Bajram Dervishaj ka lindur më 15 janar 1967 në fshatin Racaj dhe është rritur në Gjakovë. Deri në vitin 1991 ka punuar si ekonomist për disa vite në ndërmarrjen “KBI Ereniku” në Gjakovë. Në po atë vit, përmes Profesor Dr. Bardhyl Çaushit, ishte ndër të parët vullnetarë që shkoi për t’u regjistruar në Akademinë Ushtarake në Shqipëri, ku qëndroi në kampin ushtarak 53/50 në Labinot të Elbasanit deri në vitin 1993. Që nga gjysma e vitit 1993, iu bashkua Shtabit Operativ nën organizimin e Profesor Halil Alidemës (UNIKOMBI). Pas vitit 1994, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, bashkëpunoi ngushtë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga e cila mori edhe mbështetje financiare për disa vite me radhë. Dervishaj është shprehur shpesh se “falë SHBA-së, ne ekzistojmë si komb”.
“Vendimi për luftë“: I njohur me nofkën “Bami”, ai ruan kujtime të paharrueshme nga vitet e rinisë dhe përgatitjet e shumta ushtarake në Shqipëri. Konsiderohet një “enciklopedi e gjallë” e fakteve dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës. Dervishaj është dëshmi e gjallë e vështirësive dhe sabotimeve të organizuara ndaj grupeve ushtarake dhe vullnetarëve të lirisë, veçanërisht nga figurat si: Ali Aliu, Bujar Bukoshi dhe Mehmet Kraja, të cilët, siç dihet, i lanë rrugës këto grupe pavarësisht marrëveshjeve të bëra paraprakisht. Qëndrimi i tij në Shqipëri zgjati deri në shkurt të vitit 1998. Aktiviteti i tij ushtarak në mbrojtje të institucioneve shqiptare është i njohur dhe i dokumentuar.
Bajram Dervishaj ishte i papërshtatshëm për strukturat që sabotonin UÇK-në dhe, për këtë arsye, ndiqej në Tiranë nga grupe të lidhura me disa banda dhe oficerë të ish-Jugosllavisë, të cilat vepronin nën ndikimin e Bujar Bukoshit dhe Ali Aliut, përfaqësues zyrtarë të atëhershëm të Qeverisë së Kosovës në mërgatë. Këto struktura vepronin në mënyrë të organizuar për të penguar çdo veprimtari atdhetare dhe luftëtarë për çlirim. Falë ndihmës së disa bashkëluftëtarëve, Dervishaj arriti të shmangte disa rrethime të rrezikshme, që kishin për qëllim eliminimin fizik të tij. Babai i tij kishte qenë ushtarak në ish-sistemin e Jugosllavisë dhe ishte burgosur për shtatë vite nga regjimi serb në kohën e Aleksandër Rankoviqit, në vitet ’60. Aktualisht, Bajram Dervishaj jeton në Zvicër me familjen e tij.
Ai ishte pjesë e grupit të parë të organizuar për stërvitje ushtarake në kampin e Labinotit në Elbasan. Udhëtimi i tij drejt Shqipërisë nuk ishte i rastësishëm, por kishte një qëllim madhor. Në familjen e tij në Gjakovë, të gjitha çështjet politike dhe kombëtare diskutoheshin hapur. Situata politike në Kosovë, sidomos në vitet ’80, ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe shumë të rinj shqiptarë që rekrutoheshin në ushtrinë e ish-APJ-së po ktheheshin të vdekur në arkivole. Në këto rrethana, ai arriti të shmangte këtë shërbim ushtarak përmes shfrytëzimit të hapësirave ligjore, duke u regjistruar për studime në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1985, Dervishaj punonte si ekonomist në Drejtorinë e firmës “KBI Erenik” në Gjakovë, ndërkohë që studionte me korrespondencë në universitet. Kur mori ftesën për shërbim ushtarak, e kuptoi se ishte përballë një rreziku të madh për jetën, pasi shumë ushtarë shqiptarë po vriteshin. Kjo nuk ishte një luftë që i përkiste popullit shqiptar, ndaj vendosi ta dezertonte ushtrinë e ish APJ-së, duke kërkuar një rrugë tjetër të re për të kontribuar për çlirimin e vendit.
