Antiamerikanizmi i stisur si mjet i propagandës politike dhe pjekuria që po na mungon!

0
Lisi

Përsiatje artistike

Safet Sadiku Nga Safet Sadiku

Përceptimi: (A). – Lisi i anuar ngjan sikur është në  rrezik! (Foto e lisit).

Në këtë foto shihet një lis i gjatë që duket sikur është anuar dhe mund të bjerë nga momenti në moment, por në të vërtetë qëndron i fortë, me rrënjë të thella dhe kurorë të gjelbër. Nëse e lexojmë këtë pamje si metaforë për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe shqiptarëve, kemi këtë logjikë perceptimi:
1) Pamja e jashtme (perceptimi i parë), duket se lisi i anuar ngjan sikur është në rrezik, njësoj siç shpesh shfaqen marrëdhëniet mes dy vendeve kur ka tensione, mosmarrëveshje apo perceptime të pasigurta.
2) Thelbi i brendshëm (perceptimi i dytë), që dëshmon se pema megjithatë nuk bie, sepse rrënjët e saj janë të forta dhe e mbajnë drejt, ashtu si miqësia dhe aleanca mes shqiptarëve dhe SHBA-së, e cila është e mbështetur në besim, histori dhe qëllime të përbashkëta.
3) Në kuptimin metaforik: Ajo që duket si lëkundje është vetëm iluzion i jashtëm; realiteti është qëndrueshmëri dhe është plot vazhdimësi. Pra, kjo foto pëon idenë se marrëdhëniet SHBAShqipëri, me shqiptarët në tërësi, edhe kur perceptohen si të brishta, në thelb janë të forta e të palëkundura, si një lis që nuk rrëzohet.

Ndonëse, Kosova është një vend i vogël në aspektin gjeografik dhe demografik, me një pozitë të brishtë gjeopolitike dhe me një sistem politik ende në fazë konsolidimi, ky fakt nuk nënkupton se tani përfaqësuesit e saj politikë, guxojnë të bëjnë sjellje të papjekura edhe në politikën e strategjisë ndërkombëtare, ashtu si ka ndodhur shpesh në politikat e brendshme kombëtare. Aq më tepër, nuk është e pranueshme të komentohen në mynyrë emocionale, të pamatur dhe të pakontrolluar, politikat mbi ecuritë madhore në vendet perëndimore. Pra, as si vlerësime për zhvillimet e ndryshme politike dhe sidomos në çështje të ndjeshme, si proceset zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe në Bashkimin Evropian.

Por një sjellje e tillë, që për fat të keq po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në diskursin publik dhe sidomos në narrativën e klasës sonë politike dhe mediat që i mbështesin ato. Ky veprim dhe kjo sjellje është jo vetëm që politikisht tingëllon naive, por potencialisht është e dëmshme për interesin strategjik të Kosovës, sepse, në thelb, përçon një papjekuri politike, që nuk merr parasysh faktin elementar, se në politikën ndërkombëtare gjithçka është e përkohshme dhe e ndërlikuar, sepse aleancat ndryshojnë, administratat shkojnë e vijnë, por shtetet mbajnë mend.

Shembulli më i përfolur së fundmi është ai i ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili përtej postit të tij diplomatik, ishte perceptuar gjerësisht si zëri i besuar i Presidentit Donald Trump në raport me dialogun Kosovë – Serbi.

Është e njohur tashmë se z. Grenell ishte një figurë e diskutueshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rrafshin evropian, sidomos në Gjermani, ku pati përplasje të hapura me qeverinë e atëhershme gjermane për shkak të qëndrimeve dhe stilit të tij diplomatik. Më tej, lidhjet e tij të hapura me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, përkrahja e qartë për opcionin e ndarjes së Kosovës dhe rreshtimi i tij me partitë opozitare aktuale të Kosovës, por në atë kohë pushtetare, janë të dhëna që nuk mund të neglizhohen dhe që kërkojnë analizë të matur, jo politizim të verbër.

Pas ardhjes së Donald Trump, për herë të dytë, në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell nuk mori ndonjë funksion zyrtar me peshë vendimmarrëse në administratën e tij, megjithëse mbeti një figurë politike aktive me lidhje të afërta me liderë të rajonit të Ballkanit. Ai vazhdimisht ka ndërmarrë nisma dhe ka dhënë deklarata publike që synojnë të ndikojnë në skenën politike të Kosovës, shpeshherë duke përdorur ndikimin e tij personal për të përkrahur rikthimin e partive opozitare në pushtet. Rikthimi eventual i z. Grenell në një post të rëndësishëm, në funksion të dialogut Serbi-Kosovë, padyshim, që do të ndikonte në qasjen amerikane ndaj rajonit.

Megjithatë, tërheqja automatike e një paraleleje mes kritikës ndaj z. Grenell (të para katër-pesë viteve) dhe konceptit të “antiamerikanizmit” aktual përbën një reduktim të rrezikshëm të diskursit publik, i cili përçon një mesazh të shtrembëruar: se çdo kritikë ndaj një përfaqësuesi amerikan është, domosdoshmërisht, një shprehje e qëndrimit antiamerikan. Një qasje e tillë nuk është vetëm keqinterpretim i qëllimshëm, por gjithashtu përbën demonizim të kritikës legjitime, që në vetvete është një përbërës thelbësor i çdo demokracie funksionale.

Në anën tjetër, qeverisja e Albin Kurtit, e cila u votua me një shumicë mbresëlënëse më 14 shkurt 2021, në një valë të paprecedent të shpresës dhe mobilizimit qytetar, natyrisht se ka pasur, dritëhijet e veta. Ashtu siç duhet pranuar se ka pasur përparime në disa fusha të luftës kundër korrupsionit dhe në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës përballë ideve të rrezikshme si ai i ndarjes territoriale. Po ashtu duhet pranuar me përgjegjësi se qeverisja ka vuajtur nga mungesa e thellë e përgatitjes administrative, paaftësia për të reformuar sistemin gjyqësor dhe arsimor, dhe një sërë gabimesh strategjike që kanë dëmtuar ritmin e reformave të brendshme dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.

Pas gjithë këtij procesi qeverësës të një madati katërvjeçar, zvarritja aktuale e procesit të konstituimit të institucioneve të reja, që (ende?) po ndodh për shkak të bllokadës politike pas zgjedhjeve të fundit, (më 9 shkurt 2025) nuk mund të kuptohet pa parë prapa, në përplasjet ideologjike mes atyre që dikur ishin të gatshëm të ndajnë Kosovën në emër të paqes së rreme, dhe atyre që u pozicionuan qartë kundër kësaj ideje, edhe me çmimin e përplasjes me diplomatë të fuqishëm ndërkombëtarë.

Por njësoj siç janë kritikat ndaj Grenellit, ato nuk përbëjnë “antiamerikanizëm”, as çdo përkrahje ndaj opozitës aktuale, që më herët ishte në pushtet… Kjo logjikë nuk është automatikisht “pro-amerikanizëm”. Kjo dialektikë false „pro“ dhe „kundër“ Amerikës, është folklorizuar dhe banalizuar deri në atë masë, sa po shndërrohet në një mjet propagandistik të ulët, (si zakononisht para zgjedhjeve), që po i shërben më shumë fushatave elektorale sesa të vërtetës politike. Së fundi, duhet kuptuar se shoqëritë e pjekura nuk matin besnikërinë ndaj aleatëve me verbëri politike, por me qartësi strategjike. Të jesh aleat me SHBA-të nuk do të thotë të heshtësh përballë çdo devijimi të individëve të caktuar brenda sistemit të saj diplomatik.

Të jesh “properëndimor” nuk do të thotë të jesh vasal i çdo administrate, por të ndërtosh një partneritet të ndershëm, dinjitoz dhe të qëndrueshëm, që respekton liritë e brendshme të shtetit tënd dhe përfaqësimin autentik të interesit kombëtar. Prandaj, në vend të etiketimeve sipërfaqësore dhe logjikës bardh e zi që karakterizon shumë nga debatet tona politike, duhet një qasje më e pjekur, më e thellë dhe më e përgjegjshme, që i bën ballë realiteteve, por nuk bie pre e retorikës së rrezikshme që vjen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.

1) Në kërkim të maturisë strategjike, jo të retorikës apokaliptike!

Është e vërtetë që Kosova ndodhet pakonstituimin e institucioneve që nga 9 shkurti (2025), dhe nga shumë diplomatë dhe ekspertë ndërkombëtarë është vlerësuar si një udhëkryq strategjik, ku qartësia politike, konsensusi kombëtar dhe profesionalizmi institucional janë të domosdoshëm për të përballuar vështirësitë e së tashmes dhe të ardhmes. Ky përceptim i këndvështrimit të tyre ndonëse nuk është gjithmonë i saktë, ai nuk është as i nevojshëm në këtë kohë krizash gjeopolitike ose këto deklarata më së paku i duhen Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por, në anën tjetër, tendenca për të nxitur zhgënjim total, për të përfshirë çdo aktor institucional si i pavlerë apo i korruptuar, dhe për ta parë shoqërinë si një trup të kapluar nga dekadenca, është e dëmshme dhe kundërproduktive:

1) Anti-amerikanizmi nuk është vizion politik, por është rrezik strategjik! Në kohën kur bota ndodhet përballë një ridefinimi të fuqive globale, kur Rusia dhe Kina kanë rikthyer diplomacinë e forcës, aleanca me SHBA-në dhe BE-në nuk është luks, por mbijetesë. Diskursi që përdoret sot nga disa parti politike (opozitare), ku çdo vendim i përkrahur nga SHBA apo BE shihet si “tradhëti” ose “paternalizëm”, është një retorikë populiste, që synon më shumë të rrëmbejë ndjenja, se sa të zgjidhë probleme. Kjo është logjika e humbësve në betejën për ide, që e këmbejnë konceptin për ndershmëri, por nuk sjellin asnjë alternativë reale.

2) Kritika po, por me përgjegjësi, jo me zemërim politik! Po, partitë politike kanë dështime. Po, nepotizmi ekziston. Po, servilizmi është i përhapur. Por gjeneralizimi si mjet retorik, ku gjithçka është e kalbur, ku askush nuk mendon për të ardhmen, ku të gjithë janë ose servilë ose „të shitur“, është një tjetër formë e deformimit të realitetit. Ky mentalitet se “të gjithë janë të këqinj”, është baza për apati qytetare, rrënim të besimit në demokraci dhe hapje të dyerve për autoritarizëm të ri. E gjithë kjo logjikë përbën rrezik në vete.

3) Qeveria nuk është perfekte, por nuk është armike! Qeveritë mund të kritikohen, por nuk janë e keqja absolute. Ka vendime të vështira që janë marrë, ka reforma që janë vonuar, por ka edhe qëndrueshmëri institucionale, investime strategjike, konsolidim diplomatik dhe përpjekje për integrim të jashtëzakonshme përballë një Europe të lodhur nga zgjerimi. Të mohosh gjithçka, është politikisht mendim i pandershëm dhe strategjikisht i rrezikshëm. Megjithatë ka mjaftë gabime që janë bërë dhe kanë mundur të mos bëhen ose punë që mund të ishin bërë më mirë. Pra, ka hapësirë për kritikë. Dhe me këtë rast unë do t’i kritikoj, sidomos logjikat e punëve të gabuara!…

4) Rinia dhe elita nuk janë të heshtura, por të lodhura nga zhurma boshe! Jo çdo student është apatik. Jo çdo profesor është i blerë. Jo çdo akademik ka humbje kujtese ose është pleqëror. Ka zëra të matur, ka lëvizje të ndershme, ka përpjekje për reformë, por ato lëvizje ende nuk po bëjnë zhurmë, sepse nuk janë të përkrahura nga logjika e luftës politike që dominon diskursin publik. Zgjedhja nuk është midis “turmës së heshtur” dhe “populistëve që bërtasin”,  por midis zhurmës që dëmton dhe heshtjes që ndonjëherë më ndërtueshëm pret momentin e duhur për veprim.

5) Vetëdija kolektive nuk ngrihet me fatalizëm! Në vend që të pyesim “kush do ta bëjë këtë punë?”, duhet të pyesim: Si mund të kontribuojë secili në ndërtimin e një shteti më të drejtë? Nuk ka një shpëtimtar kombëtar. Ka një proces kolektiv. Dhe ky proces nuk nis me demonizim, por me kontribut të ndershëm, kritikë të arsyeshme, dhe angazhim afatgjatë, edhe kur nuk ka përfitime të menjëhershme. Qasja që i jep gjithçkaje një nuancë dekadente, ku të gjithë janë të shitur dhe gjithçka është e humbur, është më shumë simptomë e lodhjes kolektive, sesa analizë e thellë.

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë luksin të lodhen. Kemi nevojë për energji të re, për maturi të re, dhe për rikthim të besimit në aleancat që na kanë mundësuar vetë ekzistencën si shtet dhe si shoqëri demokratike. Këtë qëllim duhet ta artikulojmë shumë qartë, për çdo ditë dhe me shumë punë dhe shembuj konkret. Pavarësisht vlerësimeve të më sipërme, dështimet politike në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk janë më thjesht episode të përkohshme por shenja të një krizë të thellë institucionale, kanë prodhuar pasoja të rënda e të matshme për vendin.

Mungesa e konsensusit për kalimin e „Ligjit civil“, rezultoi jo vetëm në një dështim ligjor, për fuqizimin e administratës shtetërore, por edhe në humbjen e 255 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, (rreth dy vite më parë) fonde këto të cilat ishin të destinuara për zhvillim institucional dhe forcimin administratës dhe shtetit ligjor. Po kështu, moskonstituimi i institucioneve në vitin aktual (2025) ka vënë sërish në rrezik mbi 900 milionë euro nga fondet e BE-së, e cila është një goditje shumëdimensionale, që nuk prek vetëm imazhin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe mirëqenien e përditshme të qytetarëve.

Këto nuk janë thjesht shifra në letra, por janë fakte kokëforta, janë mundësi të humbura dhe janë dëshmi konkrete të paaftësisë kolektive të gjithë klasës politike. Dhe në këtë kolaps institucional, përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm një subjekti politik apo vetëm qeverisë aktuale në detyrë. Përkundrazi, të gjitha subjektet parlamentare, si pjesë aktive ose pasive e procesit, janë bashkëfajtore, pasi asnjëra nuk ka treguar vullnet real për të vendosur interesin e shtetit mbi kalkulimet e ngushta partiake.

Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e skenës politike sillet ende me mentalitetin e “vet zot e vet shkop”, duke shpërfaqur një arrogancë të papërgjegjshme, ku secili pretendon ta marrë pushtetin i vetëm dhe ta udhëheqë vendin pa asnjë kompromis, si të mos jetonim në një sistem demokratik pluralist. Në një realitet politik të tillë, shoqëria do të duhej të ishte shumë më e vetëdijshme dhe ndëshkuese, sidomos në zgjedhjet e ardhshme. Votuesit kanë fuqinë që, përmes votës së tyre, t’u tregojnë vendin të gjithë atyre që kanë dëshmuar paaftësi, papërgjegjësi dhe mungesë vizioni. Sepse ata që për vite të tëra kanë treguar se nuk dinë e nuk duan të qeverisin, thjesht nuk meritojnë më të votohen. Në fakt pyetja konkrete që kam aktualisht ështe se kush po i zemron SHBA-të? E gjithë kjo gjendje kaosi dhe pa institucione po dëshmon papjekurinë e klasës sonë politike!…

2) Kush po i zermon SHBA-të?

Perceptimi: (B). „Kur mungojnë institucionet kredibile juridike dhe mekanizmat e pavarur të drejtësisë, vlerësimi i proceseve politike dhe figurave publike nuk bazohet më në fakte apo në vendime të verifikuara ligjërisht, por kthehet në çështje të perceptimit publik të ndikuar nga propaganda. Në këtë boshllëk institucional, lajmet emocionale, skandalet e fabrikuara dhe narrativat e njëanshme marrin rolin e “së vërtetës”, duke dominuar diskursin shoqëror dhe deformuar vetëdijen kolektive.

