“Nuk është forca, por kohëzgjatja e ndjenjave të larta
ajo që i bën njerëzit fisnikë”
Friedrih Niçe
Dëshira e autorit për të bërë një libër për fisin Tarja ka qenë e madhe dhe e kahershme. Që para 15 vitesh, Ai na tha: “Unë kam një dëshirë të madhe, të botoj një libër për fisin tim. Për këtë po grumbulloj disa materiale, dokumente dhe fakte historike rreth jetës dhe veprimtarisë së njerëzve të fisit Tarja. Libri që mendoj të bëj, do të jetë një libër i thjeshtë, objektiv dhe realist”- na tha aurori i këtij libri atëherë.
Qëllimi justifikon mjetin. Koha do të ecte vit pas viti. Njeriu fisnik, Enveri, nuk do ta bënte gjumin rehat pa realizuar ëndrrën dhe dëshirën e tij. Gjatë kësaj kohe, Ai, do të mblidhte të dhëna për fisin, dokumente, dhe gojëdhëna të sakta për origjinën, jetën dhe veprimtarinë e paraardhësve të fisit të tij në vite.
Objektivitetin e tij të viteve më parë, ne si redaktorë të librit, patëm rastin dhe fatin tonë të mirë, ta prekim dhe vërtetojmë në çdo shkrim, fjalë, fjali dhe kapitull të librit: “Fisi Tarja i Bastarit, në rrjedhat e kohës”. Ne e kaluam disa herë nëpër duar librin…
Libri: ”Fisi Tarja i Bastarit, në rrjedhat e kohës”, me autor Enver Tarja, ka vlera të mëdha njohëse dhe edukative për njerëzit e fisit të tij dhe jo vetëm. Libri është i konceptuar, ideuar dhe realizuar në 14 kapituj, nëse mund t’i quajmë kështu. Secili kapitull ka tematikën e vet. Të gjithë së bashku plotësojnë njëri-tjetrin dhe e bëjnë më të plotë librin.
Duke parë mënyrën e të shkruarit, përmbajtjen e librit dhe trajtimin e problemeve, mendojmë se autori ia ka arritur qëllimit të tij për të cilën ka menduar të shkruante. Këtu kemi parasysh edhe faktin tjetër, që sado i mirë të jetë një libër, ai përsëri nuk mund të trajtojë në mënyrë shteruese tematikën e vet. Aq më tepër që për stërgjyshërit e më parë nuk gjenden të dhëna të shkruara. Në këtë kuptim në trajtimin e këtyre njerëzve ka më shumë “dritëhije”, se sa dritë. Brezat e ardhshëm mund të hedhin më shumë dritë për këto probleme. Të dhëna të sakta për to mund të gjenden në burimet osmane…
E përgëzuam Enverin për materialin e mbledhur dhe vizionin e tij për ideimin e librit dhe kapitujt që mund të trajtohen në të. Kjo arritje e tij kishte ardhur nga dëshira për të parë botimin e librit, nga këmbëngulja e madhe e tij, motivimi nga bisedat me të moshuarit, bashkëpunimi me njerëzit dhe të afërmit e fisit, me kushërinjtë dhe persona të tjerë të fushës. Në detaje ai ka trajtuar, rrënjët e fisit Tarja, origjinën, trimërinë e Dervish Tares në Luftën e Shkodrës, dënimin e Bajramit si nacionalist, pjesëmarrjen e Rexhepit në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare,
lëvizjet demografike, arritjet e fisit, etj. Dhe në përfundim të një pune të gjatë disavjeçare, Enveri vjen me librin e tij të parë: “Fisi Tarja i Bastart në rrjedhat e kohës”.
Nga fillimi në fund në libër spikat ndjenja e dashurisë për të parët e fisit që kontribuan për familjet e tyre, vendlindjen, atdheun. Kjo ndjenjë e autorit ngjizet me vendlindjen, njerëzit që kontribuan në të dy fshatrat e vendlindjes dhe më gjerë. Këto dhe të tjera si këto, duhet të evidentohen pasi janë vlera…
Në kreun e 3-të: Dy fjalë për Krahinën e Bendës dhe fshatin Bastar; autori Tarja, bazuar në dokumente, bën një përshkrim gjeografik të Krahinës së Bendës dhe fshatit të tij, Bastarit. Në këtë kapitull ai bën një historik të shkurtër rreth origjinës dhe ngjarjeve kryesore historike të Krahinës, dhe Bastarit, si pjesë e saj. Për këtë autori është bazuar në librin: “Benda në rrjedhën e histirisë”, me autor Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa dhe disa burime të tjera të shkruara nga autorë të ndryshëm.
