Çfarë shkoi keq në dialogun e Brukselit?

0
Marc Weller

VËSHTRIME

Nga 15 qershor 2023Koha.Net

Kjo ekspertizë i analizon arsyet e bllokimit aktual të negociatave të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ajo dëshmon se dialogu po udhëhiqet nga Lehtësuesi aktual i BE-së në mënyrë tejet të pabalancuar, aq sa e rrezikon vazhdimin e procesit. Duke e akomoduar refuzimin e Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë të Brukselit të datës 27 shkurt 2023, procesi duket se fokusohet vetëm në çështjet që Republika e Serbisë do që të diskutohen dhe të cilat kërkojnë sakrifica vetëm nga Republika e Kosovës. I gjithë procesi, përfshirë edhe nismën gjermano-franceze për një marrëveshje bazë, duket se është transformuar në një makineri për t’i bërë trysni Kosovës që t’i pranojë kërkesat e Serbisë duke e injoruar plotësisht balancën e pretenduar të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Ky fakt bëhet edhe më i rëndë me humbjen e besimit te tehtësimi i BE-së dhe qasjen i saj të gabuar, të pabalancuar e ndonjëherë edhe joprofesional gjatë procesit.

Analizën e ka realizuar prof. dr Marc Weller. Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Studimeve Kushtetuese Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridgeit. Ka këshilluar në dhjetëra negociata ndërkombëtare dhe në procese kushtetuese. Është autor, redaktor e bashkëredaktor i mbi 25 librave të kësaj sfere. Është bashkëredaktor i International Law and Peace-settlements (Cambridge University Press, 2021) dhe ka shërbyer si këshilltar i kohëpaskohshëm i qeverive të Kosovës që nga 1992-a, duke nisur me kryetarin Ibrahim Rugova. Pikëpamjet e shprehura këtu janë të tij dhe nuk mund t’i atribuohen asnjë qeverie apo institucioni.

Ky dokument trajton këto pika si më poshtë:

II. Formësimi i dialogut vetëm sipas interesave të Serbisë
III. Cilësia e dyshimtë juridike e marrëveshjeve që i imponohen Kosovës tash
IV. Nisma franko-gjermane nga 2022-a
V. Refuzimi i Serbisë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin
VI. Pranimi i kërkesës së Serbisë që të mos u nënshtrohet detyrimeve
VII. Çrregullimi i balancës së interesave në marrëveshjen e supozuar
VIII. Shkelje materiale
IX. Proces i drejtë dhe i pabalancuar: Shembulli i Ohrit
X. Zbatimi vetëm i nenit 7, e edhe këtë pjesërisht
XI. Qëllimi i Marrëveshjes së 2013-s
XII. Metodologjia e pabalancuar
XIII. Çështja e Komitetit menaxhues dhe propozimit të tij
XIV. Pamja e pjesshme e nenit 7: Çështja e strukturave paralele
XV. Lehtësuesi si Car
XVI. Mohimi i zotimeve të veta nga vetë Lehtësuesi
XVII. Qasja e përgjithshme
XVIII. Rruga përpara?

12 qershor 2023

PËRMBLEDHJE:

  • Lehtësimi nuk ka pa pasur qasje neutrale karshi palëve. Qëllimi i tij i përgjithshëm është që ta shtyjë Serbinë drejt Evropës, posaçërisht duke pasur parasysh krizën e shkaktuar nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Prandaj fokusin e ka te joshja e pranimit nga Republika e Serbisë. Kjo nënkupton injorimin e interesave dhe të kërkesave të Republikës së Kosovës, të cilat besohet se mund ta detyrojnë Kosovën që të pranojë çfarëdo rezultati që do të dilte e që do të ishte i pranueshëm për Serbinë
  • Për shembull, Aneksi i Marrëveshjes Bazë pësoi ndryshime fondamentale në dëm të Kosovës vetëm disa orë para se të nisnin negociatat e Ohrit në mars, në një përpjekje evidente që të akomodohej Serbia. Me gjithë këto koncesione të mëdha, Serbia e prishi procesin, duke refuzuar të nënshkruajë çfarëdo dokumenti, pavarësisht përmbajtjes. Sidoqoftë, madje edhe atëherë, BE-ja vendosi të vazhdonte tutje thuajse marrëveshja ishte nënshkruar nga palët.
  • Kjo do të thotë se Kosova e humbi përfitimin kyç të cilin e priste nga Marrëveshja Bazë e Brukselit: pranimin e qartë të Serbisë për raportet e ndërsjella të zhvilluara në bazë të parimeve të OKB-së, përfshirë edhe mospërdorimin e forcës, barazinë sovrane dhe integritetin territorial, në një formë juridike, të obligueshme. Ky ndryshim balance të detyrimeve që priteshin nga Marrëveshja Bazë nuk u adresua në asnjë mënyrë.
  • Përderisa insistonte se Marrëveshja Bazë ishte e detyrueshme për të dyja palët, pavarësisht të gjithave, Lehtësuesi njëmend ka vepruar në pajtim me pretendimin e Beogradit që të mund të zgjedhë se cilat detyrime që dalin nga Marrëveshja, nëse ka ndonjë, do t’i zbatojë ose jo. Kjo është antiteza e një raporti kontraktual që kërkon zbatim të barabartë të të gjitha dispozitave në bazë të një balance interesash mes palësh.
  • Procesi tash fokusohet ekskluzivisht në adresimin e çështjes së zbatimit të nenit 7 të Marrëveshjes Bazë që ka të bëjë me bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe në vetëmenaxhimin e ofrimit të shërbimeve. Kjo është çështja që i intereson Serbisë dhe çështja për të cilën Kosovës i kërkohet t’i japë të gjitha, njëanshëm dhe në avancë.
  • Në fakt, formati i propozuar për këto bisedime e adreson vetëm njërin aspekt të nenit 7 dhe e injoron atë që është me interes për Kosovën, e që ka të bëjë me përkrahjen e strukturave paralele të qeverisjes nga Serbia. Gjithashtu e injoron kornizimin e çështjes në nenin 7.
  • Lehtësuesi është tërhequr nga garancitë e veta të fuqishme, të thëna zyrtarisht dhe disa herë të përsëritura nga BE-ja, për kriteret për mekanizmin për ta zbatuar nenin 7. Në një kontekst tjetër, kjo do të ishte shkelje e besimit.
  • Lehtësuesi pretendon se i ka fuqitë absolute për ta formësuar rezultatin e këtyre bisedimeve, pavarësisht nëse Kosova pajtohet në fund ose jo. Kjo është e papranueshme për një çështje që është juridiksion sovran i Kosovës.
  • Nuk ka plan të fortë të zbatimit, për t’i balancuar koncesionet që priten nga pala kosovare me koncesione kundërbalancuese nga ana e palës tjetër negociuese. Kërkohet që vetëm Kosova të përmbushë obligime. Shkeljet fillestare të Marrëveshjes Bazë nga Serbia janë lënë të patrajtuara nga Lehtësuesi .
  • Nuk ka perspektivë për të avancuar drejt normalizimit të plotë, përfundimtar dhe gjithëpërfshirës, me njohjen në qendër në një formë ligjërisht të obligueshme siç kërkohet në nenin 6 në Marrëveshjes Bazë.

I. Qëllimi i dialogut të Brukselit

Në të kundërtën nga miti popullor, Republika e Kosovës nuk e ka fituar pavarësinë e vet në mënyrë të njëanshme. Mori pjesë plotësisht dhe me konstruktivitet në procesin e statusit përfundimtar udhëhequr nga ish-kryetari i Finlandës, Marrti Ahtisaari, në emër të Kombeve të Bashkuara. Republika e Serbisë refuzoi të nënshkruante marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Kosova, megjithatë, i zbatoi të gjitha detyrimet që i përmbante instrumenti që ishte negociuar, edhe pa marrë njohjen e statusit të saj nga Serbia. Këto përfshinin madje edhe dispozitat më të zgjeruara, në Evropë dhe në fakt në të gjithë botën për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve të veta etnike.

Nuk ka më hapësirë për t’i negociuar kushtet e pavarësisë së Kosovës edhe një herë. Republika e Kosovës i ka bërë të gjitha koncesionet që u shpallën të domosdoshme nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare. Fakti se Republika e Serbisë refuzoi të njohë këtë rezultat, në atë kohë dhe tash, duke refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen e dalë, nuk e hap derën për ende koncesione që duhen negociuar. Ky nuk është qëllimi as fokusi i negociatave aktuale mbi normalizimin e raporteve.

