AUTOBIOGRAFÌ e ATË MARJAN PRELAJ, O.F.M

0
Ulur para janë Atë Marjan Prelaj, Atë Anton Harapi, i Lumi Atë Mati Prendushi dhe Atë Marin Sirdani

Ulur para janë Atë Marjan Prelaj, Atë Anton Harapi, i Lumi Atë Mati Prendushi dhe Atë Marin Sirdani. Në kam Atë Agustin Ashiku dhe Atë Viktor Volaj. Kjo fotografi e bukur është e datës 10 Qershor 1944.

Parafjalë

Françeskani P. Marjan Prelaj O.F.M., është lindur dhe shkolluar në Shkodër. Kishte hyrë që i ri në urdhrin françeskan. Studimet filozofike e teologjike vijoi në shkollën françeskane në
Troshan. Studimet i vazhdoi në Villach të Austrisë e më vonë në Kaltern–Caldare e Bolzano-Bozen të Italisë dhe prapë i rikthye në Villach të Austrisë, ku edhe u shugurua meshtar. Po këtu celebroi meshën e parë më 1908 e më pas u kthye në Shqipëri. Ai ka jetuar e shërbyer si meshtar në shumë famulli, në të cilat vazhdimisht kishin ndodhur edhe ndryshime politike si në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Kosovë. Të gjithë këto vende ku kishte shërbyer, P. Marjan Prelaj i përshkruan në këtë libër autobiografik. Ai ka jetuar në shumë shtete të kohës dhe ka përjetuar shumë ndryshime shtetërore sikurse Perandoria osmane, Perandoria Austro-Hungareze, Pavarësia e Shqipërisë, Mbretëria Serbo Kroate Sllovene, Mbretërinë e Jugosllavisë, periudhën mës dy luftërave botërore dhe sidomos kohën e regjimit komunizmit në Shqipëri.

P. Marjan Prelaj sa ishte gjallë ka botuar nëpër revista para kohës së ardhjes së komunistëve sidomos te Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, kurse në dorëshkrim ka lënë disa vepra të pabotuara. Provinça Françeskane Shqiptare në Shkodër i ka botuar disa prej tyre, sikur psh: Nekrologu (2001), Histori e vogël mbi Shejtnoren e Shna Ndout në Sebaste, bashkë me Donat Kurtin (2013), Shqypnija serafike, (2019), Misjoni shetitës i françeskajvet neper Shqypni, (2019). Një tjetër vepër kapitale për historinë françeskane shqiptare që ai ka lënë në dorëshkrim në gjuhën latine është ajo me titull: Necrologium Provinciae Albaniae, e cila është botuar jo e plotë në gjuhën shqipe nën kujdesjen e P. Vinçenc Malajt në vitin 2001 me titullin: Nekrologu. Shumë dokumente mbi apo të P. Marjan Prelajt gjinden në arkivin françeskan në Shkodër dhe në arkivin shtetëror të Shqipërisë në Tiranë (Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave), e që mund të jenë objekt studimi shumë interesant për ndonjë studiues.

Botimi i këtij libri me titull Autobiografì të P. Marjan Prelajt, plotëson një zbrazëti jo të vogël për ndodhitë që ai kishte parë apo përjetuar gjatë jetës së vet aty ku ai kishte jetuar. Janë histori interesante dhe të shumëlarmishme.

Në fillim të këtij libri autobigrafik, autori P. Prelaj shënon historinë e familjes Prelaj në Shkodër, fëmijërinë e tij, sidomos theksohet edukata dhe ndikimi i françeskanëve në jetën dhe familjen e tij. Gjithsesi zhvillimin, formimin e shkollimin e tij nga françeskanët, P. Prelaj e kishte europian, ngaqë shkollimi i tij nisi në Shkodër, vijoi në Austri e Itali që që pati ndikim ndikoi shumë në formimin e tij intelektual. Prelaj u shugurua meshtar në Trento të Italisë, kurse meshën e parë e celebroi në Villach të Austrisë. Pastaj u kthye në Shqipëri për të vepruar si meshtar në disa vende, në fillim në kolegjin serafik në Shkodër apo në
Rubik. Me kërkesën e ipeshkvit të Shkupit Imzot Lazër Mjedës, u dërgua në ipeshkvinë e Shkupit së bashku me vëllain e vet P. Pashko Prelaj dhe Atë Luigj Sopaj (P. Aloiz Palić), ku edhe shërbeu në Zym, Cernagorë-Letnicë, Stubëll, Shkup, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Janjevë, Gllogjan, Nepole, Prekorupë, Dollës, Bigovicë, Zllokuqan, Budisalc, Gjyrakoc, Prekorupë, Lugagji, Baran, Çabiç, Ledinagjì … P. Marjan Prelaj pati meritë dhe kontribut të madh për shkollat nëpër famullitë e Kosovës në vitet 1915-1925, kontribut që deri më tani nuk i njihet ashtu si duhet. P. Marjan Prela shkruan shumë gjëra interesante për martirizimin e P. Luigj Sopaj-Paliq, të cilin e kishte njohur për së afërmi dhe më të cilin kishte bashkëvepruar dhe prandaj shkruan për jehonën e mediave ndërkombëtare sikur Neue Freipresse, L’Osservatore Romano etj. Po ashtu ai kishte shkruar për vdekjen e P. Gjergj Fishtës.

