Kumrie Shala
Shikoja me dhimbje kokrrat e syve të tu,
Që lagën faqet, duke iu frikësuar vdekjes.
Por unë nuk do të të lë as atëherë…
Engjëjt më alarmuan
Se do të qash mbi kokën time,
Do të më fërkosh ballin e ftohtë,
E shpirti im do të të shikojë nga larg,
Duke u kacavjerrur në qafën tënde,
Që edhe i vdekur, nuk do të të lë.
Sepse ti më dhe, qetësi e dhimbje,
Më dhe vuajtje e dashuri,
Më dhe çfarë doja e çfarë nuk doja,
Më dhe gjithçka…
Ne, këtë e quajtëm dashuri të marrë,
Të jashtëzakonshme, të ëmbël, të çmendur përjetësisht.
Ti më çove të prek yjet,
E ti më çove në prag të vdekjes…
Por edhe frymën e fundit ti ma dhe,
Ti, dashuria ime e marrë dhe unike.
SOT NUK TË KUJTOVA
Këtë mëngjes nuk u zgjova me ty,
As me buzëqeshjen tënde,
Dashurinë nuk e ndjeva,
si ditëve të tjera,
Mëngjeset ishin të bukur,
Vetëm ky ishte i zymtë.
Sot nuk u zgjova me mendjen tek ti. Pse?
E shtrirë rrija, por nuk ndjeva aromën tënde.
Ah, ky muaj… Ma humb çdo mendim,
Më shton veç dhimbje.
Sot nuk kujtova asgjë për ty,
Se muaji korrik është muaji i lotëve,
Që ma largon çdo dëshirë.
Sikur të të kisha pranë,
Të harroja gjithçka rreth meje,
Le të mbytesha në sytë e tu
E në buzëqeshjen tënde.
Sot… nuk të kujtova,
Si çdo mëngjes tjetër. Pse?
Sot më humbi aroma jote,
Dhe zëri yt i pastër, i kthjellët!
Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar