BINÇA NË OPTIKËN STUDIMORE TË MARJAN N. SOPIT

0
Marjan N. Sopi - Binça

Shkruan: Isak A H M E T I

Shkrimtari dhe studiuesi, tashmë i njohur në letrat shqipe, autor i dhjetra veprave zhanresh të ndryshme, Marjan N. Sopi, veç tjerash, ka publukuar edhe monografinë me titull: BINÇA, Një lashtësi ilire-arbërore-shqiptare (Prishtinë, 2020).

Ky libër (fq. 243), i shkruar me dije dhe përkushtim(recensentë Prof. dr. Jahja Drançolli dhe Dr. Dom Mikel D. Sopi, ndërsa redaktor Prof. Nazif Laçi), përmes shtatë kapitujve, paraqet historinë e lashtë të vendbanimit Binçë. Përnes materialeve të paraqitura aty, siç e thotë edhe vetë autori (fq. 9), përmes dokumenteve të gjetura, përmes artefaktevre, rrëfimeve, traditës gojore të vetë banorëve të moshuar, ka arritur ta realizojë këtë vepër monografike që është një kontrubut i çmueshëm për ndriçimin e lashtësisë, përkatësisht të historisë së Binçës nëpër shekuj.

II. STRUKTURA E LIBRIT

Librit në fjalë, që është strukturuar në shtatë kapituj, i paraprin fjala e autorit ku, ndër të tjera , shkruan: “Ishte dëshirë e ime e kahmotshme që mos ta harrojmë” rrugëtimin “e këtij venbanimi historik përmes ngjarjeve, gjetjeve arkeologjike, të shumë artefakteve mbi Kalanë-Qytezën e lashtë të Binçës, etj.” (fq. 9). Pas fjalës hyrëse të autoit vijnë dy reçensionet, ai i Prof. dr. Jahja Drançollit dhe Dr. Mikel D. Sopit, të dyjat në dy gjuhë: shqip dhe anglisht, që gjithsesi ia shton vlerën këtij botimi.

Për të kuptuar më mirë përmbajtjen e këtij libri, këtu po japim pasqyrën e lëndës që është strukturuar në shtatë kapituj:

KAPITULLI I

I. BINÇA-NJË LASHTËSI ILIRE-ARBËRORE-SHQIPTARE

Veçoritë e vendbanimit Binçë
Binça ndër vendbanimet më të hershme në Gadishullin Ilirik
Topografia dhe etimilogjia e fshatit Binçë.
Vendbanimi BINÇË (BINEÇ) ka prejardhje ilire-arbërore-shqiptare
Toponimet dhe emërtimet nga Binça dhe rrethina e saj
Kalaja dhe Tumat në Binçë
Lumi dhe Morava e Binçës

II. KAPITULLI II

BINÇA DHE FISI SOPI

Binça dhe Sopët
Rendi farefisnor
Marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazëroro-fqinjësore
Bashkëpunimi mes Smirës dhe Binçës

KAPITULLI III

HISTORI E DHIMBSHME POR KRENARE

Martirët e Karadakut 1846-1848
I kujtojmë dhe falënderojmë

KPITULLI IV

VAZHDON QËNDRUESHMËRIA E BINÇËS KUNDREJT POLITIKAVE ARMIKE TË KOMBIT

Binça mes dy luftërave botërore
Raport i shkurtër i argjipeshkvit Lazër Mjeda
Gjithmonë përkrah vëllezërve të një gjaku
Popullit shqiptar vuajtjet nuk iu ndalën

KAPITULLI V

BINÇA ME RRETHINË DHE JETA SHOQËRORE

Jeta shoqërore
Arsimi
Aktivitetet
Ambullanca
“Prapë për helmimet”…
Objektet fetare dhe rëndësia e tyre
Binça dhe ekonomia e saj gjatë historisë

KAPITULLI VI

BINÇA GJATË VITIT 1998-1999

Lisin e madh gjithnjë e rrahin erërat e ndryshme
Kohë e vështirë, e sakrificës dhe flijimi”
“TOGA E TMERRIT”

KAPITULLI VII

BINÇA ME PLAGË TË HAPUR

Gjithmonë me popullin
Migrimi
“Fati i popullit tim, është fati im”
Poezi kushtuar fshatit Binçë

LITERATURA
Fotoalbum

III. DËSHMI DHE HARTA

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se autori, që është një studiues dhe hulumtues i pasionuar, me mjeshtëri ka ditur t’i kapë momentet më të ndieshme dhe më domëthënëse të trashëgimisë historike të Binçës. Prandaj, siç e ka vërejtut edhe Dr. Mikel D. Sopi (fq. 15), materiali i sistemuar në shtatë kapituj, nga një anë u jep dinamikë argumenteve të shqyrtuara dhe, nga ana tjetër, nxit studiuesit e profileve të ndryshme për hulumtime të mëtejshme.

