11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Homazh për Z. Adil Pireva, njërit prej kryeorganizatorëve të demonstratave të vitit...

Homazh për Z. Adil Pireva, njërit prej kryeorganizatorëve të demonstratave të vitit 1968

0

Arif Ejupi Vdekja e Adil Pirevës, njërit prej kryeorganizatorëve të demonstratave të vitit 1968, është pritur me dhembje e pikëllim kudo. Adili, së bashku me kushëririn e tij Ilaz Ejup Pireva, ishin dënuar me burgim të rëndë nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë titiste.

Adili ishte ndër ata që, pa u menduar për pasojat, iu bashkua grupit organizator të demonstratave të 28 Nëntorit të vitit 1968.

Këto protesta, që rezultuan me të vrarë e të burgosur, dhanë edhe fryte të mëdha: pas dy vitesh u hap Universiteti i Kosovës në gjuhën shqipe dhe u legalizua përdorimi i simboleve kombëtare.

Ndërkaq, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, u avancua pozita e Kosovës në Krahinë Autonome si pjesë konstitutive e Federatës jugosllave.
Në këto arritje themelore për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës kanë hise Adil Pireva, asokohe gazetar i “Rilindjes” në Prishtinë, si dhe shokët e tij: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Xheladin Rekaliu, Skënder Kastrati, Afrim R. Loxha, Hasan Dërmaku, Skënder Muçolli, Hakif A. Sheholli, Sabit M. Syla, Ismail Dumoshi etj.

Kjo celulë studentësh dhe intelektualësh kishte si idhull Z. Adem Demaçi, i cili në atë periudhë po vuante dënimin në burgun famëkeq të Pozharevcit në Serbi, si dhe Metush Krasniqin, që gjithashtu po e vuante një dënim të rëndë dhe të padrejtë në burgun e Nishit.

Adili, edhe pas vuajtjes së dënimit në kazamatet jugosllave, vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare, duke qenë krah të gjitha organizimeve që kishin të bënin me çështjen e Kosovës. Ai, qysh me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1989, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të saj.

Po ashtu, në cilësinë e gazetarit të “Rilindjes”, kontribuoi me analiza dhe fejtone historike, duke ndriçuar ngjarje të rëndësishme dhe të panjohura për opinionin.

Adili dhe pjesa dërrmuese e të burgosurve politikë të demonstratave të vitit 1968 dallonin nga grupet e tjera politike, sepse ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe kishin kërkesa të qarta e të artikuluara.

Ata kërkuan vazhdimisht që Kosova të ishte e barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë, me status dhe të drejta të plota.
Edhe pse të izoluar e të përndjekur, ky grup idealistësh asnjëherë nuk u zmbraps dhe nuk u gjunjëzua. Solidarizimi me njëri-tjetrin, sidomos në kohët kur ishin të papunë dhe pa të ardhura, mbetet pika më e ndritshme e këtyre atdhetarëve dhe burrave trima. Ata, duke u mbështetur te njëri-tjetri, ndanë edhe kafshatën e gojës.

Adil Pireva do të kujtohet përherë për kontributin e tij madhor dhënë çështjes së Kosovës. Varri i tij do të simbolizojë varrin e një burri të fortë e fisnik, i cili për lirinë e Kosovës dha gjithçka që kishte, pa asnjë kusht e privilegj.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, për të cilën ishte i gatshëm në çdo rrethanë ta jepte edhe jetën!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 10 shkurt 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.