Në kreun 4-tër: Në gjurmët e fisit Tarja përgjatë historisë; autori na njeh me prejardhjen e fisit Tarja, shkaqet e largimit nga vendlindja e të parëve, ngulmimi në fshatin Bastar përpara 300 e ca vitesh dhe ecurinë e tyre gjatë historisë. Me këtë kapitull Enveri, tenton të fshijë pluhurin e harresës për këtë pjesë të historisë së fisit të tij. Ai hap një dritare të re për këtë periudhë, duke e njohur lexuesin me rrënjët e fisit, trashëgiminë dhe veprimtarinë e tij. Kështu brezi i ri bëhet më i ndëgjegjshëm për rrugën që ka ecur fisi i tyre, vështirësitë e pengesat që kanë hasur në rrugëtimin e gjatë drejt së ardhmes…
Te kreu i 5-të: Kulla e Islam Tares dhe hani i Dervish Tares, u bënë derë e hapur për udhëtarët; autori na jep me realizëm, vërtetësi, në mënyrë të thjeshtë dhe pa mburrje, funksionimin e kullës dhe hanit të fisit, Tarja, në Bastar-Murrizë. Në Rrugën e Arbërit, që kalon nëpër zonën tonë, kishte edhe hane të tjerë në shërbim të udhëtarëve që vinin nga Mati dhe Dibra për në Tiranë dhe anasjelltas. Njerëzit e pritur në kullën e Islam Tares dhe hanin e Dervish Tares, qenë mjaft të kënaqur nga mikpritja. Në han ata siguronin me ushqim dhe strehim edhe kafshët e ngarkesës. Bujtja e njerëzve në han ishte pa pagesë.
Në kreun 6-të: Njerëz të përmendur të fisit në kohëra; autori na radhit sipas radhës kronologjike, e periudhës historike të kohës kur kanë jetuar, emrat e disa njerëzve më të përmendur të fisit Tarja. I pari është Ahmet Tarja. Sipas të parëve të tij, Ahmeti është personi që ata e mbajnë mend si paraardhësin më të afërt i të ardhurve nga Kopliku i Sipërm i Shkodrës dhe që u vendosën në Bastar. Ai jep edhe disa emra të tjerë më me zë nga brezat pasardhës. Vend të veçantë zënë Dervish Tarja si pjesëmarrës në Luftën e Shkodrës, trimëria e tij e treguar në luftën kundër serbo-malazezëve. Dervishi me herozmin e treguar në Luftën e Shkodrës i bën nder familjes së tij, fshatit Bastar dhe Krahinës së Bendës. Autori pasqyron dhe veprimtarinë e djalit të Dervishit, Bajramit. Ai qe nacionalist dhe u bë pjesë e Çetës së Abaz Kupit. Bajrami u prangos në Zall-Herr dhe e burgosën në burgun e Tiranës. Më pas në burg ai u pushkatua nga regjimi komunist pa gjyq.
