kasida për ruminë
e zgjas dorën të prek gjakun të mpiksur hirit
për rrënjë përplasur trungut jehonës së bririt
brenda zemrës vërtitem për çarje të iLirisë
me gjarpër për qafë e bart gurin majë rumisë
e bart gurin e shpuar dhe shpirtin tim në majë
e zgjohem nga fyelli prapë dhe qesh dhe qaj
ja pse digjem të arrij pse digjem të mos arrij
tre mijë vjet të njëjtit rit të pëlcet etja për gji`
e vdes e zgjohem e vdes gjithnjë dhe përsëri
e bie në gjunjë gjithë në gjak me veten përbri
ja pse nuk ka tjetër zot veç ky që është fedorë
ja pse nuk tingëllon në mua kurrë tjetër orë
kot më therin më salikojnë m`i mbyllin sytë
kot më këpusin nga ëndrrat nga fluturat e yj`t
kaq mijë vjet e prapë me të njëjtën flakë në sy
në majë gjilpëre sillem e vetë therem për ty
unë dhe e kisha të njohur zaten aktin e vdekjes
nga i njëjti zjarr nga e njëjta gjithësi e etjes
vetëm pak para vetëtimës së fjalës së flijimit
zjarri yt të mos shuhet kroi yt i përgjërimit
ja zoti i rikthen në kodër delet me këmborë
e bie flakë për kurm të çarë bie vetmi dhe borë
shpërthen vigmë e fajkoit në mua e në qiell
agut të rumisë ashti prapë kthehet në fyell
e unë ec e ec me mollë në kokë hijes së gjatë
dhembjes së vjetër ende dritës për shpatë
zemra më del kraharori e pikë zjarr pikë gjak
oh e vjen aty ku digjet prapë shpirti në unak`
e kalë i harlisur zot ngrihet kas nga zoti
e fatit të akullt të iLirisë derdhet Im Yt loti
e ik e kthehem perit fillim dhe fund në flakë
e ëndrra e plaguar jep frymën në shuplakë
e dhemb dhemb e dhemb për kryq pëlcet toka
mes qiellit e klithmës së fajkoit sillet koka
ej e unë ja prapë për tragë të gjergj elez alisë
për kokë të gjarprit gur besimit të rumisë
rumia
të pimë ndo`i pikë ujë te ky krua
dëgjohet me tiktak etje e fjetur në mua
ik sytë e ndezur lart lart te zoti
e flaka më vërtit për vigmë të fajkoit
e as udhë ka për lart as te vija e ujit
zot ja në gur zotIm gjurma e mujit
gërmuqem mbi hije e marr pak vete
e bart dhe unë një gur majë zemrës
lutem për shpirtin për frymën dhe ty
me duar në qiell e këmbë në rrënjë lutem
ti s’tjetërsohesh
për sa të ketë zemër
vetëtin bubullin e guri bie në mua
në mua kaq vjet dergjet gjergjelezalia
e lart ik e ik e vjen zogu i iLirisë
II (e zoti askund)
e çukit ashtin tim ai shpend i iLirisë
apo dem i zi me pikla ther kohën në mua
e bie i vrarë nga hija e vet e ndezur
e gjaku nga maja gur gur pik fundin
me çelësin e artë në dorë ndalem te kroi
ngjitem vetes për shkallë zbres vetes
e koha kthehet në secilin gjeth dhe prapë ik
hajmalia për fat më djeg thellë në gji
me gurin e njëjtë nga ik lart te zoti yt
e zoti askund zot e zoti askund zotIm
III (etja e ndezur)
pik pika e ujit në majë guri e ndizet etja
le ta ngulin kryqin në zemër ta vrasin qiellin
kot të bjerë dhe zoti krejt i padukshëm
mbetet besimi im në ullirin tremijë vjeçar
mbetet shpirti im që nuk ndërron kurrë
veç etjes i del flaka për gjeth të gjakut
veç gjethon pafundësia e udhës në shestan
kryqin le ta ngulin në syrin e djathtë të majtë
në krye të kresë në pikë të ballit te hija e çelësit
unë kthehem pikës së gjallë ilire të gjakut
e s`e lë vetëm brendinë e gurit e të shpirtit
ja pik pika e ujit në majë qielli e ndizet etja
“Kasida për Ruminën” është një poezi e shkruar nga autori i njohur Nexhat Halimi. Në këtë poezi Rumia paraqitet me madhështinë e një mal në trevën e gjerë të Malesisë së Madhe.
Poema kap thelbin e pranisë madhështore të Rumisë në peizazh, duke e portretizuar atë si një simbol të forcës, qëndrueshmërisë dhe bukurisë. Përmes imazheve të gjalla dhe gjuhës lirike, Halimi i bën homazh rëndësisë së Rumisë në botën natyrore dhe rëndësisë së saj kulturore në rajon.
Rumia, siç përshkruhet në poezi, shërben si burim frymëzimi dhe krenarie për njerëzit që banojnë në Malësinë e Madhe. Prania e tij e madhe ngjall një ndjenjë nderimi, duke reflektuar lidhjen e thellë midis natyrës dhe përvojës njerëzore.
Në përgjithësi, “Kasida për Ruminë” e manifeston Ruminë më shumë se thjesht një pikë referimi fizike; është simbol i qëndresës, traditës dhe shpirtit të qëndrueshëm të popullit shqiptar.