Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
Pikërisht për shkak të luftës së pandërprerë që zhvilloi me mendje, zemër dhe veprim kundër padrejtësisë, pushtimit dhe mohimit të identitetit kombëtar, Mulla Idriz Velekinca u detyrua të jetonte për pesë vite në një izolim të plotë – në një hapësirë të ngushtë e të errët, në përmasat e një sarkofagu 80x397x220 cm – një strehë e heshtjes, por edhe e rezistencës, ku nuk u takua me askënd, ku as familja nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij, dhe ku çdo ditë përfaqësonte një betejë të re të mbijetesës fizike dhe morale.
Strehimorja e Mulla Idriz Gjilanit, një hapësirë që në rrethanat e jashtëzakonshme historike mori funksionin e një vendbanimi të përhershëm, përbën një ndër dëshmitë më të prekshme të përkushtimit, durimit dhe heroizmit të tij. E vendosur në katin e dytë të një shtëpie, me hyrje-dalje të fshehtë që lidhte hapësirën banesore me ahurin, kjo strehimore kishte përmasa modeste – vetëm 80 centimetra e gjerë, afërsisht 397 centimetra e gjatë dhe 220 centimetra e lartë. Përmasat e saj, të ngushta dhe kufizuese, dëshmojnë për një ekzistencë të imponuar në kufijtë ekstremë të mundësisë fizike, por që për Mulla Idrizin u shndërrua në një hapësirë të lirisë së brendshme, të mendimit të pavarur dhe të qëndresës shpirtërore.
Për më shumë se katër vjet – saktësisht katër vjet, tetë muaj e gjashtë ditë – që nga nata e 15/16 marsit 1945 deri në mëngjesin tragjik të 22 nëntorit 1949, kjo strehimore u bë vendi i vetëm ku ai jetoi, mendoi, lexoi, luti dhe planifikoi. E përditshmja e tij nuk kishte dritare, por kishte dritë; nuk kishte qasje në botën jashtë, por ishte e mbushur me botën e idealeve dhe të shpresës.
Ky vend i mbyllur, që për të tjerët do të përfaqësonte një burg, për Mulla Idrizin u bë simbol i lirisë së padukshme, i lirisë që nuk e përcakton lëvizja fizike, por vetëdija dhe qëllimi. Ai nuk ishte thjesht i fshehur për t’iu shmangur ndëshkimit, por i përkushtuar për të mbrojtur kauzën që përfaqësonte, për të mos e dorëzuar veten tek pushtuesi, për të mos pranuar tjetërsimin e misionit të tij. Ai kishte zgjedhur vetë izolimin, jo si shenjë dorëzimi, por si formë e lartë e rezistencës morale dhe kombëtare.
Në një perspektivë më të gjerë, strehimorja e tij – ky “sarkofag” i gjallë – mund të lexohet si një metaforë e fatit të popullit shqiptar në Kosovë në atë periudhë: të shtypur, të izoluar, të ndjekur, por asnjëherë të dorëzuar. Jeta në atë hapësirë të ngushtë, të errët dhe të ftohtë, ishte një qëndresë e vazhdueshme ndaj sistemit represiv jugosllav, një sfidë ndaj përpjekjeve për asimilim, dhe një shenjë e qartë e qëndrimit të patundur të një njeriu që besonte se liria fitohet jo vetëm me armë, por edhe me moral, me besim dhe me qëndresë të palëkundur.
Ky fakt i dokumentuar me saktësi kohore – nga nata e 15/16 marsit 1945 deri më 22 nëntor 1949 – përbën një nga dëshmitë më të fuqishme të sakrificës së Mulla Idrizit. Ai nuk u fsheh për të jetuar, por jetoi për të mos u dorëzuar. Dhe kjo, në thelb, është ajo që e bën figurën e tij të pavdekshme në ndërgjegjen historike dhe kombëtare shqiptare.
Në një vështrim më të thelluar dhe analitik të kontekstit historik, data 29 dhjetor 1944 përbën një pikë kthese jo vetëm për fatin individual të Mulla Idriz Gjilanit, por edhe për mënyrën se si figura e tij do të perceptohej më tej, si nga pushteti represiv jugosllav, ashtu edhe nga vetë populli shqiptar. Në këtë datë, gjurmët e tij sikur u shuan nga sipërfaqja e dukshme e realitetit. Ai nuk u vra, as nuk u dorëzua — por u zhduk në një mënyrë që thelloi edhe më shumë hijen e misterit që do ta përshkonte figurën e tij për dekada. Qenia e tij, nga një prani konkrete, u kthye në enigmë. Heshtja rreth vendndodhjes së tij nuk ishte mungesë informacioni, por një formë aktive e mbrojtjes së një ideali të gjallë që vazhdonte të frymonte përmes jetës në ilegalitet.