Historia e tyre përmblidhet nga vargjet, e këngës: Këngë për Dervish Taren; me autor teksi Lulash Brigja, kënduar nga Gjovalin Shani. Ndër të tjera në të thuhet:
…N’Zall-Bastar Krahinë e Bendës
Burra t’pushkës dhe të penës
Sa herë pat nevojë vatani
Kanë marrë flakë si vullkani
…Dervish Tares, flamurtarit
Ja vunë emrin bisha e malit
Kur flamurin e Serbisë
Me dhamt gojës e ka grisë…
Në këngën e kënduar zë një vend të veçantë edhe djali i Dervishit, Bajrami. Ai u bashkua me çetën e Abaz Kupit. Edhe pse Fronti Nacional-Çlirimtar i ndau rrugët me Legalitetin, tek shtëpia e Ismail Reçekut në Shëngjergj, Bajrami nuk u largua nga Legaliteti. Për këtë ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Tiranës. Ndër të tjera, në strofat e këngës për të, thuhet:
…Bajram Tarja zog petriti
Atdhetar sikur Dervishi
S’don regjim me diktaturë
Se don yllin, jo, mbi flamurë
Thotë e dua Shqipërinë etnike
Jo kuçedrën bolshevike
Vjen një ditë e arrestojnë
Pa e ba gjyq e pushkatojnë…
Në kreun e 7-të: Disa ngjarje që duhen mbajtur në kujtesë nga fisi Tarja; autori rendit disa ngjarje kulmore të historisë së fisit të tij. Këto ngjarje mbajnë gjallë kujtesën historike, ngjallin patriotizëm dhe atdhedashuri. Nga ana tjetër ato krijuan dëshpërim dhe urrejtje për padrejtësitë e bëra nga regjimi i kohës. Enveri, vë në dukje disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë bashkëshoqëruar fisin Tarja, gjatë historisë së tij. Vend të veçantë, Ai, i ka kushtuar pjesëmarrjs së Dervishit në këtë luftë dhe trimërisë së tij. Rëndësi i kushtohet edhe internimit të Dervish Tares me familjen e tij në Berat. Ky ishte një dënim i rëndë për familjen. Pasojat e persekutimit për familjet e fisit Tarja, për shkak të qëndrimit të Bajram Tares kundër regjimit komunist qenë të rënda. Ngjarje e shënuar është edhe pjesmarrja e Rexhep Tares, si partizan në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimrare, në Brigatën e 23-të Sulmuese. Me këto ngjarje, dhe jo vetëm, mund të krenohen pasardhësit e fisit Tarja…
Në kreun e 8-të: Dervish dhe Bajram Tarja, luftëtarë të flaktë për lirinë e Atdheut; autori trajton me imtësi jetën dhe veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të, Dervish Tares, dhe djalit të tij, Bajramit. Ai u emërtua nga shokët, “ bisha e malit”, si rezultat i akteve heroike që tregoi në fushën e betejës, kundër pushtuesve serbo-malazezë. Dervishi qe një luftëtar i gjallë dhe trim mbi trima. Pas fitores ai merr flamurin dhe vjen në shtëpi. Këtë flamur e mban me nder i gjithë fisi Tarja edhe sot. Për Dervishin janë thurur vargje e kënduar këngë.
Pas luftës, Dervishi, ngriti edhe më lart vlerat dhe traditat e fisit Tarja. Hani i tij u bë derë e hapur për udhëtarët.
Fatkeqësisht, ai, pas çlirimit internohet së bashku me familjen e tij në Berat nga regjimi komunist. Vdes atje. Nuk ka varr dhe nuk dihet asgjë për eshtrat e tij. Djali i tij , Bajrami, qe nacionalit, qe aktivizuar në çetën e Abaz Kupit dhe u bë një përkrahës i madh i tij. Pas prishjes së Kupit me Frontin Nacionalçlirimtar, Bajrami nuk ju përgjigj thirrjes së këtij të fundit për dorëzim. U kap, u burgos në burg dhe u pushkatua pa gjyq. Pasojat e rënda i vuajti familja dhe të afërmit e tij nga viti 1945 deri me ardhjen e demokracisë në vitin 1990…