Republika e Kosovës është e sigurt për statusin e saj si shtet sovran dhe nuk mund të pritet nga ajo që të negociojë kushte shtesë për statusin. Supozimi se Kosova duhet ta blejë njohjen nga Republika e Serbisë me ende koncesione, përfshirë edhe marrëveshje për një autonomi të padëshiruar për veriun e Kosovës, edhe në një rund negociatash, pra është i gabuar. Fokusi i normalizimit është zhvillimi i bashkëpunimit dhe raportet e mira fqinjësore ndërmjet palëve, e jo çështja e ekzistimit të njërës nga palët.

Nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të ofrojë më shumë e më shumë, përderisa e kupton se Republika e Serbisë nuk e ka vullnetin, pas të gjithave, që të njohë statusin e saj dhe të ketë normalizim të mirëfilltë, përderisa grumbullon koncesione që tashmë janë bërë, në pritje të një përparimi të vërtetë. Kosova tashmë ka siguruar të gjitha të drejtat dhe mekanizmat që mund t’u jepen komuniteteve etnike që e bëjnë pakicën. Kjo i përfshin kompetencat e gjera, e madje edhe të zgjeruara për qytetarët e saj serbë etnikë, posaçërisht në komunat ku ata e bëjnë shumicën. Republika e Serbisë i ka marrë këto përfitime nëpërmjet procesit të Ahtisaarit, pa i pranuar obligimet e saj përkatëse.

Republika e Serbisë tash e zbaton këtë dredhi sërish. E negocioi Marrëveshjen Bazë të datës 27 shkurt dhe fitoi koncesione të rëndësishme në proces. Megjithatë, nuk e nënshkroi Marrëveshjen dhe thotë se nuk ka asnjë detyrim në raport me Kosovën. Prandaj, vetëm nga Kosova kërkohet që t’i përmbushë detyrimet që i përmban Marrëveshja dhe Qeveria e saj u gjet nën trysni tejet të madhe për t’i përmbushur këto. Ana tjetër e Marrëveshjes, mungesa e së paku një hapi përmbajtjesor drejt normalizimit të njëmendtë nga ana e Serbisë, po injorohet fare.

Normalizimi i plotë dhe gjithëpërfshirës është në fakt mandati zyrtar i Procesit të Brukselit. Dialogu i Brukselit nisi me ftesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shprehur në Rezolutën 64/298 (2910). Rezoluta e njihte Opinionin e GJND-së që kishte përcaktuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. E përshëndeti gatishmërinë e BE-së për ta lehtësuar një proces dialogu ndërmjet palëve që do ta promovonte bashkëpunimin, dhe që do të shënonte përparime në shtegun drejt BE-së, si dhe që do t’i përmirësonte kushtet e jetesës së njerëzve.

BE-ja e zbatoi këtë kërkesë në kontekstin e bisedimeve me Republikën e Kosovës dhe me Republikën e Serbisë në lidhje me anëtarësimin në BE. BE-ja ka përcaktuar se pranimi në BE kërkon normalizim të plotë, përfundimtar dhe gjithëpërfshirës ndërmjet palëve në një formë ligjërisht të obligueshme. Për BE-në është e pamundur të merret me aplikacionin për anëtarësim të një shtet që ka pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër në Kushtetutën dhe politikën e vet dhe që mbetet i vendosur që ta përpijë territorin e fqinjit. Dështimi i arritjes së këtij normalizimi të plotë do ta mohonte qëllimin e përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të arritur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Prandaj dialogu duhet të arrijë njohjen juridike të ekzistencës dhe statusin të Kosovës si shtet.

Procesi nisi me bisedimet teknike më 2011 dhe kaloi në dialogun e nivelit të lartë, fillimisht të lehtësuar nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton. Duke nisur me Marrëveshjen e parë për Parimet që e Qeverisin Normalizimin e Raporteve (Marrëveshja e Brukselit) të 2013-s, një sërë marrëveshjesh teknike janë përmbyllur nga palët. Megjithatë, qëllimi i përgjithshëm i arritjes së normalizimit gjithëpërfshirës është lënë mënjanë gjatë procesit, duke pasur parasysh hamendjen e Republikës së Serbisë për t’u përfshirë me burimin kryesor të tensioneve ndërmjet palëve dhe për rajonin më të gjerë — refuzimi për të ecur para për njohjen e identitetit juridik të Republikës së Kosovës, si dhe për ta adresuar ndërhyrjen e vazhdueshme nga Republika e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës në formën e përkrahjes së saj strukturave paralele të qeverisjes që mbahen nga Serbia në veriun e Kosovës.

Dialogu ishte pranë vdekjes për nja dy vjet, derisa BE-ja e emëroi, më 2 prill 2020, z. Miroslav Lajçak si përfaqësues special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (PSBE). Mandati i PSBE-së u përcaktua si vijon:

Sa i përket esencës së mandatit, për ta lehtësuar, në emër të përfaqësuesit të lartë, dialogun Beograd-Prishtinë, në koordinim të afërt me shtetet anëtare, që të punojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet lidhjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura mes palëve në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe i kontribuon stabilitetit rajonal, si dhe për të monitoruar dhe ndihmuar sipas nevojës punën e palëve për zbatimin e marrëveshjeve paraprake brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja; [Vendimi i Këshillit (CFSP) 2020/489, 2 prill 2020.]

Ky mandat, pra, është i fokusuar në arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura. Parlamenti Evropian zyrtarisht dhe në vazhdimësi e ka konfirmuar se palët dhe dialogu duhen të “sigurojnë, pa vonesa, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mbështetur mbi parimet e njohjes së ndërsjellë, e së fundmi këtë e ka bërë në vendimin e vet të datës 10 maj 2023”. Deklaratat e këtij lloji duhen t’i japin formë mënyrës se si ushtrohet mandati i PSBE-së. Kjo kërkesë është shprehur zyrtarisht nga shtetet individuale që e përkrahin dialogun. Kryetari amerikan Biden, në letrat e tij dërguar palëve, ka theksuar nevojën për ta mbërritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin “me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

II. Formësimi i dialogut vetëm sipas interesave të Serbisë

Me gjithë fokusin e qartë të dialogut dhe mandatin e PSBE-së, z. Lajçak, procesi i Brukselit kryesisht e ka injoruar këtë qëllim të përgjithshëm. Në vend të kësaj, ka pasur përpjekje për t’i ringjallur bisedimet dhe marrëveshjet teknike. Republika e Kosovës ka përsëritur disa herë se shumë, nëse jo shumica dërrmuese e këtyre marrëveshjeve, që janë më shumë se 20, nuk janë zbatuar nga Republika e Serbisë.

Megjithatë, në pajtim me interesat dhe kërkesat kyç të Republikës së Serbisë, dialogu është fokusuar në një temë të vetme kyç që i intereson Serbinë. Ky është zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit nga 2013-a, dhe kjo vetëm sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKSHS) që propozohet në të.

Në fakt, kjo marrëveshje i përmban disa elemente që Serbia nuk i ka zbatuar. Në vend se të merret një pikëvështrim i balancuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit, kërkesa që lidhet për AKSHS është lejuar të shndërrohet në temën të madhe që tash i dominon negociatat aktuale. Kështu, Lehtësuesi dhe përkrahësit e tij ndërkombëtarë i kanë kornizuar palët në një diçka që duket se është shndërruar në rebus të pazgjidhshëm.

Megjithatë, në vend se të kërkojnë zgjidhjen e nyjës gordiane me propozime inovative në negociata, e gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar në detyrimin e Republikës së Kosovës që t’i pranojë disa kërkesa të veçanta në këtë pikë. Një trysni e këtillë e njëanshme nuk besohet se mund ta impresionojë një qeveri që ka ardhur në pushtet me mandat të fuqishëm popullor për të mbrojtur sovranitetin dhe vetëvendosjen e Kosovës.

III. Cilësia e dyshimtë juridike e marrëveshjeve që i imponohen Kosovës tash

Kosova zyrtarisht dhe plotësisht e ratifikoi Marrëveshjen e Parë të 2013-s, që e hapi çështjen e AKSHS-së, si një traktat ndërkombëtar. Megjithatë, Republika e Serbisë nuk e ka bërë këtë. Në fakt, madje mund edhe të mos ketë nënshkruar. Duket se do t’ia ketë komunikuar pranimin në formë të tërthortë Brukselit e jo Republikës së Kosovës, por situata nuk është sqaruar nga BE-ja. Është e qartë se nuk ka pasur nënshkrime nga të dyja palët në asnjërin dokument, e as që e ka ratifikuar Republika e Serbisë marrëveshjen si një dokument ligjërisht të detyrueshëm.

