24.8 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Shën Gjon Pagëzuesi mbetet zëri i kthimit, dëshmitari i Dritës dhe Pararendësi...

Shën Gjon Pagëzuesi mbetet zëri i kthimit, dëshmitari i Dritës dhe Pararendësi i Krishtit

0
Dom Fran Sopi
Dom Fran Sopi

Shkruan: Dom Fran Sopi

Figura e Shën Gjon Pagëzuesit zë një vend të veçantë në historinë e shpëtimit të njerëzimit mbi tokë, sepse ai si një profet, i cili qëndron si një urë e shenjtë dhe e pazëvendësueshme ndërmjet premtimeve të Besëlidhjes së Vjetër dhe përmbushjes së tyre të plotë në Besëlidhjen e Re.

Në të bashkohet pritja e gjatë profetike e Izraelit me agimin e ri të hirit që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit. Prandaj, Shën Gjoni nuk është qendra e shpëtimit, por ai që e tregon Epiqendrën, që do të thotë se nuk është Drita, por dëshmitari i Dritës, nuk është Mesia, por Pararendësi i Atij që vjen për ta shpëtuar botën.

Ungjilli i Shenjt e paraqet Shën Gjonin si njeriun e dërguar prej Hyjit për të përgatitur ardhjen e Krishtit dhe për ta zgjuar ndërgjegjen e popullit para takimit me Shpëtimtarin. Ai është zëri që thërret në shkretëtirë: “Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij.” Kjo thirrje nuk është vetëm një fjali profetike, por përbën thelbin e misionit të tij. Gjoni nuk predikon për veten e tij, nuk ndërton lavdi personale dhe nuk kërkon të bëhet qendër e vëmendjes së njerëzve. Përkundrazi, ai është i madh pikërisht sepse di të zvogëlohet para Krishtit dhe ta vendosë tërë jetën e tij në shërbim të Atij që po vinte.

Në këtë kuptim, Shën Gjon Pagëzuesi është figurë e përvujtërisë profetike dhe e besnikërisë së plotë ndaj vullnetit të Hyjit. Ai e di se misioni i tij është të hapë rrugën, jo ta zëvendësojë Krishtin; të përgatisë zemrat, jo t’i lidhë ato pas vetes; të dëshmojë të Vërtetën, jo ta mbulojë atë me emrin e vet. Prandaj, kur populli e pyet dhe pret prej tij një përgjigje vendimtare, ai nuk e merr mbi vete titullin që nuk i takon, por dëshmon me qartësi: “Unë nuk jam Krishti.” Me këtë fjali, Gjoni bëhet model për çdo njeri të besimit, sepse na mëson se njeriu nuk shpëton duke e vendosur veten në qendër, por duke ia lënë qendrën Hyjit.

Fjala kryesore e predikimit të Shën Gjonit është: “Kthehuni, sepse Mbretëria e qiellit është afër.” Kjo thirrje e tij, nuk është vetëm një porosi morale, as vetëm një këshillë për përmirësim të jashtëm, por është një ftesë thellësisht teologjike për metanoia, domethënë për kthim të brendshëm, për ndryshim të mendjes, të zemrës dhe të drejtimit të jetës. Kthimi nuk është vetëm ndjenjë pendimi apo keqardhje për gabimet e së kaluarës; ai është vendim i lirë dhe i përgjegjshëm për ta hapur jetën ndaj Hyjit. Ai është dalje nga errësira e mëkatit dhe hyrje në dritën e hirit.

Gjoni pagëzon me ujë, si shenjë pendimi, pastrimi dhe gatishmërie për një jetë të re. Por ai e di mirë se pas tij vjen Ai që është më i madh se ai dhe para të cilit çdo mision njerëzor merr kuptimin e vet të plotë. Prandaj shpall: “Unë ju pagëzoj me ujë për kthim, por Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë.” Këtu shihet qartë përmasa kristologjike e misionit të tij. Gjoni nuk e sheh pagëzimin e vet si qëllim përfundimtar, por si përgatitje për ardhjen e Krishtit. Uji i Jordanit bëhet shenjë e një pastrimi më të thellë, që do të përmbushet në Krishtin, në Shpirtin Shenjt dhe në jetën e re të hirit.

Kur Shën Gjoni e sheh Jezusin, ai e shpall me fjalë të paharrueshme: “Ja Qengji i Hyjit, që e shlyen mëkatin e botës.” Kjo dëshmi është një nga pohimet më të thella dhe më të fuqishme të Besëlidhjes së Re. Me këtë fjali, Gjoni nuk tregon vetëm një njeri të shenjtë, as vetëm një profet të madh, por zbulon misionin shpëtimtar të Krishtit. Jezusi është Qengji, domethënë Ai që merr mbi vete mëkatin, plagën, largimin dhe humbjen e njeriut nga Hyji, për ta kthyer njerëzimin në pajtim me Atin.

