ATDHEU DUHET PA HILE

0
Skënder Zogaj - Ajri i kafshuar

Shkruan: Ajete ZOGAJ

Skënder ZOGAJ, “Ajri i kafshuar” botoi “Fidani” Prizren, 2020

“Librat e njerëzve të ditur janë monumente, librat e njerëzve të paditur janë varre” – Isokrati[1]

Profili i një intelektuali

Një jetë e tërë në shërbim të vendit të tij, në rrafshin politik, kulturor e intelektual.
I vendosur e i guximshëm për ta thënë të vërtetën, edhe atëherë kur për dikë mund të jetë e hidhur…
I matur dhe i saktë me shkrime publicistike e analiza, rreth realitetit që kaloi e po kalon Kosova…

I kujdesshëm në vargëzimin poetik, edhe më i kujdesshëm në ruajtjen e pastër të gjuhës shqipe…
I dashur dhe i adhuruar nga fëmijët me vargjet e veprat që ua dhuron…
Kritik letrar e lërues i fjalës së bukur…

Ky është Skënder Zogaj, poeti modest e fjalë pak, që laton bukur fjalën, e ‘gdhend’ bukur vargun,  e ‘stolisë’ me figura e gjetje të bukura artistike.

Pesha e fjalës

“Ajri i kafshuar” është libri i radhës i Skënder Zogajt, që të cytë e të bën kureshtarë ta lexosh, të intrigon e të sfidon, që nga titulli metaforik me ‘ajrin e kafshuar’. Është Kosova e vargëzuar bukur nga poeti Zogaj, janë ecejaket e saj historike, lavdia, lufta, sakrifica, zhgënjimi, shkëlqimi i figurave markante që bënë historinë, ana e errët e këtij shkëlqimi, lakmia e smira për pushtet…

Ç’mallkim po na ndjek, o Atë,
në jetë e në vdekje?

Kaq të përbuzur nëpër botë
pa fe e atdhe
me shkoftëlargun në gji!
Pse?!” (Pse?!”, fq. 5)

Këto vargje të dhëna në hyrje të kësaj përmbledhje poetike, përligjin botën shpirtërore të autorit dhe preokupimin e tij për fatin e atdheut, duke iu drejtuar Atit ( Hyjit) që të na bekojë e ndihmojë, ta largojmë shkoftëlargun që na ka hy gji…, përqarja e ndarja e cila historikisht na ka kushtuar si popull e si komb!

Libri është i ndarë në gjashtë cikle: Gjeli  me drapër në qafë, Ikje nga vetvetja, Vetëm iluzion, Ajri i kafshuar, Kutia dhe kapitulli i fundit, Ah!.

Nëse thuhet se “Poezia është imazhi verbal jashtëzakonisht preciz i mendimeve të poetit”[2], kjo përmbledhje poetike  e autorit Skënder Zogaj komunikon bukur me lexuesin dhe njëkohësisht përmes tablove, figurave stilistike krijojnë tablo poetike të mirëorganizuara dhe një strukturë gjuhësore mjaft të pasur.

Nëse nisemi nga shprehja popullore se, fjala e mirë ndërton kala, fjala e keqe bënë hata, poeti Zogaj spikatë peshën dhe rëndësinë e fjalës së mirë, e vë në peshore me fillimin  e ditës e me përshëndetjen ‘mirëmëngjes’ në vargjet vijuese:

Cila është arsyeja e zgjimit
   Nëse na mungon fjala –
   e ëmbla, e buta, e ngrohta
   me të cilën në këtë mëngjes
    mundemi mikut me i dhënë krah,
   e armikun – pa e prekë me dorë
me e vra…[3] (Poezia “Mirëmëngjes”)

Ai i lutet Zotit që ta drejtojë kah rruga e vërtetë ku burrnia e besa nuk kanë peshë e vlerë.

Zoti im – më mbaj nën vëzhgim
sa më larg hipokritëve
dhe kurtizaneve gjaknxehta
ushqema shpesën e guximin forcoma
për rrugë kah e Vërteta[4]  (“Udha e shpresës së mirë”)

Përmes vargjesh, autori guximshëm demaskon mbeturinat e komunizmit të veshura me petkun  e demokratit, dhe në mënyrë metaforike  këtë e shpreh në formë dialogu mes mësuesit  e nxënësit:

Mësuesi më tha: Vetëm dora e bardhë
mundet me vra Korbin e zi!
Biri im shfaqu dhe refuzoje algën e kuqe –
Që gjithë ditën i këndon dritës, e në mbrëmje
i kafshon fëmijët e vet![5] (“Akti i çjerrjes së maskës”)

Ai i ngjason një alturisti që synon të mbjellë farën e mirësisë e dashurisë së njeriut për njeriun, e në të njëjtën kohë demaskon padrejtësinë e smirën:

Padrejtësia, ah, shpesh shfaqet
ua zë pritën njerëzve të mirë,
me gjëmë, mundime e krajata,
por s’ua ndalon cakun e dëlirë.[6]

Ngase, një ditë patjetër ‘do të takohen Fytyra dhe Pasqyra’[7]
Ironia e sarkazma në vargun e Zogajt shkojnë deri në mallkim.

