ose
kur fuqia politike kthehet në bllokadë
Z. Noka, gusht 2026
Në demokraci vendos qytetari me votën e vet. Por çka vendos saktësisht qytetari me atë votë? Kjo pyetje bahet veçanërisht e randësishme kur, mbas zgjedhjeve, asnjë parti nuk e ka shumicën e nevojshme me qeverisë vetëm.
Shpesh, mbas zgjedhjeve, e ndëgjojmë fjalinë: „Na i kemi fitue zgjedhjet, prandaj neve na takon me e formue qeverinë.“ Politikisht, ky pretendim mundet me u kuptue. Por në një demokraci parlamentare puna nuk asht kaq e thjeshtë.
Me i fitue zgjedhjet nuk do me thanë automatikisht se partia ma e madhe asht edhe në gjendje me i ndërtue institucionet. Zgjedhjet, para së gjithash, e përcaktojnë përbamjen e parlamentit dhe numrin e mandateve që i merr secila parti.
Për me formue qeverinë duhet diçka tjetër: shumica parlamentare, ose së paku mbështetja e mjaftueshme në parlament. Pikërisht këtu fillon puna e vërtetë politike.
Një parti mundet me i fitue zgjedhjet, por prapë mos me qenë në gjendje me formue qeverinë. Mundet me i marrë ma së shumti vota, por mos me gjetë partnerë. Ndërsa parti që veçmas kanë marrë ma pak vota, munden bashkë me krijue shumicën dhe me formue qeverinë. Mundesh t`i keshë fitue zgjedhjet bindshëm, por nuk mundesh me zgjedh presidentin, se te duhet nje bashkpunim me partitë tjera. Kjo asht vetë logjika e demokracisë parlamentare.
1. Me qeverisë do me thanë edhe me ditë me krijue shumicë
Aftësia politike nuk dëshmohet vetëm tue fitue shumë vota. Ajo dëshmohet edhe mbas zgjedhjeve: a je në gjendje me gjetë partnerë, me krijue besim dhe me ndërtue një shumicë që mundet me qeverisë?
Nëse një parti nuk ia del me ba këtë, atëherë duhet me u shtrue edhe një pyetje e pakëndshme: A janë gjithmonë fajtorë vetëm të tjerët?
Apo një pjesë e problemit mundet me qenë edhe te vetë partia – te kërkesat tepër të mëdha, mungesa e kompromisit, në gjuhën e komunikimit të pështirë, kulturën e vetkënaqësisë politike, mënyra e komunikimit apo mungesa e besimit që e ka krijue te partnerët e mundshëm?
Por e njëjta pyetje duhet me iu ba edhe opozitës. As opozita nuk mundet me e pengue çdo zgjidhje të mundshme dhe mandej me thanë se partia fituese nuk po din me i formue institucionet. Përgjegjësia demokratike asht e dyanshme.
Në demokracitë europiane kemi plot raste kur partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk ka mujtë me marrë pushtetin, sepse nuk ka pasë shumicën ose nuk ka mujtë me krijue koalicion. Ka pasë edhe raste kur formimi i qeverisë ka zgjatë me muaj të tanë. Por ajo që e dallon një demokraci të konsolidueme asht aftësia që konflikti politik të menaxhohet pa e shndërrue shtetin në peng të partive.
Pikërisht këtu rasti i Kosovës bahet shqetësues: jo pse ekziston konflikt politik – sepse konflikti asht pjesë normale e demokracisë – por pse mungesa e kompromisit po shndërrohet vazhdimisht në krizë institucionale.
Edhe fituesi i zgjedhjeve duhet me bisedue me të tjerët, me ndryshue disa kërkesa dhe me pranue kompromise. Pra, aftësia për koalicion dhe kompromis asht pjesë e aftësisë për qeverisje dhe ndërtim të institucioneve. E këtu vijmë te Kosova
Në Kosovë kemi pa disa herë se konflikti politik nuk fillon vetëm te formimi i qeverisë. Ai mundet me fillue qysh te konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit apo plotësimi i pozitave tjera institucionale, si ajo e presidentit.
Dhe këtu lind pyetja: Kush po e bllokon kë, sot? Partia ma e madhe po thot: „Na i kemi fitue zgjedhjet. Qytetarët na kanë dhanë mandatin ma të madh dhe neve na takon me marrë përgjegjësinë kryesore për drejtimin politik dhe ndërtimin e institucioneve.“ Pra edhe në zgjedhjen e presidentit.