Që nga hapja e këtij libri shihet se autori sjell dëshmi historike me harta të lashta, që flasin për lashtësinë e emërtimit dhe të vendbanimit Binçë, madje me prova të dukshme, me elementet e ndryshme nga lashtësia të nxjerra nga Kalaja e Binçës (shtiza, artefakte të ndryshme, monedha, gurë dhe qeramika të përpunuara, etj.) e lidhë në këtë mënyrë Binçën me kohën romake dhe me premisa edhe më të hershme. Në të vërtetë ky libër monografik, edhe sipas recensentit Dr. Mikel D. Sopi (fq. 16), ka parasysh dy gjëra themelore:

  1. Lashtësinë historike të pakontestueshme të vendbanimit Binçë, duke filluar nga Kalaja e vendit dhe
  2. Ruajtjen e origjinës shqiptare dhe të trashëgimisë kulturore nga banorët e Binçës gjatë shekujve të tërë.

Duke u mbështetur në burime historike të shkruara dhe sidomos në burime materiale dhe gojore, të vjelura në terren, si dhe nga burimet e kancelarive perëndimore, bizantine, glagolike dhe cirilike, ka bërë përpjekje, sipas vlerësimit të Prof. dr. Jahja Drançollit (fq. 12), për t’i përmbysur tezat e lansuara nga një pjesë e historiografisë së shteteve fqinje që vazhdojnë me intensitet të shtuar edhe në ditët e sotme.

Autori e provon me mjaft fakte vazhdimësinë e popullatës ilire-arbërore-shqiptare në këto hapësira edhe në Binçë.

Sipas autorit në fjalë, Binça është ndër venbanimet më të lashta, në Anamoravë, Kosovë dhe rrethinë. Ky vendbanim përmendet zyrtarisht qysh në vitin 1019 në Kartën-Krisobulë të Perandorit Bizantin Bazilit II, perandor që ka sunduar që nga viti 976, deri në vitin 1025.

Madje sipas autorit të librit, duke u marrë me etimologjinë e fjalës – vendbanimit BINÇË (BINEK=BINEÇ), konstaton se ka prejardhje ilire-arbërore-shqiptare (Bineç=dy, apo siç thuhet binjakë) (fq. 21).

IV. MARTIRËT E KARADAKUT

Një kapitull të veçantë në këtë monografi autori ia ka kushtuar MARTIRËVE TË KARADAKUT (1846-1848), fq. 109-122), për të cilët, siç dihet, janë shkruar tri monografi nga autorët vendorë siç janë: Dom Gjergj Gjergji-Gashi, Dom Mark Sopi dhe Isak Ahmeti. Ç’është e vërteta, në vitet e 70-ta te revista fetare-kulturore “Drita”, Mark Sopi & Damjan Kurti kanë botuar një fejton në vazhdime për Martirët në fjalë me një titull(paksa jo adekuat?) që, pas botimit të pjesës së parë dhe pas intervenimit tim te Mons Nikollë Mini, (kryeredaktor, me të cilin kam bashkëpunuar pothuaj që nga fillimi) ia patën ndërruar titullin!…

Mendoj dhe vlerësoj se, në bazë të gjithë asaj që është thënë dhe shkruar deri me tash për MARTIRËT E KARADAKUT, autori në fjalë është dashur t’i kushtojë më shumë përkushtim dhe hapësirë kësaj problematike, edhe për faktin se martirizimi i shqiptarëve (katolikë) të Binçës dhe jo vetëm i tyre, si ngjarje me rëndësi historike, fetare dhe kombëtare, do duhej trajtuar më gjërësisht dhe në mënyrë më të thelluar… Në bazë të asaj që lexova aty del dilema: ishin të përndjekur apo “të ikur” nga vendi i tyre? Shih për këtë fq. 117 ku, ndër të tjera, shkruan, citojmë: “Nga 180 persona që kur kishin ikur nga vendi i tyre, nuk kanë mbetur veç 87…“.

Kur jemi të Martirët e Karadakut mendoj se ështl dashur të theksohet edhe çështja e beatifikimit të tyre n’ ç’drejtim, përveç Dom Gjergj Gjergj-Gashit që ka bërë disa përpjekje, tjetërkush, as Kisha vendore, nuk kanë bërë diçka konkrete, me sa di unë?

V. NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Krejt në fund le të theksojmë se kjo monografi është, pavarëlsisht të ndonjë vërejtjeje apo plotësimi që mund t’i bëhet, kontribut i çmueshëm në historiografinë tonë më të re.

Nga këndvështrimi im p.sh. nëse do ribotohej do duhej shtuar edhe ndoj kapitull si, për shembull, INTELEKTUALËT E BINÇËS DHE KONTRIBUTI I TYRE jo vetëm në ruajtjen e qenies kombëtare dhe fetare, por edhe në fushën e letrave shqipe dhe studimit të traditës, ku do duhej përmendur edhe emrat konkretë siç janë: Mark Sopi, Viktor Sopi, Mikel Sopi, Frrok Zefiqi, Marjan N. Sopi etj.kontributi i të cilëvre është me vlerë dhe i dukshëm.

Në rast të ribotimit të këtij libri, do rekomsndoja t’i bëhet tekstit një lekturim më seroz dhe jo sipërfaqësor, gjë që do ja shtonte peshën librit!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.