18.2 C
Tirana
E enjte, 1 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Prof. Arben Çokaj – përkthyes profesionist i kryeveprave të njerëzve të mëdhenj,...

Prof. Arben Çokaj – përkthyes profesionist i kryeveprave të njerëzve të mëdhenj, por është poet dhe shkrimtar

0
Arben Çokaj - Qytetar nderi

Prof. Arben Çokaj – ”Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

Ismet M. Hasani Nga Ismet M. Hasani, Suedi

Të merresh me përkthime do të thotë të ushtrosh profesionin fisnik të komunikimit midis njerëzve, të cilët janë ndarë me barriera gjuhësore, plotësisht apo pjesërisht, të pakapërcyeshme për ta.

Në qoftë se takon një njeri me talent të rrallë, duhet pyetur: sa libra ka lexuar?

Shënim: Ata lexuesë që janë duke e ndjekur shkrimin tim me titull: ”A është Islami vërtetë religjion agresiv dhe i rrezikshëm!?”, pjesa 6 do të publikohet më 2 tetor 2026, për arsye se i dhashë përparësi këtij shkrimi të sotëm.
*
Profesor Arben Çokaj është një nga ata personalitete që frymëzojnë brezat e ardhshëm me historinë dhe kontributin e tij në jetën shoqërore, kulturore dhe akademike të Malësisë se Madhe, por edhe të Shqipërisë. Me rrënjë të thella në Malsinë e Madhe, Arben Çokaj u shqua që në moshë të re si një njeri i ndritur dhe i palodhur, i cili përmes punës së tij arriti të ndikojë në ndryshimin e thellë të vendit tonë gjatë periudhës së tranzicionit nga sistemi komunist në atë pluralist.

U lind dhe u rrit në Malësinë e Madhe. Edukimin e herëshëm e mori në një ambient ku vlerat tradicionale dhe dashuria për atdheun ishin gjithmonë në qendër.

Që në fëmijëri, Arbeni u dallua për inteligjencën e tij për botën që e rrethonte. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, Arbeni vendosi të ndjekë studimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në degën e fizikës. Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme në fushën akademike.

Si një nga zërat e rinisë së asaj kohe, Arbeni tregoi guxim dhe vizion, duke i dhënë zë aspiratave të një populli të lodhur nga diktatura dhe të etur për liri dhe drejtësi. Ai ishte ndër ata studentë, që organizuan dhe drejtuan protestat, duke kërkuar ndryshime të thella politike dhe shoqërore. Roli i tij në këto ngjarje historike mbetet një dëshmi e qartë e përkushtimit të tij ndaj idealeve të lirisë dhe demokracisë.

Vlen të theksohet se muaji dhjetor i vitit 1990 shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Në atë kohë, Shqipëria po kalonte përmes një periudhe të vështirë, duke kërkuar të dalë nga errësira e komunizmit dhe të hapë një faqe të re drejt demokracisë dhe pluralizmit. Arben Çokaj, atëherë student në Universitetin e Tiranës, ishte një nga figurat kryesore të Lëvizjes Studentore, që nisi protestat e dhjetorit, të cilat çuan në rrëzimin e regjimit komunist.
*
Me përfundimin e studimeve, Arben Çokaj vazhdoi të zhvillojë karrierën e tij në fusha të ndryshme, duke mos u kufizuar vetëm në mësimdhënie. Ai vendosi të jetojë në Danimarkë dhe më pas në Gjermani, ku vazhdoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe kulturës. Përkushtimi i tij ndaj shkencës dhe arsimit u reflektua në punimet e tij të shumta, të cilat gjetën jehonë në komunitetin akademik vendas dhe ndërkombëtar.

Si përkthyes, prof. Arben Çokaj ka sjellë në shqip vepra të autorëve të njohur ndërkombëtarë, duke pasuruar kështu kulturën dhe letërsinë shqiptare me perla të huaja. Ai ka përkthyer në disa gjuhë, duke treguar një aftësi të jashtëzakonshme në zotërimin e gjuhëve të huaja dhe një ndjenjë të thellë për nuancat e secilës gjuhë.

Vend të lartë, në punën si përkthyes, zënë veprat e shumta të shkrimtarëve të njohur e me renomè botërore, ndër të cilat veçohet ”Psikoanaliza – Vepra e Plotë” e Zigmund Frojdit, me mbi 3 mijë faqe përkthim.