Opozita popërgjigjet: „Po, ju jeni partia ma e madhe. Por nuk e keni shumicën. E drejta me propozue një kandidat nuk do me thanë se na jemi të detyruem me votue për të, apo me i pranue pa kushte propozimet e partisë fituese. Apo kushtet e saja“
Të dyja argumentet munden me pasë bazë demokratike. Prandaj pyetja ma e drejtë nuk asht vetëm kush ka të drejtë, por: Kush e ka mundësinë reale me e zgjidhë bllokadën përmes një kompromisi të arsyeshëm – dhe kush nuk asht i gatshëm me e ba atë kompromis? Dhe ku fillon keqpërdorimi i fuqisë politike?
Jo çdo bllokadë asht keqpërdorim, porse edhe jo çdo refuzim kompromisi, asht i arsyeshëm. Një parti ka të drejtë me refuzue një kandidat. Ka të drejtë mos me hy në koalicion. Ka të drejtë me kërkue ministri të caktueme. Ka të drejtë me thanë se nuk don me qeverisë me një parti të caktueme. Ka të drejtë edhe me kërkue zgjedhje të reja. Krejt këto janë pjesë e demokracisë.
Por fakti se një kompromis politik a arrihet apo jo, varet edhe prej kulturës politike dhe aftësisë udhëheqëse të atyne që pretendojnë me marrë përgjegjësinë kryesore për qeverisjen.
Problemi fillon kur mjetet institucionale nuk përdoren ma vetëm për me mbrojtë një qëndrim politik, por shndërrohen në instrument për me e pengue vetë funksionimin e institucioneve. Problematike bahet edhe kur kundërshtari akuzohet çdo ditë se „nuk po reflekton“, „nuk po don me bashkëpunue“ apo „po e bllokon shtetin“, ndërkohë që vetë pala që i ban këto akuza e ka në dorë mundësinë me lëvizë prej pozitës së vet dhe me ofrue një kompromis real.
Veçanërisht problematike asht logjika: „Na nuk e kemi shumicën e plotë, por meqë kemi marrë dyfish ma shumë vota se një parti tjetër, të tjerët duhet me i pranue kushtet tona, sepse populli na ka votue neve.“ Jo. Pikërisht për shkak se nuk e ka shumicën e nevojshme, partia fituese asht e detyrueme politikisht me kërkue partnerë e kompromis nëse don me qeverisë. Alternativa tjetër janë zgjedhjet e reja – por as ato nuk duhet me u përdorë si mjet presioni sa herë që kompromisi bahet i vështirë.
Kush kërkon rol udhëheqës për shkak se ka dalë i pari, merr mbi vete edhe përgjegjësi ma të madhe. Nuk mundesh me thanë njëkohësisht: „Na kemi fitue dhe prandaj neve na takon me ua tregue partive tjera se si duhet me u ndërtue institucionet“, e mandej: „Të tjerët e kanë për detyrë me na i dhanë votat që na mungojnë.“
Jo. Votat që mungojnë duhet me i fitue politikisht – përmes negociatave, marrëveshjeve dhe kompromisit.
Kush don me udhëheqë, duhet me qenë në gjendje edhe me krijue shumicë. Me i „pastrue duart“ prej përgjegjësisë dhe me ia lanë fajin gjithmonë tjetrit mundet me qenë taktikë politike, por nuk asht shenjë e kulturës së një demokracie liberale. E më së paku po i shërben Kosovës, sot, përkundrazi, de fakto Kosova nuk ka institucione të zgejdhura, kemi vetëm deputet, e legjitimuar, qe dhanë betimin. Ky asht fakt.
Për me krijue shumicë duhet me folë me kundërshtarët politikë. Nganjëherë duhet me ndërrue një kandidat. Nganjëherë duhet me heqë dorë prej një posti. Nganjëherë duhet me ia dhanë partnerit politik ma shumë hapësinë se sa ke mendue në fillim. Kjo nuk asht dobësi.
Kompromisi në demokraci parlamentare nuk asht humbje. Shpesh asht kusht për me qeverisë. Rrethi vicioz i mosbesimit, këtu vijmë te një problem që nuk zgjidhet vetëm me nene të Kushtetutës: besimi ndërmjet partive. Matematikisht, koalicionet janë të thjeshta. Politikisht, puna asht shumë ma e vështirë. Kur mungon besimi, krijohet një rreth vicioz: Mosbesimi sjell kërkesa ma të forta. Kërkesat ma të forta sjellin bllokadë. Bllokada krijon edhe ma shumë mosbesim.
