Ymer Adem Llugaliu
Mbetën shkret bulevardet.
Shpina e tyne lëkurzezë
nuk theret nga takat,
nuk shtypet nga rrputkat,
s’përgdhelet nga sandalet,
s’lëpihet nga pantoflat.
Ajri nuk çpohet nga thirrje
të shfrenueme të rijsh hamshorë;
nuk gumzhin nga zhurma
e turmës zgjue bletësh.
Nëpër shtatin e njomë
nuk i shkojnë mornica
nga pëshpëritje dashnorësh.
Freskija e qetë
i përkdhel çatitë, fasadat,
tokën, pjedestalin ma të devotshëm,
hyjenën ma të pangime
ndaj krijesave të veta.
Fëshferijnë lehtë gjethet
e kalipsave, palmave,
uturin autobuzi i plazhit,
ora njizetetre.
Dymdhet veta presim në stacion.
Autobusi hapi tri dyer,
nga katër vetë për derë.
Shyqyr njiherë nuk u shtymë.
Ku jeni,
pse heshtni!
Vraponi,
shtyni,
shtypuni,
ndrydhuni,
kacafytuni,
këlthitni,
vidhuni pa pague
nga dera e fundit,
pa u ndal mirë autobuzi.
He!
Ju them ju,
të rij shëndetplot,
vullnetdobët, gojështhurun!
Ju nëpunësa fodull,
që fjalorin e prishni,
kur ndonji mekanik,
ndërtues, koperativist…
me rrobat pluhnue
kostumin ju zhubros.
Ju, pleq hundpërpjet, konservatorë,
që gërvishtni të renë
si luani nji maçorr.
Ku jeni,
pse s’mjaullini,
ju çupka të mamakës,
nuse nazemëdha,
plaka piperka!
Ah, po.
Heshtet.
S’arritët me hyp
në autobuzin e fundit.
As na s’arritëm deri në fund.
Faturina me shoferin
udhtimin vazhduen.
Njeni mban timonin,
tjetri mbledh shpagimin
për rehatinë që bajmë
tue shty shoqi-shojn.
Shënim redaksional
Kjo poezi është shkruar në Rrëshen, Mirditë, më 1972, nga Ymer Adem Llugaliu, krijues idealist e vizionar, i cili u dënua me shumë vite burgim nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës për bindjet e tij demokratike.
Pas lirimit nga burgu, ai iu përkushtua me tërë qenien Rilindjes Demokratike, duke qenë njëri nga themeltarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë në degën e Elbasanit.
Poezia “Autobuzi i fundit” mbart simbolikën e tranzicionit të shoqërisë shqiptare të viteve ’70 – një reflektim poetik mbi ngurtësinë, heshtjen dhe mungesën e guximit kolektiv për t’u “ngjitur në autobusin e fundit” drejt lirisë dhe ndryshimit.
Përgatiti për botim Arif Ejupi