Në këtë dritë, Shën Gjon Pagëzuesi bëhet mësues i shikimit shpirtëror, sepse ai na mëson të mos ndalemi vetëm te shenjat, te ritet apo te format e jashtme, por të arrijmë te Krishti, i cili është kuptimi dhe përmbushja e tyre. Ai na mëson të mos mjaftohemi me dukjen e jashtme fetare, por të hyjmë në thellësinë e besimit. Na mëson të mos e përdorim fenë si zakon të trashëguar, por ta jetojmë si kthim, si hir, si dritë, si përgjegjësi dhe si takim të gjallë me Hyjin.

Porosia e tij është shumë aktuale edhe në shekullin XXI apo më konkret për njeriun e sotëm, sepse edhe sot ekzistojnë shkretëtira të shumta: shkretëtira të shpirtit, të familjes, të besimtarëve, të shoqërisë dhe të ndërgjegjes. Ka njerëz që jetojnë me shumë hallakam dhe zhurmë, por me pak paqe; ka zemra që kanë shumë fjalë, por pak lutje; ka familje që kanë shumë afërsi fizike, por pak dialog; ka shoqëri që kanë shumë zhvillim të jashtëm, por që shpesh vuajnë nga varfëria morale dhe shpirtërore.

Prandaj, fjala e Gjonit “Kthehuni” nuk është thirrje e vjetruar dhe nuk i përket vetëm një kohe të largët biblike. Ajo është fjalë për çdo kohë, për çdo popull, për çdo familje dhe për çdo ndërgjegje njerëzore. Është një thirrje për t’u kthyer nga mëkati te hiri, nga gënjeshtra tek e vërteta, nga egoizmi te dashuria, nga indiferenca te përgjegjësia, nga dëshpërimi te shpresa dhe nga vetë-mjaftueshmëria njerëzore te besimi i gjallë në Hyjin. Kthimi është rruga nëpër të cilën njeriu e lejon Hyjin ta rindërtojë nga brenda.

Në planin shpirtëror, Shën Gjoni na mëson se nuk mund ta presim Krishtin me zemër të mbyllur, me ndërgjegje të fjetur dhe me jetë të ndarë nga hiri. Krishti vjen aty ku zemra përgatitet; Ai vjen aty ku njeriu e pranon nevojën për falje; Ai vjen aty ku ndërgjegjja zgjohet; Ai vjen aty ku njeriu nuk e mbron më mëkatin e vet, por ia hap plagën hirit të Hyjit. Kjo është arsyeja pse kthimi nuk është humbje, por rilindje; nuk është poshtërim, por ngritje; nuk është fund, por fillim i ri në dritën e Zotit.

Kjo është edhe porosia për Shqipërinë, Kosovën e mërgatën tonë, për familjet tona dhe për besimtarët tanë. Thirrja e Gjonit nuk duhet dëgjuar vetëm si fjalë për individin, por edhe si thirrje për ndërgjegjen shoqërore dhe kombëtare. Një popull që dëshiron të ndërtojë të ardhmen duhet të kthehet vazhdimisht tek e vërteta, te drejtësia, te ndershmëria, te pajtimi dhe te Zoti. Pa kthim të zemrës, edhe liria mund të mbetet e paplotë; pa formim moral, edhe zhvillimi mund të bëhet i zbrazët; pa Krishtin, edhe shpresa mund të lodhet dhe të humbasë drejtimin.

Për të rinjtë tanë, Shën Gjon Pagëzuesi është shembull i qartësisë, i guximit shpirtëror dhe i jetës së orientuar kah një mision më i madh se vetja. Ai nuk jeton për t’u dukur, por për të dëshmuar. Ai nuk i bindet zhurmës së turmës, por zërit të Hyjit. Ai nuk thotë: “Ejani pas meje”, por tregon Krishtin. Në një kohë kur shumë të rinj kërkojnë identitet, drejtim dhe kuptim, Gjoni i mëson se jeta merr kuptim vetëm kur orientohet kah Krishti, sepse vetëm Ai ia jep zemrës njerëzore drejtimin, paqen dhe plotësinë.

Fjala e Krishtit në Besëlidhjen e Re: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”, e ndriçon plotësisht misionin e Gjonit. Sepse Gjoni nuk është udha përfundimtare, por ai që e përgatit udhën drejt Krishtit; ai nuk është e vërteta e plotë, por dëshmitari i së Vërtetës; ai nuk është jeta, por ai që e tregon Burimin e jetës. Prandaj, çdo fjalë, çdo gjest dhe çdo dëshmi e Gjonit e ka drejtimin e vet përfundimtar te Krishti.

