Ilir Muharremi, kritik i artit
Arti ecën përtej kohës, arti nuk mund të vendoset mbi gjithçka. Arti skllavërohet në kohë, i shërben sepse varet nga ndjenja, mendimi, dhe vlerësimi i njeriut. Njeriu jeton në familje, përgatitet për kushtetutën dhe ligjin e krijuar nga vetë ai. Rëndomë, njeriu lufton me veten, i dorëzohet vetes, ngritë flamurin e bardhë nëse pamundësia për ta tejkaluar sfidën dhe shoqërinë i shfaqet. Atëherë ai kërkon veten e tij në pasqyrën e tjetrit. Jeta e tij nuk varet vetëm nga vetë ai, shoqëria përcakton një pjesë të jetës së tij. Shoqëria e ngritë, shoqëria e vret artistin, fajtori duhet të kërkohet edhe te vet artisti sepse timoni i tij artistik nuk ecën në rrugën e duhur.
Art nuk është vetëm një pasqyre e bukur ngjyrash, formash, lëvizjesh, ritmesh, tonesh, konceptesh, nganjëherë bëhet çekiç me të cilin i japim formë vetes edhe veprës, edhe pse shpesh veten e distancojmë nga vepra derisa jemi vet ne vepra.
Afro 80 vepra arti janë renditur në hapësirat e dy kateve të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat ishin nga koleksioni i veprave të artit të blera nga Ministria e Kulturës. Aranzhimi, vendosja e veprave nganjëherë ja zinin frymën njëra tjetrës sepse jo çdo pikturë qëndron afër me pikturën tjetër, jo çdo format është i përshtatshëm estetikisht me formatin afër. Është një baraspeshë e mendjes që të krijon rehati dhe qetësi nga vështrimi optik i një distance totale. Është si një shfaqje teatrale dhe aktorët fillojnë të veprojnë e të flasin të gjithë në të njëjtën kohë. Çdo vepër arti në vete ishte një aventurë e mendjes,ishte nje djersë, talent, sfidë ndjenjash, veçim subjektesh, shpërfaqje dritës, pluskim i shpirtit me tone të ftohta, të ngrohta. Qe një mozaik ngjyror, pasuri personale dhe fuqi kolektive i të gjeneruarit objekte, forma, stile.
“Dita e Shën Valentinit” (lesbizëm) – 10 mijë Euro
Jo të gjithë ishin profesionistë, jo të gjithë ishin të fushës së artit, kishte autodidakt, kishte njerëz që vonë kanë filluar ta aplikojnë artin të cilët nuk e kanë pikturuar asnjë trëndëfil për t’i harruar trëndëfilat e tjerë. Para artit të gjithë shfajësohemi se është art dhe vetëm art, është hapësirë për të gjithë sepse të gjithë e vështrojnë por nuk e kuptojnë, e ndjejnë, por nuk ja dinë përmbajtjen, të gjithë kërkojnë ta kuptojnë pikturën, Picasso kishte me thënë pse nuk e kuptojnë këndimin e zogjve. Ndonëse nuk është e patjetër të kuptohet çdo vepër arti sikur lulet janë të bukura, por nuk i kuptojmë.
Piktura, skulptura, instalacione, fotografi, video-instalacione kushtuan 300 mijë euro. Hera e parë që artistëve pamor ju oforohet ndihmë e tillë. Sytë e institucioneve u kthyen kah arti pamor, por matja matematikore që mund të bëhet nuk u bë e saktë sepse disa vepra u krijuan nga dora e artistëve me përvojë shumëvjeçare, janë emra të dëshmuar jashtë kufijëve, temat në vepra, realizmet teknike arsyetojnë veten e tyre përballë kohës dhe opinionit. Këto vepra më herët në heshtje u votuan nga syri i publikut, dhe shija kolektive është më e fuqishme se shija e disa anëtarëve të komisionit. Nga antika populli zgjedh, ndonëse populli shërbehet nga një individ e ai person është njeri me shumë shije dhe zemra.
Artistët na edukojnë me shijet e tyre të cilat i pikasin nga lulet kolektive popullore. Jo të gjitha veprat janë peshuar ashtu siç vet vepra ruan peshoren në vete. “Dita e Shën Valentinit” realizuar nga një grup me titull Havei, pa emër të autorit (ai që e ka shkrepur fotografinë, sepse kuadrimi, shkrepja, aranzhimi i imazhit është art) nuk theksohet. Çmimi i ofruar për këtë vepër ishte me shifër më të lartë pra prej 10.000 euro. Kjo fotografi është paguar rekord nga të gjitha veprat e prezantuara. Puthja është art, puthja skenike, edhe nëse duhet të puthemi vrazhdtë në skenë, ajo duhet të duket e bukur dhe e veçantë. Nuk ka asgjë të keqe nëse puthen dy femra ose dy meshkuj ose një burrë dhe një grua.