Kjo zhdukje nga horizonti publik, megjithatë, nuk do të thoshte asnjëherë zhdukje nga memoria popullore. Përkundrazi, ajo e ktheu Mulla Idrizin në një figurë të mitizuar të rezistencës kombëtare, një simbol të asaj që nuk dorëzohet as para dhunës, as para harresës. Në heshtje dhe në fshehtësi, ai mbeti gjallë përmes njerëzve që e strehonin, përmes fjalës që përçonte vepra e tij dhe përmes atyre që në errësirën e diktaturës, mbajtën të ndezur një pishtar të shpirtit shqiptar – jatakët.
Jatakët e Mulla Idrizit
Një kujtesë e fuqishme për këtë rol jetik të jatakëve është edhe këshilla që e kishte marr Muhamet Pirraku nga Sali Sefer Pirraku, kaçak, në vitin 1973, që e citon: “Biri im! Nëse do të shkruani për Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare Antijugosllave, shkruani për jatakët, se ata janë më të mëdhenj se kaçakët…!” – ishte porosia e tij prekëse dhe domethënëse. Kjo thënie nuk ishte thjesht një vlerësim personal, por një dëshmi morale dhe politike për rolin e pazëvendësueshëm që kishte struktura e mbështetjes nga baza shoqërore – njerëzit e thjeshtë, të panjohur, të heshtur – që e bënë të mundur qëndresën e figurave si Mulla Idrizi.
Në këtë kuptim, jatakët nuk ishin thjesht strehues të të përndjekurve. Ata ishin bashkëluftëtarë të heshtur, pjesëmarrës të barabartë në misionin e madh të ruajtjes së kombit, të shpirtit të tij dhe të lirisë. Ata mbartnin mbi supe një peshë morale dhe jetësore që shpesh ishte më e rëndë se arma e kaçakut. Ata rrezikonin familjet, jetën, nderin dhe pasurinë, jo për lavdi apo shpërblim, por për ideal. Pa ta, shumë figura emblematike të rezistencës kombëtare nuk do të kishin mundur të mbijetonin, e rrjedhimisht, as historia jonë nuk do të kishte të njëjtat kapituj të lavdishëm të qëndresës.
Prandaj, ky episod është një thirrje e fuqishme për historiografinë shqiptare që të kthejë vëmendjen nga aktet spektakolare të rezistencës drejt përkushtimit të heshtur dhe shpesh të padukshëm të jatakëve, që përbëjnë një shtyllë të palëkundur të lëvizjeve tona çlirimtare dhe të vetë mbijetesës sonë kombëtare. Nëse Mulla Idrizi ishte trimi, ideologu dhe shpirti i qëndresës, jatakët ishin fryma e popullit që nuk lejoi kurrë shuarjen e këtij zjarri.
Thellësia e amanetit të lënë nga njëri prej kaçakëve më të njohur të kohës, Salih Sefer Pirraku, nuk do të zbulohej në gjithë përmasën e saj deri në çastin kur studiuesi niset në një rrugëtim të gjatë kërkimor për të ndriçuar jetën dhe veprimtarinë politike të Mulla Idriz Gjilanit gjatë periudhës ndërmjet 29 dhjetorit 1944 dhe 22 nëntorit 1949. Vetëm përmes kësaj përpjekjeje të thelluar, zbulohet me një qartësi tronditëse se ajo që e ka bërë të pavdekshëm figurën e Mulla Idrisit në memorien kolektive të kombit shqiptar nuk ishte vetëm guximi i tij prej luftëtari apo urtësia e tij prej dijetari, por mbi të gjitha ishte përkushtimi i pashoq i një familjeje të zakonshme shqiptare që mori mbi supe barrën e jashtëzakonshme të ruajtjes së një ideali.