Republika e Kosovës natyrisht tregohet e përpiktë sa u përket marrëveshjeve që i ka pranuar dhe ratifikuar zyrtarisht, përderisa edhe pala tjetër e ka bërë po të njëjtën dhe përderisa traktati është në fuqi. Në këto kushte vihet në pyetje cilësia juridike e këtij angazhimi. Së paku, ka një disbalancë të theksuar në raport me cilësinë juridike, duke pasur parasysh se Kosova e ka ratifikuar, kurse Serbia është përmbajtur nga ky akt.

Po e njëjta disbalancë ekziston në raport me zbatimin. Për një arsye që nuk dihet, është vetëm sjellja e Kosovës ajo e cila rishikohet, pa asnjë referencë të vetme për dështimet e Republikës së Serbisë për ta përmbushur pjesën e vet të obligimit, po qe se ka ekzistuar një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.

Është edhe më kundërthënëse se PSBE-ja, me kërkesat dhe propozimet e tij, e ka ngritur tutje një tekst të dytë për statusin e traktateve kinse ligjërisht të detyrueshme. Ky tekst titullohet: “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë — Parimet e përgjithshme / Elementet kryesore të 2015-s”. Teksti ofron detaje shtesë për zbatimin e AKSHS-së së propozuar.

Megjithatë, pasi iu drejtua Gjykatës së vet Kushtetuese, Republika e Kosovës nuk mund ta ratifikonte këtë tekst si marrëveshje të detyrueshme. Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se teksti ishte vetëm pjesërisht në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe, për pasojë, nuk mund të pranohej në formën e vet aktuale. Prandaj Republika e Kosovës nuk mund ta konfirmonte se ky, për të, është dokument ligjërisht i detyrueshëm.

Duke pasur parasysh praktikën e mëhershme të Republikës së Kosovës për ta ratifikuar Marrëveshjen e Parë, do të duhej të kishte qenë e qartë se edhe Marrëveshja e Dytë për të njëjtën çështje do ta kërkonte një ratifikim të tillë në mënyrë që të hynte në fuqi. Ky kusht i rëndësishëm i sistemit të brendshëm juridik ka qenë i qartë në nivelin ndërkombëtar, prandaj edhe rrjedhimisht mund të shqyrtohet si bazë për ta vërë në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij teksti. Sidoqoftë, sikurse përpara, nuk ka indice nënshkrimi apo ratifikimi as nga ana e Serbisë.

Me gjithë dyshimet, Lehtësuesi thjesht ka insistuar gjatë gjithë kohës që tekstet nga 2013-a dhe 2015-a janë njësoj ligjërisht të detyrueshme për Kosovën, si obligime që duhen zbatuar. Tash kjo shkon edhe më tej, përfshirë edhe thjesht një “Plan” për zbatimin të formësuar më 2015. Plani parashihte hartimin e statutit për atë që atëherë konsiderohej AKSHS nëpërmjet të të ashtuquajturit Komitet Menaxhues — një çështje me të cilën do të merremi më vonë. Plani dështoi dhe mbeti i pashfrytëzueshëm. Sidoqoftë, u ringjall nga Lehtësuesi dhe u zbatua kundër interesave të Kosovës, thuajse të ishte një çështje e detyrimit juridik. Për pasojë, një projektstatut u dorëzua mbështetur mbi planin e tejkaluar, dhe tash është zyrtarisht në tavolinën e bisedimeve, supozohet si bazë për negociata.

Pikëpamjet e Republikës së Kosovës për qëndrimin juridik, nëse ekziston ndonjë, të instrumenteve relevante thjesht janë injoruar nga Lehtësuesi. Pozita e Kosovës nuk i është nënshtruar asnjë ekspertize apo mendimi të pavarur juridik. Në vend të ofrimit të vlerësimit në bazë të standardeve objektive, të cilave Kosova me gjasë nuk do t’i kundërshtonte, pikëpamjet e kontestuara të Lehtësuesit në lidhje me këto thjesht u imponuan si ligj.

IV. Nisma franko-gjermane nga 2022-a

Më 2022, Franca dhe Gjermania morën nismën për ta propozuar një marrëveshje kalimtare mbështetur mbi Marrëveshjen bazë gjermano-gjermane nga 1972-a. Kjo marrëveshje e hapi rrugën për Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore që të hynin në OKB dhe e konfirmoi raportin e tyre mbështetur mbi të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Të dyja shtetet u pajtuan të këmbenin misionet e përhershme dhe u hap rruga që Gjermania Lindore të pranohej nga shtetet perëndimore dhe që Gjermania Perëndimore të pranohej nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij.

Kjo nismë u pranua nga PSBE-ja. Megjithatë, të vetmen gjë që kjo nismë nuk do t’i ofronte Republikës së Kosovës ishte pranimi formal i statusit të saj nga Republika e Serbisë. Duke e përcjellë shembullin gjerman, që ua kishte lejuar të dyja shteteve që t’i mbanin pikëvështrimet e kundërta për “çështjen kombëtare”, marrëveshja e propozuar do të ishte pa paragjykimin e pikëvështrimet e ndryshme të palëve për çështje fondamentale, “përfshirë edhe çështjen e statusit”.

Dallimi, natyrisht, është se në rastin e Gjermanisë asnjëra nga këto dy shtete nuk e vuri në dyshim faktin se tjetra kualifikohej si shtet. Dallimet mes tyre i referoheshin një çështjeje ezoterike për personalitetin e vazhduar juridik të Rajhut gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë rast, megjithatë, — Serbia — në themel e vë në pyetje ekzistencën juridike të shtetit tjetër, Kosovës. Për më tepër, e mban pretendimin kushtetues për riinkorporimin e Kosovës në Serbi. Kjo pikërisht ishte mënyra se si ishte menduar të tejkalohej çështja e normalizimit gjithëpërfshirëse në formë të detyruar juridike me “njohjen në qendër”.

Pra në një kuptim, nisma franko-gjermane e pranonte se mandati i dialogut të Brukselit nuk do të mund të përmbushej, së paku për një kohë. Kjo, megjithatë, u kompensua deri në një masë me Nenin 6 të propozimit të Brukselit. Vetë titulli i kësaj marrëveshjeje, Marrëveshja për shtegun drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, [Marrëveshja Bazë, tash e mbas] do të sugjeronte se instrumenti do të ishte një hap para drejt normalizimit të plotë. Për më tepër, neni 6 i Marrëveshjes Bazë i obligonte palët që “të vazhdojnë me shtysë të re procesin e dialogut udhëhequr nga BE-ja, që do të shpinte drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme në raportet e tyre”.

Përderisa nuk ia siguronte njohjen Kosovës, Marrëveshja Bazë së paku do të konfirmonte në formë të një traktati zotimin e palëve për marrëdhënie të mira fqinjësore, shkëmbimin e misioneve diplomatike, zbatimin e Kartës së OKB-së, përfshirë shprehimisht edhe barazinë sovrane të shteteve dhe respektin për “pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të tyre” [neni 2.] Gjithashtu pati edhe zotim që të zgjidheshin kontestet në formë paqësore dhe të përmbaheshin nga kërcënimi apo përdorimi i dhunës, siç parashihet në nenin 2 (3) (4) të Kartës së OKB-së.

Qëllimi ishte që të hapej shtegu për anëtarësimin e mundshëm në OKB dhe anëtarësimin në agjencitë e saj të specializuara, krahas institucioneve të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, kjo kërkesë është natyrisht pak iluzore, duke pasur parasysh pozicionimin aktual të Federatës Ruse, që e ka të drejtën e vetos në këtë çështje. Madje edhe në raport me organizatat e tjera, obligimi që “të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare” në nenin 4, do të mbështetej mbi vullnetin e mirë të Serbisë për të zbatuar. Duke votuar kundër anëtarësimit potencial të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, pak ditë pas kinse pranimit të Marrëveshjes Bazë, Serbia menjëherë e shpërfaqi mungesën e vullnetit të mirë në këtë proces.

V. Refuzimi i Serbisë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin

Me gjithë hamendeshimet, Republika e Kosovës u pajtua që në formë të parezervë ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, më 27 shkurt. Në fakt, ajo ofroi që ta nënshkruante aty dhe në atë çast. Kjo u refuzua nga Lehtësuesi, nga respekti për Republikën e Serbisë që nuk ishte në pozitë ta bënte këtë. Në vend të kësaj, thuhej, nënshkrimi do të pasonte në ndonjë takim të radhës në një aneks zbatimi, që do të mbahej së shpejti në Ohër, Maqedoni Veriore, mbase edhe përcjellë nga një ceremoni më zyrtare nënshkrimi në Paris.