“Kur liria thërret“: Megjithatë, dëshira për t’u përgatitur në fushën ushtarake kishte qenë gjithmonë një qëllim i tij, të cilin ëndërronte ta realizonte në Shqipëri. Në vitet ’90, filluan të intensifikohen lëvizjet dhe komunikimi politik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1991, përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ai u pajis me dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Shqipëri. Kjo është një rrugë që me të drejtë përshkruhet si e mbushur me shumë sakrifica. Në lidhje me rrethanat e përfshirjes së tij në këtë lëvizje, Dervishaj ka treguar se kishte dijeni se Profesor Bardhyl Çaushi ishte kryetar i LDK-së në Gjakovë dhe një figurë me të cilin ndante afërsi fizike dhe respekt personal.
Pas vendimit, iu drejtua Bardhyl Çaushit, së bashku me Ali Pepshin, në shtëpinë e tij. Në atë takim, Çaushi ishte i kujdesshëm dhe i drejtohej Dervishajt me fjalët: „Unë kam dy djem, por as atyre nuk u kam thënë gjë për këtë çështje. Kjo nuk është detyrim, është çështje vetëdijeje. Vendos vetë, sepse në Shqipëri janë duke u përgatitur oficerët.” Pas një bisede të gjatë, Bardhyl Çaushi e informoi se ekzistonte një përfaqësi e LDK-së në Tiranë dhe menjëherë e pajisi me dokumentacionin e nevojshëm. Ishte vjeshtë e vitit 1991, një kohë me acar dhe paqartësi, por me një vendosmëri të thellë për të kontribuar për çështjen kombëtare.
Udhëtimi për në Shqipëri dhe kalimi i kufirit: Në natën kur vendosi të nisej për Shqipëri, Bajram Dervishaj mori rrugën malore në mënyrë ilegale. Në këtë udhëtim të rrezikshëm nuk ishte i vetëm. E shoqëronte Ramë (Osman) Dervishaj, kushëri i afërt dhe burrë në moshën 65-vjeçare, së bashku me një të afërm tjetër, Rexhep Bukolla, një burrë rreth 80 vjeç, nga fshati Babaj i Bokës, nip i Ramë Dervishajt. Grupi e kishte të qartë se po hynin në Shqipëri jashtë çdo rruge zyrtare, në një kohë kur kufiri ishte rreptësisht i kontrolluar dhe rreziku për jetën ishte shumë i madh. Rexhepi kishte probleme me ecjen, pasi vuante nga dhimbje të forta në këmbë, gjë që e ngadalësonte ndjeshëm ritmin e ecjes. Për të kaluar kufirin në zonën e Zogajve, grupit iu deshën plot 14 orë në kushte shumë të vështira klimatike dhe fizike. Adresa që kishte me vete Dervishaj ishte e Ali Pepshit, i cili kishte familjarë në Tropojë, konkretisht në Viçidol.
Pas sakrificash të shumta dhe lodhjes së madhe, arritën në destinacionin e parë: te familja Qelaj në Tropojë. Kjo familje i priti me mikpritje të ngrohtë dhe bujari tradicionale. Bajram Dervishaj qëndroi aty për katër ditë, duke u rimarrë disi nga lodhja e rrugës. Kur vendosi të nisej për në Tiranë, familja Qelaj nuk e la të udhëtonte vetëm dhe e shoqëroi deri në kryeqytet. Edhe rruga për në Tiranë nuk ishte pa vështirësi. Gjatë udhëtimit, kur kaluan lumin me anije dhe zbritën në një zonë ku ndodhej një tunel, u përballën me refuzim të hapur nga autoritetet. Ndërsa përpiqej të futej në autobus, një oficer e ndaloi dhe i tha prerë: “Zbrit poshtë, për ju nuk ka vend”. Dervishaj dhe shokët e tij detyrohen të kalojnë tërë natën në hyrje të tunelit, nën qiellin e hapur.
Të nesërmen në mëngjes, një taksi nga Shkodra ndaloi pranë tyre. Shoferi u habit kur i pa tre persona në rrugë dhe, pasi dëgjoi historinë e tyre, i mori me mirësi dhe i çoi në Shkodër pa kërkuar asnjë pagesë. Pas këtij gjesti solidariteti, Bajram Dervishaj vazhdoi rrugën drejt Tiranës, ku menjëherë u paraqit në përfaqësinë e Republikës së Kosovës, e cila ndodhej në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Në zyrë takoi Ali Aliun, një nga figurat e njohura të LDK-së, që atëherë ruhej nga ushtarë.