Revista e Shkodrës Zani i Shna Ndout, u themelua më 1913 dhe drejtues i kësaj reviste u zgjodh pikërisht P. Marjan Prelaj. Nën drejtimin e P. Marjanit kjo revistë dha një kontribut shumë të rëndësishëm për kulturën, historinë dhe aktualitetin e kohës. Më vonë u themelua edhe revista Bija Katolike, ku edhe këtu P. Prelaj dha kontribut të madh.

P. Marjan Prelaj shërbeu në Troshan, Iballe, Fierzë, Theth, Traboin, Hot, Grudë, Triepsh Palç dhe më kërkesën e ipeshkvit të Tivarit Nikollë Dobrećić, ai shkon në këtë ipeshkëvi dhe
shërbeu në disa famulli, sikurse në: Ulqin, Kllezën, Salç, Shen Kollë, Sh’Njergj, Ljàr, Shestan, Triepsh, Koçë të Kuçit, Traboin, Vuksan-Lekaj, Grudë, Tuz.

Në vitin 1939 kthehet në Shqipëri, ku shërbeu në disa vende të rëndësishme të provinçës françeskane shqiptare në Gjuhadol sikurse Vikar i Kuvendit, Prokurator Provinçe, pastaj
në Troshan, Tiranë, Shkodër, Shirokë, Kastrat, Rrjoll, Reç, Lohe, Bajzë, Brigje, Troshan, Zadrimë, Dajç, Nënshat, Gramsh, Selcë, Vermosh, Vukël, Nikç, Bajzë, Mal të Rrencit, Shirokë, Sheldì, Plan, Sumë, Kir, Gjan, Rrubik, Laç Blinishtit etj. Në këtë periudhë shumë të vështirë për klerin katolik, P. Prelaj përshkruan vuajtet e klerikëve në kohën e komunizmit dhe flet për burgosjen e tij, marrjen pa leje të sahatit nga Kisha Françeskane e Shkodrës
tek Arra e Madhe dhe dërgimin e tij në Tiranë ku gjindet edhe sot tek Kulla e Sahatit të Tiranës, burgimin e Gaspër Çurçisë, kuvendin e Gjuhadollit që ishte shndërruar në „burg“ jo vetëm për françeskanët, gjykimet e klerikëve, jetën e vështirë në burg, „lirimet“ e prapë arrestimet e disa klerikëve e sidomos françeskanëve, sikur ipeshkvit P. Bernardin Shllaku, P. Robert Ashta, P. Justin Rrota, P. Marin Sirdani, P. Antonin Fishta…

Më 1967 përpiloi emrat e klerikëve që ende ishin gjallë dhe të atyre që ishin vrarë deri në këtë vit si dhe përshkruan internimin dhe jetën në Lushnje si dhe në kampin “Saver” afër Lushnjës. Në këtë vepër lexuesi do të gjejë shkresat e P. Marjan Prelaj për Bibliotekën
Kombetare dhe Arkivin Shtetëror të Shqipërisë për konfiskimin e librave, dokumenteve, dorëshkrimeve dhe sendeve që iu ishin marrë françeskanëve, konfiskuar këto pa lejen e tyre si dhe shumë gjëra të tjera interesante nga jeta dhe përjetimi i P. Marjanit.

Nëse dëshirojmë që të njohim një pasqyrë të historisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, duhet që të lexojmë me vëmendje këtë libër. P. Marjani ishte një njeri i lindur dhe rritur në
Shkodër, shkolluar në përëndim, por puna dhe vepra e tij meshtarake si dhe veprimtaria e tij kulturore-historike, përmes publikimeve të tij të kohës si dhe me dorëshkrimet e tij është pazëvendësueshme. Dënimi, internimi, burgosja dhe përçmimi nga shqiparët komunistë, nuk e përkulën ndai ai mbeti gjithë jetën një shkodran i denjë.

Origjinali i këtij dorëshkrimi ndodhej në arkivëzën e dorëshkrimeve të Dom Gjergj Gjergji-Gashit në Stubëll. Falënderoj familjarin e dom Gjergjit, Sarë Gjergjin që i ofroi Albanisches
Institut & Botimeve Françeskane për botim këtë dorëshkrim. Ndër të tjera në të njëjtin vend gjinden edhe dorëshkrimi Necrologium Provinciae Albaniae, si dhe disa nga dorëshkrimet origjinale të P. Zef Pllumit, sidomos disa poezi të tij. Falenderoj Jozef Zamputti-n, i cili është edhe nip i familjes Prelaj, i cili rishikoi dorëshkrimin duke ruajtur origjinalitetin e tij gjuhësor shkruar nga P. Marjan Prelaj, të cilin e kishte parë edhe ai vetë duke e shkruar këtë dorëshkrim, kur vizitonte P. Marjanin tek dajat. Shpenzimet e pjesshme të këtij botimi i mbuloi Albert Ramaj.

