Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
SELVETE HAMZË JASHARI
(3.4.1977 – 5.3.1998)
Më 5 mars të vitit 1998, në zemrën kryengritëse të Drenicës, ndodhi një prej ngjarjeve më të shquara dhe më të rëndësishme të historisë sonë moderne — ajo që tashmë është e njohur me emrin madhështor Epopeja e Prekazit. Ky nuk ishte thjesht një episod i izoluar lufte, por një akt i mirëfilltë historik që përcaktoi fatin dhe rrugëtimin e mëvonshëm të Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë. Në qendër të kësaj rezistence heroike qëndronte familja e madhe e Jasharajve, e udhëhequr me vendosmëri dhe vizion prej figurës emblematike të Adem Jasharit. Ajo që ndodhi në Prekaz nuk ishte një përplasje e zakonshme me forcat pushtuese, por një betejë e përmasave epike që zgjati 3 ditë të pandërprera, nën një rrethim të plotë e të pamëshirshëm nga forcat serbe.
Në ato tri shtëpi të rrethuara nga një mur i lartë, ishin ngujuar rreth 60 anëtarë të familjes — burra, gra dhe fëmijë — të bashkuar jo thjesht nga lidhja e gjakut, por nga një unitet i rrallë mendimi, ideali dhe veprimi. Ata nuk ishin një turmë e shpërndarë, por një trup i vetëm, i lidhur nga një betim i përbashkët, të mos dorëzoheshin kurrë dhe të mos lejonin kurrsesi që pushtuesi serb të shkelte mbi nderin dhe lirinë e tyre. Ajo që ndodhi në ato 3 ditë është një rast unik jo vetëm në historinë shqiptare, por mund të zërë vend të veçantë edhe në historinë botërore të qëndresës. Sepse rrallëherë sheh që një familje e tërë, me përmasa kaq të mëdha, të përballë fuqinë e një shteti të armatosur deri në dhëmbë me një vendosmëri të tillë, duke mos njohur as frikë, as dorëzim.
Në përfundim të kësaj lufte titanike, 59 anëtarë të familjes Jashari — burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave — ranë dëshmorë, duke e shndërruar veten në theror për një ideal më të madh se vetë jeta, çlirimin e atdheut dhe krijimin e një shteti të ri, Republikën e Kosovës.
Kjo epope nuk është vetëm pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Ajo është një testament i gjallë i vlerave më të larta njerëzore- guximit, sakrificës, unitetit dhe dashurisë së pakushtë për lirinë. Prekazi është shndërruar kësisoj në një simbol të pavdekshëm të rezistencës dhe në një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë, duke na kujtuar gjithmonë çmimin e lartë që u pagua për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Në thelb, historia e familjes Jashari nuk mund të kuptohet në tërësinë e saj pa figurat e grave që me vendosmëri, guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm përballuan rrethimin dhe dhunën, duke pranuar vetëdijshëm sakrificën sublime për atdhe. Të mos i përmendësh ato do të ishte një akt i mohimit të rolit që kanë luajtur gratë shqiptare në procesin e çlirimit dhe në konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare. Prandaj, çdo trajtim i denjë i historisë së Jasharajve dhe i luftës së UÇK-së, duhet domosdoshmërisht të përfshijë dhe të nderojë rolin e grave, të cilat u bënë simbol i dinjitetit, sakrificës dhe qëndresës kolektive.
