YMER BERISHA – DOKUMENT E KUJTESË

0
35

Sabile Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-BASHA

(Prof. dr. Lush Culaj: Ymer Berisha, një mision i pa kryer, Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2024, faqe 467.)

Lufta e Dytë Botërore dhe padrejtësitë që vazhduan ndaj Kosovës edhe pas vitit 1945, nxorën në shesh reagimet dhe pakënaqësitë e popullit të saj. Në këto kushte, forcat nacionaliste në Kosovë u ndodhën të zhgënjyera e të tradhtuara, përballë vështirësive, por edhe obligimeve  të reja që morën për të ndryshuar situatën që mbretëronte. Si çdo herë tjetër, kjo gjendje e Kosovës tërhoqi vëmendjen e të tjerëve vetëm atëherë kur shkrepën armët.

Formimi dhe veprimtaria e organizatave ilegale patriotike shqiptare dhe i forcave të tjera nacionaliste në atë kohë, ishte dhe mbeti si alarm, por mbi të gjitha ishte edhe orë zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, sa herë bota bënte syrin qorr e veshin e shurdhër. Kësaj situate iu përgjigj me përkushtim e heroizëm një plejadë njerëzish të shquar, që udhëhoqi lëvizjen në kushte të reja, për të vazhduar luftën aty ku e kishin lënë brezat e mëparshëm.

Studiuesi Lush Culaj na e ka sjellë historinë e kësaj periudhe në miniaturë, nëpërmjet shtjellimit të biografisë dhe veprimtarisë së njërit ndër atdhetaret, luftëtaret, ideologët më të shquar të lëvizjes nacionale shqiptare, prof. Ymer Berishës, dhe këtë e ka bërë nëpërmjet një qasjeje të veçantë metodologjike, duke folur sa nëpërmjet dokumentit po aq edhe nëpërmjet kujtesës. Monografia Ymer Berisha, një mision i pakryer na ofron një tablo të plotë e reale për jetën dhe veprën e prof. Ymer Berishës dhe më shumë se kaq, vetë tablonë e plotë të lëvizjeve e ngjarjeve politike-ushtarake në Kosovë, nga fillimi i LDB deri me rastin e vrasjes së Ymer Berishës.

Autori Culaj, me këtë, jo vetëm që ka plotësuar boshllëqe të trashëguara nga historiografia e kaluar, por dhe ka zgjeruar ndjeshëm vetë objektin e studimit, duke shfrytëzuar një gamë të gjerë burimesh historike sa dhe gojore. Ai ka shfrytëzuar me kujdes kujtesën e bashkëkohësve e bashkëluftëtarëve për Ymer Berishën.

Vetë kujtimet janë zhanër shumë me peshë për ta njohur dhe për ta transmetuar përvojën historike, politike, shoqërore etj., të brezave të së kaluarës, në rastin konkret, për ndriçimin e personalitetit të Ymer Berishës. Aq më tepër që protagonisti për të cilin shkruhet është pjesëmarrës aktiv në ngjarje të rëndësishme, i frymëzuar nga idealet atdhetare dhe nga angazhimi qytetar, me plot përpjekje e të cilat janë në harmoni me interesat kombëtare.

Prof. dr. Lush Culaj është autor i shumë librave shkencorë historigrafikë. Por, monografia për Ymer Berishën, e bën autorin edhe më të veçantë si historian, për vetë shtjellimin objektiv dhe të mëvetësishëm që i bën ai një teme aq specifike.

Në shumicën e rasteve, për personalitete patriotësh e udhëheqësish shqiptarë, kanë shkruar të huajt, të cilët, shpeshherë i kanë paraqitur ata sipas pikëpamjeve të tyre, madje duke i veshur me shumë të pavërteta historike. Studiuesi Culaj, me punën e tij hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i shtron faktet dhe ngjarjet e kohës me të dhëna faktografike, të bazuara kryesisht në dokumente arkivore, si bazë për studimin e jetës të Ymer Berishës.