Kjo familje është ajo e vëllezërve Sadiku – Sylë, Salih, Rrahim, Ramiz dhe Avdi – nga fshati Gjyrishec, së bashku me gratë e tyre të dinjitetshme, me në krye figurën monumentale të Nënëmadhes Zarife. Nëse Mulla Idrizi simbolizon frymën e qëndresës politike dhe shpirtërore të kombit shqiptar, atëherë familja Sadiku mishëron themelet e pathyeshme të solidaritetit njerëzor dhe atdhetar, mbi të cilat është ngritur kjo qëndresë. Ata nuk ishin vetëm jatakë në kuptimin logjistik të fjalës – njerëz që strehojnë të përndjekurit – por ishin bashkëluftëtarë të heshtur në një betejë që zhvillohej jo në fushëbetejë, por në rrënjët më të thella të ndërgjegjes kombëtare.
Sakrifica e kësaj familjeje nuk mund të përmblidhet me fjalë, sepse ajo sfidon çdo krahasim me modelet e njohura të mbështetjes njerëzore që njihen në historiografinë botërore. Për më shumë se katër vite e gjysmë, ata jo vetëm që e strehuan Mulla Idrizin në një hapësirë të vogël, të ngushtë dhe të errët, por e shndërruan shtëpinë e tyre në një vatër të gjallë rezistence dhe dashurie për kombin. Duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, duke mos kursyer asgjë nga e përditshmja e tyre modeste, ata mbajtën të gjallë jo vetëm një njeri, por një ideal.
Ky përkushtim i jashtëzakonshëm na detyron të rishikojmë jo vetëm mënyrën se si i lexojmë figurat e mëdha të historisë, por edhe mënyrën se si kuptojmë rolin e mbështetjes së padukshme, të heshtur, por thelbësore. Vlerat e Mulla Idrisit, për të cilat sot shkruhet e studiohet, nuk do të mund të ruheshin, të zhvilloheshin apo të kishin pasur ndikim të tillë të gjerë në historinë e shqiptarëve, po të mos ishte “jataku” – kjo strukturë morale e ndërtuar mbi sakrificë, besë dhe dashuri për kombin.
Në këtë kontekst, amaneti i Salih Sefer Pirrakut shndërrohet në një udhërrëfyes etik dhe metodologjik për historianët: për të kuptuar thellësisht Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nuk mjafton të studiohen vetëm prijësit dhe figurat qendrore, por duhet të ndriçohen me përkushtim edhe figurat e atyre që qëndruan në prapaskenë, që i dhanë mbështetje pa kushte kauzës kombëtare, që u bënë shtyllat e heshtura të një qëndrese që nuk u përkul kurrë. Dhe në këtë histori të përbashkët lavdie, emri i familjes Sadiku zë një vend të pashlyeshëm.
Në kujtesën kolektive dhe në dokumentacionin historik mbi veprën dhe rënien e Mulla Idriz Gjilanit ekzistojnë shumë versione, të cilat ndërthuren mes kujtimesh, dëshmish të drejtpërdrejta dhe interpretimesh të mëvonshme. Megjithatë, nga një këndvështrim shkencor dhe me një qasje analitike të bazuar në dokumente dhe dëshmi relevante, mund të arrihet në një konstatim të matur dhe të përgjegjshëm: zbulimi i vendndodhjes së Mulla Idrisit nuk ishte një akt i papritur dhe as krejtësisht i imponuar nga forca e armikut, por pasojë e një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar, ku ndikuan disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Zbulimi i Mulla Idrizit
Një ndër faktorët që ndihmoi, në mënyrë të pavetëdijshme, në dekonspirimin e vendqëndrimit të tij ishte vetë natyra e veprimtarisë së Mulla Idrisit – angazhimi i tij i pandërprerë në mbajtjen e kontakteve me strukturat e Lëvizjes së Rezistencës Kombëtare, përmes rrjetit të gjerë të jatakëve, e sidomos përmes lidhjeve të tij me figura kyçe si Halim Orana, udhëheqës i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, dhe Ymer Berisha, prijës i organizatës “Besa Kombëtare”. Këto organizata, edhe pse kishin një profil të qartë atdhetar dhe antijugosllav, përjetuan ndërhyrje të sofistikuara nga shërbimet sekrete jugosllave (UDB), të cilat, me kalimin e kohës, arritën të depërtonin në to përmes elementëve të infiltruar.