Me të ardhur në Ohër për takimin e nivelit të lartë, kryeministri i Kosovës edhe një herë e theksoi vullnetin e tij për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë së bashku me Aneksin që duhej negociuar, aty dhe në atë çast. Megjithatë, kryetari i Republikës së Serbisë thjesht deklaroi se nuk do të nënshkruante asgjë, pavarësisht përmbajtjes së aneksit zbatues që duhej shtuar në atë çast.

Ky pozicion nuk u kundërshtua fare nga ana e Lehtësuesit. Duket se kjo ka qenë e pritur dhe se PSBE-ja ishte përgatitur për këtë. Në vend se të insistonte në trajtimin e barabartë të palëve dhe të ushtronte presion ndaj Republikës së Serbisë që të nënshkruante, në një lëvizje të habitshme, Lehtësuesi ia qiti përpara një fletë të bardhë për nënshkrim kryeministrit të Kosovës, duke insistuar që vetëm ai të nënshkruante. Nuk është befasi që ky nuk e bëri këtë.

Më pas aty vijoi një fjalosje joceremoniale për Aneksin, që për Kosovën e kishte humbur kuptimin në këtë çast (më shumë për këtë në vazhdim), si dhe një përpjekje për të shpëtuar takimin dhe të gjithë procesin nga kolapsi. Me një gjest që kishte për qëllim lehtësimin e këtij qëllimi, Kosova në fund u pajtua për zgjidhjen sipas së cilës palët konsiderohej se ia kishin dhënë pëlqimin Lehtësuesit e jo njëri-tjetrit, duke e futur në funksion Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin, deri në atë çast të bllokuar.

Mirëpo ende pa u paralajmëruar ky rezultat nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, z. Josep Borrell, kryetari i Serbisë tashmë po u drejtohej gazetarëve, duke iu thënë se nuk ishte pajtuar për asgjë. E përsëritur disa herë që nga atëherë, kryetari i Serbisë ka deklaruar:

Nuk e kam pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Nuk gjeni këso deklarate nga unë. Unë kam thënë se e kam pranuar konceptin dhe se jemi të gatshëm të punojmë për zbatimin e marrëveshjes deri në një kufi.

Ky ka mbetur pozicioni i Serbisë që prej atëherë. Kryetari Vuçiq duket se po insiston se Serbia nuk detyrohet nga Marrëveshja Bazë dhe se mund t’i zbatojë vetëm dispozitat që ajo mund t’i përzgjedhë lirshëm.

VI. Pranimi i kërkesës së Serbisë që të mos u nënshtrohet detyrimeve

BE-ja dhe qeveritë mike, përfshirë edhe SHBA-në, kanë konstatuar se Marrëveshja Bazë është obligim ndërkombëtar i detyrueshëm. Mirëpo, në praktikë, kjo nuk ka pasur asnjë efekt. Në fakt, e kundërta ka ndodhur. Lehtësuesi saktësisht po e përcjell linjën e ofruar nga Qeveria e Serbisë. Nuk ka insistuar se marrëveshja është e detyrueshme në raport me Republikën e Serbisë, dhe se zyrtarisht duhet të shpallet si e tillë nga Serbia për ta pasur këtë status. Nuk ka insistuar që së paku në ndonjë mënyrë që ajo të ketë pasur një efekt praktik. Në fakt, Lehtësuesi e ka përqafuar mu qasjen e Republikës së Serbisë. Ajo i ka shtyrë vetëm dhe ekskluzivisht çështjen apo çështjet në interes të Republikës së Serbisë në negociatat vijuese pas Ohrit. Pra, të gjitha bisedimet janë fokusuar në mekanizmin për ta zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes.

Natyrisht argumenti i Republikës së Serbisë se ajo nuk do dhe nuk mundet të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje më Kosovën është thjesht nonsens. E vërtetë, procedura e manifestimit të pajtimit me një tekst nëpërmjet komunikimit joformal me Lehtësuesin, në vend të komunikimit me palën tjetër, u zbatua në disa raste nga respekti që i bëhej Republikës së Serbisë. Megjithatë, Serbia në të kaluarën ka nënshkruar marrëveshje formale me Kosovën, përfshirë edhe ato nën ombrellën e procesit të normalizimit udhëhequr nga BE-ja. Për shembull, marrëveshja për “Drejtësinë” miratuar në procesin e normalizimit ishte nënshkruar formalisht nga të dyja palët.

Ky rast është ndryshe në çdo aspekt. Esenca e kësaj “Marrëveshjeje Bazë” të re është pikërisht se kjo do të ishte marrëveshje formale. Kjo ka qenë ajo që Republika e Kosovës kishte llogaritur dhe që e shtyri atë që të ofronte që ta nënshkruante, me gjithë disa hamendje. Është evidente që kjo ishte pritja e BE-së dhe e shteteve përkrahëse. Ndryshe, pse duhej përgatitur për një ceremoni nënshkrimi të nivelit të lartë në Paris?

Qartazi, nuk ka kuptim të nënshkruhet marrëveshja me Republikën e Kosovës që thotë se raportet do të zhvillohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, po qe se Serbia refuzon, mu në atë çast, të futet në raport me Kosovën në nivel të së drejtës ndërkombëtare dhe ta nënshkruajë në marrëveshje formale. Kjo e mohon vetë konceptin e nismës franko-gjermane. Republika e Serbisë do të lejohej, hëpërhë, të mbante pikëvështrimin e vet de jure për statusin, ndërkohë që do ta trajtonte Kosovën de facto si një subjekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Vetë fakti se Lehtësuesi ia mundëson Republikës së Serbisë përfitimet nga Marrëveshja Bazë dhe Aneksi pa kërkuar nga ajo që të nënshkruajë, e dëshmon disbalancën e jashtëzakonshme në qasjen gjatë gjithë negociatave Ajo që Republika e Serbisë refuzon të bëjë është disi e pranueshme, edhe nëse kjo është në kundërshtim me objektin esencial dhe qëllimin e marrëveshjes. Pikëpamjet e Kosovës, nga ana tjetër, nuk merren fare parasysh. Në vend të kësaj, Republika e Kosovës i nënshtrohet një presioni që të detyrohet ta pranojë rezultatin dhe ta zbatojë atë, pavarësisht se sa i paekuilibruar është.

Republika e Kosovës zyrtarisht ka kërkuar nga Lehtësuesi që ta paraqesë një plan zbatimi që do ta balanconte performancën e zbatimit të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja Bazë. Ky ishte rasti me propozim-aneksin e zbatimit që kishte qenë mbi tavolinën e bisedimeve për nja katër muaj, derisa papritur u refuzua pa asnjë konsultim, pikërisht para nisjes së negociatave në Ohër.

Tashmë Lehtësuesi i ishte përgjigjur kësaj kërkese me formulën se Republika e Serbisë nuk do ta pranonte këtë qasje — mu qasjen që Lehtësimi e kishte shprehur në të gjitha bisedimet që nga koha kur propozimi i Aneksit ishte paraqitur më 4 dhjetor. Sërish, standardi mbi të cilin po zhvillohen negociatat është që të akomodohet cilado sjellje penguese e palës tjetër, përfshirë edhe pretendimin se është punë e Serbisë t’i zgjedhë se cilat obligime të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit do që t’i zbatojë. Është vështirë të kuptohet se përse Republika e Kosovës do të duhej të ishte e impresionuar me këtë argument, i cili thjesht është në përputhje me deklaratën e Republikës së Serbisë se nuk ka asnjë detyrim ndaj kësaj marrëveshjeje bazë.

VII. Çrregullimi i balancës së interesave në marrëveshjen e supozuar

Kjo ka pasur për rezultat një format krejtësisht të pabalancuar negociatash që Republika e Kosovës nuk mund të pritet se mund ta përkrahë me pjesëmarrjen e mëtejme. Nëse Marrëveshja Bazë është e obligueshme, atëherë është e obligueshme në të gjitha aspektet. Dhe vetë esenca e një marrëveshjeje ndërkombëtare është se njëra palë nuk mund të jetë e privilegjuar duke iu lejuar se cilat, nëse ka ndonjë, nga detyrimet që i përmban marrëveshja zgjedh për t’i zbatuar.