Albert Ramaj
Albanisches Institut, Zvicër


PARATHANIE

As nëpër mend nuk na ka shkue, qi në moshën 83 vjeçare të dulkohemi mbi makinë datiliografike e të shkruajmë biografìn tonë, përse nuk shihshim për shka me e bà gjith atë mundë; mandej: a kishte me pasë farë vlere? cili qëllimi e fryti? të shtymët edhe në mot…të gjitha këto vështirsì na delshin përpara, ishin pengesa të forta, qi nuk mund të ndikojshin, as të na nxitshin me na shtý me shkrue.

U gjetën gjatë jetës sonë njimend kolegë misjoni, qi na këshillojshin të përpilojmë një autobiografì, por gjithnjì ne nuk na mushej mendja me i a hì këtij punimi.

Tash, tue u gjetë president në hospicin françeskan, Tiranë, jo edhé aq i ngarkuem në apostullimin e misionit tonë, tue na u ripërsritë lutjet me i a hì punës; kështu këjo rasë e këshillet zgjuen vullndesen tonë, me përpilue autobiografìn, që na po e qesim në dritë.

Mbasi kemi kerkue gati të gjitha vendet e Shqypnìs me Misjone Shetitëse, tue përshì edhe marë Kosovën e Malin e Zì, kështuqi lami i veprimit ishte i hapët, e materjal me rreshtue mjaft, me ndollje, ngjarje, të përpjekuna, udhtime, rreziqe, episode e dallka të jetës nëpër të cilat u përshkruem, e vendosëm së mbramit me i a hì punës, prej së cilës ndoshta lexuesi mund të nxjerrë ndoj dobì.

Na rrén mendja, kjo autobiografì, me tregime të veta, ka për të zgjue ndër lexuesë nji dishìr të fortë me e vlersue jetën misjonare plot vetëmohim, e mos me u kursye për të mirën e shoqnìs. Po kjé mandej se ndokuj ky ka me i u dukë nji punim i kotë, megjithket na nuk po ngurrojmë kundrejt këtij paragjykim, as po e pezullojmë vendimin tonë.

Ky përshkrim autobiografik paraqet në kuader shekullin e kaluem, si kah gjeja shpirtnore e besimtarvet, si edhe për kah sundimi i eger i pushtuesavet turq, kur liria fetare ishte mjaft e kufizueme, e shpesh herë edhe e pengueme.

Shpresojmë dhe urojmë, pa dashun të mbivleftësojmë veprimin tonë modest, qi kjo autobiografì të jetë nji shtymje, dhe nji nzitje për vepra të denja në vëneshten e Hyjit, simbas fuqìs së vet të setcillit.

Auktori


AUTOBIOGRAFÌ
e
ATË MARJAN PRELAJ, O.F.M

RRETH VEPRIMTARÌS E NDOLLJEVET SË JETËS TETËDHETËVJEÇARE

I. PRINDJA E LINDJA

1. Familja

Atë Marjan Prelaj lindi në Shkodër me 28/VI/1885, nga nji familje mesatake, për kah pasunija, por prindvet të krishtenë në kuptim të plotë, tue pasë kjo familje nga qyteti veç lavdì e bekime, e prindët çmoheshin fatlum.

I ati, Matì Prela, me natyrë i butë, dhanë mbas punet; por me shpìrt fetàr, muer mbrapa uratën, ndoq Sakramendet, e, si nji ditë përditë meshën, deri sa smundja e rrxoj në shtroje, tue bà të pamundun dishirin e tij. Në martesë e përpoq Zoti me nji grue, jo ma pak të virtytshme se i shoqi, Kushen, vajzë shkodrane.

Grueja, Kusha, lindi prej nji familjes shejte, bija e Shtjefen Bushatit, e cila pat trì motra, Tinën nanën e D. Nikollë Ashtës, Lezen e Silen, të dyja këto mungesha shpijet, e vëllan D. Gjon Bushatin, i njoftun mirë në Shkodër, si famullitàr i virtytshëm, zelltàr e punëtuer i gjàll me të ngrehun kishësh e qelash. Kusha dallohej mes grave tjera për përshpitnì, butsì, e veçanerisht për bamirësina të mdha, qi shkoj tue bà gjatë jetës së vet, si meshtarve të rì, qi shkojshin ndër famullì, si kishëvet, vobekëvet, e sidomos bijavet të vorfna, tue iu dhuratë pajë për martesë, si lexohet në biografìn e sajë shembullore të punueme mbi té.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.