Argumente nga aktualiteti jetësor politik

0
Safet Sadiku

Ese: (1)

Nga Safet SADIKU

Në Londrën me shi, ku rrugët ndriçojnë nën dritat gri, biseda me studentët shqiptarë më kujtoi se diku mes reve të përditshmërisë, shkëlqen gjithmonë një dritë e qartë: dritë e dijes, e përkushtimit dhe e besimit se ndryshimi fillon me njeriun. Ndonëse binte shi, në sytë e studentëve shqiptarë kishte dritë. Dritë e një brezi që nuk pranon të jetojë nën hijen e të djeshmes. Në Londër, teksa bisedonim me studentë shqiptarë, u bë e qartë se distanca gjeografike nuk e zbeh idealin dhe përkushtimin në punë, përkundrazi, e forcon. Në çdo fjalë të tyre ndjehej ajo që mungon shpesh në politikë: ndershmëria për të parë realitetin në sy dhe guximi për ta ndryshuar atë…

Ndërkohë, pushteti lokal, për dallim të atij qëndror është më afër jetës së përditshme dhe shqetësimeve të njerëzve, i cili po tregon se bashkëpunimi dhe shërbimi ndaj komunitetit janë të mundshme kudo në vendbanimet shqiptare. Përkundrazi, pushteti qendror si në rastin e Repblikës së Kosovës, vazhdon të mbetet peng i një kulture të vjetër sundimi, të trashëguar nga strukturat serbo-sllave të administrimit, ku autoriteti ngatërrohet me forcën, e bashkëpunimi shihet si dobësi. Është ky mentalitet bllokues që e mban vendin në vendnumëro, ndërsa qytetarët dhe pushteti lokal tregojnë rrugën e ndryshimit…
1) Në raportet ndërkombëtare thuhej:”Në realitetin shqiptar, hendeku ndërmjet qytetarit dhe politikës qendrore është thelluar ndjeshëm. Qytetarët kanë dëshmuar pjekuri demokratike, solidaritet shoqëror dhe një prirje të natyrshme për standarde evropiane.“

Pjesa tjetër e tekstit po ashtu kishte tone kritike, të cilën e solli profesori sa për të filluar bisedën: Kur shtyllat e shtetit lëkunden, gjithçka tjetër rrëzohet lehtë. Institucionet që duhej të ishin themel, shndërrohen në hije zyrash të heshtura. Lidershipi që duhej të drejtonte, hesht në kohën kur duhej të fliste. Kur kombi ka më së shumti nevojë për vizion, ai sheh se është futur në mjegull. Kur i duhet unifikim, dëgjon zëra që përplasen si valë të humbura në det. Kjo nuk është krizë. As një stuhi e përkohshme politike. Është tharje e ngadaltë, e brendshme. Një shterje që nuk ndodh në një ditë, por ndër vite. Kur vullneti për përgjegjësi zbehet, kur e vërteta bëhet e padobishme, atëherë shteti nuk sëmuret por ai plaket para kohe. Kështu po humbet kultura e shtetformimit dhe po venitet vizioni që duhej të udhëhiqte përparimin për zhvillim ekonomik. Në vend të dritës, vjen një ndriçim i ftohtë, burokratik. Në vend të drejtimit, vjen heshtja e gjatë e tavolinave të larta. Dhe populli, që shikon nga jashtë, pyet me zë të ulët: A është ky shteti ynë? Apo është një hije që mban ende emrin e tij?“

“Pasdite londineze në Oxford Street”

Ishte një pasdite me shi të imët, tipik londinez, kur në një sallë të vogël të Akademisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, një diplomat britanik dhe një shkencëtar amerikan zhvillonin një bisedë të ngrohtë me një grup të vogël studentësh shqiptarë. Në qoshen e sallës, dritat reflektonin mbi gotat e çajit anglez, ndërsa jashtë, Londra dukej si gjithmonë, e zënë me punët e saj, e heshtur por edhe e saktë.

