura kollumne – mercenare. Të shitur dhe të blerë katërçipërisht.

Mercenarë! Historinë s’e bëni dot ju, jo!

Historia e botës nuk njeh rast që atë ta kenë bërë të shiturit dhe të blerët.

*    *    *

Evropë! Kosova meriton mbështetje dhe shpërblim dhe jo ndëshkim! Amerikë! Mos pandeh se interes yti është Serbia proruse e dishepujve dhe e pinjollëve të Garashaninit! Janë bijtë e Gjergjit ata që janë dëshmuar si populli më properëndimor i rajonit!

*    *    *

Kosovë, Ti zemër e shqiptarisë! Për Ty flasin shpesh edhe ata që mezi e dinë se ku ndodhesh, që s’të kanë parë kurrë, çakej që pak dinë për qëndresën Tënde epike përballë kuçedrave sllave. Flasin edhe të tillët që të kanë parë vetëm në hartë gjeografike, të tillët që mezi kanë dëgjuar për Ty. Kosovë, Ti digë e pamposhtur që mbron alpet e Arbërisë dhe brigjet e Adriatikut e të Jonit, ngrihesh mbi të drejtën historike, të drejtën e bashkëkohësisë dhe të drejtën hipotetike. Midis të madhërishmes dhe ligësisë, je përcaktuar për shkëlqimin e dritës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.