THIRRJE PËR BASHKIM E JO PËR NDARJE!

0
Liqeni i Pogradecit

Ese:
Liqeni dhe tri qytetet janë zemrat shqiptare!

Me tre qytetet shqiptare buzë liqeneve të mëdha të Shqipërisë dhe të Iliridës në Maqedoninë e Veriut!

Safet Sadiku
Safet Sadiku

Nga Safet SADIKU

Liqeni i Pogradecit, i Ohrit dhe i Strugës nuk janë thjesht vetëm ujëra të qeta. Por, burimi i ujit të tyre është pasqyrë e historisë dhe e shpirtit shqiptar në këto anë. Secili liqen ka rrjedhën e vet, burimet e veta, dhe për qytetet që rrethojnë brigjet e tij, uji është jo vetëm burim jetese, por edhe frymëzim i përhershëm. Pogradeci, me liqenin që mban ngrohtësinë e fushave të Korçës dhe buzëqeshjen e malit Tushemisht, rrjedh si kujtesë e njerëzve dhe e natyrës që përqafojnë njëri-tjetrin. Por Ohri, i lashtë dhe i madh, mban në valët e tij histori shekullore dhe mitologji që bashkojnë shqiptarët dhe minoritetin maqedonas, por për shqiptarët e Ohrit, ai është një gur themeli i kulturës dhe identitetit.

Struga, me brigjet e saj të qeta dhe rrjedhën e Drinit të Vogël që e lidh me liqenin, është qytet i poetëve dhe muzikës, ku uji bëhet metaforë e dashurisë dhe e lirisë së fjalës. Ndonëse, të tre qytetet janë si tri pika që lidhen me zemrën e natyrës shqiptare, ku liqenet nuk ndahen vetëm nga kufijtë gjeografikë, por bashkojnë kulturën, historinë dhe shpirtin e një kombi që ka mësuar të jetojë pranë ujit si në pasqyrën e tij. Mbi ujin e këtyre liqeneve është shumë e pranishme edhe hija e shqiponjave, e cila fluturon vazhdimisht mbi ujë dhe gjallëron si roje e historisë shqiptare.

Liqeni që lidh dhe bashkon tri qytete

Thuhet se liqenet janë sytë e tokës, por liqeni i Pogradecit, i Ohrit dhe i Strugës janë më shumë se një sy! Ai liqen është një zemër e fshehur mes maleve, që rreh njëkohësisht për tri qytete. Një gojëdhënë e moçme thotë se ujërat e tij nuk njihen dot nga cili burim ato burojnë, sepse secila valë mban brenda zërin e njërit qytet dhe e përcjell tek tjetri. Kështu, Pogradeci ia pëshpërit Ohrit këngët e Lasgushit, Ohri ia kthen ikonat e qelqta që ndriçojnë netët, ndërsa Struga hedh mbi dallgë vargjet e poetëve të saj, të cilat i shoqëron me muzikë folklorike. Në brigjet e këtij liqeni, koha duket si një urë e përjetshme. Aty ku kufijtë njerëzorë ngrihen, liqeni i shkrin me një frymëmarrje. Në valët e tij nuk gjenden gjurmë doganash, por vetëm gjurmë zogjsh që e kryqëzojnë qiellin lirshëm. Dhe, në heshtjen e thellësisë, qëndron Shën Naumi, si rojtar i përjetësisë.

Thuhet se ai dëgjonte rrahjet e zemrave të njerëzve, ashtu si sot liqeni dëgjon rrahjet e tri qyteteve për njëherësh. Prandaj, manastiri i tij ngjan si një dritë mbi ujë, një thirrje për bashkim e jo për ndarje. Në çdo fshat përreth rrëfehet një tjetër gojëdhënë: se liqeni mban brenda fshehtësi të lashta, qytete të fundosura dhe zëra që flasin nga thellësia. Ndoshta për këtë arsye, kur e sheh në agim, ai duket si një pasqyrë ku shfaqen fytyrat e brezave që kaluan. Kështu, liqeni bëhet jo vetëm peizazh, por kujtesë, dhe jo vetëm ujë, por urë, jo vetëm kufi, por shenjë e përbashkësisë. Pogradeci, Ohri dhe Struga janë si tri gishtërinj që prekin të njëjtin pellg, por liqeni është dora që i bashkon. Në të shfaqet e vërteta e thjeshtë e gojëdhënave: se aty ku njerëzit ndahen, natyra i fton të jenë një. Dhe kushdo që ulet buzë tij, sheh se valët nuk i takojnë një qyteti të vetëm, por ato janë valët e një kombi, të një shpirti dhe të një përjetësie që i tejkalon kufijtë.

