VEPËR QË TË SHPIE DREJT EKSTAZËS DHE MAGJIKES

0
303
ANB - Prushi i bukurië

Mikel Gojani Mikel GOJANI

Rreth veprës poetike «Prushi i bukurisë», të Anton Nikë Berishës. Botimi i tretë i pandryshuar. Botoi  “Beqir Musliu”, Gjilan 2020

Anton Nikë Berisha është njëri nga personalitetet më të shquara të letërsisë dhe të botës sonë studimore. Opusi i tij letrare është i gjerë i shtrirë në disa zhanre letrare: prozë, poezi (për të rritur dhe fëmijë), studime, kritika letrare, eseistikë, dramë, studiues i letërsisë gojore, përkthime letrare etj.

Vepra e tij me titull metaforik «Prushi i bukurisë» (Përsiatje poetike për artin e fjalës), botuar më 2014 shqip dhe italisht në Kozencë[1], ka zgjuar interesim të madh ndër studiues, shqiptarë dhe italianë. Për këtë dëshmon vëllimi “Prushi i bukurisë – një përmendore poetike për artin e fjalës”, ku botohen punimet e njëzet e gjashtë autorëve, shqiptarë dhe të huaj, për këtë vepër poetike të Anton Nikë Berishës[2]. Ky interesim lidhet me faktin se nëpërmjet artit të mirëfilltë – poezisë, autori flet për artin e fjalës, për veçantitë dhe qenësitë e tij dhe për mundësitë e jashtëzakonshme të ndikimit në marrësin, pa marrë parasysh vendin, kohën, moshën dhe përkatësinë kulturore dhe racore.

Libri ndahet në dy pjesë. Pjesën e parë e bëjnë 15 tekste – pamje poetike, ndërsa pjesën e dytë disa “Mendim për veprën, Prushi i bukurisë”.

Librit i paraprin Parathënia me titull: “Vepër me përmbajtje të fuqishme e me identitet të shquar”, të hartuar nga shkrimtari i njohur italian, Dante Maffia, autor i një varg veprash në poezi dhe prozë, i cili është i propozuar për shpërblimin Nobel për letërsi. Pason Shënimi paraprak i autorit, “Bukuria e fjalës – etje e pashuar e shpirtit të njeriut”, ku autori i bën të ditur lexuesit për natyrën e veprës dhe për rëndësinë e artit të fjalës për njeriut, duke nisur nga fillimi ekzistimi i tij.

Anton Nikë Berisha - Il fulgore

Dante Maffia e vlerëson lart këtë vepër të Berishës: “Anton Nikë Berisha zotëron një ndjeshmëri të lartë dhe s’ka paragjykime ose nuk përdor super-struktura të padobishme dhe, pikërisht për këtë, arrin, me zë të plotë dhe me lirizëm të thellë që zë fill nga bota klasike apo ndikohet dhe nga mjeshtrit e sufizmit, të realizojë një orkestrim të gjerë që mundohet të fiksojë të paktën disa prej cilësive të shumta të fjalës. Poema është aq e dendur, aq e ndezur dhe e pasur me përshkrime dhe qëllime të arrira, megjithëse të përkohshme për shkak të natyrës së tyre, sa që të lind dëshira ta mbushësh këtë shkrim me citime” (Nga Parathënia).

Vlerësim të ngjashëm bën dhe studiuesi tjetër italian, Aleksandro Guadio, i cili punimin për këtë vepër e ka me titullin: “Arti i fjalës si dritësim i bukurisë”. Guadio thotë se kjo vepër poetike e Anton Nikë Berishës, shkrimtar shqiptar nga Kosova dhe studiues i letërsisë shqipe pranë Universitetit të Kalabrisë, është një dritësim, një ujëvarë pamjesh të mrekullueshme poetike që i kushtohet artit të fjalës dhe shprehet përmes vargjeve të krijuara me përkushtim, të cilat të shpijnë drejt ekstazës dhe magjikes, drejt një procesi që njëson gjithë atë që ai shpreh në mënyrë poetike.

Bukuria në kërkim kuptimit

Të bëhet një personalitet i shquar në letërsinë e sotme shqiptare Anton Nikë Berisha e ka arritur padyshim përmes studimeve të tij cilësore, por edhe të veprave në prozë, që janë vokacione kryesore të tij. Mirëpo, veprën e tij letrare ai i pasuroi dhe e forcoi edhe përmes poezisë, ku dëshmon një stil të veçantë dhe unik, duke sjellë në poezinë tonë një frymë të mëvetësishme.

Këtë frymë e argumenton edhe libri që po e shqyrtojmë «Prushi i bukurisë», që fund e krye përshkohet me një shprehur sa të pasur aq dhe të natyrshëm poetik, ku mbretëresha e të shprehurit poetik, metafora, i ngre vlerat artistike dhe estetike të saj.

