nga Gjon Marku
- tregim
“Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë. Sa do të kisha dashur të ishe këtu, e të të puthja fort si atëherë, kur e shtyve lehtë derën dhe hyre brenda, kokulur siç hyn një çast dallëndyshja midis dimrit dhe pranverës. Tamam në kohën kur qokthi këndon natën mbi degë, e kur pranvera zbulon gjinjtë dhe burbuqet çelin buzët. Isha i ri e gjithë vrull, aq sa bota më dukej e vogël, e qiejt doja t’i zija me dorë. Ndjenjat m’u ndezën shpuzë kur dëgjova zërin tënd të beftë, pëshpëritës, një zë të përmallshëm… Të dua shumë, Elsona. E tash e ndjej fort mungesën tënde, edhe të puthjeve të tua.”
Aroni e lexoi edhe një herë mesazhin që i kishte kushtuar aq shumë.
Avioni ecte turrthi mbi Urale. Ai e hodhi vështrimin poshtë, mes grykave të thella, ku hijet zgjateshin si akrepa, duke matur gjatësinë e vet me shtatin e malit ngjitur. Muzgu shtrinte krahët mbi vargmale. Një drithërimë ia përshkoi trupin. Po sikur?… “Kush ta dijë se kujt i takonte jeta ime: qyqes që këndon buzëmbrëmjes mbi degën e thatë, apo zogut që angullin buzëmëngjeseve? Vajit të nënës që… apo luftës së Elsonës për të harruar kujtimin e përbashkët?”
Nga mbrapa avionit përzjareshin perëndimet. Përrenjtë, në grykat e maleve, dukeshin si udhë të rrahura me muzgje. Në qiellin e lindjes shkëlqenin yjet. Nata ishte derdhur mbi hapësirë dhe qytetet e lindjes i kishte marrë në gji. Kështu e kishte pushtuar një ndjenjë frike, duke ia shpërndarë mendimet në atë udhëtim të largët, prej cepit të Europës në zemër të Azisë. Ndjente mall të ecte anembanë qytetit të tij buzë liqenit, ku prej rrënjëve të shelgjeve, nëpër myshqe, rrëshqasin shtatholla ngjalat. Yjet e malet, të pasqyruara, marramenden e bien në liqen. Peshqirin e argjendtë e hedh hëna. Nga rrënjët e shkëmbinjve të mbytur në ujin e tij, ardhur prej lotësh krojesh, del e bukura e liqenit. Mëngjeseve mjelmat i gërvishtin fytin; buzëdimrit zogjtë ikin idhshëm drejt skajeve.
Në atë qytet, në shtëpinë e vjetër, kërkonte fëmijërinë e largët.
Kishte kohë që nuk ishte kthyer në qytetin e bukur ku i kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë. Nuk kishte mundur të rrugëtonte deri atje ku gjendej Elsona, e dashura e tij, në këtë ardhje prej larg – sepse udhëtimi tani e çonte diku tjetër: në një qytet tjetër, mes malesh, ku era qante si vajtojcë dhe majëmalet ishin mbuluar me bardhësi.
-Eh, ofshani, kur pa bardhësinë që mbështillte majëmalet. Mbuluar me borë e kishte lënë dhe qytetin mes malesh, ku era qante si vajtojcë.Në mjegullën e kujtesës i vinin herë njëri qytet, herë tjetri: qyteti buzë liqenit, ku gjendej e dashura e tij, dhe qyteti mes malesh, ku e priste një grua e panjohur, që rastësia e lidhte me jetën e tij.
Atë mëngjes, kur ishte gjendur në qytetin mes malesh, lumi rridhte i zemëruar, duke marrë përpara gjithçka. Dimri ishte i ashpër; rrufetë këndonin këngën e furtunës; bubullimat zbrisnin nga malet si gjëmë qielli. Natën ulërinte murrani si bishë e tërbuar; qielli ishte i zi si saç; retë përshkonin hapësirën me nervozizëm. Në ëndrra, ai qytet ishte përkundur natën në një mijë e një klithma – atë qytet që e mbulonte mjegulla, dhe që, thonë, vetëm ujqërit e donin shumë. Pishave të vogla u shket degëve një ketër i vetmuar.
Ishte hera e parë që merrte atë udhë. Pasi la pas qytetin e lashtë të njëmijë dritareve, u ngjit maleve drejt vendit ku e priste shqetësimi që e kishte bërë të udhëtonte prej Azie në Europë, edhe pse nuk e njihte.
Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë… E pa sërish, në ekranin e kompjuterit, mesazhin që i kishte kushtuar kaq shtrenjtë.
Mendimet iu tallazitën. Iu kujtua buzëqeshja e ftohtë, si brymë, e atij burri që ikte për në punë herët në mëngjes – atëherë kur dita dhe nata s’ia kishin lënë ende vendin njëra-tjetrës – dhe kthehej nëpër muzg, veshur si fantazmë me kostum të zi, si hije para natës. Ishte drejtues i një institucioni shtetëror. Nën harqet e vetullave kishte dy sy të skuqur, si yje që zymtohen nën qiell, dhe që lëshonin një vështrim tinëzar, si një muzg me re.
Ecte gjithë autoritet, i ftohtë e i heshtur, gjithnjë duke bërë sikur ishte indiferent – pse gjithkënd e përshëndeste shkurt e prerë. Vetëm kur kalonte ndonjë femër e pashme, zgërdhihej dhe tregonte një fytyrë tjetër. Rrallë shihej i qeshur, veç kur ishte me ndonjë nga drejtuesit e lartë të pushtetit, të cilëve u servilosej deri në pështirosje, ndërsa me njerëzit e thjeshtë ishte gjithnjë autoritar, sikur zemra i ishte mbushur akull. Pelerina e zezë e bënte të dukej i frikshëm, buzëmbrëmjeve, kur kthehej si hije para muzgut.
Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë… – e pa përsëri mesazhin e dërguar, pastaj kërkoi në kompjuter dhe gjeti mesazhin e saj:
“Unë të kuptoj ty, se ke dashur t’i shkruash të dashurës tënde, por mesazhin tuaj e ka lexuar im shoq, dhe që nga ajo ditë jo vetëm më ka përzënë nga shtëpia, por nuk më ka lejuar as të shoh fëmijët. Të qarat e tyre i dëgjoj poshtë ballkonit, pa mundur të bëj asgjë për ta. Ti më shkatërrove jetën e unë nuk kam ku të mbytem…”
Kishin qenë të kota të gjitha përpjekjet e tij për komunikim elektronik, kështu që ishte detyruar të merrte linjat e avionit njëra pas tjetrës, derisa u gjend në atë qytet mes malesh. E kuptonte mirë ç’do të thoshte të rritesh pa nënë – e ëma e kishte lënë të vogël, dhe jeta e tij kishte qenë ndryshe nga ajo e shokëve. Por shumë më e tmerrshme ishte ta kesh nënën gjallë e të mos mund ta takosh, pa asnjë faj të sajin – kur, mbi të gjitha, shkaktar i gjithë asaj gjullurdie ishte ai vetë. Iu drodhën vajshëm sytë. Ajo grua fatkeqe ishte në dorën e mëshirës.
Të dua shumë Elsona… – kaq kishte shkruar në mesazhin e tij, por kishte harruar të vinte pikën pas emrit “Elsona”. Ky mesazh i kishte shkuar një Elsone tjetër, të martuar, që jetonte me një burrë xheloz. I shoqi, duke dashur t’i kontrollonte besnikërinë, kishte gjetur mesazhin, dhe në shtëpinë e tyre kishte plasur hataja. Vetëm pas dy ditësh, gruaja fatkeqe ishte përzënë nga shtëpia. E zënë ngushtë, ishte detyruar t’i përgjigjej mesazhit të panjohur, duke shkruar në fund: “Jeta ime dhe e fëmijëve të mi tash është në dorën tënde.”
Atë natë që Aroni kishte marrë mesazhin e saj, kishte ndenjur zgjuar, duke menduar për atë që kishte ndodhur në atë familje për shkak të fajit të tij. E kishte gjetur ngatërresën dhe menjëherë kishte nisur një mesazh tjetër, sqarues, për zonjën fatkeqe – me emrin e vërtetë të së dashurës së tij dhe të universitetit ku ajo studionte. Por asnjëra nga këto s’kishte ndryshuar pozitën e saj, kështu që ishte dashur të niset drejt qytetit që deri atëherë e kishte parë vetëm në hartë, edhe pse ishte qytet i vendit të tij, i struktur në gji të maleve.
Tashmë kthehej drejt qytetit ku vazhdonte studimet, pasi kishte takuar Elsonën fatkeqe, që qante pareshtur. Një gurrë lotësh i kishin rrjedhur prej syve kur ai i kishte thënë kush ishte. Nuk i shkiteshin nga kujtesa përqafimet e fëmijëve të saj, kur ishte takuar me ta.
“Ah, ju djemtë, ç’jeni kaq të ligj,” iu kujtuan fjalët e Elsonës – të dashurës së tij – të thëna pas asaj nate.
I ati fatkeq i asaj familjeje, xheloz, i paditur e fodull, nuk ishte mësuar të përballej me pasojat e fodullëkut të vet.
“S’është faji im,” kishte thënë, gjithë kryelartësi. “Bile ti e ke fajin,” i kishte thënë Aronit, të ri e të pashëm, të cilin e shihte gjithë xhelozi. Aroni kishte heshtur, por vetullat i ishin ngrysur. S’kishte dashur t’i krijonte më probleme asaj gruaje fatkeqe; i vinte keq për atë që kishte ndodhur, edhe pse e dinte se s’kishte faj.
I kujtohej edhe i ati i asaj gruaje, burrë zotëri, me fjalën të matur e të mençur, që kishte dashur t’i jepte Aronit të paktën lekët e biletës – po ai s’i kishte pranuar.
“Të kam në vend të tim biri,” i kishte thënë kur Aroni po largohej, pas atij sqarimi të madh.
Avioni ecte drejt vend-studimit të tij, ndërsa mendjen ia zinte ajo ngjarje e rinisë, që pas kaq vitesh ishte bërë shkak i një ngatërrese të madhe. Lodhja i ishte ulur mbi vetull dhe gjumi po ia përdridhte sytë.
Nata, njerëzit dhe çdo send – edhe natyra bie në gjumë. Ai do të mbërrinte në mesnatë, pastaj do t’i duhej të rrugëtonte deri afër tregut të qytetit, në paralagjen ku gjendej hoteli ku ai flinte. Buzë shtratit të lumit era rridhte e lirë, aty ku dikur gjendej banesa e tij.
E ktheu sërish kompjuterin te mesazhi i parë, e pasi e rilexoi, hodhi vështrimin poshtë, diku në një liqen të panjohur për të – dhe humbi në kujtimet e së shkuarës, atje në qytetin e liqenit, ku gjendej e dashura e tij, Elsona. Shtëpitë e tyre ishin ngjitur derë më derë, në katin e katërt të njërit prej pallateve pesëkatëshe të atij qyteti buzë liqenit.
Ajo e kishte shtyrë lehtë derën dhe kishte hyrë brenda, kokulur, siç hyn një çast dallëndyshja midis dimrit dhe pranverës. Tamam në kohën kur qokthi këndon natën mbi degë e kur pranvera zbulon gjinjtë e burbuqet çelin buzët. Ai ishte i ri e gjithë vrull, aq sa bota i dukej e vogël e qiejtë donte t’i zinte me dorë. Ndjenjat iu ndezën shpuzë kur dëgjoi zërin e saj të beftë pëshpëritës, një zë i përmallshëm.
– Jam në dush kishte thirrur nga dhoma e vogël ku pikat e ujit të nxehtë i jepnin një energji dehëse. Pastaj kishte mbajtur vesh dhe kishte dëgjuar mbylljen e derës, dhe kishte menduar se ajo ishte larguar drejt hyrjes së saj, dera e së cilës ishte ngjitur me derën e tyre. – Eh, ofshani një herë, dëshira e pabindur i strukej në gjoks. Vështroi përjashta hënën, e cila iu duk si të ishte zatetur në një zambak.
Ishin shokë të së njëjtës klasë, madje të së njëjtës bankë; jo pas shumë kohësh kishin filluar të studionin bashkë. Çdo ditë ajo vinte në shtëpinë e tyre, duke i sjellë diçka për të ngrënë sipas shijeve të tij; studionin bashkë, por ai shpesh tinëzisht shihte gjinjtë e saj si perla. Prania e saj në dhomën e tij të studimit e shqetësonte. Ajo në fakt e pyeste për gjëra të rëndomta e për problema që ai i zgjidhte gjithë bezdi ndërsa nëna e saj, në dhomën tjetër, thurte triko a hekuroste, dhe shtëpinë e mbulonte heshtja.