Edhe pse ishte i lodhur dhe emocionalisht i ngarkuar pas ditëve të gjata të udhëtimit, e ndjeu që kishte mbërritur në një pikë kthese të rëndësishme të jetës. Përvoja e tij me pritjen në Tiranë nuk ishte ajo që kishte shpresuar. Situata ishte e vështirë dhe përplot keqkuptime, çka i shkaktoi zhgënjim. Ai e kujtonte me ironi të hidhur thënien popullore të Dervish Shaqës: “E lash borë, e gjeta dimër.“
Megjithatë, ai arriti qëllimin e tij, sepse ishte futur në Shqipëri dhe tashmë ndodhej në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësinë e Kosovës, ku do të fillonte një kapitull i ri në rrugëtimin e tij për përgatitje ushtarake dhe përfshirje aktive në lëvizjen për çlirim.
Përplasja me realitetin në Tiranë, nga zhgënjimi deri te përjashtimi… “Me gjoks për Atdhe“: Pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë, plot sakrifica dhe rreziqe, Bajram Dervishaj më në fund mbërriti në Tiranë, ku shpresonte të gjente përkrahje institucionale dhe një orientim të qartë për të realizuar qëllimin e tij: regjistrimin në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Por realiteti që e priste në përfaqësinë e Republikës së Kosovës, e cila ndodhej në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ishte krejt i kundërt me atë që kishte imagjinuar. Takimi me Ali Aliun, përfaqësuesin zyrtar të LDK-së në atë zyrë, ishte një moment i rëndë dhe thellësisht zhgënjyes. Dervishaj e kujtonte me hidhërim atë bisedë të shkurtër, ku nuk u trajtua as si njeri, e lëre më si përfaqësues i një ideali që i kishte kushtuar gjithçka.
Ai kishte me vete dokumentacionin e plotë të LDK-së, të siguruar që në Gjakovë, përfshirë edhe propozimin zyrtar për regjistrim në Akademinë Ushtarake, por kjo nuk kishte asnjë vlerë për zyrtarin që e priti me ftohtësi, indiferencë dhe arrogancë. Pasi doli i mërzitur dhe pa asnjë orientim nga përfaqësia, u nis për në Qytetin Studenti në kërkim të një strehë. Edhe atje gjendja ishte kaotike, plot rrëmujë dhe mungesë strukture. Ai e përshkroi si një ambient pa shtet, ku çdo gjë funksiononte në mënyrë të rrëmujshme dhe të pashpresë. Dallohej menjëherë si “kosovari”, ndryshe nga të tjerët, dhe kjo e vendoste atë në një pozitë të vështirë sociale. Të nesërmen u nis për në Elbasan, me shpresën se do të gjente përkrahje te të afërmit e gjyshit të tij.
Megjithëse kishte mundësi financiare për të mbijetuar në kushte dinjitoze për disa vite, edhe këtu hasi në një mur refuzimi. Pasi qëndroi pak kohë në banesën e tyre, ata i thanë troç: “Nuk e kemi bërë shtëpinë për refugjatë”. Dervishaj u largua menjëherë, i fyer dhe i zhgënjyer, dhe nuk i kontaktoi më kurrë. Me atë ditë, i kishte “fshirë” nga kujtesa dhe jeta e tij. Rruga e vetme që i mbeti ishte shkolla pedagogjike në qytet. Aty takoi Sali Suricën, kryetar konvikti në atë kohë, i cili ishte një burrë i rregullt, i veshur me kostum dhe shumë i sjellshëm. Ai e mirëpriti dhe e akomodoi menjëherë, duke e çuar në një dhomë të vogël konvikti për meshkuj. Edhe pse hapësira ishte shumë e kufizuar, rreth 2.70 x 1.70 metra, por për Bajramin ajo dhomë ishte si një botë e re, një strehë pas gjithë atyre ditëve të mbushura me refuzime dhe përbuzje.
Por, kjo nuk zgjati shumë. Të nesërmen në mëngjes, drejtori i shkollës e thirri përpara një grupi të madh nxënësish dhe, me tone kërcënuese, i bëri një paralajmërim të padrejtë dhe të turpshëm: “Vetëm një fjalë po i the ndonjë goce, do të përjashtohesh menjëherë!”. Ishte një përballje tjetër me paragjykimin dhe mentalitetin e asaj kohe, por pavarësisht kësaj, Dervishaj u përfshi shpejt në jetën e konviktit. Sjellja e tij, komunikimi korrekt dhe etika në marrëdhënie bënë që të fitojë respektin e të gjithë nxënësve dhe stafit. Kjo ndjesi e përkatësisë, megjithëse e vonuar, u ndërpre papritmas pas rreth dy muajsh.