Të dhënat e shumta  arkivore, literatura e begatë e shfrytëzuar dhe e konsultuar për veprimtarinë e prof.. Berishës, si dhe kujtimet e anketat e shumta me të njohurit e tij, i japin veprës një vlerë të jashtëzakonshme në aspektin shkencor. Prandaj, ky autor, më punën e tij, hyn në rangun e studiuesve seriozë që trajtojnë tema të ndjeshme nga e kaluara që lidhet me shek.. XX. Me këtë libër libër, autori vetëm sa ka arritur që të ngrisë reputacionin e tij në fushën e studimeve të historisë, duke na sjellë të dhëna të bollshme, të bazuara në argumente historike dhe ne burime të pamohueshme për luftën e drejtë legale e ilegale që bëri Ymer Berisha me bashkëluftëtarët e tij shqiptarë, që vepruan në Kosovë dhe gjithandej ku jetonin shqiptaret.

Vepra Ymer Berisha, një mision i pakryer i Lush Culajt  ka strukturën, parimet dhe metodën shkencore të njohjes e të konkludimit, gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin e arsyetimit, që i duhet një studimi me karakter të mirëfilltë shkencor. Kjo monografi vjen si një margaritar për heroin e lirisë, të virtyteve liridashëse e luftës së drejtë për nderin dhe moralin e vendit.

Duke e lexuar këtë monografi, herë të përshkon një entuziazëm i papërshkrueshëm e herë të kaplon një trishtim i thellë, kur sheh se me çka janë përballur shqiptarët në rrugën e gjatë të lirisë. Autori, Lush Culaj, njohës i mirë i kësaj periudhe, na sjell një libër me të dhëna të bollshme biografike po dhe të historisë politike e ushtarake të heroit Ymer Berisha. Për fat, Culaj ka kapur edhe momentin e fundit të “kujtimeve të gjalla” për profesor Ymerin, pa të cilat libri do të ishte më i zbehtë. Dhe, mund të them se për herë të parë në historiografinë shqiptare më ka rënë të lexoj një libër të këtij stili mikst: dokument-kujtesë, me këtë strukturë përmbajtjesore; aq të kompletuar dhe rrjedhimisht, aq të suksesshëm.

Diplomimi i Ymer Berishës në Romë në dy fakultete: Fakultetin e Shkencave Natyrore, dega e Historisë-Gjeografisë dhe Akademinë Ushtarake, e deri te rikthimi i tij në prag të LDB-së janë pjesë e ngritjes të tij profesionale dhe intelektuale. Kaptinë e veçantë është angazhimi i tij në lëvizjen çlirimtare, bashkëpunimi dhe miqësia e tij me Shaban Polluzhën e luftëtarë të tjerë të cilëve u kushton vëmendje të posaçme, subjekt ky që shtjellohet në disa pjesë të librit. Sipas të dhënave që na prezantohen në monografi, duket qartë se Ymer Berisha me bashkëluftëtarë ishin të vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova ishte e mbarsur me plot rreziqe. Rreziku që të gllabërohej nga Jugosllavia, siç ndodhi më vonë, ishte i qartë. Autori sjell me saktësi vizionin dhe largpamësinë e profesorit  konform rrethanave politike të kohës.

Pas përfundimit të LDB-së, (1945), pushtetarët e rinj, duke e parë zgjuarsinë dhe aktivitetin atdhetar të prof. Berishës, duke i parë qëllimet dhe idealet e përbashkëta me luftëtarët e tjerë, e hetojnë rrezikun nga ai dhe plani bëhet: Prof. Ymer Berishën duhet likuiduar. Dhe kjo ndodhi. Pas një aktiviteti të dendur që profesori kishte pasur në fshatrat e Gjakovës, dhe pas një konsultimi që pati me Ukë Sadikun, atë e njoftojnë se në malet e Lipovicës do të mbahet kongresi V i ONDSH-së, ku ishte i ftuar të marrë pjesë. Sipas të dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë. Së bashku me përcjelljen, ata bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosen rëndë. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura.