Humbjet që familja Jashari pësoi në altarin e lirisë nuk ishin të pakta as të lehta për t’u përfytyruar, në mesin e të rënëve, numri i grave e vajzave dëshmore zë një vend të veçantë dhe mbresëlënës. Ato gra përfaqësojnë simbolin më të lartë të sakrificës dhe të atdhedashurisë së pakushtëzuar, duke e mishëruar me jetët e tyre vlerën e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar. Në atë epope të lavdishme të Prekazit, historia nuk njeh vetëm burrat që mbajtën pushkën në dorë dhe rezistuan deri në frymën e fundit, por edhe gratë që, me një vendosmëri stoike dhe një shpirt vetëflijues, qëndruan krah për krah me ta, duke ndihmuar, kujdesur dhe mbështetur çdo akt të qëndresës. Ato nuk u tërhoqën përballë rrezikut, por pranuan flijimin më të madh, duke dëshmuar se guximi dhe përkushtimi për atdheun nuk njohin dallime gjinore. Fëmijët e asaj shtëpie, në një akt prekës dhe tragjik të dashurisë së pamasë, iu gjenden pranë prindërve të tyre në ato çaste të fundit, duke i dhënë kështu kësaj epopeje një dimension të thellë tragjik dhe heroik njëkohësisht. Brenda kësaj historie të skalitur me gjak dhe krenari, gratë e vajzat trime të familjes Jashari u bënë emra të paharrueshëm, dëshmi të gjalla të heroizmit femëror që historia më e re e Kosovës e ka për detyrë ti nderojë dhe ti përkujtojë gjithmonë.
Kur shkruajmë për Epopenë e familjes Jashari, zakonisht përmendim heroizmin burrëror të saj, por duhet thënë se nga 20 anëtarët e vrarë të kësaj familjeje, 12 ishin gra dhe vajza, përfshirë tri fëmijë të vegjël. Kjo statistikë e ftohtë shndërrohet në një tragjedi të jashtëzakonshme kur përmendim emrat dhe jetët e tyre të prerë në mes.
Këto gra nuk ishin thjesht të pranishëm rastësisht në atë vend e në atë moment tragjik. Ato ishin pjesë e ndërgjegjshme e një sakrifice kolektive dhe e një kontributi të përbashkët për lirinë e Kosovës. Duhet të kujtojmë se vajzat si Selvete Jashari, e vrarë më 7 mars në moshën 20-vjeçare, dhe Iliriana Jashari, e mbijetuar por e plagosur më herët më 22 janar 1998, nuk ishin thjesht viktima pasive. Ato ishin pjesë aktive e rezistencës, e plagosur dhe e testuar në luftë shumë përpara betejës përfundimtare në Prekaz.
Është e domosdoshme të thuhet qartë dhe pa mëdyshje se prania e grave në kullën e Jasharajve nuk ishte aspak rastësore apo e imponuar thjesht nga rrethanat. Ato ishin plotësisht të vetëdijshme për misionin dhe idealin që udhëhiqte bijtë, burrat dhe vëllezërit e tyre. Lufta e tyre ishte e ndërgjegjshme, e lidhur ngushtë me kauzën e drejtë të rezistencës kombëtare dhe të mbrojtjes së pragut të shtëpisë.
Ato nuk ishin thjesht pjesëtare pasive të familjes. Ishin bashkëpjesëmarrëse aktive në aktin e madh të qëndresës që familja Jashari përfaqëson në historinë tonë. Edhe kur iu ofrua mundësia që të largoheshin dhe të shpëtonin jetën, ato e refuzuan këtë zgjedhje. Ky refuzim nuk ishte i pamenduar apo i pamatur, por një vendim i pjekur dhe i qëllimshëm që dëshmon për guximin dhe ndjenjën e lartë të nderit e përgjegjësisë.
Qëndrimi i tyre në kullë nuk ishte vetëm një akt solidariteti familjar, por një shprehje e vetëdijshme e përkushtimit për idealin e lirisë. Ato i dolën përballë armikut me zgjuarsi, me vendosmëri të palëkundur dhe me një qëndresë të jashtëzakonshme që tejkalon kufijtë e zakonshëm të të kuptuarit të sakrificës. Në këtë mënyrë, ato nuk ishin vetem mbrojtëse të fëmijëve apo të vatrës familjare, por mbartëse të një ideali të madh kombëtar, të mishëruar në aktin sublim të qëndresës deri në fund.
Nëse historia synon të jetë e drejtë dhe e plotë, duhet të njohë dhe nderojë këtë kontribut unik e të pazëvendësueshëm. Duhet të pranojë se rezistenca e familjes Jashari nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa guximin dhe flijimin e grave që zgjodhën të qëndronin në krah të burrave dhe djemve të tyre, të gatshme të ndanin me ta jo vetëm idealin e lirisë, por edhe fatin tragjik të vdekjes.
