(Parathënie)
Prof. dr. Skënder Asani
Në vitin 2021, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, rifilloi me financimin e projekteve afatgjata hulumtuese – shkencore të instituteve shkencore publike. Kështu, në mesin e shtatë instituteve të tilla që funksionojnë në vendin tonë, edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, përfitoi një projekt të shpallur në konkursin publik të Ministrisë për periudhën trevjeçare 2021- 2023. Bëhet fjalë për projektin shkencor hulumtues “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, me hulumtues kryesor historianin Dr. Skender Asani – këshilltar shkencor, dhe ekipi bashkë hulumtues në projekt: Dr. Sevdail Demiri – këshilltar shkencor, Dr. Besnik Rameti – bashkëpunëtor shkencor, Emin Azemi – asistent hulumtues dhe Sali Islami – asistent hulumtues.
Në të vërtetë, ky projekt ishte një hulumtim kompleks shkencor, që kishte për qëllim të studiojë të kaluarën e fundit dy shekullore të shqiptarëve që jetojnë në trevat e sotme të Maqedonisë së Veriut. Hulumtimi u fokusua te zhvillimet kulturore e historike, arsimore dhe politike te shqiptarët e këtyre trevave gjatë periudhës së shekujve XIX-XX, të cilat u karakterizuan me zhvillime mjaft të vrullshme.
Periudha e caktuar përkon me zhvillimet të shpejta dhe ndryshime në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, si rezultat i ndryshimeve që ndodhin edhe në nivel botëror nga përshpejtimi i procesit të industrializimit dhe zhvillimit tekniko-teknologjik. Në planin historik, shekulli XIX karakterizohet me përpjekjet e popujve ballkanikë, rrjedhimisht edhe të shqiptarëve, për pavarësi nga Perandoria Osmane, kurse shekulli XX me zhvillimin e dy luftërave të mëdha botërore, nga të cilat humbën miliona jetë të pafajshme dhe ndryshoi disa herë harta e botës. Ndërsa, në aspektin kulturor, kjo ishte periudha e rizgjimit të popujve dhe formimit të identiteteve kombëtare. Periudha e njohur e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përkon pikërisht me këtë kohë, kur figura të ndritura të kombit, duke vepruar kryesisht nëpër qendra të mëdha jashtë Atdheut, hapën rrugën e ndërgjegjësimit dhe vetëdijesimit kombëtar, për të luftuar për shtet të pavarur e sovran në truallin e lashtë ballkanik.
Në këtë kontekst ka qenë mjaft sfiduese përpjekja për të bërë seleksionimin e ngjarjeve dhe veprimtarive gjatë atyre dy shekujve të kaluar, meqë pikërisht në mes të tyre ndodhi ndarja e shqiptarëve e shqiptarëve në disa shtete. Rrjedhimisht, sfidë e madhe mbeti përkufizimi gjeografik i termit Maqedoni, kur kihen parasysh ndryshimet e disahershme që pësuan në kufijtë e saj administrativ. Por, ideja ka qenë që të hulumtojmë ngjarje apo ndodhi historike që u zhvilluan kryesisht brenda territorit të sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku elementi shqiptar ka pasur një vazhdimësi autoktonie në të gjitha periudhat historike e deri në ditët e sotme, kur përbën një faktor shumë të rëndësishëm në të. Prandaj, kjo hapësirë, sado që të duket si territor i kufizuar në kuptimin gjeografik, gjatë historisë në të u zhvilluan ngjarje të mëdha me peshë kulturore e historike kombëtare, siç ishte Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, dhe vepruan personalitete të shquara, siç ishte figura me përmasa planetare e shkupjanes Gonxhe Bojaxhiu – Nënës Tereze.
Realizimi i këtij projekti hulumtues shkencor kishte për qëllim thellimin dhe zgjerimin e njohurive të deritashme shkencore, përmes procesit të mbledhjes, grumbullimit dhe studimit të dokumenteve dhe fakteve të reja rreth ngjarjeve të shumta kulturore e historike të shqiptarëve të Maqedonisë gjatë shekujve XIX dhe XX. Për këtë qëllim, ekipi profesional zhvilloi disa hulumtime shumë të rëndësishme të dokumenteve arkivore nëpër disa arkiva vendore dhe të jashtme.