Uji që rrjedh dhe kujton

Liqeni i Pogradecit nuk është thjesht një masë uji… Ai është pasqyrë e kohës dhe e kujtesës së këtij vendi. Çdo burim që e ushqen nga Tushemishti i qetë, ku zë fill Driloni, deri te burimet që vijnë nga mali i Shën Naumit, është si një rrëfim i heshtur që mbart histori të njerëzve dhe të tokës. Uji rrjedh pa u ndalur, përshkon fushat dhe pyjet, kalon pranë kalasë dhe peshkatarëve, duke bashkuar të tashmen me të kaluarën. Ai është mjalti i gjallë i natyrës, që çdo ditë risjell frymën e jetës në qytet, dhe njëkohësisht pasqyron hijeshinë e maleve dhe dritën e agimeve mbi liqen.

Pogradeci dhe Liqeni i tij janë të lidhur ngushtë. Secila valë që përplaset në breg është një kujtesë se asgjë nuk është e qëndrueshme pa rrjedhën e jetës, pa ujërat që bartin histori, ëndrra dhe shpresë. Dhe ndërsa qyteti zgjohet nën rrezet e diellit, uji vazhdon të rrjedhë, duke na kujtuar se gjithçka që është e gjallë ka burim dhe rrjedh, sikundër vetë historia e njerëzve që kanë jetuar dhe ende jetojnë këtu.

Burimi i heshtur

“Lumi Drilon përhap degëzimet e tij si rrjeta të holla prej argjendi, duke derdhur ujin e kthjellët në liqenin e Pogradecit. Pamja i ngjan kanaleve të Venedikut, vetëm se madhështia këtu është më e butë, dhe çdo valë e vogël duket si një këngë e qetë uji që flet me bregun.” Lumi Drilon shtrihet me degëzimet e tij që rrjedhin ngadalë drejt liqenit të Pogradecit, duke krijuar një rrjet ujërash që ka një kapacitet më modest. “Degëzimet e lumit Drilon rrjedhin ngadalë ndërmjet ndërtesave dhe pemëve të rreshtuara, duke krijuar një rrjet të qetë uji që flet me bregun.

Dielli i mbrëmjes ndriçon sipërfaqen e tij të kthjellët, dhe çdo valë duket si një këngë e butë që përshkon qytetin. Në këtë qetësi, pranë ujit, vizitorët qëndrojnë bashkë, duke ndarë momente të ngrohta të mbrëmjes.” Furnizimi me ujë i Liqenit të Pogradecit, i njohur gjithashtu si Liqeni i Ohrit, është rezultat i një rrjeti natyror burimesh ujore që kontribuojnë në nivelin e tij.

Ky liqen është një nga më të vjetrit dhe më të thellët në Gadishullin Ilirik, me një moshë që llogaritet të jetë 2 deri në 5 milionë vjet dhe një thellësi maksimale prej 289 metrash. Një nga burimet më të mëdha është ai pranë Manastirit të Shën Naumit në Iliridën e Maqedonisë së Veriut, ku uji që buron aty është i lidhur me liqenin e Prespës, që ndodhet 200 metra më lart se Liqeni i Ohrit . Në anën shqiptare, një tjetër burim i rëndësishëm ndodhet në parkun natyror të Drilonit, pranë fshatit Tushemisht, i cili ndihmon në mbajtjen e nivelit të ujit të liqenit.

Për qytetin e Pogradecit, furnizimi me ujë ka qenë i lidhur ngushtë me burimet natyrore përreth. Që nga vitet 1980, qyteti është furnizuar me ujë nga një galeri prej rreth 35 metrash, e hapur pranë burimit të Tushemishtit. Pas hetimeve hidrogjeologjike të kryera në vitin 2002, është vendosur zgjerimi i strukturës së kapjes për të rritur shpërndarjen e ujit deri në 250 litra në sekondë . Ky sistem furnizimi është i lidhur me një stacion pompimi që mbulon qytetin e Pogradecit dhe disa fshatra përreth . Përveç kësaj, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian ka përmirësuar sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura në Pogradec, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ujit në liqen. Në përgjithësi, furnizimi me ujë i Liqenit të Pogradecit është rezultat i një rrjeti të ndërlikuar burimesh natyrore dhe sistemeve të menaxhimit të ujërave, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e ekosistemit të tij unik.