Perceptimi i gabuar, i ndërtuar mbi logjikën se sa më shumë të sulmosh verbalisht kundërshtarin, aq më i besueshëm dhe më i votueshëm je, ka prodhuar një model komunikimi politik të dështuar. Ky model, që ngatërron agresivitetin me autenticitetin dhe sharjen me argumentin, po tregon qartë kufijtë e tij, i cili është tashmë në krizë të thellë të legjitimitetit dhe të efektshmërisë. Ky përceptim ka ndërtuar disa ligjërime me shumë shembuj në tekstet e mëposhtme.“

Me lexueseit po ndaj shumë letra dhe reagime që më kanë ardhur në këto ditët e fundit, rreth zhvillimeve aktuale politike në hapësirat shqiptare. Më thonë se, përmes këtyre letrave se, ka mjaft diplomatë të huaj që në mendjet e tyre kanë skepticizëm, sa i parket aftësisë së shtetndërtimit të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti.
Në pyetjen se kush, në të vërtetë, po i zemëron më shumë Shtetet e Bashkuara të Amerikës; ata që në emër të stabilitetit nënshkruan marrëveshje të njëanshme që favorizojnë vetëm Serbinë dhe i imponuan Kosovës kosto të rënda afatgjata, apo ata që në emër të sovranitetit refuzojnë çdo koordinim, shmangin komunikimin dhe i lexojnë diplomatët amerikanë si zëra të një realiteti të huaj, jo si miq të sprovuar sepse nuk kanë një përgjigje të vetme, porse ka një reflektim të thellë mbi natyrën e aleancave dhe kuptimin e përgjegjësisë shtetërore.

Në vitet e pasluftës, qeverisja shqiptare shpesh ngjante me një kopsht të mbjellë me shpresë, por të lënë pas dore nga kujdestarët e vet. Pakujdesia e politikanëve tanë nuk ishte thjesht një gabim, por një neglizhencë që u bë kronike, një heshtje ndaj tokës që priste të ujitej me përgjegjësi. E megjithatë, në këtë rrugëtim të brishtë, populli shqiptar, si rrënjë që kërkojnë dritën, ka mbajtur gjithnjë një këshillë në zemër: “Bëni kujdes me Amerikën. Mos e humbni kurrë miqësinë me SHBA-të.”

Në një komunikim të qetë, por të ngarkuar me peshë, një ekspert amerikan, njohës i labirinteve të Ballkanit, ju drejtua zyrtarëve të lartë në Prishtinë me një e-mail që nuk ishte thjesht letër, por një pasqyrë reflektimi, një dritare ku shfaqej një miqësi e gjatë që ndjente erën e ftohtë të largimit. Zemërimi amerikan nuk ishte e as nuk është rrufe në qiell të pastër. Ai ishte si një erë që trokiste gjatë në derën e mbyllur, derisa filloi të tingëllonte si mall, dhe jo për kontroll, por për kujdes. Si mall për një miqësi që është ujitur me besim, e që nuk do të shohë rrënjët të thahen asnjëherë nga mosmirënjohja.

Nuk është thjesht politikë. Është dhimbja që vjen kur marrëveshjet nënshkruhen pa u debatuar dhe analizuar mirë, por ato bëhen sa për fotografi dhe jo për zbatim. Kur krenaria mbulohet me flamur, por pa përmbajtje. Kur liderët nuk e shohin më horizontin e përbashkët, por ndërtojnë kështjella prej keqkuptimesh dhe heshtjesh. Miqësia e vërtetë nuk ka nevojë për brohoritje publike, por për kujdes të përditshëm. Kjo sjellje duhet të shikohet me kujdes nga e tërë klasa politike duke u respektuar ata, së pari me njëri-tjetrin. Miqësia nuk lulëzon në heshtje të hidhura, e as nuk mbijeton në tokë ku ndihma shihet si ndërhyrje, as kur ajo prodhon zhurmë.

Amerika nuk është lënduar sepse u gabua në procesin e punës. Gabimet janë pjesë e demokracisë. Por sepse, në vend të reflektimit, disa liderë zgjodhën të heshtin. Ose më keq, të mbulojnë plagët e historisë me fjalë boshe. Ironikisht, janë treguar më të përulur para atyre që i kanë shtypur dikur, sesa para atyre që ndihmuan në lindjen e këtij shteti nga dhembja.

 

Perceptimi diplomatik nr. 19. , me nëntekstin… „Këtu qëndron paradoksi“:
a) Brenda Kosovës, Kurti u pa si njeriu që më në fund bëri atë që të tjerët e premtuan, por nuk guxuan, dhe
b) Jashtë Kosovës, ai u pa si njeriu që veproi si “i vetëm”, në një sistem shtetëror të komplikuar ndërkombëtar, ku vetëm bashkërendimi ndërkombëtar garanton paqe afatgjatë dhe rend demokratik.

Në thelb, Kurti nuk shkeli ndonjë ligj ndërkombëtar duke ndërhyrë në veri, por përkundrazi, zbatimi i rendit kushtetues ishte dhe është detyrim i çdo qeverie. Por qeveritë e mëparshme, në heshtje apo në pazare politike, e lanë veriun të kalbet në „një limbo juridike“ (ose një vend ndërmjet parajsës dhe ferrit) ku ligji i Kosovës (kudo në enklavat serbe) nuk po zbatohej, dhe strukturat e Beogradit vepronin lirshëm. Ai thjesht zbatoi një të drejtë legjitime, por e bëri në një mënyrë që la jashtë loje (mendoj pa nevojë) partnerët që garantojnë paqen në rajon dhe kjo bëri që ai të sulmohej nga të gjithë…

Por, Albin Kurti, në këtë episod të historisë së re të Kosovës, ende po shihet si lideri që sfidoi frikën institucionale të shtetit ndaj veriut, por njëkohësisht, edhe si udhëheqësi që nuk e kuptoi deri në fund peshën e bashkëkoordinimit në një sistem të ndërtuar mbi aleanca të shenjta, ku SHBA, BE dhe NATO nuk janë thjesht partnerë, por janë themelet mbi të cilat ekziston vetë shteti i Kosovës.
Prandaj, edhe pse ai mund të mbetet “çlirimtar” në mendjen e shumë qytetarëve, „faktori ndërkombëtar nuk e sheh çlirimin si të tillë kur ai vjen pa paralajmërim dhe pa krahë të shtrirë për konsultim!…“

3) Bill Clinton: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen.”

Po, me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë më 24 nëntor 1999, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, deklaroi me një ton të thellë simbolik dhe me një përgjegjësi historike!

Kjo fjali, e thjeshtë në formë por jashtëzakonisht e fuqishme në përmbajtje, mbetet një mesazh i përjetshëm për lidershipin dhe shoqërinë shqiptare në Kosovë, një thirrje për ndërtim shteti, për përgjegjësi politike dhe për krijimin e një paqeje të qëndrueshme që nuk bazohet vetëm në mungesën e luftës, por në drejtësi, zhvillim, bashkëjetesë dhe integrim euroatlantik. Në thelb, Clinton u kujtoi qytetarëve dhe liderëve të Kosovës se çlirimi nga Serbia ishte vetëm një hap i parë, ndoshta më i lehtë, falë mbështetjes ndërkombëtare, por vështirësia e vërtetë ishte ndërtimi i një paqeje të brendshme, të drejtë dhe demokratike, një luftë e radhës që nuk mund ta fitonte askush tjetër përveç vetë popullit të Kosovës.

Politikanët tanë, për fat të keq, nuk e kuptuan si duhet porosinë e Presidentit Bill Clintonit. “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”, një thirrje që vinte nga zemra e një aleati historik, i cili i besoi popullit të Kosovës detyrën më të vështirë dhe më fisnike pas çlirimit: ndërtimin e paqes, shtetit dhe së ardhmes. Në vend që ta lexonin këtë porosi si një detyrim moral dhe politik për të ndërtuar institucione funksionale, për të garantuar drejtësi dhe për të siguruar mirëqenie për qytetarët, shumë nga udhëheqësit tanë e lexuan atë si një çek të bardhë për pushtet personal, për ndarje pushtetesh dhe për përfitime politike afatshkurtra. Ata nuk e panë paqen si një proces aktiv, që kërkon përkushtim, ndershmëri dhe kompromis të mençur, por si një status të fituar që mund të mbahet me propagandë dhe folklor patriotik.

Kështu, paqja nuk u ndërtua mbi themelet e drejtësisë dhe zhvillimit, por mbi konfliktet e brendshme, korrupsionin sistemik dhe paaftësinë për të përmbushur idealet e pasluftës. Në vend që ta kuptonin porosinë e Clintonit si një besim të dhënë popullit të Kosovës, ata e lexuan si një miratim të heshtur për veprimet e tyre, duke harruar se lufta u fitua me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, por paqja dhe shteti duhej të fitoheshin përditë nga vetë ne me punë, me përgjegjësi dhe me vizion. Sot, kur Kosova përballet me konfrontime të reja politike, institucionale dhe ndërkombëtare, kjo porosi është më aktuale se kurrë. Por pyetja që mbetet e hapur është: a do të ketë më në fund një klasë politike që në të ardhmen e kupton drejt këtë thirrje? Apo do të vazhdojmë ta deformojmë këtë porosi, duke e përdorur si dekor në fjalime zyrtare, ndërsa realiteti zhytet në krizë dhe izolim?

4) Krijimi i regjimeve nga Serbia në hapësirat shqiptare!

Perceptimi nr. 21. Në historinë e re të shqiptarëve në Ballkan, një nga format më perfide të nënshtrimit politik nuk ka qenë as pushtimi i drejtpërdrejtë me ushtri, as ndalimi i simboleve kombëtare me ligje, por instalimi i një strukture të butë e të rrezikshme regjimformuese, e cila nuk mbante flamurin e Serbisë, por që i shërbente me përpikëri interesave të saj, përmes duarve të rrethit (të disa) liderëve shqiptarë që në dukje ishin përfaqësues të popullit, por në përmbajtje ishin garanci e status quo-së që i përshtatej Beogradit. Ky fenomen nuk ndodhi menjëherë, e as me dhunë të hapur, por ndodhi ngadalë, përmes formave të manipulimit institucional, përmes mbështetjes selektive ndërkombëtare që shpesh u jepte legjitimitet atyre që ishin të gatshëm të pranonin kompromisin pa e pyetur popullin, përmes shantazhit, korrupsionit politik dhe lojalitetit të fshehtë ndaj strukturave të vjetra të pushtetit serb.

Kështu u krijuan regjime të reja me fytyrë shqiptare, por me mendësi të kolonizatorit, me gjuhë kombëtare, por me logjikë të huaj! Me vota të shqiptarëve, por me direktiva të shkruara gjetkë, diku në zyrat që flasin gjuhë të tjera. Në këtë logjikë, liderët e disa subjekteve politike, jo vetëm që nuk i rezistuan ndërhyrjes serbe, por u bënë urë kalimi për të, duke i dhënë Beogradit jo vetëm praninë që nuk mund ta kishte më me armë, por edhe mjetin më të fuqishëm për të bllokuar çdo emancipim institucional të shqiptarëve: vetëpërfaqësimin. Dhe kur një popull i ndarë në disa shtete e rajone, nuk ka më zë autentik që flet në emër të tij, por vetëm figura që flasin me skriptat e tjetrit, atëherë çdo votë, çdo marrëveshje, çdo akt kushtetues apo ndërkombëtar që nënshkruhet në emër të tij, shndërrohet në një pazar pa nder, ku përfituesit nuk janë asnjëherë ata që e vuajnë barrën e historisë, por ata që dinë si ta shfrytëzojnë heshtjen e saj.

5) Si u krijuan këto regjime?

Krijimi i këtyre regjimeve, të ndërtuara në hije por të veshura me petkun e përfaqësimit shqiptar, nuk ndodhi si pasojë e një plani të vetëm apo të ndonjë konspiracioni të hapur, por si rezultat i një procesi të ngadaltë, të qëndrueshëm dhe të shumëplanëshëm, ku Serbia nuk përdori më armët, por përdori dobësitë strukturore të politikës shqiptare, përçarjen e elitave, etjen për pushtet të individëve dhe, mbi të gjitha, mungesën e një vizioni të përbashkët kombëtar që do t’i bënte shqiptarët imunë ndaj ndikimeve të jashtme. Në fazën e parë, përmes strukturave të vjetra të inteligjencës dhe aparatit politik serb, u identifikuan ata individë shqiptarë që kishin dëshirë për pushtet, por mungesë të thellë parimesh, individë të gatshëm të bëjnë kompromise, nëse jo me flamurin, atëherë me institucione që e nënvlerësojnë identitetin kombëtar.

Në vend që të përndiqeshin apo të margjinalizoheshin, këta individë u mbështetën në heshtje, u ushqyen politikisht, dhe u pozicionuan në vendimmarrje, duke i paraqitur si të moderuar, si të arsyeshëm, si alternativë ndaj “radikalizmit shqiptar”. Më pas, përmes një strategjie të qëllimshme të tolerancës ndërkombëtare ndaj strukturave të tilla, shpesh në emër të stabilitetit rajonal, u krijua një realitet ku figura të dobishme për interesat e Serbisë përfitonin legjitimitet ndërkombëtar, ndërsa zërat e pavarur, ata që mbronin të drejtën kombëtare, barazinë politike dhe një narrativë të barabartë në dialog, shiheshin si pengesë. Serbia nuk ndërhynte më me tank, por me diskurs ndërkombëtar dhe diplomaci të heshtur, duke mbështetur, me forma të rafinuara, një klasë politike shqiptare që i shërbente më shumë vazhdimësisë së ndikimit serb sesa emancipimit të shoqërisë shqiptare në hapësirat e saj.

Kështu, u krijuan regjime që në dukje përfaqësonin interesin e shqiptarëve, por në përmbajtje e devijonin atë, pasi ngulfatnin çdo nismë për reformë reale, e zëvendësonin përfaqësimin kombëtar me pazare personale, dhe e reduktonin vetë kauzën shqiptare në një seri deklaratash të zbrazëta që nuk prodhonin më as tension ndërkombëtar, as presion për të drejta reale, as platforma unifikuese për të ardhmen. Një pjesë e këtyre regjimeve ishte më e rrezikshme sesa okupimi klasik, sepse vinin me fytyrë shqiptare, me flamur kombëtar në dorë, me gjuhën shqipe në foltore, por me axhendën e tjetrit në tryezë. Ata që dikur do të ishin refuzuar nga populli si të nënshtruar, tani paraqiteshin si reformatorë, si negociatorë të paqes, si ndërmjetës mes realitetit të brishtë dhe një kompromisi të dhimbshëm që pritej ta shëronte gjithçka. Por në të vërtetë, këto regjime nuk ishin as paqe, as kompromis, por ishin një formë e rafinuar e nënshtrimit politik, ku liria për të qenë shqiptar nuk ndalohej me forcë, por përqeshej me indiferencë, dhe ku flamuri nuk ndalohej, por bëhej dekor për një pazar të mjerë institucional, dhe ku çdo përpjekje për bashkim politik, kulturor apo institucional, shihej si “provokim” dhe ndëshkohej me heshtje apo me përjashtim. Këto sjellje ashtu si para luftës edhe pas luftës kanë vazhduar njëlloj… Përballë logjikës historike dhe kërkesës politike të kohës, klasa politike që udhëhoqi bisedimet me Serbinë, (pas lufte e këndej) duhet thënë qartë se u shfaq nën nivelin minimal të përfaqësimit shtetëror të Republikës së Kosovës, jo vetëm për mungesën e vizionit strategjik apo integritetit personal, por sepse shumica e tyre ishin të përzgjedhurit e pëlqyer të Beogradit, njerëz që ngjitjen në karrierën politike ua kishin borxh jo besimit të popullit të vet, të cilin e përfaqësonin, por tolerancën ndaj Serbisë, e cila në ato momente gjatë bisedimeve iu kujtonte atyre, përkrahjen si bekim që iu kishte bërë dhe ju kërkonte edhe llogari!… Prandaj, përfaqësuesit e Kosovës, nuk patën as forcën, as guximin për ta kundërshtuar një Kushtetutë të kushtëzuar, e cila, nën emrin e multietnicitetit, i vuri themelet e shtetësisë mbi kompromisin, e jo mbi parimin ligjor, ashtu si modelet e vendeve të tjera.

6) Marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë dhe imponimi i tyre nga agjendat e huaja jozyrtare…

(Pra e kam fjalën për agjendat e huaja jashtë BE-së, SHBA-së dhe NATO-s)

A) Kushtëzimi i Kushtetutës së Kosovës me termin multietnik“, dhe një analizë krahasimore, edhe juridiko-politike.
1) Konstrukti i shtetit multietnik” në Kushtetutën e Kosovë është një imponim i jashtëm, jo reflektim i realitetit kushtetues. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008, në frymën dhe përmbajtjen e saj juridike është thellësisht e ndikuar nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës (Plani i Ahtisaarit). Një nga elementet më të debatueshme dhe me pasoja afatgjata është karakterizimi i Kosovës si “shtet multietnik, i vendosur që në preambulën e Kushtetutës dhe i përforcuar në nenin 1, paragrafi 2, ku thuhet se Kosova është “shtet i qytetarëve të saj të të gjitha komuniteteve”. Ky përcaktim nuk është rrjedhojë e një procesi të brendshëm kushtetues në përputhje me vullnetin politik dhe realitetin shoqëror të vendit, por përkundrazi, përfaqëson një konstruk artificial dhe të imponuar ndërkombëtarisht, që synonte të qetësonte tensionet ndëretnike dhe t’i siguronte komunitetit serb një status të privilegjuar brenda një shteti të ri në lindje. Megjithatë, ky formulim juridikisht është i diskutueshëm për disa arsye:
a) Kosova është një shtet ku shqiptarët përbëjnë mbi 95% të popullsisë, dhe në çdo teori të së drejtës kushtetuese apo të shkencës politike, një shtet me një shumicë kaq të lartë homogjene nuk përkufizohet si multietnik në kuptimin institucional, por si një shtet me pakica, të cilat kanë të drejta të garantuara, por jo të barazimit politik me shumicën.
b) Asnjë shtet tjetër në rajon, përfshirë ato që kanë përjetuar konflikte ndëretnike (si Maqedonia e Veriut, Serbia apo Kroacia), nuk e ka të sanksionuar në Kushtetutë përkufizimin “shtet multietnik”, edhe pse kanë pranuar të drejta për minoritetet. Vetëm Kosova është detyruar të bëjë këtë përkufizim, që në fakt e ka vendosur në një pozitë të pazakontë dhe të pafavorshme juridikisht.
2) Diskrepanca me standardet evropiane: BE-ja nuk imponon identitet kushtetues “multietnik.”
Instrumentet themelore juridike të Bashkimit Evropian, përfshirë Traktatin për Bashkimin Evropian (TEU) dhe Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së, të cilat nuk përmbajnë asnjë dispozitë që kërkon apo imponon që një shtet anëtar apo kandidat të përkufizohet si “shtet multietnik”.
a) Neni 2 i TEU-së përmend respektimin e të drejtave të pakicave si një nga vlerat themelore të BE-së, por nuk kërkon vetëkarakterizim kushtetues të shtetit mbi këtë bazë.
b) Neni 21 i Kartës së të Drejtave Themelore ndalon diskriminimin mbi baza etnike, gjuhësore apo kombëtare, por sërish fokusi është mbi mbrojtjen e individit si qytetar, jo mbi ndërtimin e identitetit kushtetues të shtetit.
c) Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (Këshilli i Europës, 1995) detyron shtetet të respektojnë të drejtat kulturore, arsimore, gjuhësore etj. të pakicave, por nuk përfshin asnjë dispozitë që imponon përdorimin e termit “shtet multietnik” në aktin më të lartë juridik të vendit. Për rrjedhojë, karakteri “multietnik” i shtetit të Kosovës nuk është standard evropian, por një produkt i presionit diplomatik dhe gjeopolitik, i aplikuar vetëm në rastin e Kosovës, duke prodhuar pabarazi sistemike në raport me shtetet e tjera të rajonit dhe të BE-së.
3) Një formë e dhunës juridike ndaj shumicës shqiptare, është legjitimimi i një asimetrie të rrezikshme. Përtej aspektit semantik, termi “shtet multietnik” në Kushtetutën e Kosovës nuk është i pafajshëm. Ai prodhoi një arkitekturë të tërë kushtetuese të ndërtuar mbi parimin e privilegjimit të pakicës serbe, në kundërshtim me logjikën e shtetit të së drejtës dhe sovranitetit popullor.
a) Mekanizmi i votës së dyfishtë (double majority) në Kuvendin e Kosovës i jep pakicës serbe fuqi disproporcionale për të bllokuar reforma dhe ligje, edhe kur ato janë në interes të përgjithshëm dhe kanë mbështetje të gjerë popullore.
b) E drejta e vetos kushtetuese në ndryshimet që prekin komunitetet është përdorur shpesh për të kushtëzuar çdo përparim institucional, duke i kthyer pakicat, veçanërisht serbët, në aktorë me fuqi negative (negative power) në sistemin politik.
c) Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, si strukturë e negociuar me Serbinë, është produkt i këtij koncepti të “multietnicitetit të institucionalizuar” dhe përfaqëson kërcënimin më serioz për funksionimin unitar të shtetit.
Ky model asimetrik dhe i dhunshëm kushtetues është specifik në tërë rajonin. As kroatet në Bosnjë, as hungarezët në Vojvodinë, e as italianët në Slloveni nuk gëzojnë një nivel të tillë ndikimi kushtetues mbi shtetin ku jetojnë. Vetëm shqiptarët e Kosovës janë vendosur në një pozitë ku shumica tyre është juridikisht e kufizuar në ushtrimin e sovranitetit.
4) Krahasimi me praktikat kushtetuese në rajon dhe në BE, janë standard. Shembuj konkretë tregojnë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë ku identiteti kushtetues i shtetit është përcaktuar sipas kërkesave të një pakice:
a) Kroacia: Kushtetuta e saj e përcakton qartë shtetin si “shtet kombëtar i kroatëve”, duke garantuar të drejta për minoritetet, por pa e relativizuar identitetin shtetëror.
b) Sllovenia, e njeh minoritetet hungareze dhe italiane, të cilat kanë përfaqësim të garantuar, por shteti nuk është karakterizuar si multietnik.
c) Serbia, edhe pse ka minoritete të mëdha, përfshirë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe hungarezët e Vojvodinës, Kushtetuta e saj e shpall Serbinë si shtet të kombit serb.
Në të gjitha këto raste, identiteti kombëtar i shtetit është ruajtur, ndërsa të drejtat e pakicave janë garantuar në mënyrë proporcionale dhe jo përmes një barazimi fiktiv që nënkupton relativizimin e shumicës. Vetëm në Kosovë, kjo logjikë është përmbysur, duke prodhuar një model të rrezikshëm të pakicës që sundon mbi shumicën në emër të “multietnicitetit”.
Por, kjo tematikë meriton një analizë të thellë juridike në: „Kufizimin e sovranitetit përmes kornizave juridike të imponuara“, e cila ka pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm për funksionimin e brendshëm të shtetit, por edhe për aftësinë e Kosovës për të përfituar realisht nga proceset integruese evropiane, sidomos nga administrata dhe fondet e BE-së.
Më 16.09. 2025

7) Liderët tanë janë të imazhit personal, por jo të shtetit!

A) Reagim: Kush mund të quhet politikan me vizion të sigurisë edhe për investimet e huaja?! Reagimi erdhi nga zëri i Universitetit Kombëtar të vendit, ku thuhej: „Politikani i denjë për epokën e aleancave strategjike nuk është ai që endet në hijet e së kaluarës duke u mbështjellë me mantelin e viktimës, por ai që ka kurajën dhe mençurinë të marrë përgjegjësi për të ardhmen, që kupton se siguria e një vendi nuk vjen vetëm nga përkujtimi i sakrificave, por nga ndërtimi i themeleve të besimit të aleatëve.“ Ai është një lloj lideri që i jep kuptim kërkesës së qartë të Shteteve të Bashkuara: „Nuk mjafton të jesh viktimë e së kaluarës, por duhet të jesh i denjë për të ardhmen“. Pra: „Ai e di se ligjet për investime të huaja dhe siguri kombëtare nuk janë thjesht dokumente teknike, por akte strategjike të hapjes së vendit ndaj mundësive dhe stabilitetit. Ato janë portat e padukshme përmes të cilave vjen kapitali ndërkombëtar, teknologjia, zhvillimi dhe, mbi të gjitha, mburoja politike e miqësisë me Amerikën dhe Perëndimin.“
Në këtë logjikë, një politikan i tillë nuk i sheh fondet si lëmoshë dhe as kërkesat e aleatëve si presion, por si besim të dhënë me përgjegjësi dhe si mundësi për të kthyer një vend të vogël në një partner të madh në hartën e sigurisë globale.

Perceptimi: (C). „Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të qëndrojnë në një gjendje duale, ku retorika patriotike përdoret shpesh si zëvendësim për vizionin politik, ndërsa reformat jetike, administrative, juridike, ekonomike e arsimore, ato ende refuzohen, shtyhen ose deformohen. Ky pozicion i përhershëm mes fjalës së madhe dhe mungesës së veprës konkrete ka krijuar një krizë të qëndrueshmërisë shtetërore dhe të besueshmërisë publike.“

Shqipëria“ dhe Kosova ende ndodhen në mes retorikës patriotike dhe refuzimit të reformave jetike! Në një kohë kur rajoni i Ballkanit përballet me vështirësi të mëdha gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë, „Shqipëria“ dhe Kosova vazhdojnë të bien ndesh me logjikën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të partneritetit strategjik, duke e zhvendosur qasjen shtetformuese nga prioritetet kombëtare drejt interesave të ngushta të elitave që më shumë punojnë për të ndërtuar imazhin e tyre personal brenda elektoratit sesa për të konsoliduar shtetin përmes ligjeve që ofrojnë garanci për investitorët e huaj dhe partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-në, aleatin më të qëndrueshëm të çështjes shqiptare në shekullin e fundit. Refuzimi i qeverive në të dyja shtetet (për shumë vite gjatë tranzicionit), për të miratuar ligjin për Garanci Sovrane, një instrument financiar i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që do t’u jepte mundësi qeverive të tërhiqnin fonde të mëdha përmes kredive të sigurta dhe me interesa të ulëta, është një dëm i dyfishtë ekonomik dhe strategjik. Jo vetëm që kjo shmangie përjashton mundësinë për zhvillim të shpejtë të projekteve madhore infrastrukturore dhe teknologjike, por krijon dhe një perceptim të drejtpërdrejtë të mosbesueshmërisë shtetërore, duke ngritur dyshime serioze mbi transparencën dhe vullnetin politik për t’u mbikëqyrur nga aleatët ndërkombëtarë mbi përdorimin e fondeve. Kur një qeveri refuzon një garanci sovrane të ofruar nga SHBA, ajo në të vërtetë heq dorë nga një burim i sigurt zhvillimi, për t’i qëndruar më afër interesave të klientelës së brendshme politike, që kërkon të ruajë kontrollin mbi burimet publike pa llogaridhënie. (Ndonëse, Shqipëria në vitet e fundit ka bërë përparime, në hapjen e kapitujve me BE-në, për integrimin e saj në këtë familje, para vetes ka edhe shumë punë për të bërë. Shpresoj dhe i uroj suksese, pranimin e saj sa më të shpejtë në BE!).
Po ashtu, mungesa e vullnetit për të futur teknologjitë amerikane të sigurisë, sistemet e identitetit digjital dhe bazat moderne të të dhënave shtetërore, është një tjetër tregues dramatik i frikës së elitave nga kontrolli dhe transparenca reale. Në vend që këto teknologji të përqafoheshin si mjete për modernizimin e administratës, për rritjen e besimit qytetar dhe për eliminimin e korrupsionit strukturor, ato janë parë si kërcënime ndaj strukturave të vjetra të ndikimit politik, të ngritura mbi zona gri, informalitet dhe manipulim të përhershëm të sistemit. Qeveritë që refuzojnë këto reforma teknologjike nuk janë vetëm të prapambetura, por ato kanë zgjedhur ta ngadalësojnë me vetëdije integrimin euroatlantik, për të ruajtur një pushtet të brishtë që mbahet me propagandë dhe jo me rezultate konkrete. Shkaku i thellë i këtyre refuzimeve nuk është thjesht paaftësia teknike apo burokracia e rënduar, por mënyra se si elitat politike në Shqipëri dhe Kosovë e përjetojnë shtetin jo si një projekt të përbashkët të qytetarëve, por si një pronë të privatizuar përmes rrjeteve partiake dhe interesave të ngushta të grupit që qëndron në pushtet. Çdo ligj që rrit transparencën, që sjell rregull dhe që ndikon në krijimin e standardeve të qeverisjes së mirë, perceptohet si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj modelit të sundimit aktual, dhe jo si përmirësim i sistemit. Kjo bën që në vend të rritjes së besimit ndërkombëtar dhe tërheqjes së investimeve serioze, po krijohet një klimë e  pasigurisë në vazhdimësi, që i tremb investitorët dhe që e thellon izolimin e dy shteteve shqiptare në momente kur bota ecën me ritme të shpejta drejt digjitalizimit, partneriteteve të qëndrueshme dhe standardeve të qarta të qeverisjes. Për më tepër, ajo që është edhe më shqetësuese është se përgjegjësia shtetërore është zëvendësuar nga një diskurs propagandistik, ku çdo përplasje me partnerët perëndimorë, veçanërisht me SHBA-në, shitet si “qëndresë sovrane”, dhe çdo refuzim reformash përkufizohet si “mbrojtje e interesave kombëtare”, kur në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një strategji për të mashtruar opinionin publik dhe për të justifikuar mungesën e rezultateve reale. Patriotizmi përdoret si maskë për paaftësinë, ndërsa faji i hidhet vazhdimisht “faktorëve të jashtëm”, në vend që elitat të pranojnë dështimet dhe të marrin përgjegjësinë institucionale për mungesën e reformave, zhvillimit dhe funksionimit të shtetit ligjor.
Në këtë klimë të çuditshme politike, refuzimi i reformave që lidhen drejtpërdrejt me interesin amerikan, siç është Garancia Sovrane, sistemet e ID-së, ose marrëveshjet për sigurinë kibernetike, nuk është vetëm mungesë e përgjegjësisë, por ky proces që tani është fakt përfaqëson një dështim historik, i cili po i kushton rëndë jo vetëm brezit aktual, por do të shtrihet me pasoja edhe në brezat që do të vijnë. Sepse kur elitat nuk janë të gatshme të ndërtojnë një shtet që funksionon, atëherë as demokracia nuk mund të konsolidohet, as drejtësia të vendoset, as investimet të qëndrojnë, dhe as integrimi euroatlantik të përparojë. Dhe nëse kjo elitë politike nuk merr përgjegjësi tani, nuk përballet me vetveten dhe nuk ndryshon drejtim përballë partnerëve strategjikë, veçanërisht SHBA-ve, por edhe BE-së, NATO-s, atëherë as mbështetja amerikane nuk do të jetë më e pakushtëzuar. E them këtë logjikë tani, sepse për të qenë partner i vërtetë i Perëndimit, nuk mjafton të jesh viktimë e së kaluarës, por duhet të jesh i denjë për të ardhmen. Dhe këtë të ardhme nuk e garantojnë deklaratat politike, por ligjet që mbrojnë investitorin, teknologjitë që garantojnë transparencën dhe një lidership që e vendos shtetin mbi vetveten. (Më 18.09.2025)
Perceptimi nr. 23., vjen nga diplomati i Austrisë. Në letren dërguar presidentes së vendit kishte shprehur disa shqetësime: „Në rrugën ku dikur ecnin krah për krah, me hapa të sinkronizuar dhe shikime të kthjellta drejt së ardhmes, kohët e fundit është ndier një çalim i lehtë, por i padukshëm për ata që shikojnë sipërfaqen, por i qartë për ata që ndiejnë tensionin e heshtjes. Aty ku dikur këshillat vlerësoheshin si pasqyrime të kujdesit, tani lexohen si mjegull që kërkon të mbulojë me dritën e vullnetit të pavarur. Në vend të një bashkëbisedimi të qetë, është ngritur një mur i hollë, por kokëfortë, i ndërtuar me gurë krenarie të pashoshitur dhe ngjitur me ngjitësin e një kujtese të përzgjedhur. Rezistenca, që dikur ishte flamuri i së drejtës në kohë errësire, tani po rrezikon të bëhet perde që pengon dritën të hyjë, edhe kur ajo vjen për të ngrohur, jo për të djegur. Nuk është më fjala për fjalë të thëna apo të pathëna. Por po falsim për një ndjesi që qëndron pezull, gati e trazur si një heshtje që flet më shumë se zërat. Kur ata që dikur ishin burim mbështetjeje të qetë fillojnë të ndalen e të shikojnë me sy si porosi spontane, për më shumë vëmendje, nuk kemi më të bëjmë me një ftohje kalimtare, por për një kërkesë: që të mos mbjellim për pakujdesi ndonjë luhatje në themelin e një lidhjeje që ishte ndërtuar jo vetëm me fjalë, por me gjak, përpjekje dhe premtime të pathëna.
Vërejtje nga përceptimi nr. 24: Një nga arsyet kryesore pse disa investitorë privatë amerikanë nuk janë pranuar ose janë përballur me vështirësi të konsiderueshme për të hyrë në tregun ekonomik të Kosovës dhe, në një masë të ngjashme, edhe në Shqipëri, lidhet me kompleksitetin e ambientit politik dhe institucional në këto vende, i cili shpesh karakterizohet nga mungesa e transparencës, dobësia e sundimit të ligjit dhe kapja e institucioneve nga interesa të caktuara politike apo ekonomike që nuk përputhen domosdoshmërisht me parimet dhe standardet që zakonisht kërkojnë investitorët perëndimorë, sidomos ata amerikanë. Në këtë kontekst, duhet të theksohet se një pjesë e madhe e investitorëve amerikanë, veçanërisht ata që veprojnë në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura apo teknologjia, operojnë sipas një modeli të rreptë korporativ, i mbështetur në transparencë procedurale, standarde të larta etike dhe kërkesa të qarta për stabilitet institucional dhe siguri ligjore, të cilat shpeshherë mungojnë në mjediset e ekonomive në tranzicion si Kosova dhe Shqipëria, duke e bërë kështu të vështirë vendosjen e një marrëdhënieje të qëndrueshme për investime në mes palëve.
Një element tjetër që ka ndikuar në mospranimin ose në shtyrjen e përfshirjes së disa investitorëve amerikanë lidhet me dyshimet ose frikën që kanë strukturat qeverisëse lokale lidhur me humbjen eventuale të kontrollit mbi sektorët strategjikë të ekonomisë, pasi pranimi i investimeve të mëdha amerikane shpesh shihet jo vetëm si një çështje ekonomike, por edhe si një akt me pasoja të mundshme politike e gjeopolitike, duke qenë se këto investime nuk janë thjesht kapitale financiare. Ato shpesh përfaqësojnë edhe interesa të zgjeruara të politikës së jashtme amerikane, të cilat mund të perceptohen si presion për reforma të thella që mund të sfidojnë sistemin ekzistues të interesave lokale. Për më tepër, në disa raste është vënë re se konkurrenca nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian apo kompani gjermane, franceze, apo të lidhura me influenca të tjera politike rajonale, ka krijuar një terren jo gjithmonë të favorshëm për investitorët amerikanë, duke qenë se qeveritë lokale, për arsye të varësisë nga ndihmat, grantet apo marrëveshjet politike me BE-në, shpesh janë të prira të favorizojnë interesat evropiane në vend të atyre amerikane, edhe kur këto të fundit ofrojnë kushte të krahasueshme ose më të mira në aspektin teknik apo financiar. Në fund, nuk mund të anashkalohet as fakti se shumë herë përbrenda sistemit ekonomik dhe politik të Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë struktura të fuqishme klienteliste, që favorizojnë aktorë të brendshëm ekonomikë të lidhur ngushtë me pushtetin politik, të cilët e shohin ardhjen e investitorëve të mëdhenj të huaj, veçanërisht atyre që kërkojnë integritet, kontroll të pavarur financiar dhe menaxhim profesional, si një kërcënim të drejtpërdrejtë për dominimin e tyre në sektorët kyç të ekonomisë. Prandaj, ata në mënyrë aktive edhe lobojnë kundër këtyre investimeve, duke ndikuar në opinionin publik, në mediat e kontrolluara apo në vetë proceset administrative për të penguar hyrjen e investitorëve amerikanë ose për ta bërë atë praktikisht të pamundshme.