Në analizën e kësaj beteje të jashtëzakonshme, është e domosdoshme të theksohet se flijimi nuk ishte i kufizuar vetëm te gratë e ngushta të familjes Jashari. Heroizmi femëror në Epopenë e Prekazit është shumë më i gjerë dhe më kompleks sesa shpesh përmendet në mënyrë konvencionale. Numri i grave të rëna dëshmore në këtë betejë është dukshëm i konsiderueshëm dhe përbën një dëshmi të gjallë të përmasave kolektive të rezistencës.
Nuk ishin vetëm bashkëshortet, nënat, motrat apo bijat e Adem dhe Hamëz Jasharit ato që zgjodhën të qëndronin në kullë dhe të përballeshin me armikun deri në fund. Në këtë akt sublim qëndrese u përfshinë edhe gra të lagjes Jashari – kushërira të afërta që ndanin jo vetëm lidhjen e gjakut, por edhe idealin e lirisë. Ato nuk erdhën aty thjesht si vizitore apo mysafire të rastësishme, por si pjesë e vetëdijshme e një popullate të mobilizuar, të vendosur të qëndrojë bashkë, të rezistojë dhe të japë çdo gjë për të mbrojtur pragun, familjen dhe atdheun.
Gjithashtu, në mesin e atyre që ranë, gjenden edhe gra të tjera që ishin mbledhur në kullë me një mision të qartë solidariteti dhe ndihme. Ato ishin bashkudhëtare të betejës, të gatshme të mbështesnin familjen Jashari jo vetëm me fjalë inkurajimi apo shpresë, por me praninë e tyre fizike dhe me vetë jetën. Ky akt solidariteti i shndërruar në heroizëm nuk mund të mbetet i heshtur në narrativën historike.
Në këtë kontekst, duhet të pranojmë se Epopenë e Prekazit nuk e bën të madhe vetëm qëndresa e armëve apo udhëheqja burrërore e Adem Jasharit, por edhe përmasat e një sakrifice kolektive ku gratë morën pjesë në mënyrë të barabartë e të vetëdijshme. Heroizmi i tyre është një pjesë thelbësore e kësaj legjende të gjallë kombëtare.
Njohja dhe nderimi i grave të lagjes Jashari, të kushërinjve dhe të atyre që vullnetarisht u bashkuan për të mbështetur familjen në ditët e saj më të vështira, është një domosdoshmëri historike dhe morale. Pa përfshirjen e tyre të plotë, rrëfimi i kësaj epopeje do të mbetej i cunguar dhe i padrejtë. Vetëm duke ndriçuar të gjitha këto figura, mund ta kuptojmë me dinjitet të plotë përmasën e vërtetë të sakrificës dhe të lirisë që u fitua mbi themelet e saj.
Në kronikën e lavdishme të familjes Jashari, një vend të veçantë zë figura e Selvete Hamëz Jasharit, dëshmores së re që mishëron ndërthurjen e ndritur të rinisë, ëndrrës dhe sakrificës. Selvetja lindi më 3 prill 1977 në Prekaz të Ultë, një fshat që do të bëhej simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe i identitetit kombëtar shqiptar.
Ajo ishte bijë e Hamëz Jasharit dhe e Feride Mecini-Jasharit, prindër të përkushtuar e të njohur për virtytet e tyre, që sollën në jetë dhe rritën nëntë fëmijë – bij e bija të rritur me frymën e dashurisë për familjen, nderin dhe atdheun. Në këtë familje, e cila do të shquhej për heroizëm të pashoq, Selvetja u edukua që në vogëli me ndjenja të thella për lirinë dhe përgjegjësinë shoqërore.
Shkollimin fillor e kreu në Skenderaj, në një mjedis ku mësimi nuk ishte thjesht përvetësim njohurish, por edhe nxitje për të kuptuar realitetin e rëndë të kohës dhe për të ushqyer ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Këto vite të hershme e formësuan Selveten si një vajzë me karakter të fortë, me ndërgjegje të thellë për nevojën e qëndresës dhe të lirisë.