Në kreun e 9-të: Tragjedia e Shkallës së Tujanit; autori Tarja, ka folur edhe për këtë fatkeqësi të rëndë. Shkaku i këtij trajtimi në libër është fakti se në këtë aksident mbeti i vdekur edhe djali i mrekullueshëm i këtij fisi, Mehmet Rrapush Tarja. Enveri, ashtu si edhe njerëzit e tjerë e ka përjetuar me dhimbje e trishtim të madh këtë tragjedi. Ai në përkujtim të të rënëve, sponsorizoi dhe vuri një pllakatë me emrat e të rënëve në këtë tragjedi. Nga ana tjetër, po kështu veproi edhe me poetin Lulash Brigja për tekstin e këngës: Tragjedia e Shkallës së Tujanit; dhe këngëtarin e mirënjohur me zë brilant, Gjovalin Shani, për të realizuar dhe kënduar këtë këngë. Kënga e fikson këtë tragjedi të dhimbshme. Në dy nga strofat e saj, thuhet…
U vesh n’zi tanë kjo krahinë
Kurë u rrëzue ajo makinë
Vdiqën burra e djem të ri
Bashkë me këta edhe disa fëmijë
N’Shkall Tujanit qysh atëherë
Qajnë bylbylat çdo pranverë
Njaty ndalet çdo rrugëtar
Për me pa atë lapidar…
Në kreun e 10-të: Breznitë e fisit Tarja të Bastarit në vite; Enveri, i ka trajtuar me shumë rigorozitet. Ky trajtim ka vlera njohëse për brezin e ri, ka vlera të mëdha studimore për brezat që do të vijnë, mbi të gjitha ka vlera të mëdha edukative që të ruhet trashëgimia e gjakut në breza dhe respektimi i normave shoqërore. Autori ka saktësuar shumë mirë, të parin e fisit Ahmetin, si pasardhës i trungut të fisit Tarja të ardhur nga Kopliku. Për këtë ka pak informacion. Një burim Informacioni për hershmërinë e fisit shërbejnë dhe toponimitë. Pas Ahmetit vijnë tre bijtë e tij dhe trungjet përkatëse. Autori ka paraqitur trungun e brezit të parë deri tek i shtati. Duke u nisur nga fillimi deri në fund, të dhënat shtohen, informacioni është më i saktë dhe dritëhijet ndriçohen më shumë. Të gjitha këto lexuesi do t’i shohë me imtësi tek ky kapitull dhe do krijojë një konceptim më të qartë duke u ndihmuar edhe nga pema gjenealogjike…
Në kreun e 12-të:Toponimia, një tregues i hershëm i vendbanimit të këtij fisi; autori ka paraqitur thjesht dhe saktë toponiminë e pronave të fisit Tarja, si pjesë e të gjithë pronave të tjera që ka fshati Bastar i Mesëm dhe Bastar-Murriz, në territorin e tij. Toponimia dhe emërtimet tregojnë hershmërinë e fisit Tarja si banues në këtë fshat në pronat e tyre, si bazë për sigurimin e jetës dhe mirëqenies në vite. Këtu ai ka paraqitur shkurtimisht emrat e pronave, parcelat ku janë vendosur varrezat, etj. Ky saktësim është një burim i mirë informacioni për brezat e rinj për të ditur pronat e tyre…
Në kreun e 13-të: Veshja popullore, një tregues i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore; autori shumë shkurt, për t’i shmangur përsëritjt e fjalëve teorike, bën apel për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të fisit të tij. Veshja popullore është një tregues i rëndësishëm i këtyre vlerave…
Në kreu e 14-të: Enver Tarja dhe disa arritje të tij në biznes; u bë me këmbënguljen tonë. Pasi lexuam me vëmendje shënimet për librin e tij, menduam se libri nuk mund të ishte i plotë, pa shkruar imtësisht edhe mbi jetën dhe veprimtarinë e Enverit. E bëmë këtë pasi, Enver Tarja, si biznesmen ka arritje të suksesshme në planin ekonomik. Në aspektin shoqëror ai ruan vlerat më të mira të fisit Tarja dhe është në vazhdën e rrugës së pinjollëve më në zë të këtij fisi. Në këtë kapitull u hodhën disa nga arritjet e tij, pas viteve ’90. Enveri udhëhiqet nga lajtmotivi: I pari është atdheu, pastaj Krahina e Bendës, vendlindja, fisi i tij dhe njërzit që shkruan për to. Jeta e Enver Tares është e lidhur si mishi me kockën me venlindjen e tij, Bastar-Murrizën, si pjesë e trungut të fshatit Bastar i Mesëm. Kjo duket më së miri në kontributet që ai ka dhënë herë pas herë për infrastrukturën rrugore, veprimtaritë kulturore, për iftare në ramazan, ndihma për njerëz në nevojë, punësime të disa punëtorëve me origjinë nga vendlindja në biznesin e tij dhe veprimtari të tjera me vlerë në komunitetin ku ai banon në Bathore dhe më gjerë.