Mulla Idrizi nuk u tërhoq asnjëherë nga angazhimi politik dhe shpirtëror, duke qëndruar në kontakt të përhershëm me organizatat që përfaqësonin vazhdimësinë e aspiratave kombëtare. Por kjo lidhje konstante me botën e jashtme, edhe pse e domosdoshme për ruajtjen e frymës së rezistencës dhe bashkërendimin e veprimeve, krijoi një rrjet të gjerë komunikimi që, me kalimin e kohës, u bë edhe pikë e dobët e sistemit të fshehjes dhe mbrojtjes. Në këtë mënyrë, struktura e jatakut, e ndërtuar me përkushtim e sakrificë, filloi të ekspozohej gradualisht ndaj rrezikut të infiltrimit.
Zbulimi fatal i datës 22 nëntor 1949, i cili përfundoi me rënien e Mulla Idrisit, erdhi një ditë pas vdekjes heroike të Salih Sadikut – njëri nga anëtarët më të devotshëm të familjes që e kishte strehuar. Rënia e tij ishte preludi i një tragjedie më të madhe, ku strukturat shtetërore jugosllave u hodhën me intensitet mbi të gjithë rrjetin që kishte ndihmuar Mulla Idrizin të qëndronte i fshehur për afro pesë vjet. Përndjekja nuk ishte më e përqendruar vetëm mbi individin, por mbi të gjithë jatakun kolektiv, që përbëhej nga individë dhe familje të tëra, të cilët e kishin shndërruar shtëpinë dhe jetën e tyre në një fortesë të heshtur të lirisë dhe të dinjitetit.
Ky moment shënon kulmin e një përplasjeje dramatike midis një ideali dhe një aparati shtetëror represiv, ku fati tragjik i Mulla Idrisit dhe i jatakëve të tij nuk mund të kuptohet jashtë kësaj ndërlidhjeje të dhimbshme. Prandaj, historia e rënies së tij duhet të lexohet jo vetëm si një akt i dhunshëm i zbulimit dhe ndëshkimit, por edhe si një përballje morale e një njeriu dhe e një komuniteti të tërë me sistemin më brutal të kohës, ku qëndresa dhe tradhtia, sakrifica dhe infiltrimi, heroizmi dhe poshtërsia, ndërlidheshin në mënyrën më dramatike që njeh historia moderne shqiptare.
Fjalët e Rrahim S. Sadikut, të thëna me një thellësi kuptimore dhe emocion të theksuar, bartin në vete jo vetëm një ndjeshmëri personale, por edhe një vlerë të rrallë dokumentare për qëndrueshmërinë morale dhe besimin e palëkundur që Mulla Idriz Gjilani ruajti deri në fund të jetës së tij. Deklarata e tij lakonike, por e ngarkuar me domethënie – “Nuk u angllatis se nuk u angllatis, Mulla Idrisi…!” – është një përmendore gojore që dëshmon se as torturat më çnjerëzore, as rrethimi psikologjik dhe as vdekja e afërt nuk arritën ta përkulnin shpirtin e këtij njeriu të madh, i cili zgjodhi të përjetësohej në qëndresë sesa të rrënohej në kompromis.
Përballë kësaj dëshmie burrërore, është vetë Mulla Idrizi ai që në mënyrë profetike, por edhe me një përgjegjësi të jashtëzakonshme, i drejtohet vëllait të idealit dhe të sakrificës, Rrahim Sadikut: “Tashti është punë e jemja, o Rrahim trimi, o vëlla…!” – një frazë që flet për një shkallë të lartë të ndërgjegjes individuale dhe përkushtimit të sinqertë ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Ai nuk kërkon të shpëtojë veten duke i përfshirë të tjerët në rrjetën e hakmarrjes së armikut. Përkundrazi, ai mbron të gjithë bashkëveprimtarët e tij duke marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë, edhe atëherë kur kjo mund ta kushtonte me jetë.
Fjalët e tij janë më shumë se një ngushëllim; ato janë një premtim i shenjtë, një testament shpirtëror: “Nuk i marrë në qafë robët, dhe mos u frikëso, se Zoti është i Madh, e një ditë ka për të dalë në dritë burrëria, besa dhe sakrifica, e jote dhe e vëllezërve të tu deri në vetëmartirizim…” Në këto fjalë gjejmë të përqendruar filozofinë e rezistencës shqiptare, ku besimi te drejtësia hyjnore, shpresa për triumfin e së vërtetës dhe besa e pashkelur janë themele të një morali të lartë kombëtar dhe njerëzor.
