Shukri Shabani i brezit të artë të Llapit dhe epokës kur Podujeva ishte kthyer në frikë për liderët e Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës

0
Shukri Shabani

Arif EjupiNe që ishim adhurues të flaktë të KF “Llapi” të Podujevës, ish-anëtar i Ligës së Parë Futbollistike të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, shtatori i vitit 1976 sikur na krijoi favore.

Si nxënës të vitit të dytë të gjimnazit “8 Nëntori,” tani ”Aleksandër Xhuvani “ të këtij qyteti, të shtunën apo të dielën pasdite, varësisht kur ekipi ynë i zemrës KF “Llapi” i zhvillonte ndeshjet e stinorit të pranverës dhe vjeshtës, në mënyrë të organizuar dhe të mbikëqyrur nga profesorët tanë Fazli Ali Llugaliu dhe Tefik Xhafer Mehmeti, gjendeshim pranë rrethojave të stadiumit.

Derisa stadiumi nuk posedonte ulëse, gjatë 90 minutave ishim të detyruar të qëndronim në këmbë. Lodhja nuk vinte asnjëherë në shprehje, sepse me lojën e tyre të bukur dhe përplot aksione na kënaqnin pothuajse të gjithë lojtarët e Llapit.

Falë formës së shkëlqyeshme të futbollistëve llapjanë, udhëtimit në Podujevë i druanin pa përjashtime të gjitha skuadrat e Ligës së Parë të Kosovës. Ato, edhe si vendase, në ballafaqimin me KF “Llapi” shumë rrallë kanë nxjerrë rezultatin e dëshiruar.

Në mbrojtjen e llapjanëve ishin të pakalueshëm Shaban Hajdari, Muhamet Vokrri, Idriz Mehmeti, Islam Visoka, Bajram Zeqiri dhe Nezir Halili (ky i fundit minoritar ashkali).

Kështu që portierit Rade Grujiçiq, që i përkiste komunitetit serb të komunës së Podujevës, shumë pak i binte të intervenonte. Prandaj, edhe nuk mund të japim ndonjë vlerësim rreth cilësive të tij.

Mesfushën e mbante aktive gjatë gjithë kohës Shukri Shabani. Ai dallohej edhe me gjuajtjet e tij precize dhe tejet të forta.

Shpeshherë goditjet e tij të rrëmbyeshme i kanë zënë në gjumë portierët që e mbanin veten të pamposhtur si Kosta Llalliq, ish-portier i KF “Podrimja” të Rahovecit, KF “Kastrioti” (ish-Obiliqi) dhe i KF “Prishtina,” si dhe portierët Adem Hot i Buduqnostit të Pejës dhe Skënder Muhaxhiri i Vëllaznimit të Gjakovës etj.

Shabani veçohej edhe me gjakftohtësinë e tij të paparë, element jo pak i rëndësishëm në lojën e futbollit. Gjatë gjithë karrierës së tij të bujshme ai vetëm dy-tri herë është ndëshkuar me karton të verdhë. Kjo formë vërejtje i është bërë nga arbitër provokatorë që hapur kanë mbajtur anën e palës kundërshtare.

Shukriut, që shumë veta e kishim idhull, Ejup Bekteshi, po ashtu një ish-futbollist i dalluar i KF Llapi, para ndeshjeve i kërkonte shënimin e golave. Ai, ndihej goxha në siklet, por i qiste vetes detyrë angazhimin e dyfishtë në fushë, dhe të shumtën e herëve plotësonte dëshirën e bacës Ejup dhe tonën.

Këtij brezi të artë të KF “Llapi” i takojnë edhe futbollistët Emin Simnica, Islam Ramadan Ajeti, Basri Muçolli, Izeir Mustafa, Emin Ajvazi etj. Në këtë periudhë anëtarë të KF “Llapi” ishin edhe futbollistët serbë si; Pero Petroviq, Bata Markoviq dhe Dragan Todoroviq, prindërit e të cilëve në Podujevë kishin ardhur si kolonë midis Dy Luftërave Botërore.

Shukri Shabani në vitin 1976, pa mëdyshje njëri nga futbollistët më të mirë i Ligës së Parë Krahinore të Kosovës, i nis stërvitjet me Prishtinën. Shtabi teknik i kësaj skuadre e angazhon Shabanin në ndeshjen miqësore kundër Llovçenit të Cetinës.

Ai në këtë takim pati shkëlqyer. Mirëpo, transferimi i tij tek Prishtina dështon, ngase klubi nuk mundi t’i sigurojë vendin e premtuar të punës.

Shabani rikthehet në Llap dhe me lojën e tij brilante e radhit skuadrën e tij në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit. Ai po ashtu radhitet në mesin e golashënuesve më të mirë të Kosovës. Por, preokupim të vazhdueshëm e kishte gjetjen e një vendi të punës.

Në korrik të vitit 1977, derisa me një grup shokësh po lexonim gazetën “Rilindja” të Prishtinës, e cila në shtojcë i kishte edhe faqet e veçanta të sportit, shohim se nga KF “Llapi” përfundimisht do të largohet futbollisti më i mirë, Shukri Shabani.

Përnjëherë të gjithë mbetëm të shtanguar dhe na u prish disponimi. Një vit më herët, për motive të njëjta, ekipin e Llapit e pati lëshuar edhe sulmuesi i spikatur Islam Ramadan Ajeti.

Dëshpërimi ynë ishte i madh, por jo edhe i arsyeshëm. Sikurse Shabani, ashtu edhe Ajeti, kishin kaluar në KF “Rudnik” të Kishnicës, më vonë KF “Minatori” të Hajvalisë, në rang të njëjtë garash me KF Llapin, ngaqë kjo skuadër u kishte ofruar vende pune në Administratën Qendrore të Minierës së Novobërdës, me seli në Prishtinë.

Shabani gjatë vitit 1974 ka lujtur edhe në KF “Vëllazërimi” të Gjakovës, i cili klub me gjithë ngritjet dhe rëniet disa herë ka qenë anëtar i të ashtuquajturës Ligë e Dytë Federative e Futbollit, grupi i Lindjes në ish-Jugosllavi.

Nga e majta në të djathtë:
1. Kujtim Leshi 2. Shukri Shabani 3. Xheladin Bunjaku 4. Hysen Gjoshi 5. Xhafer Haxhishabani ( Marrë nga Arkivi i gazetës “Rilindja” 12 gusht 1974)

Sikur të tregohej pak respekt ndaj këtij brezi futbollistësh të dalluar, mendojmë që gjendja në futbollin e Republikës së Kosovës do të ishte dukshëm më e mirë dhe më e avancuar.

Secili nga të përmendurit me shumë sukses do të plotësonte mungesën e ekspertëve në klube dhe në vetë Federatën e Futbollit të Republikës së Kosovës.

ARIF EJUPI
Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.