Vdekja e prof. Ymer Berishës dhe e bashkëluftëtarëve të tij do të mbahet fshehur deri më 25 korrik 1946, kur do të mbahet Kongresi i Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri spiun, i cili, në të vërtetë, ishte njeri i Spasoje Gjakoviqit. Ishte ky Rexhep Alush Carabregu, që një kohë të gjatë kishte luajtur lojën e korrierit duke bartur letra nga Shtabi II (Organizata nr. 2) në Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në Dukagjin. Nga trysnia  që iu bë atij nga gjyqi i kongresit në Lipovicë, ai pranoi se Ymer Berisha me ndihmën e tij kishte rënë në grackë dhe ishte likuiduar. Gjyqi e dënoi aty për aty me pushkatim Rexhep Carabregun dhe e ekzekutoi aty afër, ku mbahej kongresi.

Vepra në fjalë, është pa dyshim fryt i punës së gjatë dhe të jashtëzakonshme të studiuesit dhe  hulumtuesit Lush Culaj. Vetë botimi i kësaj vepre është edhe një dëshmi se historia e Kosovës, si dhe figurat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizojnë këtë periudhë të cilën e trajton dhe ndriçon autori, zgjon interesimin dhe vazhdimisht janë në fokus të studimeve të shumë veprimtarëve, publicistëve dhe  shkencëtarëve të periudhave të ndryshme kohore.

Thuhet se një ngjarje ka ndodhur vetëm nëse shënohet. Një popull që nuk e njeh vetveten, identitetin dhe aspiratat kombëtare, nuk mund të jetë plotësisht i lirë, i qytetëruar dhe i vetëdijshëm për t’u përballur me sfidat e sotme e të nesërme, për të dalluar miqtë nga armiqtë dhe për t’u integruar denjësisht e kombëtarisht në bashkësinë e madhe demokratike. Popujt pa kujtesë dhe qartësi historike, por edhe pa identitet e të ardhme kombëtare, janë të destinuar të asimilohen e të treten. Vepra e shkruar nga Lush Culaj për prof. Ymer Berishën është një kontribut plot përkushtim përballë harresës.

Si për nga përmbajtja që shtjellon, nga thellësia kohore që trajton si dhe mbarështimi i mbështetur  në parimet e metodologjisë së punës shkencore, ajo përbën një arritje të pakontestueshme, një vepër me vlerë historike e kulturore të pamohueshme. I dendur me informacion, ky libër do të shërbejë për të njohur bindjen, kontributin e rezistencën e atdhetarëve tonë dhe personaliteteve të kohës që kontribuuan për çështjen kombëtare shqiptare. Mendoj se ky libër do të zgjojë interesime shkencore te gjithë historianët që vokacion e kanë historinë e re të Kosovës.

Prof.  Ymer Berisha ishte atdhetar që nuk i përkiste vetëm një vendi a krahine. Në shumë momente, biografia e tij përzihet me biografitë shpirtërore të personaliteteve që u takojnë gjithë kohërave. Zëri i tij dinte të jetë pranë të gjithëve. Vepra Ymer Berisha, një mision i pa kryer, e Lush Culajt, e nxjerr në dritë këtë dimension të Ymer Berishës, ndaj dhe na vjen si një dhuratë e këndshme që na rinjeh me këtë figurë të çmuar. Vetë Culaj meriton përgëzime për veprën që ka shkruar, pa pretenduar se do të zbardhë të gjitha detajet mbi këtë personalitet që lirisht mund të quhej si kreu i lëvizjes nacionaliste shqiptare. Ymer Berisha u trajtua në kronologji, nga lindja shkollimi fillor, mbarimi i Normales të Elbasanit, shkollimi universitar në Itali dhe krijimi i intelektualit të mirëfilltë nacionalist dhe lufta e tij politike kombëtare. Monografia është  një dëshmi lufte e mbështetur në programin nacional-demokratik properëndimor të Ymer Berishës.