U vjelën dokumente të shumta arkivore nga Arkivi Shtetëror i RMV-së në Shkup (njësitë e Shkupit, Kumanovës, Tetovës), Arkivi Qendror i Shtetit në Shqipëri – Tiranë, Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme – Tiranë, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar 1944÷1991 – Tiranë, Arkivi i Kosovës në Prishtinë dhe në veçanti Arkivi Shtetëror i Kroacisë në Zagreb. Në këtë të fundit kemi gjetur me mijëra e mijëra dokumente me interes të posaçëm për veprimtarinë ilegale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi që nga viti 1945 e deri në vitet e ‘90-ta të shekullit XX.
Nën syrin e mprehtë të sigurimit shtetëror jugosllav, janë ndjekur me mijëra veprimtarë shqiptarë nga i gjithë Ballkani e diaspora, në mesin e të cilëve edhe një numër shumë i madh i shqiptarëve me origjinë nga trevat e sotme të Maqedonisë së Veriut. Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve tashmë e kemi botuar, ndërsa në përgatitje e sipër janë edhe disa vëllime me dokumente që flasin për ngjarje, komplote, arrestime, burgje, vrasje…
Tani disa fjalë konkretisht për këtë botim që tani gjendet në duart e lexuesve! Libri “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX” është pjesë përbërëse e projektit hulumtues-shkencor Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shek. XIX – XX ~11~ me të njëjtin emër, të cilin e elaboruam më lartë, dhe fryt i punës dyvjeçare të hulumtuesve shkencorë të Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Ai ndjek një metodologji të veçantë formatike dhe përmbajtjesore, me punime autoriale apo pjesë të dokumenteve arkivore, të cilat sado që në dukje janë fragmentare, ndjekin një kronologji të ngjarjeve dhe personaliteteve të caktuara me peshë kulturore dhe historike. I gjithë libri është i ndarë në dy pjesë të mëdha.
Pjesa e parë përbëhet nga studimet e pesë autorëve hulumtues, që u kushtohen njësive të veçanta tematike të ngjarjeve historike gjatë XIX – XX, ndërsa pjesa e dytë përbëhet nga dokumentet arkivore të hulumtuara nëpër arkivat e lartpërmendura, dhe jo vetëm. Pjesa dërmuese e studimeve dhe dokumenteve janë të pabotuara deri më tani, ndërsa pjesa tjetër që janë botuar më herët, këtu ribotohen të rishikuara me qëllim që të plotësohet mozaiku kronologjik i ngjarjeve të caktuara kulturore – historike dhe lexuesit të kenë një vijimësi të të gjitha zhvillimeve kryesore kulturore dhe historike të dy shekujve të kaluar.
Nëpër këto dy shekuj kalojnë ngjarje të shumta dramatike për qenien shqiptare, luftëra të pandërprera për gjuhë, kulturë, shtet dhe identitet kombëtar. Që nga Rilindja Kombëtare e deri te veprimtaria ilegale shqiptare në ish-Jugosllavi, shënohen ngjarje të rëndësishme që ngjizen pikërisht në territorin që sot ndodhet brenda kufijve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Artikulli i parë studimor i kushtohet rezistencës së shqiptarëve të Maqedonisë nën udhëheqjen e Dervish Carës (1844), si njëra nga lëvizjet më serioze që artikulonte deri edhe kërkesat për pavarësi nga Perandoria Osmane. Pasojnë studimet që kanë të bëjnë me shtrirjen e Lidhjes së Prizrenit në Shkup dhe viset tjera të Maqedonisë. Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe klubet e shumta arsimore – kulturore që u shtrinë gjithandej trojeve shqiptare, rizgjuan frymën e pastër kombëtare, përmes klubeve kulturore, ku u botuan libra, gazeta e u hapën shkolla në gjuhën shqipe.
Më tej në këtë libër, studime të veçanta i kushtohen edhe trashëgimisë së pasur kulturore – fetare në këto treva, dhe në mënyrë të veçantë trajtohen familjet katolike shqiptare të Shkupit, ortodoksët e Rekës dhe Ohrit apo edhe protestantët shqiptarë të Manastirit. Në mënyrë të detajuar përfshihet organizimi i jetës fetare të myslimanëve në këto treva, funksionimi i institucionit të Bashkësisë Islame, organizata politike Xhemijeti, etj. Këtu gjenden artikuj studimor që flasin për fatin e shqiptarëve të këtyre trevave gjatë luftërave ballkanike dhe luftërave botërore, ku humbjet ishin shumë të mëdha.