Me gjuhën poetike dhe mënyrën e të shprehurit poetik, po dhe me format e shtjellimit të «Prushi i bukurisë» autori dëshmon vokacionin e lirikut refleksiv, duke u radhitur ndër librat më të realizuar të llojit të vet.

Në vargjet e këtij libri shprehet një botë e tërë, përmes të shprehurit dhe imagjinatës poeti ndriçohen zona të padukshme të shpirtit të tij dhe të njeriut. Mos poezia është forcë që të nxitë kërkimin e vetvetes dhe të fatit të njeriut nëpër kohë? Në këtë kërkim ai do të gjakojë t’i lidhë, t’i komponojë ato dhe të sajojë një tërësi që dëshmon atin. Pastaj mbi këtë sajim të komponuar bukurie, të përqendrohet, të thellohet dhe të depërtojë thellë në atë botën e fshehtë të gjërave dhe të jetës; një bukuri dhe gjallëri shpërthyese.

Është e vërtetë se libri Prushi i bukurisë përçon mesazhe të pasura poetike dhe që kjo bukuri dhe kjo frymë plot gjallëri shprehet, shpërthen dhe thellohet përmes në forma të ndryshme. Pra, në thellësinë e së bukurës poeti arrin përmes arsyes dhe imagjinatës, por dhe të përjetimit të fuqishëm.

E bukura dominon në vargjet e poemës, e bukura si qenësi e pasurimit të botës së njeriut, që natyrshëm ka nevojë për art.

Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton
në thellësinë e shpirtit ku përtërihen
rrënjët, gjurmët që nuk shlyhen
nga pësime e nga shtjella të befta
që përplasen përflakshëm në ne,
e përndritin kujtimet, dhuratë e kohëve,
grishje e ndezur e ditëve të perënduara,
që gëlojnë në çdo çast e në çdo hap
pa u vërejtur, si merimanga që end
me përkushtim rrjetën e mbijetimit. (VIII)

Me këtë vepër, edhe pse jo vëllimore, Anton Nikë Berisha dëshmon se është poet i përkushtuar, mjeshtër i hartimit të vargut dhe i metaforës, i ndjeshmërisë së hollë dhe i të shprehurit poetik.

Poezia e tij më ngjan me një kurorë pemësh të bukura të degëzuara. Këtë fakt e argumentojnë vetë vargjet. Po sjell vargjet e poezisë akrostik që e dëshmojnë këtë:

Përtej harrimit e pate djepin – Bukuri,
Reshje e buzëqeshur në ndërrim të stinëve;
Uturimë e përndritur je, vel i prushtë,
Shpalosje e erës je që erën e përfill;
Idhujtare lozonjare që s’di të shuar.
Inxhi lashtësore që nuk zhbëhesh asnjëherë,
Besnike e devotshme që nuk njeh ndalesë
Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton,
Këndellje e mirëfilltë dhe zë i bekuar,
Ujëvarë hareje që gjithkah përhapesh;
Ripërtëritje je e këmbimit të ditëve,
Ishe e je paanësia e përsiatjeve,
Sy i etur brenda dridhmave të zemrës –
Ëndërr e përkëdhelur me bardhësi t’krahnezës.

“Prushi i bukurisë” është vepër mirëfilli metaforike

Më duket me vend që të shkëpus një mendim të Albana Alisë rreth vlerave të këtij libri, e cila thotë se gjuha poetike që përdor Berisha për përfitimin e veprës «Prushi i bukurisë» është thellësisht metaforike, simbolike, me përdorime të shumta të krahasimeve ose të personifikimeve, duke iu referuar koncepteve të Fjalës artistike dhe Bukurisë së saj në metamorfozë të vazhdueshme. Këta përbërës shprehin lëvizjen dinamike të vizioneve që lënë përshtypjen e një ujëvare të ndritshme, e cila gjatë rrjedhjes mbledh materie me fuqi shpërthyese dhe reflektuese nga fushat semantike dhe rrafshet më të ndryshme sensioriake, për të vazhduar më tej rrugëtimin e saj nëpër shtigjet e Bukurisë së pamort.

Dhe krejt në mbyllje them me plot bindje se libri poetik i Anton Nikë Berishës Prushi i bukurisë është një vepër që pasuron poezinë shqipe në përgjithësi dhe sjell risi në ndërtimin dhe avancimin e vargut poetik dhe në traditën tonë letrare poetike .

Janar, 2024 


[1] Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Traduzione Albana Alia. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014. Botimi i dytë “Beqir Musliu”, Gjilan 2016, botimi i tretë i pandryshuar 2020, nga e njëjta shtëpi botuese.

[2] Shih “Prushi i bukurisë – një përmendore poetike për artin e fjalës”. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisëPërsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës. Zgjedhur dhe përgatitur nga ALBANA ALIA dhe LABINOT BERISHA, “Beqir Musliu”, Gjilan 2017.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.