Përmes këtij komunikimi të ngushtë mes dy bashkëluftëtarësh, krijohet një urë shpirtërore që e ngre historinë mbi nivelin e një ngjarjeje të izoluar dhe e kthen atë në një narrativë epike të qëndresës dhe sakrificës shqiptare. Kjo skenë është një mikroskopi e shpirtit të kohës dhe një pasqyrë e vlerave që ndërtuan heroizmin e heshtur, por të paharrueshëm, të shumë burrave e grave që kontribuuan në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në kohët më të errëta të historisë.
Nënëmadhja Zarife Sadiku, jatakëja e devotshme e Mulla Idriz Gjilanit
Në horizontin e përjetësisë së kujtesës sonë historike, ndodhin momente të rralla ku fjala e njeriut tejkalon veten dhe bëhet përmendore shpirtërore për të gjithë një komb. Në një prej këtyre çasteve të jashtëzakonshme, dëgjohet zëri i një burri që, përkundër përmasave të mëdha të veprës dhe sakrificës së tij, gjunjëzohet me nderim përpara një figure tjetër – nënës. Nuk është çfarëdo nënë, por është ajo Malësore që lindi e rriti bij dhe që, mbi të gjithë, e pranoi edhe atë si bir, si trashëgimtar të besës, si mbrojtës të lirisë.
Dhe në këtë moment të rrallë, ai flet me përulësi të thellë e me përkushtim të pashoq: “Një ditë, Nëna që u lindi dhe u rriti Juve, Malësorja që më pranoi për djalë mbi të gjithë djemtë, e mbi të gjithë robët, ka për t’u ngritur mbi retë, në historinë e kombit tonë…!” Në këtë fjali përmblidhet një ndjeshmëri njerëzore e rrallë dhe një vlerësim i pamasë për figurën e gruas shqiptare – jo vetëm si nënë biologjike, por si strehë, mbrojtëse dhe mbartëse e një misioni të madh kombëtar.
Ai i cilëson veprat e tij si të pavlera përballë qëndresës, përkujdesjes dhe ndihmës që kjo grua, dhe të ngjashmet me të, dhanë në prapaskenë, duke e bërë të mundur qëndresën e burrave në vijën e parë. “Bëmat e mia janë një zero në krahasim me punën Tuaj,” – fjalë që reflektojnë jo vetëm përulësi, por edhe një kuptim të thellë të rolit që gratë dhe familjet kanë pasur në mbajtjen gjallë të kauzës kombëtare.
Në një situatë të rëndë dhe rrethim të plotë, me vetëdije të lartë për fundin e afërt, ai merr mbi supe të gjithë barrën e vendimit. “Tashti më lejo unë të vendosi…!” – thotë me vendosmëri, duke e marrë përgjegjësinë e plotë historike dhe morale. Ai kërkon që jataku të bëjë një sakrificë të fundit: të dalë, të shtyjë kohën, të blejë disa orë, sepse ai vetë e ka bërë hesapin e fundit – jetën e vet për të shpëtuar dokumentet, për të mos rënë në duart e pushtuesit, për të ruajtur sekretet e lëvizjes.
“Dil dhe shtyje afatin, disi, deri sa t’i kryej edhe do punë…” – është një lutje dhe një urdhër njëkohësisht, një kërkesë për të vazhduar betejën edhe pak, vetëm edhe pak, sa të mbyllen rrathët e besimit dhe amanetit. Ai është i vetëdijshëm për çmimin e lartë që do të paguajë, por nuk është më koha për të menduar për jetën personale – është koha e mbrojtjes së një ideali.
Dhe, me një skenar që është më shumë se dramatik – është tragjik dhe heroik njëkohësisht – ai i jep jatakut porosinë e fundit: “Dil, dil…! Thuaju se tashti po dorëzohet…!” Fjalë që i ngjasojnë një akti të fundit në një dramë të madhe kombëtare. Por, nën këtë dorëzim të dukshëm, fshihet një qëllim i lartë – për të mbrojtur idealin, për të ruajtur dokumentet, për të mos e nxjerrë askënd tjetër në rrezik.
Ky fragment përbën një dëshmi të çmuar për psikologjinë e njeriut që lufton me vdekjen, jo për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar një ideal. Një dokument etik, një testament moral, një dëshmi e një lufte që s’është vetëm fizike, por është metafizike, ku përballen e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, liria dhe robëria. Dhe, mbi të gjitha, është një homazh për atë qëndresë të heshtur që historia shpesh e harron – por që është themeli i çdo fitoreje të vërtetë.