Gjendja e rëndë ishte edhe në periudhën mes dy luftërave botërore, me reformën agrare dhe kolonizimin, shpërnguljet masive për në Turqi, etj. Edhe periudha pas mbarimit të LDB-së nuk ishte shumë e kënaqshme për shqiptarët, me gjithë ndryshimet pozitive që ishin bërë në disa sfera të veprimtarisë arsimore dhe kulturore. Kjo periudhë karakterizohet edhe me diskriminime të shumta në shtetin e “përbashkët”, demonstratat antishtetërore, veprimtaria ilegale dhe përndjekjet politike ndaj disidencës shqiptare. Pavarësimi i Republikës së Maqedonisë nga Federata Jugosllave, fatkeqësisht nuk u reflektua në korrigjimin e padrejtësive historike ndaj shqiptarëve. Edhe në demokraci vazhduan tendencat për nëpërkëmbjen e elementit shqiptar, që nga Kushtetuta një nacionale maqedonase e deri te pengesat absurde për të drejtën e arsimimit sipëror në gjuhën shqipe.
Faktikisht, politika e tillë me synimet e pamatura mirë për nëpërkëmbjen e shqiptarëve, vazhdoi deri në fund të fund të shekullit XX, dhe në vitin e parë të shekullit të ri (2001), shqiptarët e Maqedonisë u çuan në kryengritje të armatosur (UÇK), e cila përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimin e statusit politico-juridik të shqiptarëve në shtet. Dhe, kapitullin e fundit të pjesës së parë studimore, ia kemi kushtuar një pasqyre të trashëgimisë kulturore në Maqedoni, duke shqyrtuar studimet dhe gërmimet kryesore arkeologjike gjatë shekujve XIX-XX, si dhe dëmtimet që pësoi kjo trashëgimi kulturore nga tërmeti i vitit 1963 në Shkup. Siç nënvizuam më lartë, pjesa e dytë e librit përbëhet nga disa dokumente arkivore të hulumtuara nëpër arkiva vendore dhe të jashtme. Ato janë pjesë kompatibile me studimet e pjesës së parë. Edhe dokumentet radhiten në versionin shqip me një kronologji të kujdesshme, dhe përmes leximit të tyre, edhe më afër e më qartë na përfytyrohet fati i shqiptarëve të këtyre trevave gjatë dy shekujve të kaluar.
Ky botim i veçantë dhe projekti si tërësi e përgjithshme e komponentëve të ndryshëm, synon të jetë një bazë solide për shkrimin e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, si institucion relevant që është i përkushtuar të merret profesionalisht me këtë problematikë shkencore, është shumë i interesuar që të vejë themelet e shëndosha të shkencës historiografike kur janë në pyetje zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët e këtyre trevave. Prandaj, është e nevojshme që në të ardhmen të zgjerohet horizonti i hulumtimeve edhe nëpër shekujt dhe periudhat më të hershme kohore, në mënyrë që t’u jepet përgjigje e duhur të gjitha tendencave për shtrembërimin e të vërtetave historike.
Për më tepër, ky libër paraqet edhe një platformë të etabluar shkencore, e cila mund të merret si bazë edhe gjatë përpilimit të teksteve të reja shkollore të lëndës së historisë dhe shoqërisë, të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të botohen me lëshime të theksuara. Hapin e radhës që synojmë është publikimi i rezultateve shkencore nga ky projekt në gjuhën angleze, meqë konsiderojmë se këto burime relevante shkencore janë shumë të nevojshme për studiuesit e huaj. Ata janë vazhdimisht të interesuar për të kaluarën e popujve të vegjël ballkanikë, siç jemi ne shqiptarët, andaj me këtë vepër do të kenë edhe një mundësi të mirë për thellimin e studimeve të tyre për këtë periudhë historike, specifikisht në lidhje me zhvillimet kulturore e historike te shqiptarët që jetojnë në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut.
Në fund, për realizimin e suksesshëm të këtij projekti hulumtues – botues, falënderojmë për mbështetjen Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, recensentët dhe të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët tjerë, që në forma të ndryshme na kanë ndihmuar në këtë proces jo të lehtë. Shpresojmë që kemi dhënë një kontribut të çmuar, duke lënë një gjurmë të rëndësishme për historinë, kulturën dhe albanologjinë shkencore në përgjithësi.
Shkup, tetor 2023