Për studiuesin Culaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Ymer Berishës nuk mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake qe i paraprinë aktivitetit nacional-demokrat. Ai i shtjellon rrethanat që sollën formimin e këtyre organizatave kombëtare: ndodhi Mbledhja e Mukjes si përpjekje për unifikuese për luftë kundër nazi-fashizmit, pastaj Lidhja e Dytë e Prizrenit, Kuvendi i Bujanit, kryengritja e Shaban Polluzhës, ripushtimi i Kosovës dhe Kuvendi i Prizrenit ku u vendos që Kosova të mbetet pjesë e Jugosllavisë. Mendoj që këto pjesë e plotësojnë një mozaik të vogël të historisë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i ndihmojnë lexuesit që ta kuptojë më mirë se pse dolën në skenë Ymer Berisha me bashkëmendimtarë dhe bashkëluftëtarë me lëvizjet e tyre antifashiste dhe antikomuniste.

Duhet pasur parasysh se autori e ka pasur mjaft të vështirë  hulumtimin e këti përsonaliteti, në radhë të parë pse në arkiva nuk ka dosje për të. Përderisa për bashkëveprimtarët e tjerë, Marie Shllakun, Halim Spahinë Ukë Sadikun, Gjon Serreqin etj. ka dosje nga zhvillimi i proceseve gjyqësore, Ymer Berisha nuk ishte pjesë e gjykimit sepse ishte vrarë. Për të mund të nxirren përfundime vetëm nga deklaratat e të tjerëve në proceset gjyqësore. Prof. Culaj i ka studiuar me kujdes dosjet e procesit gjyqësor kundër Gjon Serreçit, Halim Spahisë, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit, Marie Shllakut etj., në  Arkivin e Kosovës në Prishtinë, të cilat na nxjerrin në pah tërthorazi edhe veprimtarinë dhe figurën e Ymer Berishës.

Për shembull, Gjon Serreçi gjatë hetuesisë deklaron se të gjithë e kishin konsideruar Ymer Berishën si njeriun më të rëndësishëm të lëvizjes çlirimtare. Kjo dosje na ofron të dhëna të rëndësishme edhe për Kongresin e Lipovicës (Blinajës) ku profesori, në mungesë, u zgjodh komandant i mbarë lëvizjes ilegale të shqiptarëve në Kosovë dhe në Trevat Lindore (Maqedoninë e sotme të Veriut). Këto dokumente ishin materiali bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qën­dri­mit të shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në vitet në shqyrtim. Dokumentet hedhin dritë për funksionimin e këtyre organizatave dhe qëndresën e personaliteteve të lartpërmendura edhe para proceseve gjyqësore që udhëheqëshin nga bashkëkombasit e tyre si Ali Shukriu me shokë.

Për rrethanat politiko-shoqërore që ndërlidhen në një formë apo tjetër me veprimtarinë e Ymer Berishës autori ka shfrytë­zu­ar dokumente arkivore edhe nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tira­në të cilat japin hpeshherë informacione për rrethanat. Ato u bënë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj çështjes kombëtare. Doku­mentet janë dhënë sipas zhvillimit të ngjarjeve, duke na i përcjellë ato në shumicën e rasteve të plota, nganjë­herë edhe me ndonjë mangësi. Këtu përfshihen dokumentet e institucioneve të larta zyrtare, ato diplomatike, si dhe letrat, raportet, telegramet e njoftimet e rastit të personave të ndry­shëm.