Kur më në fund ndjeu se po përshtatej me ambientin, drejtori i njëjtë e thirri dhe i tha shkurt: “Ik tani, mos të shoh më këtu”. Pa asnjë shpjegim, pa ndonjë arsye të argumentuar, thjesht u përjashtua nga konvikti dhe u hodh në rrugë. Ishte një goditje tjetër në një seri zhgënjimesh që i kishin ardhur nga njerëz dhe institucione, që në teori, duhej ta kishin përkrahur.
E vërteta është se pas premtimit, ishte një dështim i organizuar: Që në fillim, Bajram Dervishaj nuk ishte informuar për të papriturat që e prisnin në Shqipëri. Në Gjakovë, përfaqësuesit e LDK-së i kishin thënë qartë se do ta ndihmonin të regjistronte (dhe ta kryente) Akademinë Ushtarake në Tiranë. Asnjë fjalë nuk ishte thënë për ndonjë pengesë ligjore apo burokratike. Por sapo arriti ai në Tiranë, mësoi se për t’u regjistruar duhej të kishte shtetësinë shqiptare, një kusht që ai nuk e përmbushte. Në fakt, ishte kandidati i parë që u paraqit për këtë proces, dhe për këtë arsye dështimi i tij ishte dëshmi e parë se LDK-ja nuk kishte asnjë marrëveshje konkrete me shtetin shqiptar për pranimet në Akademinë Ushtarake.
Përfaqësuesi i saj, Ali Aliu, nuk kishte ndërtuar asnjë kanal bashkëpunimi me autoritetet vendore, ndërkohë që në opinion përhapej fjala se “përgatitjet kishin filluar”. Kjo propagandë i shërbente më shumë ambicieve politike sesa një organizimi të mirëfilltë ushtarak. Për Bajramin, i gjithë ky udhëtim nuk ishte as aventurë, as arratisje, ishte një përpjekje e sinqertë për t’i shërbyer vendit të vet përmes përgatitjes ushtarake. Por në vend të mundësisë, ai hasi vetëm në pengesa, arrogancë dhe refuzim. Në fund, jo vetëm që nuk iu dha as mundësia minimale për t’u regjistruar, por u përball edhe me sjellje fyese dhe përçmuese nga përfaqësues të vetëshpallur si udhëheqës të lëvizjes politike dhe kombëtare.
Elbasani, fillimi i vështirë dhe rrugëtimi drejt Labinotit: Pas zhgënjimeve të para në Tiranë dhe përjashtimit nga konvikti ku ishte vendosur, Bajram Dervishaj vendosi të kthehej në Elbasan, në një përpjekje për të rindërtuar një fillim të ri. Por jeta atje rezultoi edhe më sfiduese. Klima shoqërore në fund të vitit 1991 ishte e mbushur me paragjykime. Kosovarët nuk shiheshin me sy të mirë. Shpeshherë, njerëzit i etiketonin si të dërguar nga UDB-ja jugosllave. Kjo krijonte një atmosferë përçmimi dhe përjashtimi që e bënte thuajse të pamundur vendosjen në ndonjë lagje apo shoqëri të zakonshme.
Në këtë situatë të rëndë, Dervishaj iu drejtua drejtorit të atëhershëm të Komisariatit të Elbasanit, Mit’hat Havarit. Ai e priti me mirëkuptim dhe i përpiloi një dokument të shkruar ku thuhej se “ky i plotëson të gjitha kushtet për të marrë statusin e refugjatit”, por në të njëjtën kohë pranoi se nuk dinte si të vepronte më tej, sepse ishte rasti i parë që një kosovar paraqitej në këto rrethana. Dervishaj i shpjegoi qartë se qëllimi i tij ishte regjistrimi në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, por i mungonte një kusht thelbësor, i mungonte shtetësia shqiptare. Reagimi i Havarit ishte i menjëhershëm: ai kontaktoi drejtpërdrejt me kryeministrin e asaj kohe, Aleksandër Meksi. Brenda 48 orëve, me urdhër të posaçëm, Bajram Dervishaj fitoi shtetësinë shqiptare.