Në fakt ajo vjedhurazi e nën sy shpesh studionte e shihte gjestet dhe lëvizjet e tij. Ishte një vajzë që sillej lirshëm e kur ai zgjidhte ndonjë problem të saj ajo e mbështeste gjoksin në shpatullën e tij dhe dëgjonte shpjegimin e problemës, dhe disa herë në shenjë mirënjohje e kishte puthur në ballë. Atij i vinte zor nga sjelljet e saj të zhdërvjellta por nuk kishte çfarë të bënte, ajo çdo ditë bënte të njëjtën gjë. Prapë në orën e studimit vinte e futej në dhomën e tij, ku gjithnjë i sillte diçka për të ngrënë.
Atë natë ai ishte vetëm në shtëpi, i ati ishte me një shërbim jashtë shtetit, ndërsa e ëma kishte vite që kishte vdekur. Edhe ajo ishte vetëm në shtëpinë e saj, pasi i ati kishte shkuar në një stërvitje ushtarake jashtë rrethit, kurse e ëma ishte turn i dytë e vinte vonë afër mesnatës. Atë mbasdite ajo nuk kishte ardhur si zakonisht të studionin bashkë, e ai ishte ndjerë i lirshëm. Edhe pse ora nuk kishte vajtur as shtatë e darkës ai ishte futur në dush pse më pas donte të shihte në televizor filmin “David Koperfild”.
Kështu ai me mendimin se askush nuk gjendej në shtëpinë e tij, pasi ishte larë mirë e mirë, kishte veshur mbathjet, kishte hedhur krahëve robdishamin e tij ngjyrë rozë dhe kishte dalë prej dushi i lehtë si një pupël. Ishte drejtuar në dhomën e tij ku donte të ndalohej para pasqyrës e të llakoste flokët e tij të hijshëm. Por kur ishte futur atje aty ishte gjendur ajo e Aroni ishte ndjerë keq.
Nuk ishte shumë gojëtar e nuk dinte nga t’ia niste e çfarë t’i thoshte.
– Më fal, – kishte mërmëritur ai, po unë nuk e dija se ti ishe këtu. Kujtova se ke ikur por ajo i kishte buzëqeshur ëmbël dhe vështrimin e kishte ngulur në lugthin e kraharorit të tij. Vështrimet e tyre, ishin zatetur në njëri-tjetrin dhe ata s’iu kishin bërë ballë ndjenjave të tyre të cilat kishin marrë vrull. Shikimet e tyre ishin rrëzuar përdhe.
Ai kishte kundërshtuar e në ato pak sekonda, kishte menduar gjithçka, por ajo ishte drejtuar drejt korridorit ku i kishte vënë shulin derës, pastaj ishte drejtuar drejt tij dhe i kishte zgjidhur rripin e robdishamit. Buzët i kishin cokërruar si gota. E vetmja që përmes perdes së hapur, hëna përgjonte si një yll çunak, askush tjetër nuk ndihej. Dy buzët e njoma filluan ta shpojnë epsh flakë. Durimi i tij i humbur dhe tretur larg. Ashtu në një stërngutje ,ajo u gjend e zhveshur lakuriq dhe i mbështeti gjinjtë, në lugthin e gjoksit të tij, të atij gjoksi që rrahjet tash ia ndjente të forta. Pastaj si nëpër ëndërr, në vend që të dëgjonte zemrën e tij të rrihte, ndjeu gulçin e hovit të tij rinor, e pas atyre çasteve të magjishme ajo ishte ngritur ashtu nxitimthi dhe pasi i kishte hedhur një vështrim të shpejtë trupit të tij të lakuriqtë një valë e nxehtë sikur e kishte pushtuar nga brenda. Nata drithërohej e tërbuar prej epshit në atë lojë të paparashikuar seksi ku gjunjëzohet burrëria.
Çarçafi i zhubravitur nuk fshihte mëkatimin e tyre. Ajo aty kishte dhuruar vajzërinë e saj, e tashmë ishte tjetër gjë. Ashtu duke u dridhur u afrua sërish pranë tij e para se të largohej la mbi buzët e tij, një puthje. Ai donte sërish të rijetonte atë tërbim të ëmbël, por ajo mori drejt korridorit; dhe ndërsa ai vishej u dëgjua hapja e derës dhe mbyllja e saj, pastaj përplasja e derës së saj kur u mbyll e nata ra. Vështrimin e hodhi tek hëna, e cila ishte dëshmitare e vetme e asaj që kishte ndodhur, e ai ndjenjëtrazuar mërmëriti me vete si t’i kërkonte asaj të mos dëshmonte atë që kishte par. Ma fal mëkatin e dëshirave të mia të marra! Me tërthoren e shikimit të tij pa çarçafët e zhubravitur kështu që shpejt i mblodhi dhe i rrasi në lavatriçe. Atë natë ai nuk fjeti pothuajse fare.