Në drejtim të hënës së përgjakur
Gjeli me drapër në qafë
përsëri
u këndon himne zvarranikëve
………………………………………..
Na vraftë Zoti
U bënë gazi i kërmijëve![8] (Na vraftë Zoti)

‘Himne’ për gruan

Në ciklin e dytë “Vetëm iluzion”, poeti sjell poezi lirike mjaft të realizuara.
Lirikat e këtij cikli janë himne për krijesën më të bukur – Gruan.
Autori e krahason siluetën e gruas së bukur me rrjedhën  kroit me ujë të freskët, psherëtimat avullore e rrezatimet e mëndafshta.

Ja se si shprehet në vargun:

Ah, moj e dashura grua, si krua –
ëndrrat e tua më të thella se liqeni
shkasin në këtë ëndërrim të bukur![9]

Gruaja është syvala të cilën e pret autori, siç ngjet në vargun:

…po të pres syvala
dhe ti patjetër ke me ardhë
e beftë fare
midis tokës e qiellit
me i dalë zot
ajrit të kafshuar[10]

Poezi e sarkazmës dhe ironisë

Sarkazma dhe ironia janë realizuar mjaft artistikisht tek pozitë e ciklit “Ajri i kafshuar” ku autori godet vese, e stërkeqje shqetësuese që i po i varen si  litari në qafë atdheut.

Ky nuk është atdheu im, ose unë e kam humbur hartën
Tani udhëkryqeve baras si hije pa qëllim e cak
Si një dem  – i pa fe, pa komb e pa atdhe –
Plëngprishës nga toka deri në re
Që bën herezi: Rroftë Mbreti! Poshtë Mbreti![11]

Kështu, mes vargjesh autori demaskon matrapazët:

Pa fije turpi rrejnë
E të shikojnë drejtë në sy!

Për popull, komb e atdhe
u digjet zemra
si lepujve për lakrën e re![12]

Poeti Skënder Zogaj është i vendosur dhe parimor në qëndrimet e tij, dhe këtë më së miri e dëshmojnë vargjet:

Kurrë nuk do të heq dorë
nga pjesa e ëndrrave të mia
dhe do të vazhdojë të udhëtoj
në drejtim të diellit –
as i gëzuar, as i hidhëruar
në synim për qëndresë
kundër larove të pabesë![13]

Poezi përkushtuese

Duke lexuar me kujdes vargjet e kësaj përmbledhje poetike, hetojmë mjeshtërinë e autorit të paraqitur në mënyrë artistike tema e motive nga më ndryshmet, kurse një vend të rëndësishëm zë edhe poezia përkushtuese tek cikli “Ah!”, me poezitë: Ilyria, Amaneti i Niketë Dardanit, Hiri i prushtë ( Tahir Zemajt), Pslam për Pjetër Bogdanin, Vargu i përlotur ( Kushëritit Qerim Zogaj), Fusnota e mesnatës (Kol. Ahmet Krasniqit në 20- vjetorin e vrasjes), pastaj aktores Leze Qena, Ah (Mikut tim Sabit Hykollit) etj.

Zogaj me vargun e tij portretizon presidentin Ibrahim Rugova ‘shpirt i shenjtë i Dardanisë, e Mesi, deri sa shprehë mall, dashuri e kujtim të përjetshëm për të:

Fort më ka marr malli me të pa
me të marr ngryk e me të thënë:
– Ç’prejse ike ti
poshtë ka rënë katudni
e dheu po na rrëshqet nën këmbë
i shqyer dielli
po na ngushtohet mbi krye.
……………………………………..
O Mesi –
të veshur me ehuj të zi
gjithë zgjyri i vilajetit
ka vërshuar në sarajet e mbretit
ulërinë e byryten si të trentë
u kanë hipur ujqve
e qentë po i ndjellin!
As dreqi se merr vesh çka duam
e ku po shkojmë…
O shpirti i shenjtë i Dardanisë
Vëlla Ibrahim –
lutu për ne![14]

Mjaft e realizuar është edhe poezia kushtuar Nënës Tereze e cila është ‘Gonxhja e gonxheve dhe engjëlli Roje e Qiellit’.

“Atdheu e gjuha, mendimi e fjala, fjala e jeta, janë tri gjëra që i lidh  një varg, e njëra pa tjetrën nuk mund të kenë të gjallë”[15]

Libri “Ajri i kafshuar” i Skënder Zogajt, dëshmon pjekurinë e tij krijuese e intelektuale, kujdesin e shtuar për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe begatimin e saj me fjalë e shprehje të reja burimore.

Figurat stilistike, si metaforat, krahasimet, ironia e sarkazmi, janë ngjizur bukur në poezitë e këtij libri, duke synuar një ndërgjegjësim tek lexuesi i të gjitha moshave, shtresave  e profesioneve  të ndryshme, për ta thënë të vërteten pa i dhënë  lak fjalës e për ta dashur pa hile atdheun.

Prishtinë, 16 prill 2023


[1][1] Qemal Murati “Kokrra urtësie për gjuhën” Tetovë, 2001, fq. 5
[2] Zejnullah Rrahmani, “Leximi dhe shkrimi”, Prishtinë 2003, fq. 132
[3] Skënder Zogaj, “Ajri i kafshuar” Prizren 2020, fq. 9
[4] Po aty, fq.10
[5] Po aty, fq.11
[6] Po aty, fq. 12
[7] Po aty, fq. 15
[8] Po aty, fq.34
[9] Po aty, fq.39
[10] Po aty.fq. 42
[11] Po aty, fq. 47
[12] Po aty, fq. 49
[13] Po aty, fq.55
[14] Po aty, fq. 74
[15] Qemal Murati, “Kokrra urtësie për gjuhën” Tetovë, 2001

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.