Pasaportën me numrin 235123 do ta mbante mend përjetë, ndonëse më vonë do të pajisej me pasaportë zvicerane, numrin e së cilës nuk do ta kujtonte kurrë. Ky ishte një nga ato detaje simbolike, por të ndieshme, që nguliten në ndërgjegjen e njeriut përjetësisht. Megjithatë, edhe pse kishte marrë shtetësinë, rruga nuk ishte e qartë. Nuk kishte asnjë informacion të saktë mbi hapat që duheshin ndjekur më tej. Kur i drejtohej njerëzve për ndihmë apo udhëzim, ata ose nuk dinin, ose shmangeshin, ose thjesht nuk flisnin.
Pas disa përpjekjesh të dështuara, një zyrtar në Komitetin Ekzekutiv të Elbasanit, z. Ndriçim Allai, i tha hapur se gjendja në vend ishte katastrofike. Vetë ministri i financave i asaj kohe kishte deklaruar publikisht se Shqipëria kishte rezerva ushqimore vetëm për disa ditë. Në këto kushte, ai nuk mund të ofronte ndihmë konkrete, por e orientoi Dervishajn drejt një reparti ushtarak në Labinot, ku sipas tij ishin strehuar kohët e fundit edhe disa të rinj të tjerë nga Kosova.
I shoqëruar nga zyrtarë të Komitetit, me një respekt të veçantë, Bajrami u dërgua me makinë drejt repartit ushtarak të Labinotit. Në momentin që hyri në ambientet e kampit, u përball me një realitet të trishtë: godina të shkatërruara, dyer dhe dritare të thyera, infrastrukturë në gjendje mjerane, dushe të hapura pa asnjë privatësi, dhe një nivel ushqimi të dobët. Gjithçka ngjante me një kamp të braktisur. Ai e përshkruante atë banim si një vend që as kampet naziste nuk do ta kishin pasur atë nivel të rrënimit. Por pavarësisht gjithçkaje, vendosi të qëndronte. Ishte i lodhur nga pritshmëritë e thyera dhe tha me vete: “Me të gjithë bashkë, edhe unë si të gjithë të tjerët, le të dalë ku të dalë.”
Në këtë repart kishte rreth 15-16 ushtarë nga Shqipëria dhe disa oficerë, si dhe një numër në rritje të të rinjve nga Kosova. Fillimisht ishin vetëm shtatë apo tetë vetë. Ndër ta, gjeti edhe bashkëkombasit D. S. dhe H. M. , të cilët kishin mbërritur më herët. Më vonë iu bashkuan edhe Milaim Selimi dhe A. N., Numri i tyre vazhdoi të rritej dita-ditës deri sa u mbushën plot katër kapanone, me afro 270 të rinj. Por, megjithë këtë numër të madh, në repart nuk kishte as strukturë, as aktivitet ditor, as program trajnimi. Të gjithë jetonin në një pritje pa fund, pa ditur çfarë do të sillte dita tjetër. Ishte marsi i vitit 1992, dhe koha kalonte në pasiguri të plotë. Pas shumë javësh, ata vendosën të hartonin një kërkesë me shkrim për të filluar ndonjë aktivitet. Pas kësaj kërkese, u lejuan të dilnin për katër orë në javë në qytetin e Elbasanit.
Dervishaj, i cili ishte mjeshtër i karatesë, hapi një klub sportiv dhe filloi të trajnonte të rinjtë vendës një herë në javë. Ky aktivitet i solli njëfarë dinjiteti dhe ndikimi pozitiv brenda komunitetit lokal. Por, qëndrimi i tyre nuk do të zgjaste shumë. Në vitin 1993, filluan të largoheshin grup pas grupi nga reparti. Sipas asaj që qarkullonte në ambientet e kampit, ishte dhënë urdhër nga Mehmet Kraja, zyrtar i përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, që ky repart të mbyllej. Ky urdhër thuhej se ishte marrë nga vetë Bujar Bukoshi, Kryeministër i Republikës së Kosovës në ekzil.
Arsyeja zyrtare nuk u dha kurrë, por pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash, edhe ky organizim u shpërbë, pa një strukturë të qartë, pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie. “Pavarësisht shpërbërjes së organizimit për të cilin kishte dhënë shumë nga vetja, Bajram Dervishaj mbeti i palëkundur në bindjet e tij. Ai e pa këtë vendim, jo si fundin e rrugës, por si një dëshmi të vështirësive që përcjellin idealet e mëdha, në momente kur mungon përkushtimi i përbashkët dhe vullneti politik. Në kujtesën e bashkëveprimtarëve të tij, ai mbeti një njeri i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, që veproi me ndershmëri edhe kur rruga ishte e mjegullt dhe mbështetja e pakët.”