Diplomati foli i pari. “Kam lexuar,” tha ai, “një studim të fundit nga London School of Economics, që e përshkruan tranzicionin politik shqiptar si një përvojë unike në Ballkan, një shoqëri që, pavarësisht plagëve të historisë, ka ruajtur një etikë të brendshme qytetare evropiane.” Ai ndaloi një çast, sikur të kërkonte fjalët e duhura. Por paradoksi është i dukshëm: „Shoqëria ecën përpara, ndërsa politika mbetet peng.” Shkencëtari amerikan shtoi me ton të qetë, duke hapur një dosje me vëzhgime nga një projekt studimor i Harvard-it mbi kulturat politike në periudha tranzicioni: “Në rastin shqiptar, ndarja ndërmjet qytetarit dhe politikanit është bërë e thelluar. Qytetarët kanë treguar elasticitet, ndjeshmëri sociale dhe aftësi të përshtatshme për standarde evropiane, por klasa politike, (dhe kjo është thelbësore) ende bart në vetvete gjurmët e një kulture tjetër, të huaj për frymën shqiptare. Një kulturë autoritare, e trashëguar nga strukturat serbo-sllave të administrimit, e cila po funksionon ende nën mendësinë, ku pushteti nuk shërben, por sundon. Ku bashkëpunimi shihet si dobësi, dhe falja si humbje.”

Njëri nga studentët shqiptarë, me zë të përmbajtur, por të bindur, ndërhyri: “Në fakt, profesor, kjo ndoshta shpjegon pse klasa jonë politike shpesh sillet si një kastë e mbyllur. Ata nuk i besojnë njëri-tjetrit, dhe jo sepse janë të ndryshëm në bindje, por sepse janë të ngjashëm në frikë. Frikë nga humbja e kontrollit, frikë nga transparenca. Kjo është ajo që e bën politikën tonë të dështuar: mungesa e besimit, që e shkatërron edhe mundësinë më të vogël për bashkëpunim.” Diplomati buzëqeshi lehtë, si dikush që e njeh mirë atë shprehje të hidhur ballkanike. “Në demokraci,” tha ai, “nuk mjafton të jesh evropian në dokumente. Duhet të jesh evropian në shpirt.”

Në atë çast, një heshtje e shkurtër ra mbi tryezë, ndonëse jo nga mosmarrëveshja, por nga pesha e së vërtetës. Sepse, në thelb, ajo që ndodhte në Londër nuk ishte thjesht një debat akademik. Ishte një pasqyrë e vogël e një realiteti më të madh, se shqiptarët, në shumicë, kishin dëshmuar se dinë të jenë qytetarë të denjë të Evropës, por politika e tyre kishte mbetur peng e trashëgimieve të huaja që ende s’e ka lënë të lirë shtetin. Më pas, shkencëtari mbylli mendimin me një reflektim të ngadaltë: “Çdo shoqëri e pjekur e fillon demokracinë jo me ndryshimin e pushtetit, por me ndryshimin e kulturës së pushtetit. Dhe ky është udhëtimi më i vështirë, sepse është ai që kalon përmes vetëdijes.” Studentët heshtën.

Diku jashtë, Londra vazhdonte të pikonte qetë. Dhe në atë heshtje, ndoshta për herë të parë, tingëllonte qartë ideja se demokracia nuk është dhuratë, por mësim, një proces që ende po vazhdon të mësohet. Por, përtej zyrave që heshtin dhe fjalimeve që përsëriten, bota na sheh, dhe ndonjëherë na kupton më mirë se ne vetë. Pas takimit të fundit në Këshillin e Evropës, ku Kosova u përmend mes fjalëve të kujdesshme dhe vlerësimeve diplomatike, shumëkush u përpoq të ruante shpresën, se rrugëtimi ynë institucional po ecën drejt pjekurisë. Por pak kush guxoi të thotë hapur se problemi ynë nuk është më në mungesën e mbështetjes ndërkombëtare, por është në mungesën e besimit të brendshëm, në paaftësinë për të ndërtuar një kulturë politike që e njeh bashkëpunimin si forcë, e jo si kompromis.

