Xhelal Zejneli
“Ferma e kafshëve” (Animal Farm) është novelë satirike apo fabule (alegori) e prozatorit, poetit, eseistit, gazetarit dhe kritikut anglez Xhorxh Oruell (George Arthur Orwell, 1903 – 21.01.1950). Emri i vërtetë i tij ka qenë Erik Bler (Eric Blair). Në novelë flitet për një grup kafshësh që e kanë zaptuar fermën për vete. Deri në një periudhë aty e kanë pasur mirë. Më vonë fillon terrori dhe vuajtja. Autori e ka shkruar veprën gjatë Luftës II Botërore. Është botuar në vitin 1945, por vepra fiton famë në vitet ’50 të shekullit XX, d.m.th. në vitin 1950 e këndej.
Libri e përqesh komunizmin totalitarist sovjetik dhe Stalinin. Oruelli ka qenë majtist i cili pas ngjarjeve në Luftën civile në Spanjë e ka njohur fytyrën e vërtetë të stalinizmit. Mirëpo, në parathënien e “Fermës së kafshëve” e kritikon gjendjen në Britani të Madhe, por kjo është censuruar.
Titulli origjinal i veprës është “Animal Farm: A Fairy Story“. Vepra i përket llojit novelë satirike. vepra i përket gjinisë së fabulës. U botua më 17 gusht 1945.
Vepra e sipërthënë, përkundër origjinalitetit të vet, na e përkujton prozatorin anglez-irlandez Xhonatan Suift (Jonathan Swift, 1667-1745), pseudonim i Isaac Bickerstaff.
Oruelli është autor i romanit politik “1984” (Nineteen Eighty-Four) të botuar në vitin 1949. Është vepër me ide aktuale, e vendosur në një të ardhme e afërt. Është një pasqyrë e trishtueshme e shoqërisë në të cilën zbatohet kontrolli absolut i veprimeve dhe i mendimeve të njeriut.
Veprimi: Në fillim Majori Plak, shokëve të vet të feremës u flet për rebelimin e madh dhe për faktin se si do të ekzistojë një botë pa njerëz. Kafshët e dëgjojnë dhe një natë e sulmojnë Xhonsin (Jones) dhe e rrëmbejnë fermën. Vijnë në pushtet Napoleoni dhe Snouballi (Snowball). Këta zbatojnë reforma për jetë më të mirë dhe nxjerrin shtatë urdhra. Jeta e kafshëve ishte e mirë dhe e rehatshme. Por vijnë njerëz dhe fillojnë të luftojnë kundër kafshëve dhe humbin. Pas disa ditëve Snouballi u dëbua nga ferma.
Pushtetin e merr Napoleoni. Tani jeta bëhet më e rëndë. Shtatë urdhrat modifikohen ashtu si u konvenon derrave. Për shembull: “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”. Të gjitha kafshët, me përjashtim të derrave dhe të qenve të Napoleonit detyroheshin të punonin më shumë, të marrin më pak ushqim dhe të mos gëzojnë favore. Një natë ferma shndërrohet prej fermës së kafshëve në fermë pronari. Atë natë, midis derrave dhe njerëzve shpërthen një zënkë. Kjo tregoi se Napoleoni i tradhtoi kafshët. Ai dëshironte pushtet më të madh. Tanimë nuk dihej se kush ishte derr dhe kush njeri.
Personazhet – Personazhet që në botën reale janë kafshë, janë sundimtarë të komunizmit dhe të socializmit.
Derrat – Napoleoni është Josip Stalini; Snouballi (Snowball) është Llav Trocki; Skiperi (Squeeler) është Vjeçesllav Mollotovi; Minimusi – ky duhet të jetë Maksim Gorki; Majoti Plak është ose Karl Marksi ose Lenini; Pinkij (Pinkeye) është provuesi (i gjellës) i Napoleonit; derrkucët janë fëmijët e Napoleonit.
Njerëzit: zotëri Xhonsi (jones) është perandori rus Nikolla II; zotëri Frederiku supozohet se është Adollf Hitleri; zotëri Pilkingtoni supozohet se është Uinston Çerçilli (Winston Churchill); zotëri Uimper (Whymper) është dramaturgu irlandez Xhorxh Bernard Sho (George Bernard Shaw).
Kafshët e tjera: Boksieri (Boxer) është proletariati ose kryengritja e boksierëve; klover (Clover) do të thotë klasa e mesme; molli (Mollie) nënkupton klasën e lartë; Benjamini supozohet se është vetë Xhorxh Oruelli; Moses është Kisha Ortodokse Ruse; Muriel është inteligjencia; pulat janë kulakët; delet janë proletariati; qentë janë policia.