Intervistë me Ambasadorin z. Avni Nasufoski
Takim diplomatik në Gjenevë.
Diplomacia e bashkëpunimit ekonomik në kuadër të OKB. Takime me vendet donatore dhe vendet përfituese. Ambasadori Avni Nasufoski, përfaqësues i përhershëm në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, zhvilloi një takim të përzemërt me shkëlqesinë e tij Hichem Bayoudh, Ambasador i Lidhjes së Shteteve Arabe. Takimi u zhvillua në ambientet e Misionit të Lidhjes Arabe, ku Ambasadori Nasufoski u prit me ngrohtësi. Gjatë bisedës, të dy diplomatët diskutuan mbi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet përfaqësive të tyre dhe identifikuan fusha të mundshme bashkëpunimi në kuadër të punës së përbashkët në OKB. Ata shprehën vullnetin për të thelluar dialogun dhe për të zhvilluar takime të rregullta në të ardhmen. Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit ndër-institucional dhe ndër-rajonal, thuhet në komunikatën për shtyp nga Delegacioni i Përhershëm i Agjencisë së Unionit Pan-Afrikan (EAA) në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Në kuadër të aktiviteteve shumëpalëshe në Kombet e Bashkuara, takimet ndërmjet diplomatëve të vendeve që ofrojnë fonde zhvillimore dhe atyre që i pranojnë, siç është rasti me Unionin Afrikan, kanë një rëndësi të veçantë. Këto takime po shërbejnë si urë për krijimin e partneriteteve strategjike dhe për koordinimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Përfaqësuesit diplomatikë luajnë një rol kyç në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve, duke siguruar që mbështetja financiare të kanalizohet në mënyrë efektive drejt sektorëve prioritarë, si infrastruktura, energjia, arsimi dhe siguria. Takimet e tilla, të zhvilluara në frymën e solidaritetit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit afatgjatë, janë të rëndësishme për ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe të barabartë ndaj zhvillimit global. Këto procese diplomatikisht të ndërmjetësuara janë shembull konkret i rolit që Kombet e Bashkuara luajnë si platformë për zhvillimin e partneriteteve reale midis Veriut dhe Jugut global, dhe të njërit kontinent me tjetrin.
Me këtë rast para se Ambasadori Avni Nasufoski të udhton në SHBA biseduam lidhur me zhvillimet e fundit, por edhe aktivitetet e tij intensive të kohëve të fundit. Intervistë: Flet Ambasadori Avni Nasufoski mbi sigurinë e projekteve infrastrukturore në Afrikë Tashmë dihet se një program për zhvillimin e vendeve të Afrikës, dhe investimin në projekte infrastrukturore prej vitesh është bërë gati.
Z. Avni Nasufoski është me përvojë të gjatë në afarizëm, dhe tani edhe në fushën diplomatike, i cili aktualisht është i angazhuar në përfaqësimin e interesave rajonale pranë Kombeve të Bashkuara edhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. I njohur për qasjen e tij strategjike dhe sukseset në çështje të zhvillimit të projekteve ekonomike, z. Nasufoski është një zë i rëndësishëm, i cili ka rritur intensitetin e takimve diplomatike në OKB me seli në Gjenevë për implimentimin e investimeve, sidomos në Unionin Afrikan në infrastrukturë dhe projekte ekonomike, por me mundësi edhe për integrimin dhe bashkëpunim të rajonit të Ballkanit Perëndimor në agjendat evropiane dhe globale.
1) “Cili është niveli i sigurisë në raport me investimet në projektet infrastrukturore në Unionin Afrikan nga fonde të ndryshme?”
A. Nasufoski: Siguria është një komponent kritik për realizimin e suksesshëm të çdo projekti zhvillimor, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës. Në rastin e Unionit Afrikan, sfidat janë të natyrës së ndërlikuar, që nga paqëndrueshmëria politike në disa vende dhe rajone, e deri te mungesa e infrastrukturës së mirëfilltë ligjore për mbrojtjen e investimeve të huaja. Megjithatë, në kuadër të nismës “Lehtësia për Afrikën” dhe instrumenteve të tjera të ngjashme, është duke u zhvilluar një kornizë e bashkërenduar sigurie, që përfshin edhe garanci sovrane, mbështetje jo vetëm nga Banka Afrikane e Zhvillimit, por edhe nga shumë fonde të rëndësishme përfshirë edhe mbikëqyrjen shumëpalëshe për çdo fazë të ndërtimit të projekteve.
Në këtë drejtim, ka një rritje të interesit për ndërtimin e mekanizmave të përbashkët të sigurisë fizike dhe institucionale, që do të garantojnë transparencën, parandalimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e kapitalit nga rreziqe të papritura. Po ashtu Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes përfaqësimeve të tyre, mund të ofrojnë ekspertizë teknike dhe modele të menaxhimit të riskut, duke krijuar një urë bashkëpunimi të re ndërmjet Evropës Juglindore dhe Afrikës në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.
2) Zoti Ambasador, çfarë mund të na thoni për takimet e fundit diplomatike në OKB dhe në BE, që lidhen me aprovimin e fondeve për projekte infrastrukturore në vendet afrikane?