8) Pse SHBA-ja  është e zhgënjyer me diplomacinë e Kosovës?

Perceptimi: (ç).Perceptimi diplomatik që vjen nga qarqet ndërkombëtare është se për një shtet nuk mjafton të paraqitet vazhdimisht si viktimë e së kaluarës historike, por duhet të dëshmojë pjekuri institucionale, përgjegjësi politike dhe vizion për të ardhmen. Dinjiteti ndërkombëtar nuk fitohet vetëm përmes rrëfimit të vuajtjeve, por përmes ndërtimit të qëndrueshëm të paqes, shtetit ligjor dhe funksionimit demokratik“.
Zemërimi dhe zhgënjimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj diplomacisë së Kosovës nuk është i kufizuar vetëm në sabotimin e institucioneve ose në bllokimin e funksionimit normal të shtetit pas zgjedhjeve. Ai zemrim është shumë më kompleks dhe i lidhur ngushtë me mënyrën se si udhëhiqet shteti, si merren vendimet politike dhe si bashkëpunon Kosova me aleatët e saj strategjikë. Një nga arsyet më të dukshme të këtij zhgënjimi është paaftësia e udhëheqjes politike për të formuar institucionet shtetërore pas zgjedhjeve të mbajtura në fillim të vitit 2025. Mungesa e një Kuvendi funksional, konkretisht moszgjedhja e Kryetarit të Kuvendit për muaj të tërë dhe e tërë lidershipit institucional, si dhe mungesa e një qeverie të konsoliduar, kanë krijuar një boshllëk serioz institucional që ka paralizuar funksionimin e shtetit. Kjo situatë ka bërë që SHBA, të shprehë publikisht shqetësimin se ky vakum institucional po kompromenton stabilitetin dhe legjitimitetin e vetë shtetit të Kosovës në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Një tjetër pikë që ka ngjallur debat është ajo që lidhet me veprimet e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të vendit, e quajtur si e banuar me shumicë serbe. Këto veprime, përfshirë ndërhyrjen në mbylljen e (ish) strukturave “paralele” të Serbisë, janë interpretuar nga disa partnerë ndërkombëtarë si „të njëanshme dhe potencialisht nxitëse të tensioneve ndëretnike“. (Pra, zbatimi i ligjit në veriun e Kosovës, një veprim legjitim në thelb, u perceptua ndërkombëtarisht si një katalizator i mundshëm për destabilizim të menjëhershëm, aq sa u barazua me rrezikun e shpërthimit të një konflikti të ri, e madje me një sulm të parashikueshëm të Serbisë ndaj forcave të NATO-s në Kosovë. Ky perceptim alarmant e vuri diplomacinë perëndimore në pozita të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar jo për qëllimin, por për mënyrën dhe momentin e veprimit si i gabuar, dhe për mungesën e koordinimit me aleatët që garantojnë paqen në rajon).
Megjithatë, duhet theksuar se këto struktura kanë vepruar për vite të tëra në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me çdo standard të sovranitetit shtetëror, ndërkohë që marrëveshjet e së kaluarës, të nënshkruara nga qeveritë paraprake, i kanë toleruar, madje i kanë legalizuar në forma të ndryshme, shpesh nën presion ndërkombëtar. Në këtë kuptim, veprimet aktuale të institucioneve të Kosovës nuk duhet parë si mungesë partneriteti, por si përpjekje për të korrigjuar padrejtësitë strukturore të trashëguara, të cilat për një kohë të gjatë kanë cenuar integritetin territorial dhe funksionimin institucional të shtetit të Kosovës. Kritikët që i lexojnë këto veprime si “të papërgjegjshme” shpesh nuk marrin parasysh realitetin, se Kosova ka qenë për vite viktimë e një sistemi paralel të dirigjuar nga Beogradi, i cili ka refuzuar integrimin e pakicës serbe dhe ka minuar shtetin nga brenda. Sa i përket trajtimit të komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb, është me rëndësi të theksohet se institucionet e Kosovës janë të obliguara të mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve në përputhje me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Por kjo nuk nënkupton tolerimin e strukturave që veprojnë jashtë rendit kushtetues. Kritikat për mungesë mase kompensuese apo koordinimi nuk mund të shërbejnë si justifikim për vazhdimin e një gjendjeje anormale, ku komuniteti serb organizohet politikisht dhe administrativisht në varësi direkte të një shteti tjetër.
Një tjetër aspekt është procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, ndonëse i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA, ka mbetur peng i marrëveshjeve të kaluara të dëmshme, shumë prej të cilave janë nënshkruar nga qeveritë e kaluara të Kosovës që kanë pranuar kushte të pabarabarta, shpesh pa konsultim publik dhe pa analiza të ndikimit afatgjatë. Sot, kur autoritetet aktuale kërkojnë qasje të drejtë dhe reciprocitet real, kjo po interpretohet si bllokim i dialogut  ndërkohë që bllokuesit realë janë ata që refuzojnë njohjen, pengojnë implementimin e marrëveshjeve në mënyrë të ndershme dhe përdorin procesin si mjet shantazhi politik.
Në retrospektivë, një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë për situatën aktuale bie mbi qeveritë e mëhershme të Kosovës, të cilat, në periudha të ndryshme, kanë pranuar t’i nënshkruajnë thuajse të gjitha kërkesat e propozuara nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe nga Serbia, pa analizë të thellë, pa konsensus të brendshëm dhe shpesh për arsye të ruajtjes së pushtetit afatshkurtër. Këto vendime të paekuilibruara kanë krijuar precedencë të rrezikshme dhe sot po përdoren nga Serbia si “dokumente të nënshkruara” për të kërkuar zbatim selektiv dhe për të shmangur përgjegjësinë e saj historike e ligjore. Mungesa e fleksibilitetit dhe e gatishmërisë për kompromis është përkthyer si mungesë vullneti politik për të ndërtuar paqe afatgjatë. Në parim, duhet përmendur se të gjitha këto zhvillime dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës si një shtet demokratik dhe pro-evropian. SHBA, si përkrahësi më i madh historik i shtetësisë së Kosovës, pret që Kosova të jetë një model i suksesit demokratik në rajon, por aktualisht perceptimi është se krizat e brendshme po e largojnë vendin nga integrimet euroatlantike, nga anëtarësimi në NATO dhe nga një bashkëpunim efektiv me komunitetin ndërkombëtar. Në përmbledhje, zemërimi i SHBA-së nuk buron nga një arsye e vetme, por është rezultat i një serie zhvillimesh që e kanë vënë në dyshim serioz kapacitetin e Kosovës për të qenë një partner ndërkombëtar i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

9) Kush i amnistoi gjenocidin dhe krimet e Serbisë në Kosovë?

Lufta e Kosovës e viteve 1998–1999 përbën një ndër plagët më të rënda të historisë moderne të shqiptarëve, jo vetëm për shkak të dhunës brutale që u ushtrua mbi popullatën civile shqiptare nga strukturat ushtarake, policore dhe paramilitare të shtetit serb, por edhe për shkak të mënyrës se si këto krime u trajtuan ose më saktë, u neglizhuan e në disa raste edhe u amnistuan nga vetë institucionet e Kosovës në periudhën e pasluftës. Mijëra civilë të vrarë, mijëra gra të dhunuara, qindra fshatra të djegura dhe më shumë se 800 mijë të dëbuar me dhunë përbëjnë fakte që nuk lënë vend për dyshim lidhur me natyrën kriminale të ndërhyrjes serbe në Kosovë, por megjithatë, rruga drejt drejtësisë ka qenë jo vetëm e vonuar, por edhe e komprometuar nga vetë faktorët politikë shqiptarë. Një nga aktet më të diskutuara në këtë kontekst është miratimi i një ligji për amnestinë në Kuvendin e Kosovës, i cili, megjithëse në formë kishte për qëllim “lehtësimin e integrimit të qytetarëve serbë në sistemin juridik të Kosovës”, në përmbajtje dhe në efekt politik u interpretua nga shumë ekspertë, si një hap që i shërbeu amnistimit të heshtur të veprimeve kriminale të individëve dhe strukturave që ishin pjesë aktive e aparatit shtetëror të Serbisë në Kosovë. Ky ligj u miratua në vitin 2013, në kohën e dialogut të Brukselit, dhe ishte pjesë e një pakete masash që pretendonin se do të ndihmonin në “normalizimin e marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë. Por në thelb, ai ligj legjitimoi faktin që shumë nga ata që kishin shërbyer në administratën ilegale serbe në Kosovë, përfshirë edhe ata që kishin qenë pjesëmarrësë aktivë në aktivitete kriminale, të integroheshin në sistemin e Kosovës pa u përballur me drejtësinë.
Ky akt ligjor, që u përkrah nga liderët e atëhershëm politikë, përfshirë edhe ata që më vonë e përdorën retorikën patriotike për përfitime elektorale, përbën një ndër momentet më të errëta të kompromisit politik, ku parimi i drejtësisë për viktimat iu nënshtrua interesave të ngushta politike dhe „presionit ndërkombëtar“. Edhe më e rëndë është, se ende asnjëherë nuk u shpjegua qartë para qytetarëve se cilët persona konkretë do të përfitonin nga kjo amnisti, çka ka lënë hapësirë për dyshime të arsyeshme se ky ligj nuk ishte vetëm për rastet e vogla administrative, por edhe për individë të përfshirë në aparatin represiv të Serbisë. Nëse e analizojmë këtë çështje ligjore në një kontekst më të gjerë historik e diplomatik, mund të thuhet se Kosova, që nga përfundimi i luftës, ka vepruar shpesh me inferioritet diplomatik ndaj Serbisë. Në vend që të ndërtojë një strategji afatgjatë për dokumentimin, ndjekjen dhe dënimin e krimeve të luftës, siç kanë bërë shtete të tjera të dalë nga konflikte të ngjashme, institucionet e Kosovës shpesh kanë preferuar të heshtin për krimet, të shmangin konfliktin me partnerët ndërkombëtarë dhe të veprojnë në mënyrë reaktive në vend se të ishin shumë proaktive. Kjo qasje ka bërë që sot, më shumë se pas tri dekadave, të pas përfundimit të luftës, Serbia të mos jetë përballur seriozisht me drejtësinë për gjenocidin e kryer, ndërsa Kosova nuk ka arritur të ndërtojë një narrativë të fuqishme ndërkombëtare mbi vuajtjet e popullit të saj. Më shqetësues është fakti se vetë koncepti i gjenocidit nuk është pranuar zyrtarisht në asnjë instancë ndërkombëtare juridike për rastin e Kosovës, jo për mungesë faktesh, por për shkak të mungesës edhe të një kërkese të vetme dhe të një përfaqësimit të organizuar, dhe të një strategjie shtetërore të qëndrueshme. Në vend të një fushate të fuqishme për njohjen dhe ndëshkimin e krimeve të luftës, Kosova është përfshirë në dialoge teknike, marrëveshje të paqarta dhe koncesione që në shumë raste e kanë dobësuar pozitën e saj ndërkombëtare. Kështu, heshtja, pajtimi formal dhe “normalizimi” i marrëdhënieve me Serbinë janë bërë shpesh në kurriz të drejtësisë për viktimat shqiptare, të cilat vazhdojnë të jetojnë me plagët e hapura të së kaluarës. Në këtë aspekt, mund të thuhet se amnistimi i krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë nuk ndodhi në një akt të vetëm, por përbën një proces të vazhdueshëm të neglizhencës institucionale, kompromisit politik dhe presionit ndërkombëtar. Ligji i amnistisë, i vitit 2013 ishte vetëm një prej shprehjeve më të qarta të këtij kompromisi, i cili ndihmoi Serbinë të rehabilitohej më lehtë në arenën ndërkombëtare, ndërsa Kosova dështoi të ndërtojë një arkitekturë të drejtësisë dhe kujtesës historike që do ta forconte identitetin dhe qëndrueshmërinë e saj shtetërore. Historia do të gjykojë, por tash për tash, është detyrë e brezit të sotëm të kërkojë të vërtetën, të rikthejë drejtësinë dhe të refuzojë „amnezitë politike“, që fshijnë vuajtjet e një populli të tërë. Me këtë rast në tekstin e mëposhtëm po paraqes një version më të zgjeruar të gjithë këtij ligji në formë sqarimi, që efektet e tij janë të ndërlidhura dhe të pasura në përmbajtje, duke futur edhe pasojat juridike, politike, argumentet pro dhe efektet afatgjata të Ligjit për Amnisti të vitit 2013.