Në fund askush nuk don me lëshue pe, sepse çdo kompromis paraqitet si humbje, tradhti apo kapitullim. Dhe pikërisht këtu shihet kultura politike e individëve dhe e partive.
Gjermania, Austria, Belgjika dhe Holanda e vende tjera nuk janë vende pa konflikte politike. Edhe atje luftohet fort për ministri, kandidatë, programe dhe pushtet. Dallimi nuk asht se a ka konflikt. Dallimi shihet në atë se çka ndodh kur palët nuk merren vesh.
Në një demokraci të pjekun, konflikti nuk duhet me u shndërrue në paralizë të përhershme të shtetit.
Nëse një parti nuk arrin me formue qeverinë apo me ndërtue institucionet, ky asht dështim politik. Nëse, përveç kësaj, e përdor fuqinë e vet me e mbajtë sistemin të bllokuem pa kërkue seriozisht rrugëdalje, atëherë problemi kalon prej dështimit politik në papërgjegjësi institucionale.
2. emokracia kërkon vetëpërmbajtje
Kushtetuta mundet me i nda kompetencat, me caktue procedura dhe afate. Por Kushtetuta nuk mundet me e parashikue çdo situatë politike. Prandaj demokracia ka nevojë edhe për diçka tjetër: vetëpërmbajtje politike. Vullnet politik, jo egomani. Lidership, jo bindjen autoritare se vetëm njëra palë asht gjithmonë e pagabueshme.
Një demokraci e fortë nuk dallohet pse politikanët e duan apo i besojnë njani-tjetrit. Ajo dallohet kur kundërshtarët politikë, edhe kur nuk i besojnë njani-tjetrit, i respektojnë rregullat e përbashkëta dhe funksionimin e shtetit.
Nuk je i detyruem me i besue kundërshtarit politik. Por je i detyruem me respektue institucionet që janë të përbashkëta për të gjithë.
Çka do me thanë kjo për Kosovën? Për Kosovën, pikërisht këtu mundet me qenë një prej sfidave ma të mëdha të demokracisë. Çështja nuk asht vetëm kush i fiton zgjedhjet. Çështja asht edhe kush e ka aftësinë dhe gatishmëninë me i ndërtue institucionet, me krijue shumicë dhe me ba kompromis. As nuk asht vetëm pyetja se kush e ka formalisht të drejtën me propozue një kandidat.
Pyetja vendimtare asht: A janë aktorët politikë të gatshëm me i përdorë të drejtat e veta në atë mënyrë që, në fund, institucionet demokratike me mujtë me funksionue? Fituesi i zgjedhjeve nuk duhet me e kuptue fitoren si pronësi mbi shtetin, njëkohësisht, opozita nuk duhet me e përdorë fuqinë e vet parlamentare për me e ba të pamundshme çdo zgjidhje institucionale. Përgjegjësia asht e dyanshme – por nuk asht domosdo gjithmonë e barabartë.
Ai që pretendon me udhëheqë e që kërkon mandatin kryesor për qeverisje, mban edhe barrën ma të madhe me ofrue rrugëdalje. Fituesi duhet me dëshmue se nuk din vetëm me fitue zgjedhje, por din edhe me krijue shumicë. Opozita duhet me dëshmue se nuk din vetëm me kundërshtue, por edhe me mundësue alternativa demokratike.
3. Prova e vërtetë fillon mbas zgjedhjeve
Ndoshta pikërisht këtu qëndron mësimi ma i randësishëm prej krahasimit të Kosovës me demokracitë tjera parlamentare europiane. Zgjedhjet tregojnë se si ndahet fuqia politike. Por ato nuk e zgjidhin automatikisht pyetjen se si kjo fuqi ka me u ushtrue mbas zgjedhjeve. Aty fillon prova e vërtetë e kulturës politike.
A mundet fituesi me e pranue se, edhe pse ka fitue, i duhen të tjerët? A munden partitë tjera me e pranue se fituesi e ka marrë mandatin ma të madh prej qytetarëve? A munden të dyja palët me e dallue interesin e partisë prej interesit të institucioneve të shtetit? Dhe, mbi të gjitha, a munden kundërshtarët politikë me ba kompromis pa e paraqitë kompromisin si kapitullim, por si fitore e kulturës politike? Pikërisht këtu matet pjekunia e një demokracie parlamentare.