Për këtë arsye, madhështia e tij përmblidhet në fjalët: “Ai duhet të rritet, e unë të zvogëlohem.” Kjo fjali është program i tërë jetës së krishterë dhe themel i çdo shërbimi të vërtetë në Kishë. Të rritet Krishti në mendimet tona, në fjalët tona, në vendimet tona, në familjet tona, në Kishën tonë dhe në shoqërinë tonë. Të zvogëlohen krenaria, egoizmi, urrejtja, gënjeshtra, lakmia dhe çdo gjë që e pengon hirin e Hyjit të veprojë në ne.

Shën Gjon Pagëzuesi mbetet, zëri i kthimit, dëshmitari i Dritës dhe Pararendësi i Krishtit. Ai na fton të mos e shtyjmë kthimin për nesër, sepse Mbretëria e Hyjit është afër dhe hiri i Zotit troket sot në zemrën tonë. Ai na mëson se përgatitja për Krishtin nuk bëhet vetëm me fjalë, me rite apo me kujtime të bukura, por me zemër të pastruar, me jetë të drejtë, me ndërgjegje të zgjuar dhe me besim të gjallë.

Prandaj, në festën e tij, Kisha nuk na fton vetëm ta nderojmë një shenjt të madh, por ta dëgjojmë një zë që vazhdon të flasë edhe sot. Një zë që del nga shkretëtira e Ungjillit dhe hyn në shkretëtirat tona të brendshme. Një zë që nuk na dënon, por na zgjon; që nuk na largon, por na çon te Krishti; që nuk na mbyll në frikë, por na hap ndaj shpresës dhe mëshirës së Hyjit.

Në përmbyllje të këtij reflektimi, si meshtar i Kishës, e ndiej se figura e Shën Gjon Pagëzuesit nuk na fton vetëm ta admirojmë një profet të madh, por ta dëgjojmë një thirrje që prek zemrën e secilit prej nesh. Ai nuk na çon te vetja, por te Krishti; nuk na mban në brigjet e Jordanit si spektatorë të një ngjarjeje të kaluar, por na fton të hyjmë në një proces të gjallë kthimi, pastrimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore. Prandaj, mbi të gjitha mesazhi im meshtarak për këtë festë është i thjeshtë, por thellësisht ungjillor: le të mos kemi frikë të kthehemi te Zoti. Kthimi nuk është shenjë dobësie, por shenjë pjekurie shpirtërore. Nuk është humbje e dinjitetit njerëzor, por rilindje e tij në dritën e hirit. Njeriu që kthehet te Hyji nuk e humb vetveten; përkundrazi, e gjen kuptimin më të thellë të jetës së vet.

Shën Gjon Pagëzuesi na mëson se çdo zemër ka nevojë ta përgatisë udhën e Zotit. Këtë nevojë e ka zemra e meshtarit, zemra e besimtarit, zemra e familjes, zemra e rinisë dhe zemra e popullit tonë. Sepse Krishti dëshiron të vijë jo vetëm në tempujt tanë, por edhe në ndërgjegjen tonë; jo vetëm në liturgjitë tona, por edhe në vendimet tona; jo vetëm në lutjet tona, por edhe në mënyrën se si falim, si duam, si flasim dhe si jetojmë.

Si meshtar, dëshiroj që kjo festë e sotme e Shën Gjon Pagëzuesit të bëhet për ne një moment zgjimi shpirtëror. Të mos mbetemi vetëm te tradita e jashtme, por të hyjmë në thellësinë e besimit. Të mos e dëgjojmë fjalën “kthehuni” si qortim të rëndë, por si ftesë të mëshirshme të Hyjit, i cili gjithmonë e pret njeriun me dashuri atërore.

Andaj edhe të mësojmë nga Shën Gjoni përvujtërinë e vërtetë: të mos e vendosim veten në qendër, por Krishtin. Njëkohësisht të mësojmë prej tij guximin për ta dëshmuar të vërtetën, pastërtinë për ta kërkuar hirin dhe besnikërinë për ta përgatitur udhën e Zotit në çdo kohë. Pra, kjo është lutja dhe dëshira ime meshtarake: që në zemrat tona të rritet Krishti, të pastrohet ndërgjegjja, të forcohet besimi, të ngjallet shpresa dhe të thellohet dashuria. Sepse aty ku Krishti pranohet me zemër të hapur, aty fillon kthimi i vërtetë; aty fillon paqja; aty fillon ripërtëritja e njeriut, e familjes dhe e popullit.

Shën Gjon Pagëzuesi, Pararendës i Krishtit, na ndihmoftë që të bëhemi dëshmitarë të përvujtë të Dritës dhe shërbëtorë të sinqertë të Ungjillit. Për shumë mote kremtofshi dhe e festofshi festën e Shën Gjonit, Profetit të Besëlidhjeve. Urime!

Pejë, më 24 qershor 2026

Dërgoi për publikim, Lekë Mrijaj, gazetar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.