Autore: Elife LUZHA
“Asgjë nuk është më fisnike
se një shpirt që përballon fatkeqësitë me dinjitet.”
Seneka
Në historinë tonë më të afërt, pak figura kanë mëshiruar me aq madhështi dhe përkushtim vlerat më të larta njerëzore, si Adem Demaçi: lirinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ai nuk ishte thjesht një emër në faqet e historisë – ai ishte ndërgjegjja jonë kolektive.
Unë jam rritur me emrin e tij, ashtu siç rritet një brez me një mit që i jep kuptim kohës së vet. Në familjen time, Adem Demaçi nuk përmendej vetëm si një figurë politike, por si një simbol i gjallë – si një frymë e heshtur që na frymëzonte edhe pa qenë i pranishëm.
Por unë e pashë.
Ai hyri në shtëpinë tonë si vet historia: i qetë, i përmbajtur, me një thellësi në sy që thoshte më shumë se çdo fjalë. Ai na mësoi se liria nuk fitohet me fjalë të mëdha, por me guxim, përkushtim dhe gatishmëri për flijim.
I thjeshtë në pamje, por i madh në shpirt – si një stoik i kohës moderne – ai e dinte se madhështia e njeriut nuk matet me atë çfarë zotëron, por me atë çfarë sakrifikon.
Adem Demaçi nuk ishte vetëm një politikan, aktivist apo shkrimtar. Ai ishte një mendimtar i rrallë – një filozof i një epoke të rëndë e të padrejtë. Për bindjet e tij politike, u burgos tre here, duke kaluar 28 vjet në burgjet e regjimit serb. Por edhe aty, në errësirën e mureve të ftohta, ai nuk mallkoi, nuk u thye. Ai mendoi. Ai qëndroi.
Dhe kur u lirua, më 1990, nuk doli as triumfator, as i mundur, por i palëkundur.
Krahasimi me Nelson Mandelën i dha epitetin “Mandela i Ballkanit”, por jeta dhe vepra e tij qëndrojnë përtej çdo krahasimi. Ai mëshiroi stoicizmin e vërtetë – filozofinë që lirinë e shpirtit e vë mbi çdo formë dhune apo robërie fizike.
Ai jetoi sipas parimeve të Senekës e Mark Aurelit, filozofë që besonin se liria e vërtetë është një gjendje e brendshme, jo privilegj i dhuruar nga të tjerët. Fjalët e Senekës: “Asgjë nuk është më fisnike se një shpirt që përballon fatkeqësitë me dinjitet” janë përshkrimi më i saktë për Adem Demaçin.
Ai ishte:
Një stoik i vërtetë.
Një udhëheqës pa zyrë.
Një filozof pa katedër.
Një hero i qëndresës pa kushte.
Sot, kujtimi i tij mbetet shembull frymëzues për brezat që besojnë në liri, drejtësi dhe barazi.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Adem Demaçin – stoikun e lirisë, simbolin e rezistencës kombëtare.