Bajram Dervishaj: „Përsëri nuk u ktheva prapa“…
“Gjatë viteve të ’90-ta, në përpjekjen për çlirim dhe vetëvendosje, lëvizja politike dhe ajo kombëtare shqiptare në Kosovë u përball me dallime të mëdha në qasje dhe strategji. Në këtë periudhë vendimtare, u shfaqën dy rryma kryesore që ndonëse kishin një qëllim të përbashkët, ndryshonin thellësisht në mënyrën se si e konceptonin rrugën drejt lirisë.“
Këto ndarje nuk ishin vetëm taktike, por reflektonin thellësisht dallime filozofike për mënyrën e qasjes ndaj pushtimit serb: ndërsa njëra palë e shihte domosdoshmërinë e një ushtrie mbrojtëse si pjesë e pashmangshme e lirisë, pala tjetër besonte në rezistencë pasive dhe ruajtje të strukturave shtetërore në ekzil. Në këtë sfond, Mr. Halil Alidema themeloi UNIKOMB-in, fillimisht në Kosovë, më vonë edhe në disa vende të Evropës Perëndimore, duke e institucionalizuar vizionin për një organizim të mirëfilltë ushtarak të mërgatës dhe atdheut.
Përkundër përpjekjeve të qarta të Alidemës dhe mbështetësve të tij për të krijuar një platformë mbrojtjeje kombëtare, pjesa drejtuese e LDK-së nuk e përqafoi këtë vizion. Përkundrazi, ajo vazhdoi një linjë politike më të butë, të përqendruar në ndërtimin e institucioneve paralele dhe në ruajtjen e imazhit të moderuar ndërkombëtar. Megjithatë, me këtë qëndrim, LDK-ja jo vetëm që e bllokoi ndihmën dhe mbështetjen për përgatitjet ushtarake, por në disa raste u përfshi edhe në propagandë të drejtpërdrejtë kundër këtij vizioni, duke e paraqitur si ekstremist apo aventurist.
Ironikisht, pavarësisht këtyre përplasjeve të brendshme, LDK-ja ruajti besueshmërinë te një pjesë e madhe e popullit, falë propagandës së kujdesshme dhe mungesës së informimit të gjerë për alternativat e tjera. Për më tepër, fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në emër të shtetit paralel dhe rezistencës ndaj okupimit serb, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk u përdorën për mbrojtje apo përgatitje ushtarake, por për qëllime të tjera politike dhe ekonomike, sidomos pas luftës duke financuar fushata elektorale dhe interesa private të lidershipit të asaj kohe.
Pas afro një viti e gjysmë qëndrimi në Shqipëri, ndërsa situata në repartin ushtarak të Labinotit po bëhej gjithnjë e më e paqartë, Bajram Dervishaj, së bashku me Milaim Selimin dhe tre kolegë të tjerë nga grupi i ushtarakëve të stërvitur në atë repart, vendosën të kërkonin mbështetje të drejtpërdrejtë nga vetë Qeveria e Kosovës në ekzil. Ata arritën të siguronin një takim zyrtar me Kryeministrin e atëhershëm në ekzil, Bujar Bukoshi, në vilën që dikur kishte qenë e Enver Hoxhës në Tiranë.
Shpresa e tyre ishte që në këtë takim të merrnin konfirmim për një drejtim të qartë për vazhdimin e përgatitjes ushtarake, në një kohë kur po qarkullonin zëra për mbylljen e repartit. Por takimi mori një kthesë të papritur dhe të hidhur. Sipas dëshmisë së Dervishajt, Bujar Bukoshi kishte treguar një përbuzje të hapur ndaj kërkesave të tyre, duke deklaruar prerë: “Po ju çfarë kërkoni tani? Luftë nuk ka për të pasur kurrë në Kosovë. Ikni dhe mos t’ju shoh kurrë më në Shqipëri.”
Këto fjalë, që për të rinjtë e stërvitur me ideal për çlirimin e vendit përbënin një shok dhe mohim të hapur të çdo përpjekjeje atdhetare, sollën një reagim të fortë. Milaim Selimi, i revoltuar, reagoi me fjalë të rënda ndaj Bukoshit, duke e akuzuar për tradhti ndaj misionit kombëtar. Ishte një moment i tensionuar që shënoi thellimin e krizës së besimit mes ushtarakëve të rinj dhe strukturave zyrtare të qeverisë në ekzil.