… Kjo u bë më e qartë edhe në bisedat në vazhdim të kësaj mbrëmje londineze, në sallën e ngrohtë të Akademisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku përsëri diplomati britanik bashkë me shkencëtarin amerikan zhvillonin një diskutim me atë grup studentësh shqiptarë. “Kam lexuar një studim nga Cambridge dhe LSE,” tha diplomati britanik me një ton që mbante më shumë keqardhje sesa kritikë, ku thuhet se, „shqiptarët, në periudhën e tranzicionit, kanë dëshmuar se janë një shoqëri me energji të madhe qytetare, me solidaritet të rrallë dhe me një aftësi të lindur për të mbijetuar e rindërtuar. Por ajo që i dallon, është ndarja e thellë ndërmjet qytetarit dhe politikanit të vet. Shoqëria është evropiane, por politika, ende jo.”

Shkencëtari amerikan, që mbante një raport të përbashkët kërkimor me Harvard-in, i cili shtoi me qetësi edhe pjesën tjetër të studimit: “Është një fenomen interesant“. Në shumë vende të pasluftës, kriza politike është shenjë e dobësisë së institucioneve, por në rastin shqiptar, ajo është pasojë e një kulture të imponuar për dekada me radhë nga regjimi serbo-sllav, si një kulturë që ka helmuar strukturën morale të politikës dhe administratës. Një pjesë e elitës që lindi ose u formua në hije të atij sistemi, e bart edhe sot atë mënyrë të të menduarit: kontroll në vend të bashkëpunimit, frikë në vend të transparencës, dhe hakmarrje në vend të drejtësisë. Ata e perceptojnë pushtetin jo si shërbim, por si pronë, jo si përgjegjësi, por si privilegj. Dhe kjo është arsyeja pse, në Kosovë, në Shqipëri etj., ende shpesh nuk vjen në krye i dituri, por i binduri, jo ai që di të udhëheqë, por ai që di të heshtë në kohën e duhur.

Sepse kultura e imponuar e nënshtrimit, për vite me radhë, ka mësuar se lojaliteti ndaj hierarkisë vlen më shumë se përkushtimi ndaj kombit.”Pastaj, si për ta bërë më të gjallë mendimin e tij, ai ndaloi për një çast, dhe shtoi: “Kam qenë në Kosovë para disa vitesh. Një natë e kalova në Mitrovicë. E mbaj mend atë qytet si një metaforë të vetvetes së ndarë. Pashë lumin që e ndante qytetin më shumë si një kujtesë sesa si kufi. Njëra anë flinte, tjetra zgjohej. Një urë që lidhte dy heshtje, dhe në mes, vetëm era që vinte nga mali, si një frymë që bënte sikur nuk e dinte se kujt ’ti përkiste?… Atë natë e kuptova se ndarja më e thellë nuk është ajo që shohim në hartë, por ajo që ndodh në ndërgjegje, kur një popull ndahet mes asaj që është dhe asaj që i kanë mësuar të tjerët të jetë sipas interesave për ta mbajtur këtë qytet nën okupim dhe okupimin nën kontroll.”

Studentja nga Kumanova ndërhyri duke cituar fjalët: “Kur sistemi ndryshon, ne shpesh mendojmë se gjithçka ka ndryshuar, por njeriu mbetet po ai  me të njëjtat shpresa, frikëra dhe kundërshti,” ka shkruar Lea Ypi. Kjo shprehje gjen kuptim të thellë në përvojën e qytetarëve të Mitrovicës, që në momentet më të vështira nuk u përkulën, por u ngritën bashkë si një trup i vetëm. Ishte shpresa e tyre e fortë që bashkoi qytetin e ndarë dhe mbrojti kufirin më 24 shtator 2024, kur hordhitë ushtarake të Serbisë kërkonin ta sfidonin paqen dhe sovranitetin e vendit.