Uji i Liqenit të Pogradecit rrjedh si një këngë e vjetër, që askush nuk e mëson dot në fjalë. Ai nis jetën në burimet e fshehura, aty ku drurët përqafojnë tokën dhe era mbart aroma të kujtimeve të hershme. Çdo rrjedhë është si një frymë e heshtur që fluturon mbi fushat e gjelbëruara dhe mbi gurët që kanë parë gjenerata të tëra. Tushemishti dhe Driloni nuk janë thjesht emra, por janë zemra të hapura të natyrës, që na mësojnë të dëgjojmë pa folur, të ndjejmë pa prekur. Uji këndon për dashuritë e humbura dhe për gëzimet e thjeshta të fëmijërisë, për peshkatarët që përplasin rrjetat dhe për të moshuarit që shikojnë liqenin duke kujtuar ditët që nuk kthehen më. Në çdo pikë uji ka një sekret, pasi çdo valë që kthehet në breg, çdo fllad që lëviz sipër sipërfaqes, është një ftesë për të kuptuar se jeta është rrjedhë, si burimi i heshtur që ushqen liqenin. Dhe përderisa dielli zbret mbi ujërat e qeta, qyteti ndjehet i gjallë, sepse është pjesë e rrjedhës së përjetshme, ku çdo zemër që do e gjen vetveten është frynëzim për lindjen e shpresës, në ujin që nuk ndalet kurrë.

Driloni dhe premtimi i përjetësisë

Në Drilon, aty ku buron uji i kthjellët, rosa lozin mbi sipërfaqe si nota të bardha të një kënge të padukshme. Ato janë si shkrime të natyrës mbi letërzën e kaltër të liqenit, si të donin të thoshin, se uji nuk është vetëm pasqyrë, por një libër që vazhdon të shkruhet çdo ditë. Në brigjet e liqenit, lahuta ka kënduar për shekuj. Tingulli i saj i thellë, i dalë nga gishtat e plakut, që i ngjan valës së liqenit: fillon e butë, por më pas ngrihet si një thirrje që prek qiellin. Lahuta nuk këndon vetëm për trimëri, por edhe për dasma, për dashuri të thjeshta që janë kremtuar buzë ujit. Çdo dasëm pranë liqenit është një katedrale e gëzimit: nuset zbresin si yje nga malet, daullet bien, dhe mbi kryet e çiftit kalon shqiponja, ah shqiponja, e cila vjen si bekim që lidh qiellin me tokën.

Shqiponja, që shfaqet mbi kreshtat e maleve të Jabllanicës dhe të Galicicës, duket sikur ruan këtë pasuri të shenjtë. Ajo shpalos krahët mbi tre qytetet; Pogradecin, Ohri dhe Strugën, dhe thotë me heshtjen e saj se ky liqen nuk është i askujt dhe i të gjithëve njëherësh. Në fluturimin e saj ka një amanet: kufijtë i vendos njeriu, por bashkimin e siguron natyra. Në Drilon, uji flet me një gjuhë të qetë, por në thellësitë e tij dëgjohet ende jehona e Shën Naumit, që ruan si rojtar i përjetësisë këtë vend. Ai është si një lahutar i heshtur që nuk pushon së kënduari. Kështu, rosa që lundron, lahuta që vajton e feston, shqiponja që ngrihet mbi male dhe dasmat që përzihen me këngën e valëve, që të gjitha bëhen metafora të një të vërtete, se liqeni është më shumë se një peizazh.

Ai është një rrëfim i përbashkët, një kujtesë që lidh tri qytete, tri brigje dhe tri frymëmarrje në një zemër të vetme. Driloni është një teatër i natyrës ku çdo element ka rolin e vet: uji që rrjedh i qetë është skena, dhe drita që depërton mes gjetheve është reflektori, zogjtë dhe rosat janë kori, ndërsa varka e kuqe me çiftin e sapo martuar është akti kryesor i dramës së jetës. Në këtë qetësi, çdo gjë duket si një bekim i heshtur. Çifti që lundron mbi varkë është metafora e udhëtimit njerëzor. Martesa e tyre nuk është vetëm një lidhje mes dy shpirtrave, por edhe një hyrje në dialog me natyrën. Mesazhi i zërit po vinte, sikur Driloni të thotë se dashuria e vërtetë ka nevojë për rrjedhë të vazhdueshme, si burimi që nuk shteron kurrë. Varka është zemra e përbashkët, ndërsa uji është koha që rrëshqet, dhe çdo valë është një kujtesë se rrugëtimi nuk do të jetë gjithmonë i qetë, por do të ketë lëkundje që e bëjnë më të vërtetë.

