35.7 C
Tirana
E premte, 21 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Nuse amerikane

Nuse amerikane

0
Gjon Marku

nga Gjon Marku

  • tregim

Prej cepit të fletës së gjethes së gështenjës ra një pikë vese, si një lot mbi ballin e tij. Lulashi e kishte tretur vështrimin në hapësirën e qiellit, që ishte i pastër si një kupolë e qelqtë. Shikimin e rrëzoi përdhe dhe me dorë e fshiu atë pikë vese që i kishte rënë mbi ballë. Rruga poshtë përdridhej si gjarpër i zi dhe humbiste në luginë. Dielli ishte ulur diku mbi majën e malit përballë e ra përskithi. Në një degë të thatë këndonte qyqja, dhe ai i dëgjonte zërin e saj të kulluar.

Nuk i kishte mbetur shumë kohë. Duhej të nisej.

I biri po nxirrte nga garazhi foristradën. Do ta shoqëronte deri në aeroport, prej nga Lulashi do të merrte udhën për në Amerikë – pse ashtu ishte zakoni: dikush nga shtëpia duhej të shkonte të bënte nderin, edhe pse ai vetë nuk kishte fluturuar kurrë me avion e as nuk dinte një fjalë anglisht. Për këtë e kishte marrë djalin e vogël me vete: atij ia kishte plotësuar gjithnjë çdo dëshirë, e tani i biri do t’ia kthente duke i përkthyer.

Kaloi ngadalë pranë kroit dhe i hodhi dy grusha ujë fytyrës. Pastaj mori shtegun nëpër një bokërrimë e doli matanë përroit të vjetër, atje ku gjendej një grumbull pishash shekullore. Mbi degën e njërës dëgjoi pingërimën e një grifshe, që u frikësua prej tij dhe, duke ikur me krahë, rrëzoi një boçe nga pisha e madhe mbi shkëmb – nga trungu i së cilës rrëshira rridhte si gjak.

-Babë! – e thirri i biri, që dukej i nxituar për të marrë udhën drejt aeroportit.

Por Lulashi po dëgjonte ende, me një farë ëndjeje, tingujt e currilave që binin poshtë si të ishte melodi fyelli, ndërsa gjinkallat, si vajtimore, sikur i priste njëra-tjetrës vajtimin. Do të kishte mbetur ende i humbur në atë lloj imagjinate, po të mos e kishte thirrur i biri edhe një herë. E ktheu kokën. Edhe pse nuk e kishte dëgjuar mirë ç’i tha, e kuptoi: kishte ardhur ora të nisej.

Në oborr pa të shoqen bashkë me nusen e djalit të vogël, që po drejtoheshin nga makina, ndërsa dy djemtë po vendosnin pas, në bagazh, valixhet. Ai e përdrodhi degën e mustakut me një krenari të dukshme. Kushëriri i tij po merrte nuse amerikane, atje në Miçigan, dhe shtëpia e tyre do të ishte ndër të parat që do të priste miqtë e ardhur nga përtej. Se si të flisje me ta, kjo s’ishte punë e tij – ashtu si ministrat, që kur shkonin e vinin nga jashtë, i kishin njerëzit e vet pranë veshit që u përkthenin, edhe atij tani i takonte të njëjta nderë.

Djali, kur e pa duke përdredhur mustakun me atë hijeshi, vendosi ta ngacmonte, dhe nga fundi i makinës i thirri:

-A mor, babaush, more, ç’po m’i bën Amerikës!

Lulashi u krekos edhe më shumë në ndenjëse, por nuk iu përgjigj – sido që të ishte, punë e djalit ishte veç t’ia përkthente kur të gjendej përballë amerikanëve.

Makina filloi të rrëshqiste ngadalë nëpër rrugën që ulej drejt luginës, dhe kështu mbërritën në aeroport. Aty, çuditërisht, dukej krejt si të ishe në malësi: nga dy, nga tre veta për shtëpi, malësorë që niseshin për dasmën e djalit të Prek Gjeloshit – atij që, atje në Miçigan, do ta martonte djalin e vet të vetëm me një amerikane. Kur dielli të perëndonte, aeroplani, si një zog pa fletë, do të ngjitej në mbretërinë e skifterëve, atje lart në qiell, e brenda tij malësorët do të niseshin drejt Amerikës, për t’i bërë nderimin djalit të anëve të tyre.

Lulashi nuk kishte fluturuar kurrë. U ngjesh fort pas ndenjëses dhe hodhi shikimin poshtë, nga dritarja, por s’orientohej dot me largësinë që rritej nga toka. Pas xhamave zbriti terri. Poshtë, shtëpitë dukeshin si xixëllonja – ato ishin mikeshat e tij, të ndezura ndër gardhishtet.

Kështu morën udhën e diellit, si të ishin nisur në ndjekje të tij. Mëngjesi i zuri në rrugë. Prej malësisë, dasmorët mbërritën të gjithë bashkë në Miçigan, ku i priste dasma e madhe. Qiellgërvishtëset shponin një qiell pa yje, pa hënë, pa ngjyrë. Atë natë e kaluan duke njohur të afërmit e njëri-tjetrit, e të nesërmen në darkë u gjendën në një restorant të madh, ku prisnin të vinte nusja amerikane.

Sipas zakonit të maleve, krushqit u nisën ta merrnin nusen. Në vendet e para të makinave zunë vend burrat e dheut, me mustaqe krejt sipas traditave të malësisë: më parë ata të bajrakut të Shkrelit, pastaj të Hotit, pastaj Gruda. Kur mbërritën te shtëpia e nuses, askush s’i priste. U futën në një kafene – kafene që kurrë s’kishte parë kaq shumë shqiptarë njëherësh, burra malësorë e bajraktarë, secili duke kërkuar të dilte i pari, zhurmëmëdhenj, duke folur me të madhe.

