ANGAZHIMI NË VAZHDIMËSI PËR HUMBJEN E IDENTITETIT SHQIPTAR

0
Ibrahim Kadriu

Ibrahim KADRIU

Në vitin 1815, pikërisht në Sofje, ambasadori rus (siç mësohet nga dëshmitë arkivore) kishte përpiluar programin për përdorimin e hoxhallarëve rusë në gadishullin e Ballkanit

Kjo kohë e ngatërruar në moskuptimet e njerëzve, këtu në Kosovë, merr dimensione të çuditshme; vë në peshojë karaktere dhe duke mos gjetur shpjegim adekuat për gjithë atë çka po ndodhin mbetesh duke folur me veten… Kjo është e dhembshme derisa nuk gjen shpjegim adekuat: pse ndodh kështu, për shembull, me raportet njerëzore, të cilat, të varur nga moskuptimi i ndërsjellë, dalin në shesh inatet, rrahagjokset, kontradiktat, megalomanitë, sharjet përmes fjalorëve të ndyrë; prishjet e rehatisë nga stërpikjet me pështymë  të analistëve në ekranet televizive, apo siç i quan i nevrikosuri – banalistë, sepse dreqi nuk e merr vesh në ç’drejtim e shtyjnë interesin në këtë realitetin tonë  të kushtëzuar nga moskuptimet.

Aktualisht është Kuvendi me qëndrime rrugaçe, por fjalën e kisha diku tjetër: te do ndarje në baza fetare, te do qëndrimet që pasojnë në saje të naiviteteve, sado që me një rezonim të shëndoshë, krejt kjo çka po ndodh i ndihmon injorancës kolektive, sado që injorantët janë individë dhe nuk duhet të përzihet kolektivi, por… nga injoranca e individëve, nga kokëfortësia e tyre pëson masa, kjo e jona e cila mezi ka arritur në këtë periudhë kohore për të cilën kemi pasur nevojë me shekuj…

Sot, të gjithë janë (ose bëhen) të mençur. Kurse ata që vërtet kanë kapacitet njohurish edhe pa e arritur moshën – dalin në pension, nuk flasin hapur, nuk bëjnë me gisht drejt injorancës së ndokujt që haptas shpreh idiotizëm, kurse të tjerët thonë – hajt, nuk kemi nevojë të merremi me një budalla dhe heshtin. Kurse ai, ose ajo, i ngarkuar me idiotizëm, vazhdon me të tijën dhe të tjerët i duartrokasin. Nuk është çdo duartrokitje e sinqertë. Ka të tillë që, nga shtytja e të tjerëve – duartrokasin, ndërkaq tipi që konstrukton marri vazhdon me të tijën. Derisa është fjala për këtë abnormalitet, më kujtohet Presheva, një hoxhë i cili në sallën plot njerëz, burra, gra, të rinj, i duartrokasin kur ai, pa fije koshience, iu thotë: – Unë nuk jam shqiptar, jam mysliman!

Ndërkaq – flet edhe shqip. Fill pas kësaj deklarate e gjithë të pranishmit në sallë duartrokasin. Kjo do të thotë se gjithë ata në sallë nuk e ndjejnë veten shqiptarë, por veç myslimanë, e mysliman mund të jetë (dhe është) turku, arabi, boshnjaku, kinezi, marokeni, indoneziani, algjeriani e kështu me radhë shumë popuj të cilave nuk iu pengon përkatësia. E thonë me krenari emrin e popullit që i përkasin, pa e lënduar përkatësinë fetare. Te ne është ndryshe, duket sikur u  pengon përkatësia kombëtare dhe e quajnë veten, ashtu siç e quajnë – myslimanë.

Askush nuk u pengon  t’i përkushtohen myslimanizmit, por jo atij myslimanizmi ekstrem dhe me atë ekstremitet vazhdojnë ta injorojnë edhe përshëndetjen në gjuhën shqipe, edhe veshjen e femrave, për shembull, edhe me burka… Më duhet të përmend rastin nga kryeqyteti Doha i Katarit. Hyjmë në muze, na përcjell kustosja arabe. Pikërisht në hyrje gjendet një ngrehinë alumini me dimensione të mëdha. Ishte e kuptueshme të ndaleshim para saj duke shpreh interesim për të mësuar se çfarë paraqiste.

Kustsoja tha: kjo është burka për të cilën shumë mendojnë se është veshje myslimane, por thjesht: është veshje arabe. Në Prishtinë kam parë femra me burka të tilla. Imamët duhet t’ua shpjegojnë xhematit  jo vetëm këtë moskuptim, por edhe moskuptime të tjera që vërshojnë arabisht. Vetë imamët bëjnë sevap nëse angazhohen për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Meqë klerikët myslimanë, me përjashtime, heshtin, vazhdon avazi gjithnjë me ekstreme të shtuara, kurse nga ana tjetër për inati vërshojnë aksione të ikjes nga myslimanizmi. Ç’po ndodh?  Vijnë në shprehje moskuptimet, inatet, kontradiktat në dëm të asaj që quhet kombëtare. Arrijnë veprimet të cilat të lënë pa fjalë. Më i madhi i hoxhallarëve, domethënë krye imami i Kosovës, organizon (siç thuhet) kremtimin  e pesëqindvjetorit të Luftës së Kosovës. Pra, pesëqindvjetorin e arritjes të pushtuesve turq dhe, ç ‘ndodh, pastaj? Dalin në sipërfaqe zëra që dëmtojnë heroin kombëtar Skënderbeun. E çuditshme, apo jo!

