(Kushtuar mësuesit, poliglotit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu)
Me pendë e punë mposhte çdo furtunë,
atë që mësoje natën e vije në jetë ditën.
Kudo që shkoje, terrin e shuaje e ndizje dritë.
Kishe qëndrim burri e durim më të fortë se guri,
fjalë bindëse që shpirtin e ngrinin peshë.
Na inkurajoje e na jepje forcë e guxim;
detet i sfidonim me not e bjeshkët me fluturim.
Në vitet e zymta,
kur shpresat shuheshin si lulet nga acari,
na thoshe: mos u dorëzoni kurrë —
se dorëzimi është vdekje për së gjalli.
Me punë e përkushtim
ndër breza përçove edukatë, humanizëm e dashuri.
Në stuhi e zagushi qëndrove llambë ndriçuese,
si dikur idhulli yt, Migjeni, në Pukë e Vrrakë.
Me fjalën shpatë, me syrin pishë,
që nga Mirdita deri në Elbasan e Llap
errësirën e ktheve në dritë.
U ndave nga jeta në heshtje e pabujë,
me emrat Mirditë, Shkodër, Llap e Krujë në gojë,
që Shqipëria të mos përkulet por të qëndrojë zonjë.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 7 mars 2026











