Eni Muça, Businessmag.al, 19/05/2025
Kur teknologjia bëhet më shumë se një profesion, një mision për të fuqizuar të tjerët, lindin histori si ajo e Xheneta Krasniqit, vajzës shqiptare nga Mynihu me rrënjë në Prishtinë, e cila sot renditet mes inxhiniereve më të mira të reja në Gjermani për vitin 2025. Në moshën kur shumica sapo nisin të eksplorojnë karrierën, Xheneta është tashmë një nga zërat më premtues në Microsoft dhe një arkitekte transformimesh të mëdha përmes AI dhe cloud computing.
Por, historia e saj nuk nis në një laborator teknologjik, ajo nis në dhomën e saj të vogël, me një kompjuter të vjetër dhe një ëndërr të madhe. Në këtë rrëfim të sinqertë dhe frymëzues, Xheneta na tregon se si pasioni, guximi dhe dëshira për të sjellë ndryshim mund të hapin dyert e botës. Dhe se teknologjia ka nevojë për më shumë vajza si ajo.
Na fol pak për backgroundin tënd personal dhe profesional. Si lindi dëshira për t’iu futur teknologjisë?
Teknologjia ka qenë gjithmonë pasioni im – një botë pa kufij, ku idetë kthehen në zgjidhje dhe mundësitë janë të pafundme. Që kur isha fëmijë, kam “hulumtuar” në kompjuterin tonë të vjetër, kam shkruar programet e para dhe isha “personi teknik” për familjen dhe miqtë. Kur kishte një problem, pyetja ishte shpesh: “Xheneta, a mund të ndihmosh?” Këto përvoja të hershme më mësuan se teknologjia nuk përbëhet vetëm nga algoritme, por, mbi të gjitha, nga zgjidhje që fuqizojnë njerëzit. Rruga ime drejt fushës STEM nuk ishte një vendim i thjeshtë, por një zhvillim i natyrshëm i pasionit tim për zgjidhjen e problemeve. Sot, jetoj me këtë pasion duke ndihmuar kompanitë të transformohen me teknologji inovative, AI dhe zgjidhje cloud dhe në të njëjtën kohë, duke ndarë njohuritë e mia për të mbështetur të tjerët në rrugëtimin e tyre drejt botës së teknologjisë.
Cilat janë sfidat më të mëdha që ke hasur si një grua e re në teknologji dhe si i ke tejkaluar ato?
Teknologjia jeton nga diversiteti – nga idetë, përvojat dhe zërat që bashkohen për të formuar të ardhmen. Për mua është e rëndësishme të jem kurioze, të kap mundësitë dhe të punoj me njerëz, që sjellin perspektiva të ndryshme. Në një fushë kaq dinamike dhe sfiduese si teknologjia, vetëbesimi dhe guximi janë thelbësore për të ecur përpara dhe për të fuqizuar të tjerët. Kjo është mënyra ime, si një vajzë e re, për të krijuar ndikim dhe për të ndarë pasionin tim për inovacionin.
Së fundmi je vlerësuar edhe me një çmim shumë me vlerë. Si e ndjen përgjegjësinë që vjen me titullin “Top Young Women Engineer of Germany 2025”?
Ky titull është një nder i madh dhe një përgjegjësi, që e marr me krenari. Për mua, ai përfaqëson jo vetëm një vlerësim për arritjet e mia, por edhe një mundësi për të frymëzuar dhe fuqizuar të tjerët veçanërisht gratë dhe vajzat e reja, që ëndërrojnë për një karrierë në teknologji. Teknologjia është gjuha jonë universale ajo lidh, transformon dhe fuqizon. Prandaj, e shoh këtë çmim si një thirrje për të vazhduar të përmirësohem, të jem kurioze dhe të krijoj ndikim të qëndrueshëm. Jam mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe mezi pres të vazhdoj të sjellë ndryshim në këtë industri të jashtëzakonshme.
Mund të na tregosh më shumë për iniciativat sociale, që ke ndërmarrë brenda dhe jashtë Microsoft?
Ndaj pasionin tim për teknologjinë me bindjen se dijet kanë vlerë vetëm kur ndahen dhe fuqizojnë të tjerët. Si mësuese e Digital Skills në ReDi Digital School of Innovation në Mynih, kam pasur privilegjin të ndihmoj gratë me histori migrimi të fitojnë aftësi thelbësore dixhitale. Si mentore në programe si SkillHer AI Initiative dhe Women in Business në universitetin tim alma mater LMU, mbështes vajzat e reja, që ndjekin karrierat e tyre në fushat STEM, duke i inkurajuar të besojnë në potencialin e tyre dhe të ndjekin pasionet e tyre. Jashtë botës së teknologjisë, përmes projekteve sociale si dhurimi i materialeve shkollore dhe librave për shkollat fillore të fëmijëve refugjatë, shpërndarja e dhuratave për fëmijët në nevojë dhe ndihma për ndërtimin e protezave të dorës për njerëzit në Gana, kam pasur mundësinë të jetoj pasionin tim për të ndihmuar të tjerët.
Çfarë e motivon Xhenetën përtej kodit dhe algoritmeve?
Përtej kodit dhe algoritmeve, e kam bërë pasionin tim profesion – të fuqizoj të tjerët përmes teknologjisë.
Çfarë mesazhi ke për vajzat e reja shqiptare, që ëndërrojnë të hyjnë në botën e teknologjisë?
Besoni në potencialin tuaj. Mos kini frikë të provoni, të bëni pyetje dhe të mësoni vazhdimisht. Ju jeni të fuqishme, kreative dhe të afta për të formësuar të ardhmen dhe bota e teknologjisë ka nevojë për zërin tuaj. Bëhuni të guximshme dhe besoni se gjithçka është e mundur!
Si mendon se mund të ndërtojmë ura mes diasporës dhe talenteve në Shqipëri e Kosovë në fushën e teknologjisë?
Ndërtimi i urave mes diasporës dhe talenteve në Shqipëri dhe Kosovë në fushën e teknologjisë kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe ndarje të njohurive. Platforma si kjo dhe krijimi i komuniteteve ku profesionistët shqiptarë nga diaspora ndajnë përvojat, idetë dhe mundësitë e tyre me talentet e reja në vendlindje janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Programet e mentorimit dhe trajnimet mund të krijojnë lidhje të forta dhe të inkurajojnë inovacionin. Një tjetër qasje është ndërtimi i rrjeteve të fuqishme profesionale që lidhin talentet për të krijuar mundësi të përbashkëta për rritje dhe zhvillim. Teknologjia është gjuha jonë e përbashkët dhe, me një qasje të hapur dhe të guximshme, mund të krijojmë një ekosistem të qëndrueshëm dhe të fuqishëm, që mbështet inovacionin shqiptar kudo në botë.