Profesori Arben Cokaj është nderua me titullin “Qytetar Nderi i Malsisë së Madhe”, një vlerësim që pasqyron kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kësaj zone dhe më gjerë. Ky titull është një dëshmi e mirënjohjes së bashkëqytetarëve të tij për gjithë punën dhe përkushtimin që ai ka treguar gjatë viteve.

Në ceremoninë e dhënies së titullit ”Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe” – më 6 gusht 2024, ka qenë një atmosferë festive, ku kanë marrë pjesë personalitete të njohura nga fusha e arsimit, kulturës dhe politikës. Fjalimet e mbajtura nga kolegë dhe miq të Arbenit theksuan vlerat e tij si njeri dhe si profesionist, duke e cilësuar atë si një model frymëzimi për të gjithë.

Arben Çokaj është gjithashtu shkrimtar, poet i mirënjohur, duke sjellë në shqip vepra të rëndësishme nga letërsia botërore. Talentin e tij letrar e ka shfaqur nëpërmjet disa librave të botuar, ku spikat ndjenja e thellë për jetën dhe për njerëzit. Poezitë e tij, të mbushura me ndjenja të forta dhe mendime filozofike, kanë prekur zemrat e shumë lexuesve.

Profesori e respektuar Arben Çokaj mbetet një figurë e shquar në historinë moderne të Shqipërisë. Për kontributin e tij të dhënë në ndryshimin e sistemit politik, zhvillimin e arsimit, artit, letërsisë dhe pasurimin e kulturës shqiptare meriton vlerësim të lartë. Me shpërblimin me titullin “Qytetar Nderi i Malsisë së Madhe”, ai, jo vetëm që ka marrë një Njohje të Merituar, por edhe ka lënë një gjurmë të pashlyer në zemrat e njerëzve të mbarë Shqipërisë dhe mbahet përgjithmonë në mendje si një shembull të guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.

Arben Çokaj – mbi të gjitha është Njeri i mirë, ka krijuar dhe krijon vepra të mira, përkthime profesioniste, është një dëshmi e gjallë se si një individ i përkushtuar mund të bëjë ndryshime të mëdha dhe të lërë një trashëgimi të pasur për brezat që vijnë.

Arben Çokaj, tash për tash udhëheqë portalin ”FJALA e Lirë” – Shkodër dhe vazhdon – si profesionist i palodhshëm, të merret me përkthime të veprave të njerëzve të mëdhenj në vençanti Kryeveprave të tyre.
*
PS! – Pas shkrimit

Në shënjë nderimi për dërgimin e disa shkrimeve të mia, të cilat janë publikuar në portalin ”FJALA e Lirë”, prof. Arben Çokaj më ka dërguar dhuratë librin me titull ”Psikoanaliza – Vepra e plotë” e Zigmund Frojdit, të cilin vet e ka përkthyer nga Anglishtja në gjuhën shqipe, i cili libër (botimi i parë) ka 1.150 faqe dhe peshon 2,1 kg. Mbi çfarë i jam falënderues dhe shumë mirënjohës përjetë, sepse me këtë dhuratë më ka bërë nderim të madh; më ka pasuruar Bibliotekën time modeste. Me këtë bëmirësi, ky njeri i madh e vepërmirë më ka sjell në mendje thënien: ”Shtëpia pa libra, është si trupi pa shpirt!”

Përmes këtij shkrimi, profesorit të talentuar dhe përkthyesit profesionist të palodhur dhe shpërblimin me titullin ”Qytetar Nderi i Malësisë së Madahe”, z. Arben Çokaj i dëshiroj shëndet të plotë, harmoni e lumturi në familje dhe arritje të suksese me rezultate të mëdha në udhëtim drejt majave më të larta të shkencës, letërsisë, artit dhe përparimit të mendimit pozitiv njerëzor.

Nga letrat që kemi këmbyer me profesorin Arben përmes E-malit, kam mësuar nga ai se:
”Nuk ka pasuri tjetër më madhe që ua lënë në trashëgim prindërit fëmijëve të vet, sesa edukata e mirë.”
Por qëndron edhe tjetra: që iu përket fëmijve kur të rritën:
”Sa më të mëdhenj e sa më të njohur t’i kemi prindërit, aq më të madh e kemi obligimin dhe përgjegjësinë që ata mos t’i koritim!”

F U N D

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.