Në një kohë kisha siguruar të dhëna të sakta për planet e sllavizmit për të humbur gjurmët e identitetit kombëtar shqiptar dhe, shih për këtë, rusët kishin përgatitur hoxhallarë dhe i kishin shpërndarë në viset shqiptare për të “shitë” ideologjinë e tyre, duke injoruar identitetin nacional. Dëshminë konkrete e shtrova te romani “Misioni rus” që më vonë u përkthye edhe frëngjisht, turqisht e  kroatisht. Fill pas botimit vërshuan reagime, sidomos nga të tillët të cilët nuk e kishin lexuar, sepse romani nuk ka të bëjë veç me hoxhallarë rus…

Të them se, pas botimit të romanit, më janë lajmëruar shumë të tjerë të cilët, rastin e hoxhës së Prizrenit, e përmendin edhe me raste të tjera, duke bërë me dije edhe momentet kur, fjala vjen, në rrugë të Moskës gjendet i moshuari kur dëgjon bisedën shqip iu afrohet dhe i pyet se prej nga ishin. Mandej kur merr vesh se ishin nga Kosova, u tregon se kishte shërbyer në detyrën e hoxhës. Kështu thotë tjetri që i është afruar bullgari në Sofje dhe, edhe ai, thotë se paska shërbyer në detyrën e hoxhës dhe (iu thotë hapur) në detyrën e spiunit.

Meqë u përmend Sofja duhet bërë me dije se: në vitin 1815, pikërisht në Sofje ambasadori rus (siç mësohet nga dëshmitë arkivore) kishte përpiluar programin për përdorimin e hoxhallarëve rusë  në gadishullin e Ballkanit. Të njëjtin program e përvetësuan edhe Serbia e Greqia në elaboratet e tyre, siç janë Naçertanja dhe Megali ideja (në vitin 1844). Ekzistojnë të dhënat se gjatë pushtimit të trojeve shqiptare çdo njësi ushtarake serbe kishte hoxhë, duke filluar që nga njësitë më të vogla e deri te (siç thuhet e shkruhet) “drzhavni imam”…

Për të qenë ironia edhe më e madhe, Serbia, pas Luftës së parë botërore, krijon  Bashkësinë islame, kurse në Shkup mbretëria e asaj kohe, siç quhej mbretëria e SKS më 1925, hap shkollën e mesme islame, që quhej “Medrese e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”. Interesant, ai mbret, për shembull, më 1912 kur ushtria serbe futet në Shkup,  arrin t’i vizitojë vendet e pushtuara. Derisa kapërcen te Ura e gurit, shesh disa ushtarë duke përcjellë disa shqiptarë me duar të lidhura.

I pyet mbreti Aleksandër se ku i çonin, kurse përgjigja ishte: – Po i çojmë t’i pushkatojmë! Ndërkaq mbreti përgjigjet: – Mos shpenzoni plumba, goditni me dru në kokë, mbytni dhe gjuani mbi Vardar…  Këtë e thotë mbreti emrin e të cilit e mban Medreseja e Shkupit, drejtor i së cilës ishte Mehmet Bashiq, i cili e deklaronte vetën serb. Po ashtu, të gjithë mësuesit e Medresesë ,ishin serbë. Qëllimi dihej: shqiptarët, si myslimanë, duhej të deklaroheshin se ishin turq dhe përgatiteshin të shpërnguleshin në Turqi.

Sipas statistikave turke të vitit 1908 në: Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Gjilan, Kaçanik, Ferizaj nuk kishte asnjë  turk, derisa në Shkup, Tetovë, Dibër etj.  shumica ishin shqiptarë, kurse serbët ishin minoritet e turqit nuk figuronin as si minoritet.

Pavarësisht kësaj të vërtete, sipas dokumenteve të politikës së jashtme të Mbretërisë serbe  (Dokumenti o spolnjoj politici kraljevine serbije”, K.VII Sv.1 Beograd 1980, f. 617- 618) me rastin e pushtimit mbi 120.000 shqiptarë u dëbuan si turq në Anadoll, pasuar me shpërnguljet 1912-1914, ishin  239.807 shqiptarë, kurse në muajt maj-korrik 1914, u shpërngulën edhe 565.472  shqiptarë.