Mëngjesi mori jetë si një ylber. Lejlekët dashuronin e këndonin këngën në sqepin e tyre të kristaltë.
Në orën e zakonshme, pasi mori çantën, u drejtua për në shkollë. U takuan në korridorin e pallatit, por jo si zakonisht – shikimet e tyre ishin rrëzuar përdhe. Ai vuri re skuqjen e lehtë të fytyrës së saj, ku kishte zënë vend një pendesë e pathënë. Ajo mërmëriti diçka me zë të dridhur, që ai nuk arriti ta kuptonte; fytyra i pushtohej nga një krenari e fshehur në muzg.
“Mbrëmë kam jetuar njëqindfish,” kishte thyer ai heshtjen, dhe kishte dashur ta puthte atje, në shkallët e pallatit – por ajo kishte nisur të qante.
Edhe pse ajo ishte penduar, për Aronin zogu i pendesës kishte marrë arratinë.
“Mos qaj,” pëshpëriti ai. “Kujt tjetër i ka hije kaq shumë bukuria?”
Ndër livadhe harliste bari i njomë. Ai tashmë ndjente një pushtet të pathënë mbi të, një të fshehtë që e dinin veç ata të dy dhe hëna. Ai kishte zbuluar lakuriqësinë e saj në atë shtrat, ku i kishte ikur vajzëria.Ecnin të heshtur, njëri pranë tjetrit; ai nuk guxonte t’i afrohej e ta prekte. Dy nuselale dolën vjedhurazi prej mureve.
“Sa bukur nuselalet,” tha ai.
Po i afroheshin oborrit të shkollës, kur një makinë ndaloi para tyre dhe prej saj zbriti i ati i saj. Ai u drodh, sikur diçka e kishte përshkuar; hodhi vështrimin përdhe dhe s’gjeti dot guxim ta shihte drejt në sy.
* * *
Vështrimin e hodhi poshtë, dhe në ekranin përpara pa se po i afroheshin aeroportit të mbërritjes. Mendimet i mbeteshin krahë-thyera. Bashkë me ato kujtime të bukura, iu kujtua sërish mesazhi i shkurtër që kishte dashur t’ia shkruante Elsonës së tij, e cila i kishte dhuruar gjithçka.
“Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë.”
E dashura e tij flinte e qetë, pa ditur asgjë nga ç’kishte ndodhur. Ai nxitonte të kthehej në qytetin e studimeve, në zemër të Azisë. Elsonën fatkeqe ndoshta ende s’e kishte zënë gjumi – çmallej me fëmijët e saj. Apo ndoshta ata flinin tashmë, dhe ajo po përpiqej të bënte paqe me të shoqin, mbase duke kërkuar që t’i falej, mbase duke shpresuar për një jetë të re.
Sa herë shkruante emrin e Elsonës, gjithnjë vinte pikën pas tij. Ajo shenjë pikësimi kishte mbetur si një pikë në zemrën e tij, që s’u hoq kurrë.
Kishin kaluar vite që ishte martuar. Një natë, Elsona i kërkoi t’i printonte disa të dhëna nga posta e saj elektronike; kur ai hapi adresën, aty gjeti një mesazh dashurie. Nuk e lexoi – por trazimi i brendshëm iu shtua. Kishte harruar mesazhin që vetë ai ia kishte dërguar dikur, si student.
Ajo e kishte kuptuar që diçka nuk shkonte, edhe pse ai s’kishte folur. Atë natë s’kishte fjetur, dhe të nesërmen, kur e kishte rilexuar mesazhin me kujdes, kishte parë se ai vetë e kishte dërguar. I ishte kujtuar sërish historia që kurrë s’do të donte ta kishte ndodhur – as asaj Elsone tjetër, as burrit të saj, atje, në qytetin mes malesh.
Eh, si qenka jeta – gruaja, edhe pse e shenjtë, se është nënë, mbetet pjesë e dramave të mëdha e e dhimbjes pa fund, edhe pa faj…