10) Pasojat e Ligjit për Amnisti të vitit 2013, si dhe amnistimi i heshtur i krimeve të Serbisë në Kosovë!

Ligji për Amnisti, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, (më 11 korrik) në vitin 2013, me arsyetimin zyrtar se përbënte një akt të nevojshëm për integrimin e komunitetit serb dhe për vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë, përbën një nga veprimet më të diskutueshme dhe më të kontestuara juridikisht, politikisht dhe moralisht në historinë e institucioneve të pasluftës në Kosovë. Ndonëse i prezantuar nga udhëheqësit politikë të kohës si një hap drejt “pajtimit” dhe “stabilitetit”, ky ligj në përmbajtjen e vet faktike dhe në pasojat që prodhoi, u interpretua gjerësisht nga juristë, analistë dhe viktimat e luftës si një formë e faljes së heshtur dhe indirekte të krimeve që Serbia kishte kryer në Kosovë, duke amnistuar jo vetëm strukturat ilegale që kishin funksionuar gjatë dhe pas luftës, por edhe individë të lidhur me dhunën sistematike ndaj shqiptarëve.
1) Pasoja juridike: Nga aspekti juridik, miratimi i këtij ligji përbënte një zhbërje të parimeve themelore të drejtësisë tranzicionale, pasi në vend që të përndiqeshin dhe të gjykoheshin individët dhe strukturat që kishin qenë pjesë e aparatit represiv serb, qofshin ata pjesë e forcave të sigurisë, të administratës ilegale apo të shërbimeve të inteligjencës, shumë prej tyre përfituan nga ky akt faljeje. Në këtë mënyrë, shteti i Kosovës, përmes një akti ligjor të vetë miratuar, sanksionoi amnistinë për persona të cilët në rrethana të tjera do të përballeshin me drejtësinë ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit apo bashkëpunim me struktura kriminale të organizuara. Me fjalë të tjera, në vend që të hapeshin dosjet për gjykim, ato u mbyllën nën petkun e “kompromisit politik”.
2) Pasoja politike: Në planin politik, miratimi i këtij ligji i dha Serbisë një avantazh të jashtëzakonshëm diplomatik dhe narrativ në arenën ndërkombëtare. Serbia, duke shfrytëzuar këtë akt të miratuar nga vetë institucionet e Kosovës, nisi të promovonte idenë se çështjet e krimeve të luftës dhe të përgjegjësisë shtetërore ishin “adresuar” dhe “mbyllur” përmes një procesi pajtimi, ndërkohë që në realitet, ajo nuk kishte kërkuar falje asnjëherë, nuk kishte paguar asnjë formë dëmshpërblimi dhe nuk kishte dorëzuar asnjë nga kriminelët e saj të luftës. Në këtë mënyrë, Kosova, një vend që duhej të paraqitej si viktimë e gjenocidit dhe e spastrimit etnik, u pozicionua në mënyrë paradoksale si palë që vetë “fali” krimet, pa marrë as drejtësi, as garanci, as pranim të fajësisë.
3) Argumentet e atyre që e miratuan ligjin: Udhëheqësit politikë të kohës, përfshirë qeverinë e atëhershme, (kur u aprovua ligji), dhe partitë që mbështetën platformën e dialogut të Brukselit, të cilat e justifikuan miratimin e këtij ligji me disa argumente që në pamje të parë dukeshin të arsyeshme: se ligji ishte një hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, se do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve ndëretnike në veri të vendit dhe se përfaqësonte një akt politik të pajtimit, i nevojshëm për të siguruar stabilitet të brendshëm dhe vazhdim të dialogut me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Por në realitet, ky ligj u pa nga shumica e opinionit publik shqiptar si një nënshtrim i plotë ndaj presionit të Serbisë dhe ndërmjetësuesve evropianë, si një akt i pastër politik që në thelb injoronte viktimat e luftës, duke i vendosur interesat afatshkurtra të politikës mbi parimet e drejtësisë dhe moralit historik.
4) Efektet afatgjata të amnistisë: Efektet afatgjata të këtij ligji janë të shumëfishta dhe kryesisht negative për Kosovën si shtet dhe për shqiptarët si viktima të luftës. Para së gjithash, ai kontribuoi në shuarjen e çështjes së përgjegjësisë së Serbisë, duke ndikuar që ajo të mos ndjehej më e detyruar të përballej me pasojat e veprimeve të saj kriminale në Kosovë.
Së pari, në vend që të hapeshin diskutime për falje zyrtare, dëmshpërblime financiare apo dorëzim të kriminelëve të luftës, Serbia vazhdoi të promovojë një narrativë mohimi të krimeve, duke e përdorur ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës si “provë” që edhe pala shqiptare e kishte lënë pas këtë çështje.
Së dyti, ligji kontribuoi në dëmtimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, pasi shumë ish-pjesëtarë të strukturave ilegale serbe u integruan në institucionet shtetërore pa iu nënshtruar asnjë procesi verifikimi apo pastrimi juridik, duke e bërë të vështirë më vonë identifikimin dhe ndjekjen penale të tyre.
Së treti, Kosova e humbi mundësinë e artë për të ndërtuar një narrativë ndërkombëtare të bazuar në viktimizim dhe në kërkesën për drejtësi, pasi vetë Kuvendi i saj miratoi një akt që në sy të botës u interpretua si falje. Në thelb, Ligji për Amnisti i vitit 2013, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, nuk ishte thjesht një instrument teknik për integrimin e një pjese të popullsisë serbe në sistemin juridik të Kosovës, por një akt me pasoja të thella juridike, politike dhe morale, i cili në praktikë kontribuoi në amnestimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia dhe në dobësimin e pozitës juridike e ndërkombëtare të Kosovës. Ky ligj ndihmoi Serbinë të shmangë përgjegjësinë për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit, ndërsa viktimat shqiptare mbetën pa drejtësi, pa zë dhe pa përfaqësim të denjë në institucionet që duhej të mbronin të vërtetën historike të vendit. Për këtë arsye, përgjegjësia historike bie pa asnjë dyshim mbi liderët politikë të asaj kohe, të cilët për të përmbushur objektiva afatshkurtra politike dhe për të kënaqur kërkesat ndërkombëtare, pranuan të nënshkruajnë një kapitull që realisht amnistoi krimet e Serbisë dhe e përmbysi drejtësinë për viktimat e pafajshme të luftës. (Reagmi i VV-së ishte: Ligji për Amnisti, i votuar më 11 korrik 2013, dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës IV. Marrëveshjet KosovëSerbi dhe dështimet juridike po vijnë si një pabarazi historike me pasoja të njëanshme!).
Perceptimi: nr. 46. Çdo vlerësim politik lë hapësirë për një të vërtetë dhe një hezitim, ndërmjet heshtjes për gjenocidin dhe abuzimit me fjalën “sovranitet” në funksion të retorikës antiamerikane.
Që nga shpërthimi i lëvizjeve politike të shqiptarëve të Kosovës në fillim të viteve 1980, të cilat kishin për qëllim afirmimin e së drejtës për barazi me të tjerët nën kërkesën: “Kosova Republikë“ dhe kundërshtimin e shtypjes sistematike që vinte nga regjimi jugosllav i kontrolluar nga Serbia, e deri në ditët e sotme, historia e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe autoriteteve serbe ka dëshmuar një tendencë të qartë të pabarazisë, dominimit politik dhe juridik nga ana e Serbisë. Marrëveshjet, qoftë ato të arritura me presion ndërkombëtar në periudha kritike (si Marrëveshja e Kumanovës më 1999, apo më vonë Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit), në vend që të adresonin realisht çështjet e barazisë, drejtësisë dhe të drejtës për shtet të pavarur të popullit shqiptar të Kosovës, kanë përfunduar duke e favorizuar vazhdimisht Serbinë, si palë më e organizuar politikisht dhe më e përkrahur në kuadër të strukturave ndërkombëtare.
1) Pra, pabarazia juridike dhe politike e palëve në marrëveshje, edhe në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, pabarazia e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, është një shkelje e qartë e parimeve themelore që garantojnë barazinë e palëvve, të cilat kanë bashkëbiseduar dhe finalizuar marrëveshje politike. Sipas nenit 2(1) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha subjektet ndërkombëtare, përfshirë entitetet nën mbikëqyrje të përkohshme siç ishte Kosova pas vitit 1999, gëzojnë të drejtën e trajtimit të barabartë dhe të paprekshmërisë në marrëdhënie me të tjerët. Por në rastin konkret, në shumë prej marrëveshjeve që janë arritur, përfshirë ato të ashtuquajtrat për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, energjinë, integrimin e strukturave ilegale, menaxhimin e kufirit dhe drejtësinë në veri, është lehtësisht e dallueshme që Serbia ka vepruar si palë dominante, ndërsa pala shqiptare e Kosovës, shpesh për shkak të presioneve ndërkombëtare dhe mungesës së një vizioni të qartë strategjik, është vendosur përballë kërkesave të njëanshme që minojnë sovranitetin e saj. Ky çekuilibër përkthehet në pabarazi kontraktuale si një term që „në të drejtën ndërkombëtare kontraktuale“ nënkupton nënshkrimin e marrëveshjeve nën presion, pa konsensus të plotë, dhe me rezultate që favorizojnë vetëm një palë. Në rastin e Kosovës, kjo pabarazi ka pasur pasoja të drejtpërdrejta për integritetin institucional dhe për rrugën e saj ndërkombëtare.
2) Shkelja e standardeve juridike të Bashkimit Evropian: Edhe pse dialogu Kosovë-Serbi është ndërmjetësuar kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe thuhet se ka si qëllim përfundimtar integrimin e të dyja palëve në strukturat euroatlantike, është pikërisht BE-ja ajo që, në mënyrë paradoksale, ka lejuar (ose toleruar) shkeljen e disa parimeve themelore të së drejtës evropiane, të cilat do të duhej të ishin të panegociueshme në çdo proces normalizimi.
a) Parimi i reciprocitetit dhe proporcionalitetit, që është thelbësor në çdo marrëveshje ndërmjet palëve të pavarura, është hasur shpesh i shpërfillur, pasi Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë për zbatim të marrëveshjeve, ndërsa Serbia ka ruajtur hapur strukturat e saj ilegale në veri dhe ka refuzuar të njohë dokumentet, simbolet dhe institucionet e Kosovës.
b) Parimi i mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, i garantuar në nenin 21 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, është shkelur sistematikisht në marrëveshje ku kërkesat e komunitetit serb janë përmbushur me masa të veçanta, ndërsa komunitetet tjera, dhe mbi të gjitha shumica shqiptare, nuk janë përfituese të ndonjë trajtimi të ngjashëm.
c) Parimi i të drejtës për vetëvendosje, siç përcaktohet në nenin 1 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, është i injoruar vazhdimisht në dialogun politik, pasi nuk ka pasur asnjëherë një përpjekje për të njohur këtë të drejtë themelore për popullin shqiptar të Kosovës, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë më 2008, përfaqësimi i Kosovës në tryezat ndërkombëtare është bërë me fusnota, kufizime dhe nënshtrime procedurale që e nënvleftësojnë subjektivitetin e saj juridik.
3) Pasojat politike dhe institucionale në Kosovë: Në terren, këto marrëveshje të njëanshme kanë prodhuar pasoja konkrete. Lista Serbe, e cila formalisht është pjesë e sistemit institucional të Kosovës, vazhdon të jetë instrument politik i Beogradit, që vepron me agjendë të hapur për të sabotuar funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht në veri, duke përdorur marrëveshjet si justifikim ligjor për bllokadë, bojkot dhe refuzim të zbatimit të ligjit. Më keq akoma, disa parti politike shqiptare, që historikisht kanë qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe i kanë nënshkruar ose zbatuar ato, vazhdojnë të sillen si garantues të “stabilitetit”, ndërkohë që kanë tregtuar se interesat kombëtare i kanë vetëm për qëllime afatshkurtra politike dhe mbijetesë në pushtet. Si rezultat i kësaj situate, Serbia jo vetëm që nuk e njeh ende shtetin e Kosovës, por e përdor gjithë këtë paketë marrëveshjesh të nënshkruara nga vetë përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës si instrument për ta kontrolluar dhe shantazhuar Kosovën në planin ndërkombëtar, duke thënë se “shqiptarët i kanë pranuar vetë këto kushte”. Kjo strategji e shantazhit juridik dhe diplomatik ka bërë që sot Serbia të paraqitet në Bruksel si një palë konstruktive që kërkon zbatim të marrëveshjeve, ndërkohë që realisht i përdor ato si mjet për të minuar shtetësinë e Kosovës. Prandaj, mund të thuhet me bindje se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë para, gjatë apo pas luftës, kanë qenë të karakterizuara nga pabarazia, imponimi dhe favorizimi i Serbisë, me pasoja të rënda për sovranitetin, integritetin dhe stabilitetin e Kosovës. Në vend që koto marrëveshje, të siguronin drejtësi, barazi dhe njohje reciproke, ato kanë shërbyer si mjete për zgjatjen e ndikimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe për ndërtimin e një strukture të dyfishtë pushteti, ku Kosova formalisht është shtet, por realisht i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Beogradi. Për këtë arsye, shteti i Kosovës dhe qytetarët e tij kanë të drejtë të rivlerësojnë këto marrëveshje, jo si akte të përhershme apo të shenjta diplomatike, por si produkte të rrethanave politike të caktuara shpesh të hartuara nën presion, pa barazi dhe pa garantuar interesat afatgjata të shtetit. Rivlerësimi i tyre në bazë të së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me parimin e vetëvendosjes, parimin e sovranitetit dhe të barazisë mes palëve, është jo vetëm i ligjshëm, por edhe i domosdoshëm për të rikthyer ekuilibrin dhe për të mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës.

11) Nga patriotizmi folklorik te vetëizolimi diplomatik!