Krahas humbjes së sekuencimit të detyrimeve dhe ndjenjës së balancës së realizimit të detyrimeve nga palët, qasja aktuale gjithashtu lë jashtë disa nga dispozitat më pak të prekshme të Marrëveshjes Bazë që janë të një interesi të posaçëm për Kosovën. Këto janë dispozitat e raporteve të mira fqinjësore, veprimi në pajtim me parimet e OKB-së, barazia sovrane, pavarësia dhe integriteti, etj. Aktualisht nuk ka asnjë përfillje të rëndësisë së këtyre dispozitave kur bëhet fjalë për zbatimin. Megjithatë, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi e thonë shprehimisht se Kosova ka të drejtë të insistojë në zbatimin e të gjitha dispozitave të tyre, përfshirë edhe ato të një karakteri programatik.

Pa dyshim, kjo është mu çështja që e ka trazuar balancën e detyrimeve që Kosova ka pasur të drejtë të priste kur u pajtua me Marrëveshjen Bazë. Përderisa nuk do të kishte njohje formale të Kosovës nga Republika e Serbisë, së paku Serbia do ta nënshkruante formalisht një marrëveshje sipas të drejtës ndërkombëtare dhe një që do ta konfirmonte zbatimin e rregullave dhe parimeve bazike të së drejtës ndërkombëtare në raport me Kosovën. Kjo do të mund të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën në përpjekjen e saj për t’i zgjeruar raportet me shtetet e treta, përfshirë edhe pesë shtetet mosnjohëse të BE-së dhe për t’u bërë anëtare e institucioneve të tjera ndërkombëtare. Sërish ky ishte përfitimi kyç që e shtyu Republikën e Kosovës për ta pranuar Marrëveshjen Bazë, pavarësisht disa hamendësimeve te pikat e tjera. Mënjanimi i këtij përfitimi plotësisht e turbullon marrëveshjen e supozuar.

Në vend se ta përshtaste procesin që do ta merrte parasysh këtë disbalancë, Lehtësuesi thjesht ka vazhduar tutje thuajse Marrëveshja Bazë dhe Aneksi janë plotësisht në fuqi te të dyja palët. Në fakt, ka krijuar trysni shumë të madhe ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës që të nisë së zbatuari një kontribut kyç për Serbinë e që është më i zorshmi për Kosovën. Njëkohësisht, nuk ka asnjë shpresë për elementet e tjera të zbatimit.

VIII. Shkelje materiale

Republika e Serbisë madje as që e pranon se ka lidhur marrëveshje të obligueshme dhe se të njëjtën e ka mohuar në kuptimin e nenit 60 të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatet, po qe se Republika e Kosovës do të donte të thirrej në këtë dispozitë. Për pasojë, nuk do të ishte madje as e domosdoshme që t’i qasej doktrinës së shkeljes materiale, që e mbron një palë në rastet kur pala tjetër nuk u përmbahet detyrimeve të një a më shumë dispozitave esenciale për realizimin e objektit dhe qëllimit të një traktati.

Për më tepër, po javën e parë pas arritjes së supozuar të marrëveshjes, Republika e Serbisë nisi ta shkelte. Një nga obligimet që hyn në fuqi menjëherë pas arritjes së marrëveshjes kërkon që Republika e Serbisë “të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare”. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në mënyrën më të qartë të mundshme, duke votuar formalisht kundër lëndës për pranim, vetëm pak ditë pasi supozohet se u arrit marrëveshja.

IX. Proces i padrejtë dhe i pabalancuar: Shembulli i Ohrit

Kjo disbalancë në substancë gjithashtu reflektohet në disbalancën në proces. Debakli i Ohrit shërben si shembull. Siç tashmë u tha, një Projektaneks i zbatimit prej 8 nenesh kishte qenë baza e bisedimeve me palët që nga 4 dhjetori. Një javë para se të niste rundi i bisedimeve të nivelit të lartë, Lehtësuesi i vizitoi dy kryeqytetet, duke kërkuar ende kontribute. Kosova ofroi në varg sugjerimesh konstruktive. Lehtësuesi u largua duke treguar se rreth gjysma e tyre ishin të pranueshme dhe do të merreshin parasysh.

Qeverisë iu krijua përshtypja se madje nuk do t’i lejohej ta bënte një fotokopje të dokumentit që iu dorëzua për ta shqyrtuar mes anëtarëve të saj kyç. Përderisa Lehtësuesi e ka mohuar ta ketë hartuar atë, pa dyshim se kjo ishte bindja që ishte krijuar në majat e Qeverisë së Kosovës. E vërtetë ose jo, fakti se Qeveria e pranoi një kërkesë të pazakontë që të qarkullonte vetëm një kopje e këtij dokumenti te anëtarët kyç për ta shqyrtuar gjatë natës, tregon për dëshirën e saj që të veprojë në përputhje me procedurën e caktuar nga Lehtësuesi, pavarësisht sa absurde mund të dukej.

Sidoqoftë, pra vonë natën, pak para nisjes, një version krejtësisht i ri i Aneksit ishte dorëzuar, tash me 18 në vend të 8 paragrafësh dhe në tri faqe në vend të faqes së vetme të versionit paraprak.

Ky ndryshim i njëanshëm i kushteve në natën para nisjes, u rezistua nga qeveritë kyç të BE-së, që duket se nuk ishin konsultuar fare për këto ndryshime të rëndësishme në dëm të Kosovës. Kjo e përfshinte edhe propozimin që Lehtësuesi ta emëronte veten si arbitër përfundimtar për çështjen e zbatimit të nenit 7, duke i transformuar bisedimet për Kishën Ortodokse Serbe nga kontaktet mes Kishës dhe autoriteteve të Kosovës, në bisedime mes Serbisë dhe Kosovës; duke e kufizuar obligimin e Serbisë që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, vetëm në raport me organizatat evropiane (pra, jo OKB dhe organizatat e saj), duke i kaluar fuqitë dhe funksionet e strukturave paralele në mekanizmin e nenit 7 dhe kështu, megjithatë, të krijonte një rrafsh të ri të pushtetit, etj.

Para se të nisnin bisedimet, delegacionit të Kosovës iu sigurua se së paku disa nga ndryshimet që ishin bërë në shpejtësi dhe pa asnjë arsyetim a sqarim, do të tërhiqeshin para nisjes së negociatave të nesërmen. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe negociatat nisën mbi bazën e dokumentit që ishte ndryshuar njëanshëm dhe kaq thelbësisht, me gjithë protestën e shteteve kyç të BE-së.

Nga versioni përfundimtar i asaj që u quajt Aneks, u hoq kërkesa paraprake e BE-së që disa obligime nga Marrëveshja Bazë, relevante për të dyja palët, posaçërisht për Kosovën, do të hynin në fuqi vetëm pasi që Kosova, njëanshëm, do t’i përmbushte disa nga obligimet e saj. Pra, të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë janë në fuqi, me kushtin që Marrëveshja Bazë është në fuqi. Pra, të gjitha obligimet duhen përmbushur. Nuk ka përparësi zbatimi të një obligimi mbi tjetrin, që është e kundërta e qasjes së zgjedhur nga Lehtësimi aktualisht. Refuzimi i Lehtësuesit për ta vendosur një plan zbatimi të qartë, të balancuar dhe realist, nuk përputhet me këtë përfundim.

X. Zbatimi vetëm i nenit 7, e edhe këtë pjesërisht

 

Marrëveshja Bazë niset nga marrëveshjet dhe gjuha paraprake në raport me këtë çështje. Neni 7 nuk ka të bëjë me një AKSHS, por me:

… arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Siç dihet mirëfilli, kjo është sferë shumë e ndjeshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, në Takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel më 2 maj, kryeministri i Kosovës e ofroi një vizion për atë se si mund t’i qasej kësaj teme. Sidoqoftë, nuk ka pasur shqyrtim joformal apo konstruktiv të ideve që paraqiten në këtë vizion. Komentet e ardhura janë përqendruar në çështje më periferike. Në vend se të përfshihen në substancën e vizionit dhe shembullin marrë në përkrahje të tij, Lehtësuesi ofroi përgjigje të ngurta dhe arrogante ndaj parashtresave të Kosovës për këtë dhe çështjet e tjera.

XI. Qëllimi i Marrëveshjes së 2013-s

Duke nisur nga negociatat në Rambouillet dhe përgjatë procesit Ahtisaari, gjithnjë ka qenë e qartë se Kosova nuk do të pranonte rrafshin e tretë të qeverisjes në vend, të asaj në mes të qeverisjes qendrore dhe asaj komunale. Kjo në fakt u pranua plotësisht nga ekipi i Ahtisaarit, duke pasur parasysh përvojën e pafat të Bosnjë-Hercegovinës me zgjidhjet për autonomi të gjerë.