Fituesi i zgjedhjeve e ka fjalën e parë politike – por jo domosdo edhe të fundit.
Shumica vendos kush qeveris. Kushtetuta i cakton rregullat. Kurse kultura politike vendos se a kanë me funksionue këto rregulla në praktikë. Në rastin e Kosovës, çelësi asht te ai që don me udhëheqë. Në fund, përgjegjësia nuk mundet me u shpërnda mekanikisht përgjysmë. Opozita ka përgjegjësinë e vet. Qëndrimet kategorikisht refuzuese, kalkulimet partiake dhe bllokimi për hir të bllokimit nuk i shërbejnë demokracisë. Por, në situatën e Kosovës, përgjegjësia kryesore politike bie mbi atë subjekt që ka dalë i pari dhe që pretendon të drejtën me udhëheqë vendin, mirëpo ankohet gjithë kohën se të “tjerët” nuk po duan me bisedue sipas kërkesave tona.
Në këtë kuptim, VV e ka në dorë një pjesë vendimtare të çelësit për me dalë prej bllokadës. Nëse një subjekt thotë se e ka marrë mandatin ma të madh prej qytetarëve dhe, mbi këtë bazë, kërkon me udhëheqë qeverinë, atëherë prej tij kërkohet edhe iniciativa ma e madhe për kompromis, jo një gjuhë e linçimeve të nivelit të rrugaçërisë. Këtu nuk mjafton me i ftue partitë tjera në bisedime dhe, në të njëjtën kohë, me i sulmue publikisht si përgjegjëse të vetme për krizën. Dialogu politik nuk matet me numrin e ftesave, por me gatishmëninë reale për me lëvizë prej pozicionit fillestar, vullnetin e hapur për zgjidhje – çka vetvendosja deri tashti nuk e ka demonstrue, vërtetë.
Nëse ekziston një zgjidhje e mundshme – për shembull, një marrëveshje politike ku posti i presidentit i lihet LDK-së, ndërsa VV vazhdon me e ushtrue të drejtën e vet për me synue udhëheqjen e qeverisë – atëherë një propozim i tillë së paku meriton me u trajtue seriozisht në negociata.
Nëse një kompromis i tillë refuzohet kategorikisht vetëm pse posti duhet me i u zënë sipas kërkesës së partisë fituese, atëherë pyetja nuk asht ma vetëm juridike apo aritmetike. Bahet pyetje e kulturës politike dhe e aftësisë për udhëheqje. Sepse lidershipi demokratik nuk dëshmohet tue i detyrue të tjerët me pranue vullnetin tand. Dëshmohet tue gjetë një rrugë që e ban të mundshme funksionimin e shtetit edhe kur askush nuk e merr krejt atë që don.
Nëse çdo lëshim shihet si humbje, çdo kompromis si dobësi dhe çdo kundërshtar si pengesë, politika hyn pikërisht në atë rreth vicioz të mosbesimit prej të cilit mandej vështirë del. Përfundon në rrethin vicioz të egomanisë së pështirë. Dhe atëherë çmimin nuk e paguen vetëm një parti. E paguen shteti.
Prandaj, nëse VV don me dëshmue se asht jo vetëm fituese e zgjedhjeve, por edhe forcë udhëheqëse, duhet me dëshmue pikërisht atë që kërkon demokracia parlamentare: aftësinë me ba kompromis kur kompromisi asht i nevojshëm për funksionimin e institucioneve.
Refuzimi kategorik i çdo formule që nuk i jep partisë fituese krejt atë që kërkon nuk asht shenjë force politike. Përkundrazi, përkunfdrazi, po jepë shenjën e paaftësisë me e shndërrue fuqinë elektorale në përgjegjësi shtetërore.
Në fund, krejt kjo mundet me u përmbledhë në tri fjali: Kush don me udhëheqë, duhet me ditë ma shumë se me fitue zgjedhje. Duhet me ditë me krijue besim, me ba kompromis dhe me ndërtue shumicë.
Kush asht në opozitë ka të drejtë me i pas kundërshtimet për politikat e një qeveri – por nuk duhet me e pengue ngritjen e institucioneve shtetnore.
E, kush e ka çelësin e kompromisit në dorë, por refuzon me e përdorë, nuk mundet pafundësisht me ia lanë fajin vetëm tjetrit. Barra bie kryesisht mbi VV-në.