Përceptimi: (D) „Çdo perceptim politik përmban një element të vërtetë dhe një dozë hezitimi, sepse shpesh lëviz në kufijtë e dy realiteteve: të asaj që ndodhi dhe të asaj që nuk u tha. Kjo vlen sidomos për pyetje të ndjeshme dhe të hapura si: “Kush e amnistoi gjenocidin dhe krimet e Serbisë në Kosovë?”, e po ashtu edhe për pikëpyetje të kundërta, si: “Kur dhe pse përqafohen qëndrimet antiamerikane në emër të mbrojtjes së sovranitetit?”. Në të dy rastet, perceptimi ndikohet nga narrativat politike, interesat e momentit dhe paaftësia për të ndërtuar një qasje të balancuar që dallon faktin nga propaganda. Në këtë kontekst, bie në sy një tjetër kontradiktë thelbësore: përderisa një pjesë e klasës politike shqiptare është tepër e zëshme kur akuzon njëri-tjetrin për “antiamerikanizëm”, shpesh hesht ose tregohet e kujdesshme deri në nënshtrim ndaj Serbisë, pra ndaj një shteti, që jo vetëm nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, por që vazhdon të mohojë gjenocidin dhe të destabilizojë Kosovën përmes strukturave paralele dhe propagandës agresive. Kjo lloj “diplomacie” selektive, ku fuqitë perëndimore kritikohen me zë të lartë për çdo mosmarrëveshje taktike, ndërsa Serbia trajtohet me butësi për krime strategjike, është tregues i një kalkulimi të cekët politik, që ka më shumë lidhje me ruajtjen e pushtetit se sa me mbrojtjen e parimeve të drejtësisë, dinjitetit kombëtar apo interesit shtetëror afatgjatë.“
Sjellja e politikanëve shqiptarë në raport me zyrtarët amerikanë ka reflektuar një sërë dinamikash të ndryshme që shpesh janë karakterizuar nga përzierja mes krenarisë kombëtare dhe paaftësisë për të menaxhuar marrëdhënie delikate diplomatike. Kjo tablo e larmishme nuk është thjesht pasqyrim i karaktereve individuale, por është edhe shenjë e mungesës së një kulture të konsoliduar të shtetësisë, ku marrëdhënia me aleatin historik nuk shikohet si një dialog mes të barabartësh, por si një skenë në të cilën luhet ose roli i nxënësit shembullor që nuk guxon të vërë në dyshim mësuesin, ose ai i kundërshtarit të papajtueshëm që refuzon çdo korrigjim, edhe kur ai vjen me mirëdashje. Në këtë kontekst, vendimmarrja politike shpesh është luhatur mes dy ekstremeve: ose në përulje që shterron iniciativën vetjake, ose në mospërfillje që dëmton vetë strukturën e miqësisë së gjatë. Kjo qasje pothuaj e dy ekstremeve e aktorëve politikë shqiptarë ndaj përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pasqyruar një mozaik të ndërlikuar sjelljesh, ku krenaria kombëtare shpesh ka ardhur e përzier me mungesën e maturisë në administrimin e marrëdhënieve delikate diplomatike si një vështirësi që kërkon ekuilibrin e një litaristi mbi një tel të tendosur mes interesave kombëtare dhe domosdoshmërisë së aleancave strategjike. Nga udhëheqësi aktual i qeverisë në Prishtinë, te ai në Tiranë, dhe më tej te ish-figurat qendrore të etapave të mëhershme shtetformuese në Kosovë, janë shfaqur mënyra të ndryshme të raportimit në mardhëniet me Uashingtonin, herë të ngjashme me një përulje që kaluan kufijtë e nevojës, herë të tjera me një rezistencë të ashpër që tejkalon çdo përllogaritje të ftohtë politike.

12) Procesi i „dialogut“ ka mbetur peng për fajin e Serbisë!

Perceptimi: nr. 58. Rregulli themelor që buron nga rendi ndërkombëtar është se barazia sovrane ndërmjet palëve, pavarësisht madhësisë, fuqisë ushtarake apo ndikimit politik, përbën një shtyllë kyçe të legjitimitetit global. Ky parim ushqen pritshmërinë se çdo shtet, përfshirë edhe ato më të voglat si Kosova, duhet të trajtohet me respekt të barabartë në tavolinat ndërkombëtare, duke e konsideruar sovranitetin jo si privilegj të më të fuqishmit, por si të drejtë të patjetërsueshme të çdo subjekti shtetëror. Në fjalorin politik të katërvjeçarit të fundit, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, është konsoliduar një perceptim i ri, i ndërtuar mbi zhvendosjen dramatike nga marrëdhënia dikur e konsideruar si e paprekshme, strategjike dhe simbolikisht e shenjtë”, drejt një klime të tensionuar, me mosbesim të ndërsjellë dhe polarizim të thellë në diskursin publik. Kjo zhvendosje ka ndikuar jo vetëm në ndarjen e qëndrimeve mes aktorëve politikë, por edhe në vetë mënyrën se si qytetarët e perceptojnë miqtë tradicionalë dhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në jetën politike dhe shtetformuese të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës nuk janë fajtorët në këtë situatë, dhe reagimi i tyre institucional shpesh është bërë si kundërpërgjigje ndaj strukturave paralele të Serbisë dhe marrëveshjeve të dëmshme të së kaluarës. Një tjetër pikë që ka ngjallur debat është ajo që lidhet me veprimet e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të vendit, që siç u cilësuan pas lufte, se janë të banuar me shumicë serbe. Këto veprime, përfshirë ndërhyrjen në mbylljen e strukturave të ashtuquajtura “paralele” të Serbisë, janë interpretuar, padrejtësisht, nga disa partnerë ndërkombëtarë si të njëanshme dhe potencialisht nxitëse të tensioneve ndëretnike. Megjithatë, duhet theksuar se këto struktura kanë vepruar për vite të tëra në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me çdo standard të sovranitetit shtetëror, ndërkohë që marrëveshjet e së kaluarës, të nënshkruara nga qeveritë paraprake, i kanë toleruar, madje i kanë legalizuar në forma të ndryshme, shpesh nën presion ndërkombëtar. Në këtë kuptim, veprimet aktuale të institucioneve të Kosovës nuk duhet parë si mungesë partneriteti, por si përpjekje për të korrigjuar padrejtësitë strukturore të trashëguara, të cilat për një kohë të gjatë kanë cenuar integritetin territorial dhe funksionimin institucional të shtetit të Kosovës. Kritikët që i lexojnë këto veprime si “të papërgjegjshme” shpesh nuk marrin parasysh realitetin se Kosova ka qenë për vite viktimë e një sistemi paralel të dirigjuar nga Beogradi, i cili ka refuzuar integrimin dhe ka minuar shtetin nga brenda. Sa i përket trajtimit të komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb, është me rëndësi të theksohet se institucionet e Kosovës janë të obliguara të mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve në përputhje me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Por kjo nuk nënkupton tolerimin e strukturave që veprojnë jashtë rendit kushtetues. Kritikat për mungesë mase kompensuese apo koordinimi nuk mund të shërbejnë si justifikim për vazhdimin e një gjendjeje anormale, ku komuniteti serb organizohet politikisht dhe administrativisht në varësi direkte të një shteti tjetër. Një tjetër aspekt është procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, ndonëse i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA, ka mbetur peng i marrëveshjeve të kaluara të dëmshme, shumë prej të cilave janë nënshkruar nga qeveritë e Kosovës që kanë pranuar kushte të pabarabarta, shpesh pa konsultim publik dhe pa analiza të ndikimit afatgjatë. Sot, kur autoritetet aktuale kërkojnë qasje të drejtë dhe reciprocitet real, kjo po interpretohet si bllokim i dialogut, ndërkohë që bllokuesit realë janë ata që refuzojnë njohjen, pengojnë implementimin e marrëveshjeve në mënyrë të ndershme dhe përdorin procesin si mjet shantazhi politik.

13) Pasojat në raport me mardhëniet me Bashkimin Evropian…

Nëse një shtet nuk gëzon kompetencë të plotë sovrane për të ushtruar pushtetin e tij të brendshëm në mënyrë të lirë dhe të papenguar nga struktura të jashtme apo mekanizma të imponuar, atëherë aftësia e tij për të përmbushur kriteret themelore për anëtarësim në Bashkimin Evropian; të njohura si Kriteret e Kopenhagës, bëhet e kufizuar jo si pasojë e paaftësisë institucionale, por si rezultat i një kornize të deformuar juridike që e pengon funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Këto kritere, të cilat përfshijnë funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin efektiv të ligjit, ndërtimin e një administrate publike funksionale dhe të qëndrueshme, si dhe kapacitetin për të përballuar presionet e anëtarësimit dhe për të zbatuar në mënyrë të integruar legjislacionin e Bashkimit Evropian (acquis communautaire), janë parime bazë që çdo shtet kandidat duhet t’i përmbushë në mënyrë të pavarur dhe sovrane. Megjithatë, në rastin e Kosovës, situata paraqitet si një paradoks i rëndë juridik dhe politik, pasi ky shtet, ndonëse i njohur ndërkombëtarisht dhe me përkushtim deklarativ ndaj integrimit evropian, nuk gëzonte (dhe ende nuk po gëzon) kapacitetin e plotë juridik për të zbatuar ligjet dhe standardet e BE-së në të gjithë territorin e tij, për shkak të ekzistencës së strukturave paralele të kontrolluara nga Serbia dhe mekanizmave të brendshëm bllokues, siç është rasti i votës së dyfishtë në Kuvendin e Kosovës, e cila i jep pakicës serbe të drejtën e vetos mbi ligjet që kanë të bëjnë me çështjet thelbësore të funksionimit institucional. Për më tepër, administrata publike në Kosovë është e kufizuar në aftësinë e saj për të ndërtuar politika afatgjata zhvillimore dhe integruese në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në veri të vendit, pasi këto zona ndodhen de facto nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit dhe jo nën autoritetin legjitim të institucioneve të Prishtinës, duke e bërë kështu të pamundur jo vetëm integrimin funksional të territorit, por edhe zbatimin praktik të politikave shtetërore. Si rrjedhojë, fondet dhe instrumentet financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ato që ofrohen nëpërmjet mekanizmave të IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit), nuk mund të implementohen në mënyrë të plotë e të barabartë në të gjithë territorin e Kosovës, për shkak të mungesës së kontrollit juridik dhe administrativ, çka përbën një pengesë serioze për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian. Kjo situatë e ndërlikuar dhe e padrejtë krijon një realitet absurd, në të cilin Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova përmbushjen e standardeve që në praktikë nuk i lejohet t’i përmbushë, ndërkohë që Serbia, që në mënyrë të qëllimshme i mban peng këto procese përmes strukturave të veta, dhe partisë politike „Lista Serbe“ me seli në Kosovë, dhe jo vetëm që nuk përballet me pasoja konkrete, por për më tepër trajtohet si palë konstruktive dhe përfiton politikisht e ekonomikisht nga vetë procesi i integrimit. Për pasojë, në rrethanat aktuale, a mund të themi se Kosova nuk është sovrane në kuptimin e plotë juridik dhe funksional të fjalës, pasi nuk ka kapacitet të pavarur për të ndërtuar një shtet ligjor dhe funksional në gjithë territorin e saj, dhe për rrjedhojë, nuk mund të implementojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të barabartë standardet që kërkon Bashkimi Evropian?… Pra, jo për shkak të mungesës së vullnetit politik apo institucional, por si rezultat i drejtpërdrejtë i strukturave penguese, të cilat janë sanksionuar përmes një kornize kushtetuese dhe marrëveshjesh ndërkombëtare të imponuara, të cilat i kanë dhënë pakicës serbe mekanizma disproporcionalë të kontrollit mbi proceset vendimmarrëse në shtet. Ky realitet, i cili i shkel parimet më të rëndësishme të barazisë mes shteteve dhe vetë filozofinë e integrimit evropian, përbën një dështim të qartë të multilateralizmit ndërkombëtar, që në rastin e Kosovës jo vetëm që ka dështuar të ndërtojë një rend funksional dhe të drejtë, por përkundrazi, ka krijuar një kornizë juridike dhe politike që kufizon sovranitetin e shumicës shqiptare, dhe po i imponon një model të paprecedent në rajon dhe në Evropë, dhe në fund e detyron një shtet të njohur ndërkombëtarisht të funksionojë në mënyrë të cunguar; juridikisht, politikisht dhe institucionalisht, duke e lënë atë në pozitën e një subjekti të varur dhe të kushtëzuar në mënyrë të padrejtë nga aktorë të jashtëm që veprojnë përmes mekanizmave të brendshëm.
*Sqarim: Përballë logjikës që e shndërroi dialogun me Serbinë në një akt nënshtrimi të heshtur e të turpshëm, ku përfaqësuesit shqiptarë dukeshin më shumë si emisarë të vullnetit të palës tjetër sesa zëra të ligjshëm të popullit të tyre, lind natyrshëm nevoja për të projektuar një vizion tjetër të denjë, të ndershëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për avancimin e çështjes kombëtare. Në këtë kuptim, Integrimi i Brendshëm Shqiptaro-Shqiptar, si një projekt politik, juridik dhe institucional, nuk përbën as nostalgji, as provokim, por përfaqëson një domosdoshmëri historike dhe një mundësi realiste, e ndërtuar mbi parimet themelore të vetë Bashkimit Evropian: liria e lëvizjes, e drejta për vetëvendosje demokratike, mekanizmat e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ruajtja e identiteteve kulturore në kuadër të një bashkësie më të madhe vlerash. Ky projekt nuk kërkon ndryshim të kufijve dhe as cenim të rendit ndërkombëtar, por ndërtim të institucioneve të përbashkëta, që operojnë në përputhje me ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, të cilat u japin shqiptarëve kudo që janë, jo vetëm ndjenjën e një përkatësie të thellë kulturore dhe historike, por edhe instrumentet konkrete për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, të mbështetur mbi themelet e sundimit të ligjit, barazisë para drejtësisë, lirisë së shprehjes, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe një demokracie funksionale që përfshin, pa përjashtuar askënd. Ky integrim i brendshëm nuk vjen si sakrificë ndaj tjetrit, por si përgjigje ndaj vetes dhe jo si një akt përmbyllës i së kaluarës, por si një hap i guximshëm drejt një të ardhmeje që nuk i nënshtrohet as frikës, as nostalgjisë, por ndërtohet mbi reformën, bashkëpunimin dhe vetëdijen, se kombi nuk është një nocion i mbyllur në kufij, por një bashkësi vlerash që meriton të funksionojë si e tillë, me dinjitet dhe me gjithëpërfshirje. Pikërisht për këtë arsye, e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan nuk mund të ndërtohet më mbi ndarje të reja e negociata të nënshtetësisë, por mbi integrim të brendshëm, me vizion evropian dhe mbështetje ndërkombëtare, pra me një integrim që nuk përjashton të tjerët, por që e shikon bashkëpunimin ndërshqiptar si themel për paqe të qëndrueshme, zhvillim gjithëpërfshirës dhe forcim të demokracisë në mbarë rajonin. Ky  rrugëtim duhet të sqarohet qartë edhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe strategjikë; SHBA-së, BE-së dhe NATO-s. (Më 14.09.2025.              

14) Shkelja e parimit të barazisë ndërmjet palëve në të gjitha marrëveshjet!