Jeta e saj, e prerë në mes në lulëzim të rinisë, nuk mund të shihet thjesht si një biografi e shoqëruar nga tragjedia. Është një dëshmi e gjallë e shpirtit të palëkundur të një brezi që nuk pranoi të nënshtrohej, që u formua dhe u kalit për të qenë pjesë e qëndresës së madhe kombëtare. Selvetja, ashtu si shumë të rinj e të reja të asaj kohe, përfaqësonte aspiratën e një populli të tërë për çlirim dhe dinjitet.
Kujtimi i saj nuk është vetëm një detyrim moral, por një pjesë e pandashme e kujtesës sonë kolektive, që na fton të reflektojmë mbi vlerat për të cilat ajo dhe familja e saj sakrifikuan gjithçka. Periudha në të cilën Selvete Jashari ndoqi shkollimin fillor ishte një nga më të trazuara dhe më të vështirat në historinë e Kosovës, një kohë kur vetë ideja e një jete normale ishte bërë e brishtë dhe e pasigurt. Klima politike ishte e mbushur me tension, frikë dhe shtypje sistematike nga pushteti serb, i cili synonte të shkatërronte çdo përpjekje për zhvillim arsimor dhe emancipim kulturor të shqiptarëve.
Megjithatë, në ato kushte të rënda, Selvetja shquhej si një nxënëse e zellshme dhe e dalluar, e dashuruar me dijen dhe e etur për të mësuar. Shkolla për të nuk ishte vetëm një detyrim apo rutinë, por një shteg i çmuar për të formuar mendjen dhe karakterin. Ajo mishëronte aspiratën e atij brezi që e shihte shkollimin si mjet për të çliruar veten nga prangat e varfërisë dhe të padijes, dhe si një armë të heshtur kundër shtypjes.
Megjithatë, ndonëse dëshira dhe talenti nuk i mungonin, realiteti i pamëshirshëm politik dhe shoqëror e bëri të pamundur vazhdimin e shkollës së mesme. Rrethanat e dhunshme dhe politika diskriminuese e regjimit serb, e cila synonte të mbyllte dyert e shkollave shqipe dhe të përndiqte çdo shenjë të organizimit kulturor e arsimor, i ndërprenë brutalisht ëndrrën për arsimim të mëtejshëm.
Por Selvetja nuk ishte e painformuar apo e papërgatitur për këtë realitet. Ashtu si bijtë dhe bijat e tjerë të degës së madhe të Jasharajve — të Rifat, Hamëz dhe Adem Jasharit — edhe ajo ishte plotësisht e vetëdijshme për rrugën që kishte zgjedhur familja e saj. Ajo e dinte fare mirë se babai i saj, xhaxhallarët, gjyshi dhe e gjithë familja kishin marrë përsipër barrën e rëndë dhe të lavdishme të rezistencës kundër forcave pushtuese serbe.
Në këtë kontekst, jetesa e saj e përditshme, shkollimi i ndërprerë, madje edhe pritshmëritë për të ardhmen, ishin të ngarkuara me një vetëdije të thellë historike. Ajo ishte pjesë e një familjeje që nuk kishte zgjedhur rrugën e nënshtrimit, por të qëndresës. Dhe kjo vetëdije nuk ishte vetëm një trashëgimi, por një zotim moral që formësoi karakterin e saj dhe përcaktoi fatin e saj tragjik, duke e bërë pjesë të pavdekshme të epopesë të rezistencës shqiptare në Kosovë.
Selvete Jashari ishte ende në fillimet e jetës së saj, një vajzë e re që sapo kishte hyrë në moshën e ëndrrave dhe të shpresave, duke numëruar vetëm 14 pranvera, kur mbi familjen dhe mbi jetën e saj të njomë ra hija e rëndë e tragjedisë. Ishte 30 dhjetori i vitit 1991 kur forca të mëdha të milicisë serbe, të mbështetura nga një aparat i organizuar ushtarak, ndërmorën një operacion të gjerë për të rrethuar kullën e familjes Jashari në Prekaz të Ulët.
