8.5 C
Tirana
E martë, 27 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Agron Tufa: Ngjizja e papërlyeme

Agron Tufa: Ngjizja e papërlyeme

0
Agron Tufa - Ngjizja e papërlyeme

Agron Tufa

Një gjë e themi me siguri: mbretëresha e bukur Gertrudë ka zbuluar burrin tek kunati i saj i pavënë re; ka kuptuar se ai vdes për të e se ajo është perëndeshë e zemrës së tij. Nga të gjitha historitë e dashurive të ndaluara me kunetër që njeh letërsia botërore, nga Egjisti e Klitemnestra, apo Paolo dhe Françeska në “Komedinë” e Dantes, vetëm lidhja e Gertrudës me të kunatin mbetet një nga marrëdhëniet më të pamotivuara. Shekspiri sikur ka dashur vetë të na shtyjë në këto përsiatje, duke na e lënë të pamotivuar këtë marrëdhënie të fshehtë e të pabesë. Përse ajo nuk ia tha të shoqit asnjëherë, qoftë dhe në mënyra të nënkuptuara, pak e nga pak, derisa detajet të bëheshin shumë dhe mbreti i virtytshëm Hamlet të vihej në mendime, sepse edhe kjo është një mënyrë të thëni, apo jo? Po ç’është kjo fshehje kështu? Ç’është kjo lojë me kunatin në bodrum xhanëm? Sigurisht, ne mund të shtyhemi edhe më tutje në hamendje, madje dhe se kur është puthur për herë të parë mbretëresha me kunatin; kur vendosi ajo ta tradhtojë për herë të parë mbretin-bashkëshort me vëllanë e tij. Në ç’rrethana? Dhe çfarë ndjeu?

Sa vite, sa muaj para “vrasjes në bashkëpunim” ajo shkonte me kunat Klaudin dhe tash, pyetja më e frikshme: aq e fortë të ketë qenë vallë kjo kënaqësi e trallisje seksuale, aq e ëmbël, aq e papërsëritshme, sa ta shtynte gruan-mbretëreshë të hartonte me kunatin një plan për të vrarë burrin dhe për të marrë kunatin në shtrat? Këtu, ta pret mendja, hyn një hordhi e tërë pandehmash të tjera: ç’kishte vallë të veçantë te kunati që mbretëresha nuk e gjente te burri i saj, mbreti Hamlet? Mos vallë ai ishte i ftohtë? Mos ishte i paaftë në shtrat? Mërzi erotike “në nivelin e çarçafëve”, siç u shprehe ti pak më parë? Mos vallë mbreti Hamlet kishte filluar të ndryshonte orientimin seksual? Secila nga këto hamendje ka të drejtë të na mprehë gjykimin, se nuk është fjala këtu vetëm për mbretin Hamlet, por për një galeri hamletësh të pakurorëzuar në fron, ose të kurorëzuar në fronet e thjeshtë të drunjtë shtëpiakë, të cilët “shkurorëzohen” dhe në vend të kurorës që pandehin, gratë e tyre prej kohësh u kanë ngulur një pash brirë. Gra, gra pafund, që kanë në mendje veçse brirë për burrin, i kërkojnë ata dhe herëdokur i gjejnë e ua ngjeshin në kokë.

Ajo që përftohet nga pasoja e tradhtisë, që përshkallëzohet tragjikisht në vrasje, është fakti se mbreti na paskësh qenë një sylesh, një kaqol, i rrethuar nga të gjitha anët o me oborrtarë merhumë, o me judë që shihnin e nuk bëzanin. Ku ishte më parë syri vigjilent i Pollonit? Po foljet gjysmëndihmëse – Rozenkranc e Gildenstern – të cilëve nuk u shpëtonte pa vërejtur as dhe një mizë në mbretërinë daneze e jo më çfarë ndodh në Elsinor? Ata janë shumë të zellshëm në shërbim të mbretit Klaud. Pse nuk kanë qenë të tillë të zellshëm ndaj mbretit Hamlet? Tragjedia e Shekspirit përqendrohet tek pabesia e vëllait që vret vëllain për t’i marrë fronin e mbretërimit. Po kush e ha këtë karamele? Vetëm ata njerëz dystabanë që nuk kanë pikë imagjinate mbi motivet; ata pra, mund të kënaqen me kaq pak. Shekspiri gjithsesi nuk është në gjendje ta fshehë se helmimi i atit-mbret, Hamletit, është bërë në bashkëpunim me mbretëreshën. Tani, ta ndajmë shapin nga sheqeri dhe e shtrojmë kështu këtë dilemë: i duhej Klaudit froni mbretëror me kunatën mbretëreshë, apo mbretëreshës Gertrudë i duhej që qirjen me kunatin ta zhvendoste nga bodrumi i paligjshëm në shtratin mbretëror, në Elsinor? Pra, që një marrëdhënie të ulët nga ilegjitime ta bënte legjitime.

Mua më bind kjo e dyta: Klaudi asnjëherë nuk ka lakmuar fronin, por shtratin e të vëllait. Ndoshta e gjitha kjo është (dhe me siguri që është) shumë më e koklavitur se kaq dhe se gjithçka është kamufluar me dinakërinë e pavetëdijes: duke i pushtuar gruan vëllait, ti simbolikisht i ke marrë atij Kurorën, e ke shkurorëzuar, i ke marrë Mbretërinë. A s’të bën përshtypje mënyra e vrasjes “me helm në vesh”? Shumë e pagjasë të ndodhë kjo në realitet. Por në vështrimin simbolik flet shumë. Helmi është armë, armë e ftohtë që vret “heshturazi”, pa poterë. Por helmi për Klaudin është simboli i vuajtjes së gjatë në heshtje, i grumbulluar me vite (sa vjeç është princi Hamlet?), si përjetim torturues i cmirës, xhelozisë, të qënit i shpërfillur, në shmang, në hije, i dështimit dhe inferioritetit, të cilat, të gjitha, mblidhen pak e fije, mbivendosen shtresa-shtresa, derisa krijojnë një katedrale hidhërimi, tërë godinën e urrejtjes ndaj vëllait-mbret, që i ka të gjitha dhe as që çan kokë për të; që me këtë sjellje e lëndon çdo ditë, e fyen. Të gjitha pra, në dukje, pa asnjë shkak të dukshëm.

Klaudi kërkon të shpagohet për këtë harresë, për këtë neveritje e hiçësi ku e kanë flakur, si të ishte një pezhishkë merimange në qosh të qilarit. Po si të shpaguhet? Ballas? Jo, Klaudi nuk e njeh këtë përballje, nuk i njeh ato armë, ai ka helmin e vet si kremin zeheror mbi qershinë e tortës mbretërore. Ai lyen me helmin e vet jo tortën krejt, por sall qershinë e tortës mbretërore! E ajo qershi, dihet se përfundon në gojën e mbretit. Epo këtë do Klaudi dhe s’i mbetet t’i urojë vëllait veç “të bëftë mirë!”. E ti, e dashur, gjuhën e simboleve ti e njeh, po ashtu dhe analogjinë. Torta mbretërore është Kurora dhe Margaritari i Kurorës është Mbretëresha. U kuptuam Ljubushka? Jo më kot në tragjedi Margaritari i Kurorës është i helmuar dhe ai të helmon, së është prej helmi…

Fragment nga “Ngjizja e papërlyeme”, botuar nga Shtëpia Botuese Onufri

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.