Morën e dhanë kështu një copë herë, po nusja nuk po niste vajin – bile as nuk po vinte. Dhëndëri ishte ngritur në këmbë, merrte e jepte në telefon, por pjesa më e madhe nuk kuptonin asnjë fjalë. Djemtë e rinj, që kryesisht jetonin prej kohësh në Amerikë, qeshnin me njëri-tjetrin, ndërsa burrat me mustaqe kërkonin veç një gjë: që nusja tani të vinte.

Të rinjtë u mblodhën mënjanë, pranë njëri-tjetrit, e filluan të flasin anglisht mes tyre – dhe kështu edhe ata plakun s’po e kuptonin dot më. Lulashi i bëri shenjë të birit t’i thoshte ç’kishte ndodhur. Tjetri buzëqeshi dhe nuk tha asgjë. Ç’mund t’i thoshte, në fund të fundit? Askush nga të rinjtë s’dinte si t’ia shpjegonte një plaku të ardhur nga malësia diçka që, për ta, s’ishte fare çudi.

Pasi u dhanë e morën edhe pak me njëri-tjetrin, njëri prej djemve u ngrit në këmbë, mori guximin, dhe tha:

– Dëgjoni, sot nusja nuk vjen.
Britma u ngul në ajër si njw sopatë.
– Bre, pse? A ka vdekur?
-Jo, jo, asgjë e tillë s’ka ndodhur. Ka një hall.

– Gjallë a vdekur, sot do ta marrim! – u ngrit Lulashi, që zinte vendin e të zotit të shtëpisë, pasi po martonte kushëririn e lindur atje, në Amerikë. – E në qoftë se është duke vdekur, prapë do ta marrim. Ne i kemi marrë gratë tona nëntë orë larg, me kalë – jo tani, me këto farë makinash.

– S’është e sëmurë.

– Atëherë këtu do të bëhet nami, do të vriten njerëz, – tha dikush nga fundi.

-Ta rrëmbejmë, – ndërhyri një tjetër. – Ta marrim me hir a me pahir. Kush ka ba’ vaki të gjendet dikush që tallet me ne kështu?

U ngrit atëherë një shkrelas, që e mbante veten për njeri të mençur:

– Pa prisni pak, burra. Pse nuk po do të vijë kjo nusja jonë amerikane?

Djemtë e rinj kryqëzuan shikimet mes tyre. As s’ua shpjegonin dot, as s’ua thoshin – dhe burrat mustaqeli ishin gati të shkrehnin pushkët, si dikur.

– Dëgjoni! – e mori përsëri fjalën djaloshi i parë. – Nusja është ngritur herët, është përgatitur për t’u bërë nuse, po ka pasur diçka që s’i ka shkuar si duhej, e prandaj s’mund të vijë sot me ne.

Burrat mustaqeli u shikuan njëri-tjetrin. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë në anët e tyre. Lulashit filluan t’i dridhen thinjat. Shuante e ndizte cigaret njërën pas tjetrës. Një ankth i freskët, që buronte diku thellë ndër dej, e pushtoi krejt. Deshi të fliste, po iu lidhën fjalët nyje në gojë. “Ti erdhe në udhën e hënës bashkë me të, – mendoi me vete, – që ta martoje kushëririn me nuse amerikane, e tani po koritesh gjallë.” Trishtimi buronte e i frynte në thellësi.

-Ta rrëmbejmë, more burra! – bërtiti aq fort sa të gjithë e kthyen shikimin nga ai. Si mund ta linte kushëririn të koritej kështu, para gjithë atij populli?

Por në këmbë u ngrit i biri i Lulashit.

– Së pari, ulni zërin, se po na dëgjuan këta e po na morën vesh, do të përfundojmë në burg, – ndërhyri ai, që jetonte prej kohësh në Amerikë. – Pastaj, nuk ka ndodhur kiameti. Nuk e marrim sot, e marrim nesër – ç’e keqe ka kjo?

– Si mor, nuk paska të keqe?! – u hakërrua Lulashi, gati t’i binte ndonjë grusht turinjve.

– Në qoftë se s’doni ta kaloni këtë natë nëpër biruca, dëgjoni, – foli prapë i biri. – S’ka ndodhur asgjë e keqe. Ajo është ngritur herët, ka shkuar t’i rregullojë flokët, po s’i kanë dalë siç i donte, dhe ka vendosur të mos martohet sot – po nesër, ose një ditë tjetër.

– Eh, – ofshau Lulashi, dhe në vete mërmëriti: – Mos qofshi, more! Lini vajzat shtathollë, që ju rrinë lepe e peqe, e vini e merrni këto rruspina, veç se kanë ca pasuri.

E hodhi shikimin nga jashtë. Në oborr grindeshin macet. Ah, të ishte koha që ishte dikur! Tri ditë me radhë qyqja do të vajtonte, këto ditë vere, mbi degën e thatë. Sa do të donte të ishte atje, tek burimi, nën sqetullën e malit, ku hëna hidhet flokëlëshuar mbi katarakte e ujëvara.

Ëndrrat i ranë si gjethet e vjeshtës, të pikuara. Qytetit, sikur, i vinte erë vodkë.

“Nuk ka ndodhur asgjë e keqe. Ajo është ngritur herët, ka shkuar t’i rregullojë flokët, s’i kanë dalë siç i donte, dhe ka vendosur të mos martohet sot – po nesër, ose një ditë tjetër,” i buçitën ende në vesh fjalët e të birit.

E ndaloi shikimin te lulet e blirit, në pemën përpara kafenesë, dhe mendoi: “Unë me gruan time flas pesë minuta në javë, e ajo nuk guxon as të më shikojë në sy. E këta…!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.