Megjithatë, në Marrëveshjen Bazë të 2013-s, Kosova ofroi që t’u jepte komunave një mekanizëm nëpërmjet të të cilit do ta koordinonin politikën dhe veprimin e tyre në lidhje me kompetencat dhe kompetencat e zgjeruara që i kishin tashmë në bazë të dokumentit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Këto nuk do të ishin kompetenca të reja apo kompetenca të shtuara. Do të kishin të bënin me ushtrimin e kompetencave ekzistuese. Për më tepër, secila komunë do të merrte veprim të dakorduar nëpërmjet mekanizimit të AKSHS-së individualisht. AKSHS-ja nuk do të kishte fuqi ekzekutive.


XII. Metodologjia e pabalancuar

Injorimi i pikëpamjeve të Republikës së Kosovës e bën paksa të paarsyeshme të pritet që Republika e Kosovës të pajtohej me një proces që e përcjell “metodologjinë” e miratuar deri tani. Deri tani, Lehtësuesi e ka përcjellë praktikën e dorëzimit të një dokumenti që e ka hartuar vetë. Pasi i dëgjon palët, e paraqet versionin e reviduar. Në përgjithësi, kjo i ka akomoduar vetëm pikëpamjet e palës tjetër, pra të Republikës së Serbisë, sikur ndodhi në Ohër, derisa i ka injoruar në formë përmbajtjesore qëndrimet e paraqitura nga Republika e Kosovës. Pastaj ky dokument shpallet nga Lehtësimi si, në esencë, i pandryshueshëm (sikurse ishte Marrëveshja Bazë pas komenteve të marra), ose që dokumenti do të shërbejë si bazë për negociata, sikurse ndodhi në Ohër.


XIII. Çështja e Komitetit menaxhues dhe propozimit të tij

Një nga këto çështje ka të bëjë me të ashtuquajturin Komitet menaxhues. Më 2015 ishte parashikuar krijimi i tij me një “plan” të thjeshtë, që katër kryetarët e komunave në fjalë do ta përbënin këtë Komitet për ta paraqitur një projektstatut për atë që atëherë u përshkrua si AKSHS-ja. “Plani” nuk kishte apo kishte bazë shumë të papërcaktuar juridike. Gjithsesi atë e kanë shkelur koha dhe ngjarjet mbi të cilat funksionimi i tij do të mbështetej, meqë kishte paraparë veprime brenda ditësh apo muajsh e jo vjetësh. Megjithatë, Lehtësuesi insistonte se Komiteti menaxhues tash, tetë vjet më vonë, do ta parashtronte projektstatutin.

Kur kjo u sfidua nga Republika e Kosovës, përgjigjja e Lehtësuesit ishte se instrumentet relevante nuk e përjashtonin shprehimisht këtë mundësi. Prandaj, përfaqësimi i një deputeteje të Kuvendit serb nuk mund të kundërshtohej, pavarësisht arsyetimit të themeltë të ankesës. Sipas monedhës së njëjtë, dikush do të mund të thoshte se edhe hipopotami do të mund të ishte anëtar i Komitetit, meqë as ky rast nuk ishte përjashtuar shprehimisht.

Lehtësuesi e shpjegoi sjelljen e vet me të cilën, më së buti thënë, e injoronte qëllimin dhe frymën e dispozitës, dhe në rastin më të keq, ishte ofendues në raport me Republikën e Kosovës. Leximi i këtillë i aranzhimeve siguroi që Serbia, e cila e kontrollonte Komitetin menaxhues nëpërmjet punonjëseve të vet apo edhe të individëve që vareshin nga ta, do të përfaqësohej dyfish. Një herë si trupi që e harton statutin dhe herën e dytë si pala negociuese që do ta shqyrtonte atë propozim.

Për më tepër, në bisedimet që kishin për qëllim synimin për ta inkurajuar Kosovën për të marrë pjesë në këtë proces të shpalosjes së projektit nga Komiteti menaxhues, Lehtësuesi dhe qeveritë përkrahëse i kishin dhënë garanci të fuqishme Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kosova e kuptoi se projekti, nëse nuk është në konsistencë me kriteret e dakorduara që do të përmenden më poshtë, do të shpallej i papranueshëm. Në vend të kësaj, Kosova do të kishte mundësinë e paraqitjes së një projekti të balancuar dhe të besueshëm që do të shërbente si bazë e bisedimeve.

Kjo nuk u respektua. Projekti i Komitetit menaxhues u pranua. Nga perspektiva e Kosovës ishte plotësisht i papranueshëm, sepse dokumenti e paraqiste një dizajn autonomie që kishte qenë shprehimisht i përjashtuar nga Lehtësuesi dhe shtetet përkrahëse si model i mundshëm apo si bazë për bisedime në dialog. Shembulli i Republikës Serbe ishte përmendur shumë shpesh si dëshmi se një dizajn i tillë nuk mundet dhe nuk do të duhej të paraqitej.

Sikurse u tha më lart, ajo që më 2013 u përshkrua si AKSHS, u krijua si mjet për t’iu dhënë fund aktiviteteve ilegale të strukturave paralele. Kjo do të duhej t’i kishte dy aspekte. Ato aktivitete për të cilat nuk ka juridiksion legal të ushtruar nga komunat në trevë do të duheshin shuar. Nga ana tjetër, ushtrimi i kompetencave dhe të kompetencave të zgjeruara që ligjërisht i gëzojnë komunat individualisht, në koordinim me njëra-tjetrën, do të mund të lehtësoheshin nëpërmjet AKSHS-së, ngase strukturat paralele do të shuheshin.

Në Projektaneksin e zbatimit të datës 16 mars ishte propozuar qe “të gjitha strukturat e shërbimet e mbetura në Kosovë e të administruara nga Serbia do të kalojnë te mekanizmi, i cili do të krijohet si pjesë e sigurimit të një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Duke e pasur parasysh përhapjen e aktiviteteve të strukturave ilegale paralele, kjo do të nënkuptonte se mekanizmi i nenit 7 do të shndërrohej në një rrafsh të ri të fuqishëm të pushtetit dhe një agjenci ekzekutive që do ta merrte administrimin e funksioneve paralele nga Serbia — modeli i Republikës Serbe, që ka qenë përjashtuar që nga fillimi.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazë në fakt e ofron mjetin për t’u marrë me strukturat paralele. Mekanizmi për ta siguruar nivelin e përshtatshëm të vetëmenaxhimit i paraparë në atë nen, balancohet më tej me edhe një instrument. Kjo është marrëveshja me Republikën e Serbisë për mundësinë që të vazhdohet me përkrahjen financiare për disa nga fuqitë dhe funksionet e që ligjërisht u takojnë komunave. Po të kishte një mekanizëm transparent që i përfshinte autoritetet e Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilave transferohen këto mjete, kjo në esencë do ta mbyllte operacionin e strukturave paralele, së paku në zonat që bien në kompetencën apo kompetencat e zgjeruara të komunave.

Sërish, megjithatë, ky fakt balancues u injorua tërësisht në bisedimet në lidhje me nenin 7. E gjithë vëmendja dhe shumë presion u drejtua kundër Republikës së Kosovës për ta ofruar një statut për mekanizmin, përderisa asnjë vëmendje nuk iu kushtua çështjes kyç që shpiu drejt futjes së kësaj çështjeje në Marrëveshjen e Parë të 2013-s.

Rezultati është se tash ekziston një tekst i gjatë mbi tavolinë, dhe nga këndvështrimi i Kosovës, plotësisht i papranueshëm, i propozimit të të supozuarit Komitet menaxhues, si bazë për bisedime. Nga Qeveria e Kosovës është kërkuar që ta paraqesë projektin e vet. Pritjet janë se atëherë do të ketë bisedime që çojnë drejt miratimit të propozimit që, sipas këndvështrimit të Lehtësuesit, e përfaqëson një zgjidhje të pranueshme e shtrirë diku mes dy projekteve.

Në Projektaneksin e zbatimit të propozuar një ditë para nisjes për në takimin e Ohrit, Lehtësuesi ia dha vetes rolin e “arbitrit përfundimtar” në raport me çfarëdo çështje të zbatimit që nuk zgjidhet me marrëveshjen e palëve në Komitetin e Përbashkët që e ka marrë detyrën për zgjidhjen e kontesteve mes palësh, gjithashtu e kryesuar nga ai. Kjo bëri që Kosova të kuptonte se Lehtësuesi, në fund, thjesht do ta impononte vizionin e tij për atë se si do të dukej mekanizmi i nenit 7 në rolin e tij si “arbitër përfundimtar”.