Përceptimi: (Dh). „Një nga perceptimet më themelore që mbështet rendin ndërkombëtar është se barazia sovrane e palëve përbën një parim themelor, mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet ndërkombëtare legjitime. Ky perceptim nënkupton se çdo shtet, pavarësisht nga madhësia, fuqia ekonomike apo ndikimi gjeopolitik, ka të drejtë të trajtohet në mënyrë të barabartë në sistemin global, si subjekt i barabartë i së drejtës ndërkombëtare dhe vendimmarrjes multilaterale.“

1) Një nga shtyllat më themelore të rendit ndërkombëtar është parimi i barazisë sovrane të palëve, i sanksionuar qartë në nenin 2. (1) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili ndalon çdo marrëdhënie ndërmjet shteteve dhe subjekteve ndërkombëtare që imponohet në mënyrë të njëanshme, pa pëlqim të lirë, të ndërgjegjshëm dhe të barabartë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se neni 52 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969) e shpall juridikisht të pavlefshme çdo marrëveshje ndërkombëtare, e cila është arritur “nën kërcënim ose përdorim force, në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare të përfshira në Kartën e OKB-së“. Në rastin e Kosovës, shumë nga marrëveshjet e arritura me Serbinë nuk janë fryt i një dialogu të lirë dhe të ekuilibruar, por produkt i presionit të drejtpërdrejtë diplomatik, shpesh të strukturuar mbi kërcënime të natyrës politike, si: ndërprerja e ndihmës financiare, izolimi ndërkombëtar, apo pengimi i njohjeve dhe integrimeve. Kjo e mohon ekzistencën e një reciprociteti të vërtetë, dhe për pasojë, shumë nga marrëveshjet e firmosura nuk janë të barabarta juridikisht, as nuk pasqyrojnë interesat reale të palëve, por favorizojnë palën serbe si rezultat i një strukture të pabalancuar negociuese.
2) Shkelja sistematike e të drejtave themelore dhe standardeve të BE-së. Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi një bazë të qartë vlerash dhe standardesh juridike që janë të panegociueshme për çdo shtet apo entitet që aspiron integrimin në këtë organizatë. Një prej këtyre është Neni 21 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, i cili ndalon në mënyrë eksplicite çdo formë të diskriminimit, përfshirë atë mbi bazë etnike, kombëtare apo politike, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët brenda një shteti apo territori. Megjithatë, marrëveshjet që janë arritur me Serbinë, veçanërisht për „Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe“, i japin privilegje të jashtëzakonshme dhe të pakushtëzuara një komuniteti të vetëm, në këtë rast komunitetit serb në Kosovë, pa vendosur asnjë lloj balancimi për komunitetet tjera, përfshirë shumicën shqiptare. Kjo bie ndesh me parimin e proporcionalitetit dhe reciprocitetit, që është themelor në të drejtën kontraktuale evropiane, sipas së cilës çdo përfitim duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe barazi në trajtim institucional.
Në praktikë, Serbia ka përfituar nga këto marrëveshje për të forcuar strukturat e saj politike dhe administrative brenda Kosovës, pa ofruar njohje të shtetit të Kosovës, pa e ndalur fushatën e mosnjohjeve, dhe pa i integruar plotësisht qytetarët serbë në institucionet e Kosovës. Ky çekuilibër i thellë përbën shkelje të parimeve themelore të „acquis communautaire“ të BE-së, të cilat Kosova është e detyruar t’i respektojë si vend kandidat potencial.
3) Instrumentalizimi politik i marrëveshjeve për qëllime destabilizimi. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përdorimi politik i këtyre marrëveshjeve nga Serbia përmes Listës Serbe, një subjekt politik që vepron formalisht brenda sistemit demokratik të Kosovës, por që në praktikë është instrument i kontrolluar nga Beogradi, dhe që në mënyrë të vazhdueshme punon për të sabotuar institucionet shtetërore të Kosovës, sidomos në pjesën veriore të vendit. Ky lloj instrumentalizimi shkon në kundërshtim flagrant me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila thekson qartë nevojën për funksionim të plotë të institucioneve demokratike, respekt të sundimit të ligjit, dhe zbatim të ligjeve të brendshme pa pengesa politike. Për më tepër, kjo sjellje bie ndesh edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht me nenin 2 (që garanton sovranitetin popullor) dhe nenin 3 (që përcakton integritetin territorial dhe rendin kushtetues).
4) Përgjegjësia politike dhe juridike që nga paslufta e këndej, e udhëheqësve shtetërorë shqiptarë në Kosovë! Pjesa më shqetësuese e gjithë këtij procesi është se shumica e marrëveshjeve të njëanshme janë pranuar, nënshkruar ose zbatuar nga vetë udhëheqësit politikë të Kosovës, të cilët, për interesa afatshkurtra politike, për qëndrueshmëri në pushtet apo për përfitime personale, kanë bërë kompromise të thella mbi themelet e sovranitetit dhe interesit publik. Sipas nenit 2 të Kushtetutës së Kosovës, pushteti buron nga populli dhe i takon vetëm atij. Kjo do të thotë se çdo veprim politik që bie ndesh me vullnetin e popullit dhe dëmton interesin e përgjithshëm, mund të cilësohet si antikushtetues në frymë, edhe nëse është miratuar formalisht nëpërmjet mekanizmave institucionalë. Kjo mbart edhe përgjegjësi politike dhe morale, që në të ardhmen mund të evoluojë në përgjegjësi juridike, nëse konstatohet se është cenuar rendi kushtetues ose është dëmtuar pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës.
5) Përfundim i vendimeve juridike dhe e drejta për rivlerësim dhe anulim të marrëveshjeve të padrejta në të kaluarën. Duke u mbështetur në Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, veçanërisht nenin 52, çdo marrëveshje që është nënshkruar nën presion politik, pa vullnet të lirë dhe që shkakton çekuilibër të rëndë ndërmjet palëve, është juridikisht e kontestueshme dhe mund të jetë e pavlefshme. Po ashtu, duke marrë parasysh jurisprudencën ndërkombëtare dhe praktikat e BE-së, çdo marrëveshje që prodhon pasoja të dëmshme për funksionimin e institucioneve, cenon barazinë ndërkomunitare, ose favorizon një palë në mënyrë disproporcionale, mund të rishqyrtohet, modifikohet ose anulohet për shkak të ndryshimit të rrethanave themelore (clausula rebus sic stantibus = Pra, ajo lejon rishikimin ose prishjen e marrëveshjes, nëse ndryshimi i rrethanave e bën të padrejtë ose të papranueshme vazhdimin e saj.). Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë legjitime dhe të mbrojtur ndërkombëtarisht që të kërkojë rishikimin e marrëveshjeve të tilla dhe të ndërtojë një kuadër të ri dialogu që bazohet në parime të qarta të barazisë, të drejtës për vetëvendosje dhe të integritetit të brendshëm shtetëror, ashtu siç kërkohet nga standardet themelore të Bashkimit Evropian dhe të së drejtës ndërkombëtare publike. Pra, çështja e kushtëzimit të Kushtetutës së Kosovës me terminologji si “shtet multietnik” dhe mekanizmat që burojnë nga kjo logjikë politike-juridike përbëjnë një nga keqinterpretimet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare në praktikë.

15) Kufizime të legjitimuara nën hijen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

 

Kosova, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ndonëse e njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe me përkushtim formal ndaj integrimit evropian, në praktikë nuk po gëzon kompetencë të plotë sovrane për të ushtruar autoritetin shtetëror në mënyrë të pavarur, sidomos në fushat kyçe që lidhen me ndërtimin e një shteti funksional dhe implementimin e politikave evropiane, për shkak të kufizimeve që burojnë nga korniza kushtetuese e imponuar përmes „Planit të Ahtisaarit“ dhe marrëveshjeve të njëanshme të nënshkruara me Serbinë në dekadën e fundit. Këto kufizime, të cilat janë institucionalizuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe janë legjitimuar ndërkombëtarisht përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i japin pakicës serbe mekanizma disproporcionalë të ndikimit politik, përfshirë të drejtën e vetos përmes votës së dyfishtë në Kuvend, kompetenca të veçanta përmes „Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe“ dhe kapacitete penguese në raport me funksionimin e institucioneve qendrore në territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore. Si rezultat i kësaj strukture të shtrembëruar juridike, Kosova shpesh paraqitet në arenën ndërkombëtare si një subjekt juridik i paplotë dhe politikisht i brishtë, gjë që shfrytëzohet në mënyrë sistematike nga Serbia për të kontestuar sovranitetin e saj, për të zbehur legjitimitetin e saj si shtet dhe për ta penguar në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
Për rrjedhojë, Kosova gjendet përballë një paradoksi të thellë: nga njëra anë, synon të jetë partnere e barabartë në procesin e integrimit evropian, ndërsa nga ana tjetër, nuk ka kapacitet të plotë institucional e juridik për të pranuar në mënyrë funksionale administratën dhe politikat e Bashkimit Evropian, pikërisht për shkak të pengesave që burojnë nga një sovranitet i cunguar, i cili në pjesë të rëndësishme të territorit dhe të legjislacionit mbetet i kushtëzuar nga strukturat paralele (dhe partitë serbe) që veprojnë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit. Bashkimi Evropian, si organizatë që operon mbi bazën e parimeve të së drejtës dhe të barazisë ndërmjet shteteve anëtare dhe aspiruese, kërkon që çdo vend kandidat të demonstrojë ekzistencën e institucioneve demokratike funksionale, të zbatojë sundimin e ligjit, të ketë administratë të qëndrueshme publike dhe të jetë në gjendje të adoptojë dhe të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme „acquis communautaire“ = (prishjen e marrëveshjeve) në gjithë territorin e vet, por në rastin e Kosovës, këto standarde nuk mund të përmbushen plotësisht jo për shkak të mungesës së vullnetit politik apo të aftësisë teknike, por për shkak të pengesave të brendshme që burojnë nga një kornizë kushtetuese e ndërtuar mbi logjika politike të imponuara, e cila i jep Serbisë dhe pakicës serbe mundësi reale për të penguar, bllokuar dhe delegjitimuar çdo hap drejt funksionalitetit shtetëror.
Për më tepër, derisa Bashkimi Evropian ofron asistencë financiare përmes instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA) dhe fondeve të tjera zhvillimore, të cilat në teori synojnë të ndihmojnë ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe përgatitjen e shtetit për integrim të plotë, në praktikë këto fonde nuk mund të absorbohen në mënyrë të barabartë dhe të efektshme nga Kosova për shkak të mungesës së kontrollit të plotë mbi territorin dhe për shkak të dobësisë juridike të administratës për të implementuar projektet në zona të caktuara, veçanërisht në komunat me shumicë serbe. Kjo bën që ndihma financiare e BE-së, në vend që të perceptohet si një instrument i zhvillimit dhe i përgatitjes për anëtarësim, shpesh të përjetohet si një formë “mëshire financiare”, e lidhur me një marrëdhënie jo të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në të cilën Kosova nuk trajtohet si një subjekt me kapacitete të plota sovrane, por si një entitet, i cili ende nuk është i lirë për të menaxhuar resurset dhe politikat e veta në përputhje me nevojat e qytetarëve të saj. Në disa raste, Serbia ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë për të penguar qasjen e Kosovës në fonde të caktuara të BE-së, duke e portretizuar atë në instanca ndërkombëtare si një “territor të kontestuar” dhe jo si shtet të barabartë e të pavarur, gjë që e thellon edhe më shumë pozicionin e pabarabartë të Kosovës në raport me BE-në dhe me vendet e tjera të rajonit.
Ky realitet, përveçse politikisht i padrejtë, përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të vetë Bashkimit Evropian, përfshirë parimin e funksionimit të shtetit ligjor të sanksionuar në nenin 2 të Traktatit të BE-së, parimin e barazisë ndërmjet partnerëve në procesin e anëtarësimit dhe, mbi të gjitha, kërkesën themelore të Kriterit të Kopenhagës të vitit 1993, që kërkon nga çdo shtet aspirues që të ketë institucione stabile dhe të qëndrueshme që garantojnë demokraci efektive, të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit. Në rastin e Kosovës, për shkak të mekanizmave të imponuar dhe realitetit të kufizuar të funksionimit shtetëror, ky kriter nuk mund të përmbushet në mënyrë të plotë, gjë që vendos në pikëpyetje jo vetëm drejtësinë e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe BE-së, por edhe legjitimitetin e vetë parimeve mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Në fakt, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e mësipërme, është e qartë se Kosova nuk ka aftësi të plotë juridike dhe administrative për të pranuar dhe implementuar administratën e Bashkimit Evropian si një shtet i barabartë, për shkak të një sovraniteti të cunguar që rrjedh nga korniza kushtetuese e imponuar dhe marrëveshjet politike të njëanshme, që në vend se të fuqizojnë institucionet e Kosovës, i kanë dobësuar ato dhe e kanë vendosur shtetin në një pozitë të varësisë së dyfishtë: nga njëra anë, ndaj strukturave të brendshme penguese të kontrolluara nga Serbia, dhe nga ana tjetër, ndaj burokracisë evropiane që nuk e adreson në mënyrë të barabartë problemin e pabarazisë strukturore. Në këtë mënyrë, ndihma financiare dhe teknike që vjen nga BE-ja, në mungesë të një sovraniteti real dhe të pakushtëzuar, nuk mund të shndërrohet në instrument të ndërtimit të shtetit, por mbetet një mekanizëm i kufizuar në efektivitetin e vet. Ndërkohë, Kosova mbetet një shtet që, edhe pse juridikisht i njohur, funksionon si një entitet politikisht i kufizuar, juridikisht i paqëndrueshëm dhe institucionalisht i penguar të afrohet në mënyrë të barabartë me Bashkimin Evropian.

16) Korigjimi i gabimeve është i kushtueshëm!