Nga fillimi i librit deri në përfundim të tij; autori jep në vija të përgjithëshme një panoramë të jetës dhe punës së përditshme të pjesëtarëve të fisit të tij, parë kjo në këndvështrimin e kohës. Autori tregon në mënyrë të thjeshtë se puna krysore e njerëzve ishte bujqësia dhe blegtoria. Në vija të përgjithshme edhe jetën shoqërore të fisit të tij, si pjesë e shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme kohore. Enveri i kushton një vemendje të veçantë, nëpërmjet faqeve të këtij libri, edhe ruajtjes së disa vlerave që ka trashëguar fisi Tarja, si: besa, bujaria, mikpritja, zakonet, vlerat patriotike, etj. Ajo që bie më shumë në sy është thirrja dhe apeli që bën Enveri, që fisi të ecë në gjurmët e të parëve. Mesazhi i tij është: “T’i forcojmë akoma më shumë këto vlera dhe virtyte të larta”. Po kështu në libër pasqyrohen dhe lëvizjet demografike të para dhe pas viteve ’90 dhe arritjet e këtyre familjeve. Për këtë autori vë në dukje se gjatë historisë së shkuar pjesëtarët e fisit të tij, përgjithësisht nuk kanë migruar.
Ata kanë qenë të lidhur shumë me pronën dhe vendlindjen. Pas viteve ’90 edhe për fisin Tarja, qe karakteristikë lëvizja migratore. Familjet e fisit Tarja, kush më herët dhe kush më vonë, lëvizën prej fshatit Bastar i Mesëm dhe Bastar-Murrizë, në drejtim të Tiranës dhe rrethinave të saj. Ka pasur lëvizje edhe në fshatra të tjerë, siç qe rasti i familjes së Enverit. Një pjesë e familjeve lëvizën pasi ju shembën shtëpitë nga lëvizja e tokës. Kështu në Bastar-Murrizë të gjitha familjet e fisit Tarja, janë larguar me vendbanim në Tiranë e rrethina. Edhe pjesa më e madhe e familjeve të këtij fisi në fshatin Bastar të Mesëm janë larguar me vendbanim në Tiranë e rreth saj. Enveri si autor libri bën një ekspoze të qartë të lëvizjeve, sistemimin në punë, etj. Ai pasqyron me saktësi edhe arritjet në biznes të të fisit Tarja dhe familjes së tij. Enveri si biznesmen e ka filluar herët biznesin e tij, që në vitet ’90, dhe ka pasur arritje dhe suksese të madha në këtë drejtim…
Një aspekt tepër domethënës është ilustrimi me fotografi i librit. Në disa kapituj janë vënë disa foto të disa prej njerëzve të fisit Tarja në vite. Kjo e bën më tërheqës librin. Edhe, ne, si redaktorë të këtij libri, këto foto na ngjallin kujtime të bukura, na kthejnë në kohë, na kujtojnë portretin dhe komunikimet e bëra me disa prej tyre. Fotot “flasin” me pamjet e tyre dhe e thyejnë deri diku heshtjen e përjetshme. Këto foto janë një vlerë e shtuar për librin. Ato ngjallin mirësi, mbresa, nostalgji, dinjitet njerëzor, vazhdimësi brezash, mbajtje amaneti dhe mall për paraardhësit e tyre. Nga ana tjetër fotot dhe pema gjenealogjike le të kuptojnë se jeta është e shkurtër, të tjerë do vijnë pas nesh në vijimësi, ndaj duhen lënë gjurmë dhe vepra të mira…
Duke i mbyllur këto shënime urojmë autorin e librit, Enverin, për punën dhe përkushtimin e tij në realizimin dhe botimin e këtij libri me vlera. Po kështu e falenderojmë atë për besimin e dhënë ndaj nesh, për redaktimin dhe sistemimin e librit: “Fisi Tarja i Bastarit, në rrjedhat e kohës”. Ne u munduam të bëjmë më të mirën e mundshme, pasi libri trajton një nga fiset me peshë të vendlindjes sonë, Bastarit. Na u desh një punë e gjatë ne dhe Enverit për strukturën e librit, gjetjen dhe sistemimin e materialeve, redaktimin e tyre, ilustrimin me foto e dokumente dhe hedhjen e tyre në kompjuter sipas kapitujve përkatës. Enverit i urojmë jetë të gjatë, mbarësi në familje, suksese të mëtejshme në biznes dhe veprimtaritë e bamirësisë për komunitetin dhe shtresat në nevojë!
Redaktorët: Hysen Hysa, Ibrahim Kabili
Tiranë, më 18.06.2026
E dërgojë për publikim Ibrahim Kabili











