Trashëgimia bizantine në Kosovë

0
Bizanti

Col Mehmeti

Trashëgimia bizantine në Kosovë âsht e stampueme ligsht në kishë e organizim politik. Nuk ka pas qysh me ndodh ndryshe kur këto tërthore ishin veçse toka buzëkufitare, aty ku ngjante si e mosqenë vija shënjëzuese midis ekumenës qytetnimore bizantine dhe asaj jobizantine (sllave). Megjithatë, trashëgimia bizantine âsht vendimtarisht e randësishme për adventin e shqiptarëve mesjetarë. Qe arsyet:

Protoshqiptarët, njisoj si greqishtfolësit e vllahishtfolësit, ishin shtetas bizantinë dhe veten e quenin pas çdo gjase romejë (pra romakë, shtetas të Perandorisë Romake), për autoritet njihnin basileun e Konstandinopojës (βασιλέως Ῥωμαίων) e si përbashkësi imperiale kërshtenimin ortodoks dhe nji set vlerash romake.

Trashëgimia romeje (bizantine) te shqipfolësit mesjetarë, veçmas në arealin verior, âsht e dukshme ma së shumti në kulturën e kufinit (frontier culture).

Prej Konstandinopojës e lojalitetit ndaj saj, protoshqiptarët e mësuen nocionin e σύνορον (synoron), pra ,,kufini” dhe përfytyrimin themelor për atë çka âsht e jona dhe ajo çka nuk âsht.

Prej Konstandinopojës dhe lojalitetit ndaj saj, protoshqiptarët mësuen nocionin e μεσαίχμιον (mesaikhmion), pra idenë për tokën-e-askujt, ajo që në gjeopolitikën e sotme do të gjuhësohej si “buffer zone” midis dy entiteteve shtetnore ose joshtetnore.

Prej Konstandinopojës e lojtalitetit ndaj saj, protoshqiptarët mësuen nocionin e κλεισούρα (kleisura), me kuptimin “qafëmali” që i përgjigjej suprastrukturës imperiale në Kosovë ku rrugëkalimet me randësi drejtoheshin prej të fortëve lokalë me “uniforma” bizantine.

Prej Konstandinopojës, popullata protoshqiptare e fuqizoi nocionin për kufijtë perndorakë “oikeiois horois” (οἰκείοις ὅροις).

Krejt këto fjalë me ngarkesa nocionale (me nocione, dmth), si synoron, mesaikhmion, kleisoura dhe horos, ishin të mjaftueshme me e krijue vendçe nji n d j e s i i d e n t i t e t i përkundrejt zhupave sllave në Rashkë dhe Zetë.

Nji jehonë e tejlargët e kulturës kufitare bizantine âsht vetë eposi shqiptar që nuk âsht gjá tjetër pos nji botë kufini midis “neve” dhe “atyne”, pjesë e nji perandorie që ishte në muzgun e saj, por që shtetasit e saj në toka buzëkufitare janë lejue me e mbrojtë veten e me i shkretue tokat e anmikut.

Antropologu David W. Anthony ka pasë të drejtë kur ka thanë që identitet etnik nuk domethanë nevojisht me e ditë çka je ti, por vetëm çka nuk je. Kosova bizantine, pra, i jep nji përgjigje plot miratim kësaj me arsyet e rendituna ma sipër.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.