Bashkangjitja në Unikomb dhe vazhdimi i stervitjeve ushtarake në Tiranë: Pas këtij incidenti zhgënjyes, Milaim Selimi kontaktoi me një figurë të re dhe shpresëdhënëse për ta: Mr. Halil Alidema, një intelektual dhe veprimtar i njohur politik, që po përpiqej të krijonte një alternativë reale të organizimit ushtarak për çlirimin e Kosovës. Milaimi solli lajmin te grupi: kishte takuar një njeri që nuk fliste me dyshim, por me vendosmëri dhe vizion. Ata u takuan së bashku me Halil Alidemën në pranverë të vitit 1993. Në këtë takim morën pjesë edhe Shpëtim Drini (i njohur si Ruzhdi Saramati) dhe Safet Sadiku.
Takimi u zhvillua me sinqeritet dhe vendosmëri. Në fillim, Alidema i drejtohet Bajram Dervishajt me një pyetje që nxorri edhe një dozë skepticizmi tipik për kohën: “Çuni, nga je ti?” “Nga Gjakova,” i përgjigjet Dervishaj. “Nga ju gjakovarët nuk ka gjë?!” pyeti Alidema. Por Dervishaj ia ktheu me bindje: “Unë jam ai gjakovari që i qëndrova besnik deri në fund.” Me këtë deklaratë nisën kapitullin e ri. Me përfshirjen në UNIKOMB, grupi hyri në një fazë të re: stërvitje intensive, me disiplinë të hekurt, por në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ata jetonin në izolim total, me mungesë ushqimi dhe mungesë infrastrukture.
Ushtrimet ishin të përditshme dhe të rënda, të zhvilluara nën drejtimin e një profesionisti me pseudonimin “Maksi” — një ish-komando i kohës së Enver Hoxhës, që kishte për detyrë të ndërtonte jo vetëm trupin, por edhe shpirtin luftarak. Për Bajram Dervishajn, një karateist i përgatitur fizikisht, këto nuk ishin të papërballueshme, por vuajtjet e shumta, mungesa elementare dhe ndjenja e braktisjes nga strukturat zyrtare i kishin lënë gjurmë të thella.
Në këtë përgatitje, ata ishin kthyer në “makina lufte”, siç i përshkruan vetë Bajrami. Ata nuk e dinin se çfarë ishte frika, nuk kishin më iluzione politike dhe as pritje nga askush. Pas disa muajsh trajnim, UNIKOMB kishte arritur të formësonte një bërthamë të përkushtuar luftëtarësh, ndonëse larg syrit të politikës zyrtare dhe shpeshherë në përballje të heshtur me të. Ndërprerja e ushtrimeve ushtarake nën organizimin e Unikombit, u konfirmua zyrtarisht nga vetë Halil Alidema, duke shënuar kështu fundin e një faze përgatitore që ishte mbushur me entuziazëm, por që përfundoi me zhgënjim të thellë.
Ky vendim erdhi pas një periudhe disa mujore angazhimi intensiv të një grupi të rinjsh nga Kosova, përfshirë edhe Bajram Dervishajn, të cilët kishin hyrë në këtë iniciativë me bindje të plotë se po përgatiteshin për t’i shërbyer çështjes së lirimit të vendit. Sipas rrëfimit të Dervishajt, ajo që e kishte lënduar më së shumti ishte fakti se që në fillim, përveç përkushtimit fizik, anëtarët e grupit kishin dorëzuar dokumentacion personal dhe fotografi, të cilat u morën nga Halil Alidema dhe Ruzhdi Saramati, në praninë e Safet Sadikut. Ky dokumentacion më pas ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk u kthye më kurrë në duart e pjesëmarrësve, çka shtoi dyshimet për mungesë serioziteti institucional dhe përgjegjësie.
Për më tepër, Halil Alidema kishte dhënë një premtim solemn: në rast të ndonjë përshkallëzimi apo përplasje të armatosur, familjet e secilit pjesëtar do të mbroheshin dhe do të kishin mbështetje “brez pas brezi”. Për Bajramin, ky premtim nuk ishte vetëm verbal, por një garanci morale që e kishte shtyrë të përkushtohej pa rezerva. Megjithatë, realiteti tregoi të kundërtën. Nuk kishte as luftë, as aksione, dhe mbi të gjitha, asnjë lloj përkujdesjeje për prapavijën familjare të këtyre të rinjve që i besuan kësaj organizate me sy mbyllur.