Përceptimi nr. 62. „Korrigjimi i gabimeve në politikë, diplomaci apo procese shtetformuese nuk është vetëm një akt teknik apo formal, por ai përfaqëson një proces të ndërlikuar që kërkon kohë, burime, përpjekje të shtuara dhe shpesh edhe kosto politike apo morale. Sa më i madh gabimi, aq më e lartë është barra për ta përmirësuar atë…, sepse korrigjimi nënkupton jo vetëm pranimin e përgjegjësisë, por edhe përballjen me pasojat, riparimin e dëmeve dhe ndërtimin e besimit të humbur. Në këtë kuptim, korrigjimi i gabimeve është një investim i vonuar në të vërtetën dhe drejtësinë, që shpesh vjen me çmim të lartë institucional, ndërkombëtar dhe shoqëror. Aktualisht a është Kosova në këtë situatë?…“
Gabimet në negociatat me Serbinë mbetën të kushtueshme… Për vite me radhë, Kosova ka bërë lëshime të njëanshme në dialogun me Serbinë, shpesh pa garanci të mjaftueshme ndërkombëtare dhe pa një strategji të qartë kombëtare. Pranimi i marrëveshjeve të paqarta ose të pashoqëruara me zbatim të ndershëm ka sjellë një çmim të vonuar, sepse sot, çdo përpjekje për të rikthyer balancën shihet si “moskooperim” ose “obstruksion”, duke vendosur Kosovën në pozitë të pafavorshme diplomatike.“ Unë mund të them me bindje të shumë fakteve juridike, se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë para, gjatë apo pas luftës, kanë qenë të karakterizuara nga pabarazia thelbësore, presioni ndërkombëtar, imponimi i agjendave të huaja, dhe mbi të gjitha, nga një strukturë negociuese që ka favorizuar vazhdimisht Serbinë, si palë më e përgatitur dhe më e mbështetur në arenën ndërkombëtare. Në vend që këto marrëveshje të prodhonin drejtësi për viktimat, njohje për palën e shtypur dhe barazi reale midis dy palëve, ato kanë shërbyer si mjete për zgjatjen e ndikimit të Serbisë mbi Kosovën, si dhe për ndërtimin e një sistemi paralel ndikimi politik e juridik brenda institucioneve të Kosovës. Për më tepër, marrëveshjet janë përdorur nga Serbia si mjet për të ushtruar kontroll të heshtur por efektiv mbi territore dhe popullsi brenda Kosovës, duke i legjitimuar strukturat e saj ilegale në veri, dhe duke e përdorur mospërmbushjen e tyre si justifikim për të sabotuar dialogun dhe për të penguar procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Është paradoksale që Kosova, si viktimë e agresionit ushtarak, gjenocidit dhe dëbimeve masive, të përfundoi në një pozitë ku, në emër të “kompromisit” dhe “normalizimit”, i pranoi marrëveshje të cilat në vend që të shërbenin për ndërtimin e një paqeje të drejtë, i dhanë Serbisë të drejtën morale dhe juridike për të kërkuar reciprocitet në emër të një barazie të rreme. Në fakt, kjo “barazi” e supozuar është vetëm një mashtrim diplomatik, që maskon raportin real të forcave, ku Serbia është agresori, ndërsa Kosova është viktima që ende po përpiqet të mbijetojë në një sistem ndërkombëtar që shpesh mbyll sytë ndaj padrejtësive historike. Për rrjedhojë, shteti i Kosovës, institucionet e tij dhe vetë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë, madje edhe detyrim moral, që këto marrëveshje t’i rivlerësojnë, jo si akte tëstabilitetit”, por si dokumente që kanë shkaktuar cenim të sovranitetit, rrënim të barazisë ndërkombëtare dhe shtrembërim të së drejtës historike të shqiptarëve për pavarësi të plotë. Nëse këto marrëveshje vazhdojnë të zbatohen si janë sot, pa analizë kritike, pa kërkesa për barazi reale, dhe pa kushtëzim të fortë ndaj Serbisë për njohje, drejtësi dhe rikorigjim, rreziku më i madh nuk ishte vetëm destabilizimi i Kosovës, por vazhdon të mbetët bllokimi i funksionalitetit të Kosovës përmes procedurave ngërqë nga tensionet afatshkurtra të brendshme. Kjo situatë mund të lexohet se konfirmohet në vazhdimësi legjitimimi i një modeli, ku krimi amnestohet, viktima heshtet, dhe agresori shpërblehet. Në këtë kuptim, për të dalë nga ky cikël i pabarazisë së institucionalizuar, Kosova ka nevojë për:
1) Një strategji të re diplomatike që i jep fund pozicionit të nënshtruar në tryezat ndërkombëtare;
2) Një auditim të plotë dhe publik të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, bashkë me transparencë për pasojat që ato kanë prodhuar;
3) Një kërkesë zyrtare për rishikimin e tyre në dritën e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës për pavarësi, si dhe;
4) Një reformë të brendshme politike, që largon nga skena ata aktorë që në të kaluarën i kanë bërë këto kompromise në emër të stabilitetit të rremë (ku shumë prej tyre ende janë aktive në partitë politike në Kosovë).
Vetëm përmes një qasjeje të re, të drejtë dhe të pavarur, Kosova mund të rifitojë pozicionin që i takon, atë të një shteti sovran, të dalë nga një luftë çlirimtare, që nuk kërkon hakmarrje, por nuk pranon më as padrejtësi, as heshtje, dhe as nënshtrim në emër të “paqes”.
marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur imponim, edhe nga agjendat e huaja jozyrtare. Të dhënat i referohen atyre proceseve negociatore, deklaratave politike ose marrëveshjeve të (pa) shkruara që zhvillohen jashtë kornizave të institucioneve zyrtare ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo NATO, dhe që shpeshherë udhëhiqen, nxisin apo ndikohen nga interesa strategjike, politike, ekonomike apo gjeopolitike të aktorëve të tjerë shtetërorë apo joshtetërorë me ndikim rajonal ose global. Këta aktorë, të cilët nuk janë domosdoshmërisht pjesë e strukturave perëndimore ose të orientuara kah vlerat demokratike liberale, mund të kenë vepruar përmes diplomacisë joformale, ndikimit mediatik, rrjeteve të inteligjencës, lobizmit ekonomik apo përmes lidhjeve të thella politike me individë ose grupe brenda dy vendeve, me qëllim që të ndikojnë rrjedhën e dialogut, dhe të kushtëzojnë rezultatin e tij, apo të minojnë konsensusin ndërkombëtar për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ky imponim shpesh është paraqitur, në mënyrë të fshehtë, indirekte ose nën petkun e “neutralitetit” politik, por në esencë përfaqëson përpjekje për të ri-konfiguruar raportet e forcës në Ballkan, në kundërshtim me interesat e stabilitetit afatgjatë dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare që përkrahin integritetin territorial dhe të drejtën e pavarësisë së popujve.
Kur gjuha e diplomacisë nuk flet, por lëviz
SHBA-të janë të vetëdijshme se problemi kryesor i rajonit qëndron në Beograd. Por paralelisht nga ky fakt, ato janë të zhgënjyera edhe me partnerët shqiptarë, të cilët në vend që të forcojnë aleancat, shpesh i marrin ato si të mirëqena ose i rrezikojnë për arsye të brendshme politike.
Në një kohë kur diplomacia globale është bërë më shumë një art i leximit të nuancave sesa i deklaratave të drejtpërdrejta, ku lëvizja e një figure politike nga një sallë takimi ka më shumë peshë se një komunikatë zyrtare, dhe ku heshtja e një lideri botëror ndaj një fjale publike shndërrohet në mesazh me tone të larta, është gjithnjë më e domosdoshme që zhvillimet në Ballkan të interpretohen „jo vetëm përmes lenteve lokale“, por në kontekstin më të gjerë të raportit strategjik që rajoni mban me fuqitë kryesore të botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme, të theksuara e të përsëritura, të klasës politike shqiptare  si në Kosovë, ku arroganca në komunikim dhe mungesa e koordinimit institucional me aleatët strategjikë kanë prodhuar tensione të panevojshme dhe shpesh të vetëkrijuara, ashtu edhe në Shqipëri, ku perceptimi për qeverisje të centralizuar dhe të kapur ka zbehur besimin në përfaqësimin demokratik, tani më një gjë është e qartë se: administrata dhe institucionet amerikane nuk janë as naive, as të verbra përballë burimeve reale të destabilizimit në rajon. Në analizat e brendshme të diplomacisë amerikane, në raportet e agjencive të inteligjencës dhe në qëndrimet gjithnjë e më të artikuluara të zyrtarëve të lartë, Beogradi, por edhe në mënyrë të veçantë presidenti Aleksandar Vuçiq, shihet si një aktor me prirje të dyfishta, që në njërën anë flet për stabilitet e integrim, por në anën tjetër flirton haptazi me ambiciet ruse dhe interesat kineze, duke ndërtuar një gjeopolitikë të errët, ku Ballkani paraqitet si një zonë gri e interesave të përplasura. Kjo nuk është më një përceptim hipotetik. Është realitet i konfirmuar edhe në nivel protokollar.
Dështimi i klasës politike shqiptare” pasqyron gjendjen e brendshme në Kosovë dhe Shqipëri, ku pavarësisht mbështetjes së fortë që kanë pasur ndër vite nga SHBA dhe BE, elitat politike kanë dështuar të ruajnë koherencën, dinjitetin institucional dhe bashkëpunimin strategjik me aleatët, duke u zhytur në retorika nacionaliste, përçarje të brendshme dhe paaftësi për të menaxhuar momentet kritike me maturi shtetërore.

Kur fjala nuk dëgjohet, por nga fytyra lexohen sinjalet e ftohta ndaj Vuçiqit!
Një nga mënyrat më të qarta për të kuptuar se si e lexon diplomacia amerikane sjelljen e liderëve ballkanikë, është të vëzhgosh jo vetëm atë që ata thonë, por se kush i dëgjon, kush rri në sallë dhe kush largohet. Në dy raste të ndryshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përballur me një injorim të hapur nga SHBA-të, jo përmes fjalëve, por përmes heshtjes simbolike që diplomacia e përdor vetëm kur është e bindur për mesazhin që po jep. Në një vizitë të mëparshme në Shtetet e Bashkuara, Vuçiq kërkoi takim në nivel të lartë, por kërkesa e tij u refuzua. Edhe pse kjo ngjarje nuk mori shumë vëmendje mediatike, për Beogradin dhe për çdo kënd që njeh peshën e protokollit diplomatik amerikan, pasi në fakt ky ishte një sinjal i qartë mospërfilljeje. Por, akoma më domethënës ishte momenti i fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2025, kur, sapo Vuçiq mori fjalën, përfaqësuesi më i lartë i administratës amerikane, pra vetë presidenti Trump, u ngrit dhe doli nga salla, i ndjekur nga personalitete ndërkombëtare të kalibrit të lartë. Ky akt, i heshtur në formë, por i zhurmshëm në përmbajtje, nuk është thjesht inat politik. Është një formë “dëbimi diplomatik” që i ndodh vetëm atyre liderëve të cilët nuk kanë më kredibilitet në sytë e aleatëve perëndimorë. Dhe kjo sjellje ndaj Vuçiqit, e përsëritur dhe e qëllimshme, flet qartë për zhgënjimin dhe mosbesimin e SHBA-ve ndaj një figure që prej vitesh ka ndërtuar një politikë të dyfishtë: paraqitje konstruktive në skenën ndërkombëtare, por veprime destruktive në terren.
Rigorozitet pa barazi morale me Serbinë: Është e pamohueshme që SHBA-të kanë qenë shumë kritike ndaj qeverisë së Kosovës, veçanërisht ndaj mënyrës se si është menaxhuar çështja e veriut, „ndaj mungesës së sinqeritetit në komunikim dhe ndaj mospërfilljes së paralajmërimeve diplomatike“. Megjithatë, është thelbësore të kuptohet se këto kritika nuk vijnë nga një pozitë barazimi mes Kosovës dhe Serbisë, sepse SHBA-të e dinë shumë mirë që Kosova, përkundër gabimeve të brendshme, është një partner i lindur nga vullneti perëndimor dhe që, në thelb, mbetet shtet properëndimor, ndërsa Serbia, në mënyrë të vetëdijshme dhe me strategji të mirëkalkuluar, po e zhvendos orientimin e saj politik dhe ushtarak drejt boshtit Lindor. Në këtë kontekst, SHBA e kupton se Kosova është një shtet i brishtë që bën gabime, por që nuk e mohon aleancën, ndërsa Serbia është një shtet i fortë që me vetëdije zgjedh të luajë rolin e kalit të Trojës në Ballkan, duke pranuar ndihmën e Perëndimit, por duke ndjekur strategjitë e Kremlinit dhe Pekinit.
Në diplomaci, edhe heshtja flet: Në një realitet politik ku gjestet e heshtura peshojnë më shumë se deklaratat publike, ku çdo takim i munguar është një refuzim i zhurmshëm, dhe ku çdo dalje nga salla është një votë mosbesimi ndaj folësit, qëndrimi i SHBA-së ndaj Aleksandar Vuçiqit nuk është më i fshehur, as i dykuptimtë, por një qëndrim i qartë, i ftohtë dhe i qëllimshëm. Në të njëjtën kohë, politika shqiptare, në të dy anët e kufirit, duhet të kuptojë se partneriteteti nuk ndërtohen me monologje të brendshme dhe me retorikë për konsum elektoral, por me bashkëpunim të qëndrueshëm, besim të ndërsjellë dhe përgjegjësi të lartë shtetërore në raport me miqtë historikë. Dhe, nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë, ndoshta një ditë, ashtu siç ndodhi me Vuçiqin, ne do ta shohim veten duke folur në një sallë të zbrazët, ku miqtë tanë nuk janë më për të na dëgjuar. Jo sepse nuk na kuptojnë, por sepse nuk mund të na besojnë…!
Një pasqyrë tjetër e politikës shqiptare dhe vendosmëria përballë nënshtrimit: Pavarësisht debatit të ashpër që ka shoqëruar qeverisjen e Albin Kurtit në raport me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këndvështrimin tjetër të reflektimeve, nuk mund të mohohet se për herë të parë pas luftës, në krye të institucioneve të Kosovës është shfaqur një palë shqiptare që, përkundër presioneve, ka vendosur ta zbatojë ligjin në gjithë territorin e Republikës, pa dallim etnie, dhe të rezistojë ndaj shantazhit të përhershëm serb, jo me retorikë boshe, por me akte konkrete shtetërore. Ky qëndrim, që ndonjëherë është interpretuar si kokëfortësi e panevojshme ndaj aleatëve, në fakt përfaqëson një largim të qartë nga vijat e kompromisit të pafund dhe shpesh të dhimbshëm që kanë karakterizuar marrëveshjet e kaluara, në të cilat politika shqiptare ka hyrë jo rrallëherë e gjunjëzuar, e frikësuar ose e shantazhuar nga Beogradi. Në këtë kontekst, Albin Kurti dhe qeveria e tij kanë krijuar një pasqyrë të re për mënyrën se si mund të mbrohet shteti, pra jo me retorikë emocionale, por me ligj, vendosmëri dhe parimësi, edhe nëse kjo ka sjellë përplasje të forta me partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një qasje që, ndonëse e kontestuar, ka fituar mbështetje të qëndrueshme në një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar, sepse për ta, sovraniteti nuk është vetëm flamur, por funksionim real i shtetit në çdo cep të vendit.
Në një kohë kur përballja mes politikës së qëndrueshme dhe lojërave destabilizuese në Ballkan ka marrë përmasa gjithnjë e më të qarta, një zhvillim i rëndësishëm që konfirmon kthjelltësinë strategjike të diplomacisë amerikane ishte pikërisht qëndrimi i fundit i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili në një akt protokollar domethënës dhe të qëllimshëm, refuzoi çdo komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e lënë të izoluar diplomatikisht gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork ndodhi një veprim që nuk përfaqësonte vetëm ftohje personale apo indiferencë momentale, por një deklaratë të heshtur të qartë, që përçon një mesazh të fortë se: SHBA e ka të qartë se kush është burimi real i destabilitetit në rajon, dhe nuk ka më iluzione për maskat politike që Beogradi përpiqet të mbajë në skenat ndërkombëtare. Ky akt, në thelb, është një validim indirekt, por tepër i fuqishëm, sidomos i atyre zërave shqiptarë që kanë kërkuar me këmbëngulje që politika rajonale të mos bazohet më në simetri të rreme mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që kanë theksuar se pa një qasje të drejtë dhe parimore ndaj agresionit diplomatik të Serbisë, asnjë stabilitet afatgjatë nuk mund të ndërtohet në Ballkan.

17) SHBA-të mbeten garancia më e qëndrueshme për sigurinë tonë…

Pavarësisht të gjithë faktorëve të përmendur më sipër, që nga mungesa e fleksibilitetit politik, krizat e brendshme, paaftësia për të ndërtuar institucione stabile e deri tek retorika nacionaliste që herë pas here ka ballafaquar hapur aleatët ndërkombëtarë, komunikimi dhe transparenca e pushtetarëve të Kosovës me diplomacinë amerikane nuk guxojnë kurrsesi të tensionohen, sepse raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm një aleancë strategjike në kuptimin tradicional, por një garanci historike e vetë ekzistencës dhe së ardhmes së çështjes shqiptare në rajon. Janë të shumta arsyet logjike, politike, diplomatike dhe historike që e bëjnë ruajtjen e këtij raporti jo thjesht të dëshirueshëm, por absolutisht të domosdoshëm. Të gjithëve na është e qartë se që nga fillimi, Shtetet e Bashkuara kanë qenë promotori kryesor i ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, mbështetësi më i fuqishëm i pavarësisë, dhe aleati më i zëshëm i shqiptarëve në forumet ndërkombëtare, në një kohë kur bota ende lëkundej në qëndrimin e saj ndaj të drejtës së Kosovës për pavarësi të plotë dhe të pakushtëzuar së dyti, përballë një Europe shpesh të ndarë dhe të paqëndrueshme në qëndrimet e saj, SHBA-të kanë qenë dhe mbeten garancia më e qëndrueshme për sigurinë, integritetin territorial dhe aspiratat euroatlantike të shqiptarëve në tërësi. Për këtë arsye, është e papranueshme që, nëse dikush nga klasa jonë politike, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, ka bërë gabime të rënda, apo edhe ka hyrë në marrëveshje që kanë toleruar tej mase Serbinë! Këto akte të papërgjegjshme të kthehen si bumerang diplomatik, që përkthehet në reaksione të pamatura, emocionale, madje ekstreme, të cilat vetëm sa e dëmtojnë më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe i japin Serbisë armën e “viktimizimit” në duar. Nuk mund të lejohet që zemërimi politik apo mbrojtja e gabimeve të së kaluarës të drejtohet kundër një partneri si SHBA, i cili me gjithë kritikën dhe kërkesën për standarde më të larta ka qëndruar përkrah Kosovës në çdo moment kyç të historisë moderne. Me palën amerikane duhet të flitet si me mikun e shtëpisë, jo vetëm sepse kështu e kërkon diplomacia, por sepse kështu e kërkon edhe mirënjohja historike dhe përgjegjësia shtetërore. Këshilla e SHBA-ve nuk duhet parë si ndërhyrje, por si orientim i drejtë! Procesverbalet dhe komunikimet diplomatike nuk janë fletëformalitete, por dokumente që pasqyrojnë seriozitetin e marrëdhënieve mes shteteve. Mbi të gjitha, miqësia me SHBA-të nuk është për t’u përdorur si flamur elektoral, por ajo është për t’u ruajtur si një udhërrëfyes strategjik, që orienton Kosovën dhe shqiptarët drejt strukturave euroatlantike dhe sigurisë së përhershme. Në këtë komunikim të ndjeshëm, është krejtësisht legjitime që përfaqësuesit e Kosovës të shprehin pozicionin e tyre, të sqarojnë shqetësimet dhe vizionin për të ardhmen, por kjo duhet bërë me gjuhën e maturisë, të respektit dhe të miqësisë së sinqertë, duke theksuar se mbështetja amerikane për shqiptarët nuk është vetëm në interesin tonë, por edhe në interesin afatgjatë të vetë SHBA-ve, për një Ballkan të qëndrueshëm, demokratik dhe të sigurt. Në fund të ditës, qasja me aleatët nuk matet me momentet e triumfit, por me mënyrën se si përballohen mosmarrëveshjet dhe në këtë pikë, maturia, dinjiteti dhe përgjegjësia politike janë themeli i një shteti serioz. Kosova dhe Shqipëria nuk mund të përballojnë luksin e armiqësimit me SHBA-të, as për një individ, as për një ideologji, dhe as për një mandat politik.

(Shtator 2025)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.