Kapja dhe sjellja e Mulla Idriz Gjilanit në Burgun e Gjilanit, natën dramatike të 22-të në 23 nëntorit 1949, përbën një nga episodet më tragjike dhe më njëkohësisht më të ndritshme të historisë së qëndresës shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë natë të mbushur me terr simbolik e dhimbje kombëtare, bashkë me të u burgosën edhe dy nga bashkëpunëtorët më të afërt e më besnikë të tij – Rrahim dhe Avdi Sadiku – anëtarë të një familjeje që e kishte pranuar Mulla Idrizin jo thjesht si mysafir, por si bir, si pjesëtar të fisit, të shpirtit dhe të idealit.
Ironia e hidhur e kësaj nate qëndron në faktin se dy vëllezërve Sadiku, të cilët kishin mbajtur mbi supe barrën e strehimit të njërit prej figurave më të ndritura të kombit, nuk iu lejua as e drejta më elementare njerëzore: të varrosnin vëllanë e tyre të idealit, të dashurisë dhe të sakrificës. Ata u privuan nga ajo që për shqiptarët ka qenë gjithmonë detyrim moral dhe nder i shenjtë – varrimi i një të afërmi apo miku të ngushtë. Ky privim, më shumë se një akt administrativ i pushtetit, ishte një përpjekje për të zhveshur luftën dhe figurën e Mulla Idrizit nga çdo nderim njerëzor, për ta bërë atë një shembull frikësimi dhe nënshtrimi.
Por, në vend të nënshtrohej historia, ajo u ngrit edhe më shumë. Për UDB-në e Kosovës dhe Metohisë (të njohur si “Kosmeti”), kapja e Mulla Idrizit u paraqit dhe u perceptua si kulmi i arritjeve të saj, si një fitore simbolike dhe operative që shënonte sipas tyre triumfin përfundimtar mbi strukturat ilegale të rezistencës shqiptare. Në dokumentet e tyre, kjo ngjarje regjistrohet si “fitore mbi të gjitha fitoret”, duke treguar se sa i madh ishte ndikimi i kësaj figure dhe sa shumë përbënte ai një rrezik për pushtetin jugosllav.
E megjithatë, fitorja e UDB-së ishte vetëm sipërfaqësore dhe momentale. Historia nuk e regjistroi atë si triumf të regjimit, por si dëshmi të brutalitetit dhe padrejtësisë. Në anën tjetër, figura e Mulla Idriz Gjilanit, e njollosur dhe e dhunuar nga pushteti, u ngrit në ndërgjegjen kombëtare shqiptare si simbol i qëndresës, si emblemë e besimit, si figurë e patjetërsueshme në altarin e kujtesës historike. Kapja dhe martirizimi i tij, në vend që të shuanin frymën e rezistencës, i dhanë asaj kuptimin më të thellë dhe e ngjizën me përjetësi.
Prandaj, ajo natë e ftohtë e nëntorit nuk është vetëm një datë në kalendarin e vuajtjeve shqiptare – ajo është një kapitull i shkruar me gjak e nder në historinë tonë kolektive. Dhe çdo herë që kujtohet, na rikujton se në kohët më të errëta, shfaqen njerëzit më të ndritur, që me qëndresën e tyre shkruajnë historinë jo me fjalë, por me jetë.
Në hetimet ndaj Mulla Idriz Gjilanit, aparati shtetëror jugosllav, i mishëruar përmes UDB-së famëkeqe, zbatoi format më çnjerëzore dhe më çnjerëzisht të përçudnimit, të trashëguara nga historia e egër e dhunës serbe mbi shqiptarët. Këto metoda nuk ishin thjesht forma të torturës fizike, por ishin të përqendruara në shkatërrimin total të njeriut – në trup, në mendje dhe në shpirt. Dhuna e ushtruar mbi Mulla Idrizin e kalonte kufirin e çdo logjike njerëzore: ai u var përmbys, me kokë tatëpjetë, ndërsa poshtë kokës i ndiznin zjarrin – një formë simbolike e torturës që s’mund të kuptohet ndryshe përveçse si një akt djallëzor, me qëllimin e vetëm për të thyer rezistencën dhe integritetin moral të një njeriu që përfaqësonte idealin kombëtar e fetar të shqiptarëve.