Mjellma që shfaqet pranë tyre është shenja e bardhë e fatit. Në mitologjitë e popujve, mjellma lidhet me pastërtinë, me dashurinë e përjetshme dhe me shpresën. Në këtë pamje, ajo është dëshmitarja e heshtur e një premtimi që sapo është dhënë jo vetëm para njerëzve, por edhe para natyrës. Në Drilon, dasmat nuk janë vetëm ngjarje shoqërore, por rite të bashkimit me të shenjtën. Ato e përziejnë gëzimin njerëzor me madhështinë e mjedisit. Ashtu si lahuta këndon për dashurinë dhe trimërinë, edhe dallgët e Drilonit këndojnë për fillime të reja. Ndaj, çdo martesë këtu bëhet dyfish e bekuar: një herë nga fjalët e njerëzve dhe një herë nga ujërat që rrjedhin në heshtje.

Kjo është arsyeja pse Driloni nuk është vetëm një vend peizazhi, por një libër i hapur ku shkruhen faqet e dashurisë. Në çdo valë, në çdo dritë që bie mbi sipërfaqe, ruhet një premtim, se dashuria është rrjedhë, nuk është gur; është burim që rinovohet, jo digë që shterron. Dhe kushdo që e sheh këtë skenë, ku varka e kuqe me simbolin e flamurit kombëtar, bart dy jetë në një… E kupton se natyra e ka dhënë prej kohësh mesazhin e saj, se dashuria është gjithmonë një udhëtim mbi ujë, ku e ardhmja shndrit përmes dritës që depërton ndër degë.

Liqeni si gjuhë e bashkimit

Liqeni i Pogradecit, Ohrit dhe Strugës është një fjalë e madhe e natyrës, një gjuhë e përbashkët që nuk ka nevojë për përkthyes. Në ujërat e tij shfaqet ajo që shpesh u mungon njerëzve: aftësia për të lidhur, për të bashkuar, për të mbajtur gjallë kujtesën e përbashkët. Valët e tij janë si rreshta të një poezie të lashtë që lexohet njëherësh në tri brigje, pa humbur kuptimin askund. Në Drilon, aty ku rosa lundrojnë qetësisht mbi sipërfaqe, shfaqet metafora e jetës së thjeshtë, e pastër, që e gjen lumturinë në rrjedhën natyrore të saj. Ato rosa janë sikur dërguese mesazhi nga thellësitë, një kujtesë e heshtur se bukuria nuk ka nevojë për zë të lartë. Pastaj, në brigjet e liqenit, dëgjohet lahuta.

Ajo është zëri i historisë sonë, herë e ëmbël si këngë dasme, herë e rëndë si thirrje burrash. Tingulli i saj ngjan me vetë valën: ngrihet, përplaset, e më pas shuhet në qetësinë e madhe, duke lënë jehonën e vet në shpirtin e atij që dëgjon. Mbi këtë botë të ujit e të këngës, shqiponja shfaqet si një rojtar qiellor. Ajo shikon njëkohësisht Pogradecin, Ohrin dhe Strugën, dhe fluturimi i saj është dëshmia më e thjeshtë se ky liqen është një zemër e përbashkët. Në krahët e saj mbartet një amanet i lashtë: uniteti që buron nga natyra nuk mund të shpërbëhet nga kufijtë e njeriut.

Buzë liqenit janë bërë edhe dasmat. Ato janë kremtimi i jetës, i dashurisë, i shpresës. Këngët e dasmorëve përzihen me dallgët, sikur vetë liqeni të bekonte çiftet që hyjnë në rrugën e tyre të re. Dhe çdo dasëm është një rikthim në një traditë të përbashkët, ku gëzimi njerëzor lidhet me madhështinë e natyrës. Në horizont, mbi këtë qetësi të thellë, qëndron Shën Naumi. Ai është kujtesë e shenjtë, një dritë mbi ujë, një prani që i fton njerëzit të shohin përtej ndarjeve. Si një lahutar i heshtur, manastiri i tij e ruan ende melodinë e bashkimit. Kështu, liqeni nuk është vetëm pasqyrë e maleve dhe e reve. Ai është një libër i gjallë ku natyra, historia dhe shpirti njerëzor shkruajnë së bashku. Një kujtesë që flet në gjuhën e metaforave: rosa që lundrojnë si paqe, lahuta që kumbon si kujtesë, shqiponja që rri pezull si mbrojtje, dasmat që shndërrohen në rite bashkimi. Dhe në fund, është vetë liqeni që thotë me heshtjen e tij atë që shpesh hesht njeriu: se përjetësia nuk ndahet, vetëm bashkon njerzit.