Kjo nuk ishte një ditë e zakonshme dhune në një realitet tashmë të ashpërsuar dhe të mbushur me frikë, ishte një akt i paramenduar kërcënimi dhe terrori shtetëror që synonte të thyente në mes vullnetin e rezistencës shqiptare. Për Selveten dhe për çdo pjesëtar të asaj familjeje, kjo përbënte një provë të jashtëzakonshme, një sfidë që do të formësonte përgjithmonë vetëdijen e saj dhe tërë narrativën e jetës së saj.
Ngjarjet e asaj dite ishin të mbushura me tension, heroizëm dhe dhimbje. Babai i saj, Hamëz Jashari, dhe xhaxhallarët, të udhëhequr nga një ndjenjë e palëkundur detyrimi atdhetar, zgjodhën që në vend të dorëzimit, të rezistonin deri në fund. Për orë të tëra, ata u përballën me forcën brutale të një armiku të armatosur rëndë dhe të vendosur për të shuar çdo zë kundërshtie. Luftuan tërë ditën me një qëndresë që nuk u shqua vetëm për forcën fizike, por për dinjitetin dhe përkushtimin moral për të mos i nënshtruar kurrë pragun e shtëpisë dhe nderin e familjes.
Për Selveten e re, këto zhvillime tronditëse nuk ishin thjesht skena tragjike të një lufte që ndodhte përreth. Ato u bënë pjesë e pandashme e ndërgjegjes së saj, e formuan karakterin dhe e ngulitën thellë bindjen se jeta e saj nuk mund të kuptohej veçmas nga rruga e familjes dhe nga misioni i saj historik. Ajo nuk u rrit në një kohë paqeje, ku fëmijëria do të kishte qenë e mbrojtur dhe e gëzueshme; ajo u rrit në rrethana që kërkonin pjekuri të parakohshme, forcë shpirtërore dhe një kuptim të qartë të sakrificës.
Në këtë mënyrë, ajo ngjarje e dhjetorit të vitit 1991 nuk ishte vetëm një episod dhune. Ishte një pikë kthese në jetën e Selvetes dhe të mbarë familjes Jashari, një shenjë paralajmëruese e përmasës që do të merrte lufta dhe e vendosmërisë që kërkohej për të përballuar sfidat e saj. Ishte një gur themeli i epopesë së mëvonshëm, ku emri i saj do të shkruhej përfundimisht me gjakun e saj si pjesë e pavdekshme e rezistencës kombëtare.
Selvete Jashari nuk ishte dëshmitare pasive e historisë dramatike të familjes dhe vendit të saj, ajo ishte pjesë e saj në mënyrën më të drejtpërdrejtë e të dhimbshme. Pasi kishte përjetuar rrethimin e parë të dhunshëm të shtëpisë më 1991, Selvetja u gjend sërish përballë tmerrit dhe brutalitetit të forcave serbe gjatë rrethimit të dytë të kullës së Jasharajve, më 22 janar të vitit 1998. Ky nuk ishte më thjesht një paralajmërim, por një akt i qartë i agresionit shtetëror që synonte të shkatërronte bërthamën e rezistencës shqiptare.
Në atë ditë të acartë janari, koha dukej sikur kishte ngrirë mbi Prekaz, duke paralajmëruar stuhi edhe më të errëta e më të përgjakshme. Selvetja, ende e re, u bë dëshmitare e qëndresës së palëkundur të familjes së saj, ajo pa nga afër gjyshin e dashur, Shabanin, të qëndronte krenar në prag të shtëpisë, pa babanë, Hamëzin, dhe xhaxhain Adem, duke udhëhequr rezistencën me vendosmëri të hekurt, pa edhe kushërinjtë e saj, të gjithë të bashkuar në betimin e tyre për të mos u dorëzuar kurrë.