Atë ditë ra dëshmor Afrim Bunjaku, duke lënë pas emrin e tij si simbol të guximit dhe sakrificës për lirinë. Sot, falë qëndresës së tij dhe të gjithë atyre që nuk u dorëzuan, flamuri i Republikës valon cep më cep, si kujtesë se ndryshimi i vërtetë nuk ndodh vetëm në sistem, por në shpirtin e njerëzve që e mbrojnë atdheun me jetën e tyre.… Studentët heshtën. Njëri prej tyre, një vajzë nga Prizreni, foli më në fund: “E kuptoj pse thoni se shoqëria jonë është evropiane, sepse njerëzit tanë janë të thjeshtë, punëtorë, dhe kanë dinjitet. Por klasa politike ende është si një përzierje që s’na përket. Është e huazuar. Jam me një mendje me mendimin tuaj…

Një kulturë serbo-sllave që ende jeton në ndërgjegjen e atyre që s’e kanë njohur lirinë si përgjegjësi. Prandaj, ne nuk kemi dështuar si popull, por ata kanë dështuar si model politik.” Diplomati e dëgjoi me vëmendje, pastaj shtoi me një buzëqeshje të lehtë që fshihte një ndjenjë të rëndë: “Pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh për një demokraci të re. Kur qytetari humb besimin te politika, fillon të humbasë edhe ndjesinë e përkatësisë. Dhe atëherë, „shteti mbetet vetëm një ndërtesë me flamur, pa shpirt.” Në atë çast, dritat e sallës u pasqyruan në xhamat e lagur të dritares. Jashtë binte shi, dhe studentët menduan, pa folur, se ndoshta edhe Kosova, si Mitrovica e përmendur nga shkencëtari amerikan, është një vend që pret të bashkojë dy brigje: të arsyes dhe të ndershmërisë.

Një tjetër student, djalë nga Dibra u ngrit dhe tha me një qetësi që mbarte dritë: “Megjithatë, ka një gjë që po ndodh dhe që ndoshta nuk e shihni nga larg. Ne, brezi i ri, nuk po presim më që shteti të na hapë rrugën. Po e krijojmë vetë. Me pak mundësi, me pak mbështetje, por me shumë besim. Në Kosovë sot, (edhe në Shqipëri) dhjetëra e qindra të rinj po ndërtojnë kompani teknologjike, po fitojnë çmime ndërkombëtare, po lidhin kontrata me botën, pa pritur tenderë, pa kërkuar favore. Ata po e sjellin të ardhmen, edhe pse pushteti është ende i zënë me luftën e numrave dhe të karrigeve. Diplomati e dëgjoi me kujdes dhe buzëqeshi për herë të parë me sinqeritet. “Ky është lajmi më i mirë që kam dëgjuar për Kosovën, por edhe për Shqipërinë” tha. “Sepse aty ku rinia e merr përgjegjësinë, politika mbetet pa justifikim. Aty ku mendja krijon, pushteti dështon të shkatërrojë. Dhe ndoshta, pikërisht përmes këtij brezi që e përqafon teknologjinë dhe mendimin e lirë, Kosova do të mësojë të jetë ajo që gjithmonë ka dashur të jetë. Një vend i vogël me shpirt të madh, që ecën drejt botës pa pritur që bota t’i hapë derën.”

Pas një pauze të gjatë, shkencëtari vështroi nga dritarja e sallës, ku qielli reflektonte dritën e ftohtë të mbrëmjes. “E megjithatë,” tha ai më në fund, “ka diçka që më jep shpresë për Kosovën. Jo qeveritë. As partitë. Por brezi i ri që nuk e njeh frikën e dikurshme. Ata që kanë ndërtuar biznese të vogla në dhoma gjumi, që kodojnë për kompani ndërkombëtare, që mendojnë në gjuhën e teknologjisë dhe flasin me logjikën e botës. Ata janë Kosova që po vjen, e paimponuar, e pavarur në mendje. Dhe për ironi, e vetmja që s’ka marrë ende asnjë mbështetje nga shteti i vet.” Diplomati britanik buzëqeshi lehtë: “Në fund, ndoshta janë pikërisht ata që do ta mësojnë politikën të jetë qytetare, e jo feudale.” Dhe studentët shqiptarë, që deri atëherë kishin dëgjuar në heshtje, ndjenë për herë të parë se fjala “e ardhme” mund të mos tingëllojë më si premtim i zbrazët, por si një proces që fillon në vetëdijen e tyre.