Uji i Drilonit dhe çifti i sapo martuar

Driloni është një libër i hapur ku çdo pikë ujë është një fjalë dhe çdo valë është një fjali. Në këtë libër, çifti i sapo martuar lundron mbi një faqe të re, të bardhë, që natyra ia ka dhënë si dhuratë. Varka e kuqe është zemra e mirësisë, uji është koha, ndërsa mjellma që shfaqet pranë tyre është bekimi i heshtur i natyrës. Rrezet që hyjnë mes gjetheve janë dritaret e së ardhmes si kërkesa jezlsore, që do t’i shoqërojnë në udhëtimin e tyre të përbashkët. Çdo lëkundje e varkës është një kujtesë se jeta bashkë nuk është gjithnjë e qetë, por se bukuria e saj është pikërisht në lëvizje, në rrugëtim, jo në qëndrimin pezull.

Driloni i ka parë shumë dasma, shumë fillime, shumë premtime. Por çdo herë, uji i tij mbetet i kthjellët, si të donte të thoshte: “dashuria e vërtetë është ajo që nuk ndotet, që nuk prishet, por vazhdon të rrjedhë si burimi”. Dhe kështu, në këtë pamje, natyra dhe njeriu bëhen një… Pra një martesë e dyfishtë, ajo e çiftit me njëri-tjetrin dhe ajo e tyre me ujin; me dritën dhe pyllin e Drilonit. Sepse dashuria, ashtu si ky burim, nuk lind nga një moment, por nga rrjedhja e përhershme që ushqen dhe mban gjallë shpresën në çdo hap të jetës.

Liqeni dhe diplomacia e shterrur

Liqeni i Pogradecit, Ohrit dhe Strugës është një mësues i urtë, por nxënësit e tij shpesh janë të shurdhët. Ai flet me gjuhën e përjetësisë. Por, valët e tij nuk pyesin as për dogana, as për marrëveshje, as për pasaporta. Dhe megjithatë, në brigjet e tij, diplomacia e njeriut shpesh duket e shterrur, e tharë si një lumë pa burim. Në ujërat ku rosa lundrojnë të lira, politikat shohin kufij dhe aty ku lahuta rrëfen historinë e një populli, zërat zyrtarë shpikin ndarje!… Pikërisht, aty ku shqiponja ngrihet e pandalur mbi qiell, diplomatët e ulur në tryeza negociojnë se si të shkurtojnë krahët. Liqeni, i pafjalë, i sheh të gjitha këto si një teatër i kotë, sepse ai e di se bashkimi nuk kërkon dokumente, por frymëmarrje. Dasmat buzë liqenit janë një shembull i thjeshtë. Aty ku dy familje, dy fshatra, dy krahina bëhen një, valët bëhen dëshmitarë të një diplomacie të vërtetë. Të asaj që lind nga zemra. Ndërsa diplomacia zyrtare, e mbërthyer mes kalkulimesh të ftohta, shpesh mbetet bosh, pa frymë, pa jetë.

Shën Naumi, me heshtjen e tij të shenjtë, duket sikur i vështron të gjitha këto lojëra të njerëzve. Ai e di se ka një diplomaci më të thellë se ajo e salloneve politike… Diplomacia e natyrës, e ujërave, e zogjve që nuk njohin kufij, e valëve që përplasen e përqafohen pa pyetur, se në cilin brig (dhe brigje) bien. Prandaj, liqeni është një metaforë e hidhur dhe një mësim i madh. Ai na kujton se diplomacia njerëzore shterrohet kur humbet frymën e natyrës dhe të kulturës. Aty ku valët lidhen, njerëzit shpesh betohen! Aty ku natyra bashkon, politika shpërbën. Dhe ky kontrast është dëshmia më e qartë e shterrimit të diplomacisë, se njeriu shpik ndarje, aty ku Zoti dhe natyra kanë vendosur bashkim…

Më 21 dhe 22.08.2025, Pogradec

(Pjesa e fundit e këtij teksti i bashkëangjitet romanit në dorëshkrim “Diplomacia e shterruar”)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.