Ky rrethim i dytë nuk ishte vetëm një përballje ushtarake. Ishte një provë morale dhe shpirtërore, ku secili anëtar i familjes Jashari e kishte bërë tashmë zgjedhjen e tij: të qëndronte, të rezistonte dhe, nëse duhej, të binte për nderin dhe lirinë. Për Selveten, kjo ditë u shndërrua në një pikë të pakthyeshme se ajo nuk ishte më një vajzë që shihte luftën si një realitet të jashtëm, por një pjesëmarrëse e plagosur në trup dhe në shpirt.
Gjatë breshërisë së pandërprerë të armëve dhe shpërthimeve që tronditshin themelet e kullës, predhat e armikut nuk kursyen as të rinjtë e brendshëm. Në atë kaos dhe tym vdekjeprurës, Selvetja mori plagë, duke ndarë të njëjtin fat të përgjakur me kushërirën e saj Iliriana. Ky moment i dhimbshëm nuk ishte vetëm një traumë personale, por një vulë e pashlyeshme e përkushtimit dhe e flijimit të saj për kauzën kombëtare.
Plagët e Selvetes nuk ishin plagë të rastësishme. Ato ishin dëshmi e një qëndrese të vetëdijshme dhe të vendosur. Ishin shenja të gjalla të pjesëmarrjes së saj në një epope të lavdishme, të një vendimi të palëkundur për të mos u ndarë nga familja dhe nga ideali i lirisë. Dhe mbi të gjitha, ato ishin pararendëse tragjike të betejës përfundimtare të marsit, ku ajo dhe shumë të tjerë do të jepnin jetën, duke u shndërruar në simbole të pavdekshme të qëndresës shqiptare.
Pas tmerrit të atij rrethimi të dytë, Selvete Jashari mbeti për disa ditë e plagosur, duke bartur mbi trupin e saj gjurmët e dhunës së pamëshirshme që kishte rënë mbi kullën e familjes. Dhimbja fizike ishte e rëndë, por ajo nuk e theu as nuk e ndali forcën shpirtërore të saj. Në vend që të tërhiqej në heshtje, ajo dëshmoi një vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm, duke zgjedhur të mos mbetej një viktimë pa zë.
Edhe pse në një gjendje të tillë të rënduar, ajo i priti gazetarët që arritën në Prekaz pas rrethimit. Duke kapërcyer kufijtë e frikës dhe të dhimbjes, ajo iu foli atyre me një qartësi dhe vendosmëri që tregon për maturinë e rrallë dhe përkushtimin e thellë ndaj kauzës kombëtare. Në ato intervista, Selvetja nuk rrëfente vetëm për plagët e saj, por për tërë historinë e qëndresës së familjes, për trimërinë e jashtëzakonshme të babait, xhaxhallarëve dhe kushërinjve të saj, për betejën që ishte zhvilluar brenda mureve të kullës më 22 janar të vitit 1998.
Fjalët e saj ishin kronikë e ngjarjeve. Ishin një akt i qëllimshëm rezistence morale, një mënyrë për të treguar botës se Jasharët nuk ishin thyer, por kishin zgjedhur të luftonin deri në fund për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Ishin fjalë që rridhnin nga një plagë e hapur, por edhe nga një ndërgjegje e kthjellët që e kuptonte rëndësinë e dokumentimit dhe të transmetimit të së vërtetës.
Me këtë akt, Selvetja dëshmoi jo vetëm guxim fizik, por edhe një ndërgjegje të thellë politike dhe kombëtare. Ajo e kuptoi se lufta nuk bëhej vetëm me armë, por edhe me fjalën e drejtë, me të vërtetën e artikuluar dhe të ndarë me të tjerët. Duke rrëfyer publikisht atë që kishte ndodhur, ajo u bë zëdhënëse e dramës dhe heroizmit të familjes së saj, duke ruajtur kujtesën kolektive dhe duke ushqyer frymën e rezistencës që nuk do të shuhej as me gjakun e derdhur.
Në këtë mënyrë, intervistat e saja nuk ishin thjesht dëshmi gazetareske, por dokumente të gjalla të historisë sonë, shenja të një përkushtimi që nuk njohu kufij, as frikë, as dhembje. Ato mbeten një testament i gjallë i shpirtit të pathyeshëm të Selvetes dhe i gjithë brezit të saj që u rrit me betimin për të mos u nënshtruar kurrë.