Biologjikisht njeriu është i përcaktuar, kjo kurrë nuk mund të ndryshoj. Ato puthen, le të puthen sepse e drejta është në anën e tyre, puthja le të ndodh edhe në shesh, hapësira të ngushta, këfeteri, transport publik… Askush nuk mund ta ndryshoj këtë. Komisioni me vlerësimin kaq të lartë tregon një vetëdije tonë kolektive të prapambetur duke vënë theksin se ende kjo te ne është temë tabu dhe duhet të qëndroj në mur si vepër arti, me qëllim të shikohet, të ngopemi me këto puthje dhe ledhatime derisa e pranojmë si diçka të zakonshme. Shoqëria një pjesë e pranon, një pjesë nuk e pranon, koha do ta zbut këtë, por kjo nuk ka nevojë të lyhet me nuanca arti ngaqë tashmë te ne nuk shikohet më kështu. Na aspektin artistik nuk zgjon ndonjë shije dhe ndjenjë të veçantë kjo vepër, është sikur t’i renditesh dy çifte në rrugë, të ju japësh kordinaten të fillojnë të puthen, pastaj ta shkrepësh aparatin. Në prapavijë vërehen mimikat e këmbësoreve duke shikuar skenën e aranzhuar. Dhimbje e madhe është për disa piktura të thella që rrënkojnë, të vlersohet kjo fotografi me atë vlerë të lartë.
Nëse krahasojmë me fotografinë e artistit Hazir Reka “Refugjati” e cila ka kushtuar 7000 euro (më pak se Dita e Shën Valentinit) , dallimi është i madh në vlerësimin artistik, teknik sepse vepra ngjallë emocion, si në aspektin psikologjik, estetik, emocional, realiteti i plakut me plis në kokë e me rrudha shekullore tejakalon artin. Janë këto rrudha që nuk mund t’i peshojë koha e hiç më pak vlera ekonomike. Vuajtja e tij pasyron plagën për të na kujtuar se e kaluara nuk është fjollë bore që shkrihet brenda natës, por ende ekziston. Është një plak që vuajtja tejakalon perëndimin e jetës së tij, dhimbja qëndron me shekuj mbi shpatullat. Është përzierje emocionesh së vetë ekzistencës së njeriut me zërin e të gjithëve përballë dhe kundrejt dallgëve gjakatare. Ai lufton me tërë fuqinë e tij të mplakur më shumë nga vuajtja se vetë natyra dhe në fund del fitimtar. Kjo vepër është një grishje e njëmendë për rrugën e qartë të njeriut ndaj trazimit, përpjekjes në rrethana, kushte tejet të rënda përballë sulmit me zero mbrotje. Është një luftë e pabarabartë ndërmjet njeriut dhe okupatorit por që gjithsesi i lejon njeriut të masë forcat e veta.
Këta janë artistët pjesmarrës: Afrim Hajrullahu, Afrim Spahiu, Agim Balaj, Agron Blakçori, Agron Mulliqi, Alban Muja, Alban Nuhiu, Albe Hamiti, Albulen Neziri, Altin Krasniqi, Anmansa Petroviç, Arbana Hajredinaj, Arben Llapashtica, Arbnor Karaliti, Argenita Fetahu, Armend Nimani, Artan Hajrullahu, Arton Behrami, Avni Demiri, Astrit Ismaili, Avni Rudaku, Bedri Haziraj, Biljana Veselinova Komoni, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Burim Myftiu, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Daors Hoxha, Doruntina Kastrati, Driton Hajredini, Enesa Xheladini, Enver Hoxhaj, Erblina Karaliti, Esat Valla, Eshref Qahili, Fatmir Jusufi, Fatmir Mustafa, Faton Mazreku, Fidan Bejtullahu, Fikrete Misini, Gëzim Brestovci, Haki Xhakli, Hazir Reka, Hekuran Sokoli, Haveit, Redon Kikaj, Hysni Krasniqi, Ilir Balaj, Jakup Ferri, Jehon Gallapeni, Jeton Gusia, Jetullah Sylejmani, Kaltrina Hoda, Liridona Gjuka Bogu, Lorik Sylejmani, Luan Bajraktari, Lulzim Zeqiri, Mal Myrtaj, Mehmet Behluli, Mehmed Vokshi, Mimoza Sahiti, Nevruz Musa, Nexhmi Bardhi, Nimon Lokaj, Remzi Limani, Renea Begolli, Rexhep Ferri, Rrezartë Bajrami, Roland Masurica, Rron Qena, Sali Musliu, Shkamb Jaka, Shyqri Nimani, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi, Violeta Xhaferi, Yll Xhaferi, Zana Begolli dhe Zeni Ballazhi.