A. Nasufoski: Në muajt e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një dinamike të re në raport me mënyrën se si jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe institucione të tjera dhe aktorët ndërkombëtarë po qasen ndaj zhvillimit global. Në veçanti, takimet në OKB dhe në Komisionin Evropian kanë përfshirë diskutime intensive rreth instrumentit financiar të quajtur “Lehtësi për Afrikën”, i cili synon të përshpejtojë aprovimin dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore në vendet afrikane.
Ky model përfshin një qasje të koordinuar ndërmjet donatorëve, institucioneve financiare dhe shteteve përfituese, me qëllim lehtësimin e procedurave burokratike dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime të drejtpërdrejta. Kjo është pjesë e qasjes së re të BE-së për të pasur ndikim konkret përmes instrumenteve fleksibël, të drejtuara nga nevojat reale të vendeve në zhvillim.
3) A mendoni se i njëjti model mund të aplikohet edhe për projektet e Ballkanit Perëndimor?
A. Nasufoski: Absolutisht po. Dhe pikërisht kjo ka qenë edhe tema qendrore e takimeve që kemi zhvilluar së fundmi në Bruksel, përkatësisht më 30 qershor dhe 1 korrik 2025, me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe të Sekretariatit të WBIF (Western Balkans Investment Framework).
Ideja është që modeli “Lehtësi” të shtrihet edhe në Ballkanin Perëndimor, si një mekanizëm i posaçëm për të përshpejtuar financimin e projekteve strategjike në fushën e infrastrukturës, energjisë së pastër, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër. Ne kemi propozuar që ky mekanizëm të mos mbetet ekskluziv për kontinentin afrikan, por të përshtatet për kontekstin e rajonit tonë, ku nevoja për zhvillim të qëndrueshëm është po aq urgjente.
4) Konkretisht, çfarë kërkohet nga projektet shtetërore për t’u përfshirë në një model të tillë, pra në rajonin tonë?
A. Nasufoski: Kriteret janë të qarta dhe kërkojnë një përgatitje serioze nga ana e shteteve:
a) Projektet duhet të jenë strategjike dhe të qëndrueshme, në përputhje me prioritetet e BE-së dhe agjendën e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
b) Nevojitet transparencë dhe kapacitet administrativ, për të garantuar menaxhimin e fondeve dhe zbatimin e projekteve sipas standardeve evropiane.
c) Duhet një bashkëpunim ndërinstitucional brenda vetë shteteve dhe në mes ministrive, agjencive zhvillimore dhe aktorëve lokalë, që të ketë një qasje gjithëpërfshirëse dhe realiste.
Qëllimi ynë është që ta thjeshtojmë qasjen në financime, por në të njëjtën kohë të rrisim cilësinë e projekteve të propozuara. Në këtë drejtim, edhe si diplomaci me shumë institucione dhe fonde relevante, po punojmë ngushtësisht edhe me partnerët evropianë për të krijuar rrugë të reja bashkëpunimi dhe për të garantuar që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mos mbetet mbrapa në zhvillimet globale.
5) Shpesh i keni përmendur termet: teknologji, infrastruktur dhe investime, na sqaroni ndonjë shembull konkret?
A. Nasufoski: Po, këto janë tre shtylla që i konsideroj kyçe për zhvillimin afatgjatë të rajonit tonë: teknologjia, infrastruktura dhe investimet. Kur i përmendim këto, nuk flasim për ide abstrakte, por për projekte shumë konkrete që janë në proces jo vetëm diskutimi por tashmë në proces ndërtimi p.sh në Afrikë, ose tashmë në fazë finalizuese. Për shembull, një nga drejtimet ku teknologjia dhe infrastruktura ndërthuren është transformimi digjital i sistemeve energjetike, si ndërtimi i rrjeteve inteligjente për shpërndarjen e energjisë së rinovueshme, që po shqyrtohen në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Këto janë projekte që mund të financohen përmes instrumenteve të reja si “Lehtësia për Ballkanin”. Gjithashtu, jemi duke punuar me partnerë evropianë dhe institucione financiare ndërkombëtare për të përfshirë teknologjitë e reja, si monitorimi satelitor për menaxhimin e burimeve ujore dhe natyrore, apo përdorimi i “AI” (ose AI) në administratën publike për të rritur transparencën dhe efikasitetin. Këto projekte kërkojnë investime serioze dhe një vizion të qartë shtetëror, por nëse arrijmë të ndërtojmë partneritete të mira, rezultatet do të ndihen shumë më shpejt se sa pritej. Dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të nxisim në çdo tryezë ndërkombëtare.
6) Ju tradicionalisht pushimet verore i bëni në SHBA?
A: Nasufoski: Po është e vërtetë, tani atje kemi shumë kompani partnere, që kemi projekte edhe në kontinente të tjera. Sa herë flasim për teknologjinë i bije që ne flasim edhe për kompanitë në SHBA, sepse teknologjia e fundit për zhvillimin e infrastrukturës në shumë fusha burojnë nga këtu. Edhe këtë herë, do t’i mbyllim disa kontrata pune të planifikuara.
7) Ju urojmë rrugë të mbarë dhe pushime të mira në SHBA!
A: Nasufoski: Shumë faliminderit.
Safet Sadiku