Ashtu si çdo anëtar i familjes Jashari, edhe Selvete Jashari ishte formuar dhe edukuar me një ndjenjë të thellë përgjegjësie kombëtare dhe përkushtimi ndaj lirisë. Ajo nuk ishte thjesht pjesë e një familjeje të madhe patriotike, por një bijë e rritur në një mjedis ku mësimi më i rëndësishëm ishte vendosmëria për të mos u nënshtruar kurrë dhe gatishmëria për të dhënë gjithçka për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të dinjitetit njerëzor. Ky edukim nuk ishte një abstraksion teorik, por një program jetësor që përgatiti çdo pjesëtar të kësaj familjeje për sfidat e pashmangshme të kohës.
Kjo vetëdije dhe përgatitje kulmuan në mënyrë dramatike më 5 mars të vitit 1998, kur Jasharët u mbyllën me vendosmëri në kullën e tyre në Prekaz — një ndërtesë që nuk ishte më thjesht një shtëpi, por u shndërrua në simbolin e Rezistencës Kombëtare. Në atë ditë të ftohtë marsi, përballë forcave të shumta policore dhe ushtarake serbe të vendosura për të shkatërruar bërthamën e qëndresës shqiptare, familja Jashari dha një mesazh të qartë dhe të pashlyeshëm në historinë e Kosovës.
Me armë në dorë dhe me zemër të pathyeshme, ata ua bënë të ditur forcave pushtuese se nuk do të kishte kompromis, nuk do të kishte dorëzim. Ata deklaruan me vendosmëri se mbi trupat e tyre të gjallë nuk do të kalonte askush, dhe se për sa kohë do të merrnin frymë, asnjë pushtues serb nuk do të mund të shkelte në oborret apo në shtëpitë shqiptare.
Ky qëndrim nuk ishte akt i çastit, por fryt i një tradite të gjatë edukimi në frymën e atdhedashurisë, i një strategjie të vetëdijshme të rezistencës që kishte filluar shumë kohë më parë dhe që përfshinte të gjithë familjen, gra, burra, të rinj e të moshuar. Edhe Selvetja, ndonëse e re në moshë, ishte mishërim i kësaj filozofie të jetës dhe të qëndresës. Ajo e kuptonte se fati i saj ishte i pandashëm nga fati i familjes dhe i atdheut, dhe se barra e lirisë nuk mund të lihej mbi shpatullat e të tjerëve.
Në këtë mënyrë, Epopeja e Prekazit nuk ishte vetëm një betejë ushtarake, por një akt i lartë simbolik, një deklaratë e qartë e të drejtës për të jetuar i lirë, e shprehur me gjakun e atyre që zgjodhën të mos linin kurrë t’i nënshtroheshin forcës dhe padrejtësisë. Selvetja ishte pjesë e pandashme e këtij qëndrimi të madh moral dhe historik që do të mbetej përjetësisht shembull për brezat që do të vinin.
Në atë ditë të zezë, që historia do ta shënonte përgjithmonë me dhimbje dhe krenari, fati e deshi që Selvete Jashari të gjendej në epiqendrën e përballjes më të ashpër dhe më të pabarabartë — në të ashtuquajturën Kulla e Rezistencës, shtëpia ku kishte lindur dhe ishte rritur, vendi që për të nuk ishte vetëm strehë familjare, por një fortesë e kujtimeve, identitetit dhe dinjitetit të saj.
Nën breshëritë e pandërprera të armëve, tymit dhe zjarrit që mbështillte muret e vjetra të kullës, Selvetja qëndronte e palëkundur pranë më të dashurve të saj. Përkrah kishte babanë, Hamëz Jasharin, figurë e njohur e rezistencës dhe një nga strategët e qëndresës së armatosur kundër pushtimit serb. Në atë hapësirë të shenjtë dhe të dënuar njëkohësisht, gjendej edhe nëna e saj e dashur, Feride Mecini-Jashari, një grua e fortë dhe e përkushtuar, e cila e jetoi të gjithë dramën e asaj lufte me kurajën e një nëne që nuk braktis kurrë fëmijët e saj.