Kjo ta kujton rolin e një përfaqësuesi të lartë në rastet e qeverisjes ndërkombëtare të një territori, si për shembull në të kaluarën në Bosnjë-Hercegovinë apo, pa dyshim, në Kosovë nën administrimin e UNMIK-ut. Dukej se po e kthente Kosovën në gjendjen që kishte mbretëruar menjëherë pas luftës së 1999-s, para se të ngrihej në shtet me sovranitet të plotë.

Ky propozim në fund u eliminua në zhvillimet kaotike në Ohër. Sidoqoftë, tash është ringjallur në një formë pak më ndryshe. Lehtësuesi tash e ka sugjeruar një Metodologji për negociatat për statutin dhe për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Rastësisht, ky titull na kthen prapa në 2013-n dhe nuk e reflekton gjuhën e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.

Në substancë, propozimi sugjeron se Lehtësuesi do t’i dëgjojë këndvështrimet e palëve për një propozimstatuti. Secili nga ta mund të japë vërejtjet, por duket se do të jetë Lehtësuesi ai që e prodhon statutin në fund. Vërejtjet ndaj tekstit nuk nënkuptojnë se ai nuk është teksti përfundimtar i projektstatutit. Në fakt, ato do të regjistroheshin në shënimet margjinale që e përcjellin projektstatutin e që janë shkruar në bazë të vërejtjeve të palëve. Në praktikë, ato nuk do të kishin rëndësi. Dokumenti do të mbeste si rezultati përfundimtar, me apo pa vërejtjet e regjistruara.

E njëjta vlen për propozimin e Lehtësuesit për ta themeluar një mekanizëm të veçantë negocimi, të fokusuar vetëm te mekanizmi i nenit 7, të mbajtur vetëm në nivel teknik (nga pesë ekspertë teknikë për secilën palë) të nënshtruar udhëzimit të përgjithshëm dhe kontrollit përfundimtar të lehtësimit, siç edhe u përshkrua.

Edhe një herë duhet rikujtuar se neni 7 nuk është e vetmja dispozitë e Marrëveshjes Bazë. Republika e Kosovës mbase nuk do të pajtohet për negociata të veçanta për vetëm një çështje dhe ta adresojë atë si të izoluar nëpërmjet mekanizmit të vet të veçantë. Në fakt, madje edhe neni 7 i parasheh dy elemente të tjera e të ndërlidhura, ndërkohë që asnjëra nuk do të përfshihej në punën e atij grupi punues specialistësh. Pra, po qe se do të ketë bisedime të mëtejme për zbatimin e nenit 7, atëherë gjasat janë se ato do të ndodhin në nivel të kryenegociatorit, sikur ka qenë rasti gjatë gjithë kohës. Secili delegacion e ka të drejtën që ta përfshijë cilindo ekspert teknik.

Megjithatë, ky është mekanizmi i përshkruar me gjuhën precize të asaj marrëveshjeje — një mekanizëm që do ta siguronte një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për të ofruar shërbime në sfera specifike, e jo një AKSHS. Për më tepër, Kosova e peshoi vendimin e vet për ta pranuar marrëveshjen me shumë kujdes. E pranoi mbështetur mbi zotimet e fuqishme që i janë përsëritur me konsistencë para se ta merrte vendimin.

Rrafshi i dytë i zotimeve erdhi nga vetë Lehtësuesi personalisht, mbështetur nga shtetet përkrahëse, në veçanti SHBA-ja. Këto zotime e bëjnë të qartë që trupi do ta ketë vetëm një funksion koordinues. Sërish nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Për më tepër, u bë e qartë nga vetë Lehtësuesi dhe partnerët, se statuti duhet të jetë në përputhje se Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe se do të duhet vlerësuar nga kjo gjykatë para se të miratohet. Një përmbledhje e disa nga këto zotime i janë bashkëngjitur këtij shkrimi.

E treta, aty është edhe vetë teksti i Marrëveshjes Bazë. Gjuha e saj e sqaron, për shembull, se funksioni i mekanizmit të nenit 7 ka të bëjë me vetëmenaxhimin në raport me ofrimin e shërbimeve në sfera të caktuara. Kjo do të thotë se fushëveprimi i tij është kufizuar te llojet e aranzhimeve praktike që mund t’i ndërmarrin komunat individuale brenda juridiksionit të tyre.

Kur Republika e Kosovës ia rikujtoi Lehtësuesit zotimet e dhëna para se të pranoheshin Marrëveshja Bazë dhe Aneksi, mori një përgjigje të jashtëzakonshme. Në vend se t’i konfirmonte zotimet e veta dhe ato të BE-së të dhëna në nivelin më të lartë, ai deklaroi se ai nuk mund të obligohej vetëm nga ato dokumente, “edhe pse BE-ja nuk e përjashtonte që të udhëzohej nga bile ndonjëri nga ta, kur flitet për themelimin e AKSHS-së”.

Rastësisht, ky formulim arrogant sugjeron, sërish, se do të jetë BE-ja e jo Kosova ajo që do ta themelojë mekanizmin e nenit 7 – çështje së cilës Lehtësuesi ende i referohet si AKSHS, pavarësisht emërtimit të qartë në Marrëveshjen Bazë.

E dyta, është mahnitëse të shohësh se si Lehtësuesi nuk e konsideron veten të obliguar për garancitë që i ka dhënë vetë vetëm disa javë më herët, kur përpiqej ta bindte Kosovën për ta pranuar Marrëveshjen Bazë. Tash që Kosova e ka pranuar, duket se këto janë bërë të njëpërdorimshme dhe mundet ose nuk mundet të mbështetet në to sipas diskrecionit të vetë Lehtësuesit. Në çfarëdo konteksti, sjellja e këtillë do të konsiderohej shkelje e besimit. Republikës së Kosovës mund t’i falet pse e ka humbur besimin në të gjithë procesin e negociatave të udhëhequr nga Lehtësuesi aktual.

XVII. Qasja e përgjithshme

Për shembull, Republika e Kosovës parashtroi ankesë ndaj disa deklaratave të kryetarit të Serbisë pas dakordimit të supozuar të Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit, gjithashtu të reflektuara në disa letra dërguar Lehtësuesit. Këto deklarata dhe letra duket se synonin ta rezervonin pozicionin e Serbisë përderisa ata deklarojnë se nuk është arritur asnjë marrëveshje detyruese me Kosovën, dhe se do të zgjedhë çfarëdo obligimi që mendon se duhet të zbatojë, po qe se ka të tillë.

Në vend se të adresonte përmbysjen e balancës së detyrimeve që do të ndodhte po qe se do të mbahej ky pozicion, Lehtësuesi e qerasi Qeverinë e Kosovës me disertacion për të drejtën ndërkombëtare mbi rezervimet të themeluara me Konventën e Vjenës për Ligjin për Traktatet.

Në këtë rast, do të duhej të ishte roli i Lehtësuesit, i cili duket se vepron në rolin e visarit, meqë ai e ka pranuar pajtimin e supozuar të palëve, për ta refuzuar formalisht çfarëdo akti të njëanshëm të Republikës së Serbisë që e përmbys pikërisht objektin dhe qëllimin e marrëveshjes në fjalë. Kjo pritje vlen, pavarësisht nëse këto deklarata janë bërë në kohën e pranimit të supozuar të tekstit apo më vonë dhe nëse janë caktuar si rezerva, deklarata interpretative apo diçka tjetër.

Letrat që reflektojnë një lloj deklarate të përshkruar si më lart, në fakt do të barazoheshin me mohimin formal të çfarëdo marrëveshjeje (“Nuk kam pranuar”). Sërish, pavarësisht a janë bërë publikisht apo në letra adresuar Lehtësuesit, kjo është qasja të cilën Republika e Kosovës ka të drejtë ta kundërshtojë. Dhe ky kundërshtim e meriton një përgjigje përmbajtjesore dhe, pa dyshim, edhe veprimin e Lehtësuesit.

Natyrisht, tekstualisht në të gjitha instancat e kaluara, Serbia është mbështetur mbi këtë qasje paksa naive dhe qartazi të pabarabartë të bashkëbiseduesve ndërkombëtarë për të fituar maksimumin e koncesioneve, ndërkohë që në fund, edhe ashtu, nuk do ta nënshkruante rezultatin përfundimtar (Rambouillet, Ahtisaari, Marrëveshja Bazë).

Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur natën para nisjes në Ohër. Kosova ishte përgatitur të përfshihej në detaje të konsiderueshme në Projektaneksin, i cili kishte qenë mbi tavolinë katër muajt e fundit. Pastaj, një version i ri, plotësisht ndryshe që e akomodonte Beogradin u prezantua si befasi. Megjithatë, kur Republika e Serbisë megjithatë refuzoi të nënshkruante çfarëdo marrëveshjeje apo aneksi, Lehtësuesi prapë u pajtua dhe e imponoi një rezultat, ku Republikës së Serbisë i lejohet të zgjedhë cilindo, nëse ka, obligim që do të mund ta zbatonte; jo si çështje e obligimit juridik, por si punë zgjedhjeje. Kosovës, nga ana tjetër, i kërkohet që njëanshëm ta zbatojë obligimin i cili është më i rëndi nga këndvështrimi i saj.

Për më tepër, nuk ka perspektivë të qartë se si do të vijojë i gjithë zbatimi. Lehtësuesi ka refuzuar të ofrojë një plan të pastër, të sekuencuar dhe me afate kohore që i peshon obligimet e të dyja palëve kundruall njëra-tjetrës dhe e vendos një lloj ekuilibri, sikurse ishte tentuar me Projektaneksin e 4 dhjetorit.

Gjithashtu nuk ka garanci se si do të procedohet tutje me zotimin për realizimin e normalizimit të plotë, përfundimtar, me njohjen në qendër — një proces që mendohej se do të fitonte elan shtesë sipas nenit 6 të Marrëveshjes.

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përgjigjet e këtij lloji e konfirmojnë sërish se ky proces nuk udhëhiqet si një negociatë e vërtetë mes të barabartëve. BE-ja është e etur që ta tërheqë Serbinë brenda vetes. Ky theksim ka marrë peshë më të madhe me konfliktin aktual që rezulton nga agresioni dhe pushtimi ushtruar nga Federata Ruse kundër Ukrainës.

Republika e Kosovës e ka bërë të qartë se plotësisht i përkrah synimet e BE-së dhe të shteteve të tjera kyç në raport me Ukrainën dhe formën e një Evrope stabile e demokratike. Përderisa Qeveria e Kosovës i ka dyshimet për interesat e vërteta të udhëheqjes së Serbisë për ta ndjekur integrimin euroatlantik, nuk do që t’i asgjësojë planet dhe shpresat e BE-së në këtë aspekt.

Duke e pasur parasysh këtë situatë të përgjithshme, e cila u bë edhe më komplekse me zhvillimet më të fundit në Kosovë, është evidente se bisedimet ballafaqohen me rrezikun e dështimit, e me të edhe i gjithë procesi i normalizimit. Nisma e mirëpritur franko-gjermane dhe Marrëveshja Bazë, që rrodhi nga ajo, janë përdorur thellësisht keq. Është e vërtetë se ka pasur një “shpërblim” në kuptimin e progresit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ky është faktor jashtë Marrëveshjes Bazë apo të vetë procesit të Brukselit dhe që tash mund të jetë në rrezik.

Nisma franko-gjermane kishte për qëllim që t’i avanconte e t’i stabilizonte raportet mes palëve, me kushtin e arritjes së normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë ligjërisht të obligueshme. Në vend të kësaj, në mënyrën se si është përdorur, i ka çrregulluar raportet mes palëve. Marrëveshja ka mundur të ofronte një balancë obligimesh të ndërsjella. Por, një disbalancë e thellë ka rezultuar nga kjo qasje e Lehtësimit, që e ka pranuar pozicionin e Serbisë si një fakt të palëkundshëm kurse pikëpamjet e Kosovës si irritime të parëndësishme.

Në aspektin e kësaj të fundit, Serbia tashmë haptazi e ka mohuar zotimin e saj, shumë qartë të përcaktuar në marrëveshje që të mos e pengojë përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Dhe e mban pikëvështrimin se ajo vetë do të vendosë se cilat, nëse ka ndonjë, zotime nga Marrëveshja Bazë do t’i zbatojë. Kosova, nga ana tjetër, supozohet se detyrohet t’i zbatojë çështjet kyç që janë me interes për palën tjetër — palën që as nuk e pranon se është palë e marrëveshjes në raport me Republikën e Kosovës.

Në fakt, ky episod tash e ka fokusuar të gjithë procesin e normalizimit te çështja totemike e asaj që është njohur përpara si AKSHS, e tash mekanizëm për zbatimin e nenit 7. Ka pak shumë stimuj që Kosova ta lejojë veten që ta përpijë vorbulla e kësaj dinamike që kaq qartazi shkon kundër synimeve të premtuara dhe kundër strukturës së procesit, që mendohej se duhej të fokusohej në normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht të obligueshëm me njohjen në qendër.

Ky madje mund të jetë një çast për BE-në si institucion ndërkombëtar me mandatin për ta udhëhequr dialogun e normalizimit që të reflektojë për gjendjen aktuale. Po qe se dialogu do të vazhdojë, duhet të jetë i balancuar dhe korrekt. Nuk mund të jetë një mekanizëm që e akomodon vetëm njërën palë, në kuptimin e interesave më të gjera strategjike dhe ta injorojë palën tjetër. Nuk mund të jetë një proces që i imponon rezultate palës e cila, në fakt, e ka pranuar dhe ka treguar vazhdimisht vullnetin për t’i nënshkruar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin.

Në fakt, kryetari i Serbisë ka thënë vazhdimisht se ai kurrë nuk do të lëvizë para drejt njohjes së statusit të Kosovës, pra drejt normalizimit gjithëpërfshirës në një formë ligjërisht të obligueshme. BE-ja mbase do të duhet të ballafaqohet me perspektivën se i gjithë procesi i normalizimit dhe fokusimi i përqendruar te njohja në fakt janë vegim.

Nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të përgjigjet pozitivisht ndaj trysnisë për zbatimin e marrëveshjeve paraprake, e tash edhe të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj, nëse i gjithë procesi është përqendruar mbi iluzionin se ndoshta dikur Serbia do të futet në rend dhe do t’i pranojë obligimet e veta. Dikur duhet të shfaqet momenti i së vërtetës. A e pranon Republika e Serbisë normalizimin apo jo? Nëse po, minimalja që mund të pritet është që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë.

Kjo marrëveshje qëllimisht dhe madje me shumë bujari është kornizuar, nga prindërit e saj intelektualë, Franca e Gjermania dhe BE-ja, si thjesht “një hap në shtegun drejt normalizimit”, duke ia mundësuar Serbisë të përparojë pa e njohur formalisht statusin e Republikës së Kosovës. Kjo shkon kundër interesave të Kosovës, por u pranua nga Prishtina në nderim të partnerëve të saj ndërkombëtarë.

Për të qenë e qartë, nuk ka indice që Republika e Kosovës ka për synim që ta mohojë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin, pavarësisht rrethanave të pafata të lindjes së tyre. Përkundrazi, ka dhënë siguri se Marrëveshja Bazë është njësoj obliguese për të dyja palët. Nëse pala tjetër thotë se nuk është shumë e obliguar nga marrëveshja, si brenda ashtu edhe jashtë procesit, atëherë Marrëveshja Bazë nuk ekziston. Ngjashëm, nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të ofrojë zotim të plotë po qe se pala tjetër e rezervon të drejtën të zgjedhë se cilin, nëse ka ndonjë, detyrim do ta zbatojë sipas vlerësimit të vet.

Do të ishte gabim që këto pika të shikoheshin si kushte që Kosova do të mund t’i vendoste në proces. Në fakt, ka nevojë që procesi t’i kthehet vijës së pritjeve legjitime dhe të mandatit aktual. Pikat e renditura më poshtë janë zotimet që i kanë bërë BE-ja dhe shtetet përkrahëse. Për më tepër, ato gjithashtu rrjedhin nga Marrëveshja Bazë dhe vetë Aneksi, si dhe nga parimet e përgjithshme të neutralitetit dhe të trajtimit të barabartë, që duhet ta përforcojnë një negociatë të këtij lloji.


Shtojcë:

KOSOVA DO TA HARTOJË STATUTIN [e jo Komiteti menaxhues]

Lajçak tha se e kishte siguruar Kurtin se detajet e Asociacionit do të “hartohen nga ju dhe në pajtim me ju”.

Shtoi se shumë kohë po humbet duke biseduar për diçka “që nuk ekziston dhe për diçka që ju do ta bashkëshkruani”.

27 janar 2023

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.