As historia dhe as dëshmitë e asaj kohe nuk arrijnë të dokumentojnë me saktësi momentin final të jetës së Mulla Idrizit – mënyrën konkrete sesi ai u mbyt – sepse gjithçka ndodhi në fshehtësi të thellë, larg syve të publikut, siç vepron zakonisht çdo regjim që e ka të qartë se krimi i tij është i pashlyeshëm. Por nga burimet që janë mbledhur me kujdes, guxim dhe përkushtim, mund të ndërtohet një pamje e besueshme e fundtragjedisë së këtij kolosi të kombit. Ato të dhëna – të rrjedhura nga dëshmitarë, dokumente të pakta e të shpëtuara me mund, dhe gojëdhëna të përcjella ndër breza – tregojnë se pas mesnatës së datës 25/26 nëntor 1949, autoritetet e nxorën trupin e tij të gjymtuar nga Burgu i Gjilanit.
Më pas, në një akt që tejkalon çdo kufi të poshtërimit dhe barbarisë, e dërguan në periferi të qytetit, në një vend të njohur me emrin “Gllamë”. Aty, në errësirën e natës dhe në heshtjen e një Kosove që vuante në heshtje, trupin e Mulla Idrizit e spërkatën me benzinë – një përpjekje e dëshpëruar e pushtetit për të zhdukur edhe gjurmët fizike të një njeriu që, në vetë qenien e tij, ishte kthyer në simbol të përjetshëm të rezistencës.
Ky akt i fundit nuk ishte thjesht një krim ndaj një individi. Ishte një tentativë për të shuar një frymë, një ideal, një vizion për lirinë dhe bashkimin kombëtar. Por ajo që nuk arritën ta kuptonin persekutorët, ishte se Mulla Idrizi nuk kishte qenë thjesht një trup që mund të digjej dhe të zhdukej – ai ishte një shpirt që kishte rrënjosur veten në ndërgjegjen historike të popullit shqiptar. Dhe, si çdo shpirt i tillë, ai nuk mund të asgjësohej as me zjarr, as me torturë, as me benzinë.
Ai mbeti aty – në historinë tonë, në frymëzimin tonë, në kërkimin tonë të pandërprerë për dinjitet e liri. Dhe vendi “Gllamë” nuk është më thjesht një pikë në hartën e Gjilanit – është një dëshmi e përjetshme e dhunës shtetërore dhe e sakrificës sublime.
Mulla Idriz Gjilani e përmbylli kapitullin e jetës së tij me një akt që përmban brenda vetes thelbin e gjithë qëndresës së tij: ai zgjodhi të vdiste ashtu siç kishte jetuar – me dinjitet, me guxim, dhe me përballje të drejtpërdrejtë ndaj armikut. Vdekja për të nuk ishte fundi, por një vazhdimësi e natyrshme e misionit që e kishte ndjekur gjithë jetën: mbrojtjen e kauzës kombëtare dhe të vlerave të lirisë, pa e përkulur kurrë kokën përballë shtypjes, tradhtisë apo nënshtrimit.
Ai nuk e pranoi kurrë rrugën e dorëzimit të turpshëm, as nuk e kontaminoi veten me llogari të përkohshme për mbijetesë, sepse besonte se vdekja, nëse është për një ideal të lartë, nuk është humbje, por kurorëzim i një jete të qëllimtë. Ishte më mirë për të të shuhej përballë armikut, me fytyrë të kthyer kah drejtësia dhe me besimin e palëkundur në kauzën për të cilën jetoi dhe u sakrifikua, sesa të bëhej pjesë e një kompromisi që do ta vinte në dyshim moralin dhe qëndrimin e tij jetësor.
Kjo mënyrë përmbylljeje nuk ishte thjesht një fund tragjik i një martiri, por një testament i gjallë për brezat që vijnë – një mesazh i pashkruar se vlerat e qëndresës, besës, dhe përkushtimit ndaj kombit janë më të mëdha se vetë jeta. Mulla Idrizi, në ballafaqimin e tij të fundit, nuk ishte viktimë, por protagonist i një epilogu heroik, që e ktheu figurën e tij në simbol të rezistencës dhe të pavdekësisë shpirtërore. Ai ra pa u përulur, pa u thyer, dhe pa e mohuar kurrë as veten, as të vërtetën për të cilën kishte jetuar.
( Vijon )











