Busti i Adem Jasharit promovohet solemnisht në fshatin Hamil të Fierit

0
Adem Jashari - bust në Hamil, Fier

Nga Safet Sadiku

Më 19 dhjetor, në ambientet e shkollës fillore “Trifon Prifti” në fshatin Hamil, rrethi Fier, u zhvillua një ceremoni solemne dhe mjaft domethënëse, e cila dëshmoi qartë ndjenjën e thellë të respektit, përkushtimit dhe ndërgjegjes kombëtare që banorët e këtushëm i kushtojnë figurës së Heroit Kombëtar, Komandantit Legjendar Adem Jashari, përmes promovimit të bustit të tij. Ky aktivitet, i cili mblodhi mbi 400 pjesëmarrës, përfshirë banorë të fshatit, nxënës, mësues dhe personalitete të ftuara, u shndërrua në një manifestim të vërtetë bashkimi të këtij komuniteti, ku pothuajse i gjithë fshati Hamil u bë pjesë aktive e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, duke treguar se nderimi ndaj sakrificës dhe idealit kombëtar mbetet një vlerë e gjallë dhe e trashëguar brez pas brezi.

Nismëtarët për ngritjen e këtij busti, Haki Gurguri, Alban Hebeja, Bujar Kabashi dhe Fatjon Morina, e nisën këtë iniciativë në mënyrë krejt spontane, të udhëhequr nga ndjenja e thellë e respektit dhe përgjegjësisë kombëtare, por shumë shpejt kjo ide fisnike u përqafua me entuziazëm dhe u mbështet fuqishëm nga të gjithë banorët vendas, të cilët e panë këtë nismë jo thjesht si një veprim simbolik, por si një detyrim moral dhe historik, duke e shndërruar atë në një projekt të përbashkët komunitar, ku secili kontribuoi sipas mundësive dhe zemrës së tij.

Në ditën e promovimit, me praninë e tyre i dhanë peshë të veçantë dhe domethënie të thellë këtij aktiviteti edhe z. Marin Mema, Nustret Avdulla, (i njohur si patriot dhe bir i çamërisë), Beldar Çakalli, Meçan Zotaj, (ish luftëtar i UçK-së nga Fieri) si dhe grupi i veteranëve të UÇK-së nga Vitia e Kosovës, në krye me ish-komandant Malën, të cilët, së bashku me shumë personalitete dhe të ftuar të tjerë, e kthyen këtë ceremoni në një ngjarje me vlera të veçanta kombëtare, duke e bërë atë një moment nderimi, respekti dhe bashkimi për të gjithë të pranishmit.

Programin e kësaj veprimtarie e zbukuruan dhe e pasuruan ndjeshëm edhe nxënësit e shkollës, të cilët, përmes recitimeve të tyre plot ndjenjë dhe përkushtim, sollën para të pranishmëve vargje artistike të ngarkuara me emocion dhe respekt, të kushtuara Komandantit Legjendar Adem Jashari, duke e kthyer këtë moment në një dëshmi të gjallë se figura dhe vepra e tij vazhdojnë të jetojnë fuqishëm në ndërgjegjen e brezave të rinj.

Ky aktivitet shënoi një moment të veçantë dhe thellësisht domethënës kujtese, nderimi dhe reflektimi, sidomos për brezat e rinj, të cilët përmes kësaj ceremonie patën mundësinë të përballen drejtpërdrejt me historinë, të kuptojnë peshën e sakrificës sublime dhe të ndiejnë përgjegjësinë morale për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave kombëtare, duke forcuar kështu lidhjen e pandashme ndërmjet së kaluarës heroike, së tashmes së ndërgjegjshme dhe së ardhmes që ndërtohet mbi idealet e lirisë, harmonizimin dhe identitetit kombëtar.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti domethënës, organizatorët kryesorë, shprehën falënderimin dhe mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm, për banorët e fshatit, nxënësit, mësuesit, të ftuarit dhe personalitetet që me praninë e tyre e nderuan këtë ceremoni. Ai falenderoi edhe të gjithë ata që kontribuuan në mënyra të ndryshme në ngritjen e këtij busti, përfshir edhe „mjeshtrin e gdhendjeve të pllakave“ të fshatit që punën e bëri gratis, dhe gjithë të tjerët, të cilët gjatë përgatitjes kanë dëshmuar përkushtim, harmonizim dhe përgjegjësi të lartë qytetare e kombëtare, e cila e bëri të mundur realizimin e kësaj vepre përkujtimore me vlera të veçanta historike.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.