Ndërkohë, në raportet e fundit të NDI-së dhe UNDP-së,* përqindja e qytetarëve që besojnë në Kuvendin e Kosovës është më e ulëta që nga themelimi i tij. Kjo nuk është më statistikë, por simptomë. Ajo dëshmon se kriza nuk qëndron në përplasjen e partive, por në faktin që lidershipi politik nuk është më përfaqësim i popullit, por i vetvetes. Prioritetet nuk janë reformat, por pronat, pra nuk është zhvillimi, por përfitimi, nuk është ndërtimi i shtetit, por sigurimi i pozicionit brenda tij. Në Londër, në atë tryezë, heshtja pas këtyre fjalëve ishte më domethënëse se çdo debat. Shiu binte lehtë jashtë, si për të larë turpin që ne ende nuk guxojmë ta pranojmë: „se politika jonë është bërë arenë e interesit personal, dhe jo projekt i së ardhmes së përbashkët.“ Shkencëtari amerikan e përmbylli diskutimin me një reflektim që mbeti gjatë në mendjet e të rinjve: “Në çdo vend që është ngjitur drejt demokracisë, ndodhi një çast kur shoqëria i tha mjaft vetes, jo vetëm pushtetarëve.

Ky çast është ai që ndryshon gjithçka. Sepse në fund, demokracia nuk matet me ligje, por me moralin e atyre që i zbatojnë ato.” Kështu, diplomatët britanikë flasin për stabilitet dhe partneritet, dhe ndërsa raportet ndërkombëtare rendisin përmirësime në letra, ndonëse e vërteta mbetet më e thellë dhe më e brishtë: „Kosova nuk kërcënohet nga jashtë.“ Ajo kërcënohet nga brenda, nga një kulturë politike që e ka harruar kuptimin e shërbimit dhe që ka zëvendësuar besimin me përfitimin. Dhe në këtë realitet, shpresa qëndron vetëm te vetëdija e qytetarëve. Ata janë rrënja e vetme që mund të japë fryte të reja. Sepse, ndoshta, pas gjithë kësaj lodhjeje, është koha që të mësojmë se ndërtimi i shtetit nuk fillon në parlament, por në ndërgjegjen e secilit që ende beson se ky vend meriton më shumë.

*Sqarim: NDI (National Democratic Institute)

1) NDI është shkurtimi për National Democratic Institute, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me qendër në Uashington, SHBA. Ajo punon në shumë vende të botës për të forcuar institucionet demokratike, për të mbështetur pjesëmarrjen qytetare, zgjedhjet e lira e të ndershme, përfaqësimin e grave dhe të rinjve në politikë, si dhe për të ndihmuar partitë politike të zhvillojnë praktika më transparente dhe përfshirëse.
NDI është e lidhur me vlerat dhe misionin e Partisë Demokratike të SHBA-së, por punon në mënyrë jo-partiake në vendet ku vepron.

2) UNDP është shkurtimi për United Nations Development Programme – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Është një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon në më shumë se 170 vende për të ndihmuar qeveritë dhe komunitetet në: zhvillim të qëndrueshëm, zhvillim ekonomik dhe social, forcimin e institucioneve demokratike, luftën kundër varfërisë dhe përfshirjen sociale, si dhe menaxhimin e krizave dhe mbrojtjen e mjedisit. Në Kosovë, të dyja: NDI dhe UNDP, kanë pasur projekte të rëndësishme për forcimin e qeverisjes lokale, pjesëmarrjes qytetare, dhe zhvillimit demokratik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.