Autori ka shfrytëzuar dokumente të panjohura deri me tani nga Arkivi i Jugosllavisë në Beograd  dhe Arkivi i Maqedonisë në Shkup, Arkivi i Londrës etj. Dokumentet janë shumë me peshë dhe sjellin shumë risi për aktivitetin e Ymer Berishës. Gjithashtu, është shfrytëzuar edhe shtypi i kohës, studime të ndry­shme që flasin për të dhe për ngjarje që ndër­lidhen me kë­të personalitet, shkrime të botuara për Ymer Berishën etj. Nëpërmjet këtij dokumentacioni arkivor Culaj sjell shumë risi të panjohura deri tani. E veçantë dhe me vlerë të jashtëzakonshme është pasqyrimi i ditarit të Ymer Berishës i gjendur në Arkivin e Beogradit.  Prrzentimi i dokumenteve të CIAS- amerikane dhe vlerësimet e larta për profesorin, janë me shumë rendësi.

Nga të dhënat arkivore pasqyrohen për herë të parë edhe edhe pseudonimimet e disa nga bashkëluftëtarëve të tij të afërm si, Besnik Kombëtari (pseudonimi i Nue Perlleshit) BAÇI-pseudonimi i Xhafer Shehut, Valon Flamuri, pseudonimi i Feriz Bojës, Belaja, pseudonimi i Alush Carrabregut, Kuptim Vllaznimi, pseudonimi i Zeqir Lutanit etj. Me interes të veçantë është edhe paraqitja e  peticionit në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme gjeneralit anglez Hadgson nga  Ymer Berisha.

Aty synohej që Britaninisë së Madhe t’i ofrohej një pasqyrë reale mbi vuajtjet e shqiptarëve. Ymer Berisha kishte lidhje të mira edhe me Muharrem Bajraktarin përfaqësues i Monarkisë shqiptare në Shqipëri. Ky personalitet, i njohur në popull si Bajraktari i Lumës, ishte ndër të parët që i shpalli luftë okupatorit italian. Lidhjet ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare”, dhe misionit anglez, mbaheshin me sakrifica të mëdha. Ato ruheshin kryesisht nëpërmes lidhjeve të ambasadave që ndodheshin në Shkup e në Tiranë.

Po të shikohet në korrelacionin kohor, pas Luf­tës së Dytë Botërore, në Evropë nuk ekzistonte ndonjë lëvizje apo parti antikomuniste më masive dhe më e or­ga­nizuar se NDSH-ja. Brenda një kohe të shkurtër NDSH-ja arriti t’i shtrijë degët e veta nëpër të gjitha terri­toret e Kosovës e më gjerë, si kundërpeshë e ripu­shtimit. Kongresi  i Lipovicës (Blinajës), punimet i filloi me 25 korrik 1946. Aty ndër të tjera u vëndos që forcat nacionaliste të quheshin: Ushtria popullore nacional-demokratike shqiptare UPNDSH në malet e lira të Kosovës dhe Ymer Berisha emërohet Komandant i UPNDSH-së dhe Kryetar i tërë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare.

Me siguri, që nuk qe rastësi zgjedhja e Ymer Berishës si udhëheqësi suprem i gjithë nacionalizmës shqiptare ndonëse në mungesë. Fatkeqësisht, shteti komunist shqiptar ishte i interesuar po aq sa edhe shteti jugosllav për eliminimin e Ymer Berishës. Bazuar në dokumentacionin arkivor që na ofron studiuesi Culaj, Beqir Ndou i shkruante Koçi Xoxes me 14 korrik 1946: “Si mbas hetimeve të sigurta OZNA në Kosmet ka gjet një veprimtari të madhe të Inteligjence Services. Fytyra ma e njohur politike e reaksionit shqiptar në Kosmet asht ish profesori Imer Berisha, i cili rron ilegalisht në krahinat e Drenicës. Elementi i OZNES ju ka futur brenda në njesitin e tij. Shpresohët që të vritët”. Ashtu edhe ndodhi.

Monografia e Lush Culajt e sjell bindshëm e me kompetencë gjithë këtë histori.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.