Së bashku me ta, aty ishin edhe motrat e saj të vogla: Afetja, Liria, Fatimja dhe Blerina, secila ende në moshën e pafajësisë, të cilat nuk kuptonin ndoshta plotësisht dimensionet e tragjedisë që zhvillohej, por e ndanin në heshtje frikën dhe vendosmërinë e familjes së tyre. Përveç motrave, aty ishin edhe vëllezërit e saj, Besimi dhe Blerimi, djem të njomë që kishin hyrë në këtë betejë jo nga zgjedhja, por nga vetë rrjedha e historisë së padrejtë që i kishte vënë përballë pushtuesit.
Në atë hapësirë të ngushtë dhe të rrethuar, të mbushur me zhurmën e shpërthimeve dhe të britmave, familja e Hamëz Jasharit qëndroi e bashkuar, duke ndarë jo vetëm hapësirën fizike, por edhe idealin dhe betimin për të mos u dorëzuar. Ata ishin aty si simbol i rezistencës, të vetëdijshëm se nuk do të linin kurrë të shkelej nderi i familjes dhe i atdheut pa luftë.
Nga kjo familje e madhe dhe e vendosur, do të shpëtonin vetëm dy: Bekim Jashari dhe Besarta Jashari. Fati i tyre i dhimbshëm dhe i rëndë është një dëshmi e gjallë dhe e mbijetuar e asaj masakre, por edhe një kujtesë e përjetshme e sakrificës sublime të të gjithë të tjerëve që ranë. Ata dy mbetën si dëshmitarë të plagosur të një sakrifice që nuk ishte vetëm personale apo familjare, por kombëtare — një akt qëndrese që përcaktoi përjetësisht rrëfimin e Kosovës për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Lavdia dhe nderimi më i thellë u takon familjes Jashari, këtij simboli të pavdekshëm të rezistencës dhe sakrificës që përjetësoi me gjak dhe vendosmëri idealin e lirisë. Kujtimi i tyre nuk është thjesht një përmendje ceremoniale, por një detyrim moral dhe historik që na fton të përulemi me respekt të thellë para madhështisë së tyre.
Lavdi të gjithë atyre që ranë në këtë epope të lavdishme, të cilët me qëndresën dhe flijimin e tyre e bënë Prekazin jo vetëm një vendngjarje tragjike, por një gur themeli të lirisë sonë kombëtare. Ata u bënë shembulli më i qartë i asaj se si dinjiteti njerëzor dhe dashuria për atdheun mund të ngrihen përtej çdo frike dhe kërcënimi.
Dheu i Kosovës qoftë i lehtë për të gjithë ata trima dhe trimëresha që nuk njohën frikë përballë armikut, që nuk e kursyen jetën për të mbrojtur nderin, familjen dhe kombin. U prehshin në paqe ata që me gjakun dhe sakrificën e tyre mbollën lirinë, duke e lënë amanet për brezat që vijnë. Kujtimi i tyre është më shumë se histori: është udhërrëfyes, mësim dhe frymëzim për një shoqëri që dëshiron të jetojë e lirë dhe e ndershme.
Literatura:
- Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
- Bardh Hamza& Faik Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
- https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
- Bedri Tahiri, Adem Jashari Jashari legjend e legjendave, Prishtinë 2008
- Ibrhim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
- Bedri Tahiri, Drenica djep i trimërisë, Prishtinë 2008
- Jakup Krasniqi, Flijimi për lirinë, Prishtinë, 2011
- https://www.epokaere.com/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1998/
- https://www.botasot.info/aktuale-lajme/664547/keta-jane-emrat-e-familjareve-te-jasharajve-qe-dhane-jeten-per-liri/
- https://www.facebook.com/Hoqacity/posts/beteja-e-prekazitp%C3%ABrmbledhje-e-postimeve-t%C3%AB-mia-t%C3%AB-para-dy-vitesh-ku-p%C3%ABrshkruhet/2563800947064073/
(Vijon)