Konventa jugosllave-turke e vitit 1938, në nenin 4, parashihte shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare (1939) 4000; më 1940 ishin shpërngulur 6.000 familje; 1941/7.000 familje; 1942 gjithashtu 7.000 familje; 1943/8.000 familje dhe 1944/8.000 ), duke u mbështetur edhe në ligjet agrare serbe, në ligjet për kolonizim… Edhe pas Luftës së dytë botërore u organizuan  shpërngulje të shqiptarëve drejt Turqisë, bile të bazuar në dokumentin  që u nënshkrua marrëveshjen e bërë në Split mes  Ministrit të jashtëm të Turqisë Fuat Kyprili dhe Titos.

Metodat për humbjen e identitetit shqiptarë ishin të ndryshme dhe të gjitha ato metoda bëheshin nga pushtuesi serb Në këtë drejtim ishte edhe fushata e regjistrimit të shqiptarëve si turq, mbase edhe hapeshin shkolla në gjuhën turqishte. Për këtë të dhënë dëshmon edhe regjistrimi i popullatës. P.sh: Vetëm në Maqedoninë e Veriut, në vitin 1948  ofrohej statistika se kishte në ato anë  95.940 turq, kurse në vitin 1953, kjo statistikë u rrit në 203.938 turq. Në atë statistikë,  më 1948, ishin  të shënuar 197.389 shqiptarë,  kurse në vitin 1953 ajo shifër  zbret në 162.254 shqiptarë.

Këtë e konfirmonte edhe Komisioni për pakica kombëtare të Jugosllavisë në vitin 1959, ku shënonte se shqiptarët kryesisht u bënë turq. Numri i turqve, në statistikat e kohës, nga viti 1956 deri në vitin 1959, nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Sanxhaku, ishte 143.000, ndërsa në vitin 1966 numri i turqve arrin 250.000 etj.

Krejt kjo që u tha më sipër ka të bëjë me strategjinë serbe të gjenocidit  në vazhdimësi ndaj shqiptarëve. Ajo strategji është me kohëzgjatje të madhe, por mjafton të përmendet Çubriloviqi i cili, sipas ideologjisë ekstreme nacionaliste kundër shqiptarëve e publikon edhe këtë tekst: “ …Ne serbët nuk kemi armiq më të mëdhenj se shqiptarët. Nëse duhet të ngremë kokën tonë, duhet të ulim kokën e tyre, nëse duam të ndjehemi gjerë në territore, duhet të ngushtojmë hapësirat e tyre, nëse duhet të na dojë bota, duhet të bëjmë që bota t’i urrejë ata.

Që shqiptarët ta braktisin vendin e tyre, duhet me çdo kusht dhe në çdo mënyrë t’ua bëjmë jetën ferr! Të arrijmë deri këtu, së pari duhet të mohojmë origjinën dhe  t’ua vrasim krenarinë, t’ua shkatërrojmë vatrat, t’ua ngatërrojmë emrat, t’ua njollosim emblemat dhe simbolet, gjuhën dhe zakonet, t’u rrëmbejmë gjithçka dhe t’i lëmë pa miq rreth e rrotull. Që të finalizohet kjo strategji duhet domosdoshmërish që antishqiptarizmi të jetë filozofia dhe deviza e vetme e shtetit tonë. Mosqenia e shqiptarëve është vetë ekzistenca e kombit serb.”

Duke u mbështetur në qëndrimet nacionaliste të Çubriloviqit shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, shkruante: – “T’i sjellim hoxhët, thotë (Çubriloviq) nga Turqia, që t’i bindim shqiptarët se sa mirë është në Turqi dhe t’u bëhen lehtësitë e nevojshme me trena, me leje dhe madje le të kuptohet që jepet edhe shpërblim për të ikur.  Këtu është edhe ajo që ne nuk flasim i fshehim marrëveshjet e fshehta turko-serbe: Turqia të fitojë disa milionë shqiptarë, ndërkaq fiton edhe Serbia për t’i shkulur nga Ballkani…”

T’i kthehem fillimit: Kjo kohë e ngatërruar në moskuptimet e njerëzve, këtu në Kosovë, merr dimensione të çuditshme; vë në peshojë karaktere dhe duke mos gjetur shpjegim adekuat për gjithë atë çka po ndodhin mbetesh duke folur me veten…

Nuk mund të gjendet arsyetimi për shpjegime adekuate për të ndodhurat, për urrejtjen e vetes duke u mbështetur në hiret arabe, për shembull dhe të vjen çudi se si Konica edhe në atë kohë (1912) e gjente arsyen të thoshte e shkruante: ” – Mos e bëni Shqipërinë një shtet oriental si Khiva, Bukhara, Afganistani, Tunizia e të tjera, por kini për ideal një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda, Belgjika…, por, vjen në shprehje  e dhimbshmja, shqiptarët edhe sot kurrsesi të marrin vesh se po e shtyjnë ujin në mulli të Serbisë, dukë mos kuptuar qëllimin e tyre shekullor për fshirjen (tretjen) e identitetit shqiptar.”

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.