Gani I. Mehmeti
Nëse nisemi nga proverbi popullor shqiptar: Kallxom me kë rri, të tregoj kush je, nuk është vështirë të njohim se kush janë e si janë nga disa vende europiane. Është për të përkrahur, se si, shumë nga shtetet europiane dënuan sulmin terrorist të Milan Radoiçiqit e Aleksandër Vuçiqit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, por se ato mbetën vetëm fjalë, dhe, në vend se të vendosnin masa e sanksione ndaj Serbisë e Aleksandër Vuçiqit, janë duke e favorizuar, qoftë në mënyrë direkte, qoftë në mënyrë indirekte, ndërsa Koasovën e mjerë, janë duke e mjeruar ende edhe më shumë.
Dhe, sa interesante është, kur për dinarin serb po luftojnë të gjithë e po ankohen në emër të popullit serb atje, si në BE ashtu edhe në SHBA, gjoja në mbrojtje të popullsisë srbe në veri të Ksovës me gjithë ato të drejta që nuk i ka askush në asnjë shtet, ndërsa një populli të tërë në Kosovë i kanë vënë masa e nuk e lëshojnë të eci përpara, dhe as që u shkon mendja dikujt, qoftë nga BE qoftë nga SHBA (në këtë rast) të ankojë se këto masa janë të vëna kundër popullit, jo kundër qeverisë, sepse qeveria, cila do qoftë ajo, nuk i vuan aq rëndë sa populli.
Dhe, përkundër msave, përkundër varfërisë së popullit në Kosovë, tani në vend që ta ndihmojnë, si nga BE, si nga SHBA, madje edhe me Gjermaninë e Francën në krye, përpiqen të bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin Europian! Dhe kjo vie nga presioni e kërkesa e Vuçiqit tek këto dy shtete, sepse, ndoshta vetëm këto të dyja së bashku, mund ta pengojnë e bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE. E di Vuçiqi ku fle lepuri! Është për të ardhur keq, se si po dëgjohet kërkesa e Vuçiqit tek këto dy shtete, në të cilat ne varnim shpresat se do na ndihmojnë.
Tani, çfarë u ka premtuar Vuçiqi, mbetet të shihet në të ardhmen, por se u ka premtuar diçka si shumë – është më se e vërtetë. Se Asociacioni nuk ishte kusht për pranimin e Kosovës në KiE, e thanë vetë kohë më parë. E tha edhe vetë Bakojanis në raportin e saj. Po e thonë edhe eurodeputetë e deputetë shtetesh të ndryshme, qoftë edhe nga Gjermania se ky është një kusht politik, jo i Këshillit Europian.
Dhe, me këtë, shihet qartë se punohet me dy kute në Bashkimin Europian, për çka, më vjen shumë keq, por këso fare, Bashkimi Europian nuk mund të ketë jetë të gjatë. Nuk shkohet të bashkuar me teka, me padrejtësi e me inate. Parimet janë parime, ato janë rregulla, që nuk do duhej t’i thyente askush dhe për asgjë e për askë.
Serbia ia ka frikën pranimit të Kosovës në KiE, prandaj jep edhe miliarda për të mos e pranuar, sepse kështu ia qet më lirë, se sa të paditet nga Kosova për gjenocid e të paguajë edhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës si agresore. Prandaj, bën çmos që të mos lejohet të pranohet në KiE.
Europë, shqiptarëve u ke shumë borxhe, mos hyrë ende më thellë në to, se nuk i dihet ku të gjenë e liga!
Prandaj, deri sa ju e përkrahni Serbinë dhe Vuçiqin, deri sa ju rrini me të dhe e shtypni Kosovën, po shihet se edhe ju jeni sikur Vuçiqi. Nuk është logjikë vështirë për ta kuptuar këtë. Ndoshta duket pakëz e rëndë kjo, por më e rëndë është kur ju bini pre e kërkesave të Vuçiqit që në qeveri ka futur njerëz të listës së zezë nga SHBA dhe kur Vuçiqi e mbron e bashkëpunon me Milan Radoiçiqin. Kjo është më e rënda.