Fundvjeshta e vitit 1993 shënoi edhe mbylljen e heshtur të kësaj përpjekjeje. Edhe pas shpërndarjes, anëtarët e grupit qëndruan për një kohë në kontakt, me shpresën se premtimet për mbështetje financiare do të realizoheshin dhe stërvitjet do të rifillonin. Por, asgjë nuk ndodhi. Kohë pas kohe, lidhjet mes anëtarëve filluan të zbehen, dhe me kalimin e viteve, kjo periudhë u kthye në një kujtim të rëndë të një përpjekjeje që u mbyt mes premtimeve të pambajtura, heshtjes dhe zhgënjimit.
Në një periudhë të pasigurisë dhe pas një periudhe të gjatë pa mbështetje, ai (Bajram Dervishaj) e gjeti veten duke përballuar pasojat e një dështimi të madh politik dhe ushtarak. Kosova e kishte harruar dhe Qeveria e Bukoshit e kishte përdorur grupin e tij si një mjet eksperimentimi dhe propagande. Ata që morën rrogën nga Qeveria Bukoshi, përfshirë ata që kishin mundësi për të hapur biznese, ishin martuar ose krijuar marrëdhënie personale në jetën sociale, ishin në një pozicion më të sigurt dhe të privilegjuar, ndërsa grupi i tij mbeti pa mbështetje dhe të vetmit që kërkonin të organizonin luftën.
Pas kësaj, Bajram Dervishaj filloi të kërkonte mundësi për të siguruar një të ardhme aty dhe të mbijetonte. Ai u drejtua te miqtë e tij në Tiranë, dhe një nga mbështetësit e parë të tij ishte miku i ngushtë, z. Përparim Lamaj, i cili i ofroi një mundësi pune si menaxhues në një restorant për disa muaj. Megjithatë, ai ende kishte shpresa për të vazhduar me ëndrrën e tij ushtarake dhe të shkonte në Akademinë Ushtarake në Tiranë, duke ruajtur shpresën se mund të kontribuonte për një të ardhme të afërt më të mirë për Kosovën.
Një ditë, gjatë një takimi të zakonshëm me miqtë në një kafe në Parkun Rinia të Tiranës, një burrë i panjohur, i cili doli të ishte francez me gradë nënkolonel, iu drejtua Dervishajt dhe i ofroi mundësinë për t’u transferuar në Francë për të shërbyer në ushtrinë franceze. Dervishaj refuzoi këtë mundësi, duke theksuar se nuk kishte ardhur në Shqipëri për t’i shërbyer një shteti të huaj.
Megjithatë, pas kësaj bisede dhe pas reflektimit të tij, Dervishaj mori vendimin për t’u drejtuar në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për të kërkuar mundësi të tjera. Në ambasadë, ai u prit mirë dhe pas një bisede të shkurtër, iu ofrua një mundësi financiare dhe mbështetje mujore, si dhe një pyetje se nëse dëshironte të shkonte në SHBA ose të qëndronte në Shqipëri. B. Dervishaj vendosi të mbetej në Shqipëri, duke e refuzuar mundësinë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte një periudhë e vështirë për të, por që i mundësoi të vazhdojë jetën në Shqipëri, megjithëse pa një rrugë të qartë për të ardhmen.
Por, çfarë është harruar pa u thënë për Bajram Dervishaj?
Gajtë bisedës sonë kuptuam se Ali Pepshi ishte daja i Bajram Dervishajt, i cili, gjatë kohës së luftës, edhe pse kishte familje dhe katër fëmijë, vendosi të futej në luftë. Pas luftës, ai la rrobat ushtarake dhe iu kthye profesionit të tij në arsim. Aliu, siç e kam përmendur më lartë, ishte prezent me Bajramin në shtëpinë e Bardhyl Çaushit, kur ai vendosi të kalonte në Shqipëri. Gjatë bisedës, Bardhyl Çaushi ishte shumë bindës dhe i tha se përmes institucioneve të Kosovës do të mundësohej regjistrimi i Bajramit në Akademinë Ushtarake në Shqipëri. Atje, Bajrami dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm, dhe tashmë ishte e qartë se ai kishte qenë pjesë e një reparti ushtarak.
Më vonë kur u njohën me Halil Alidemën, që në fillim, që në takimin e parë në mes tyre, Bajrami iu prezantua duke i thënë se ishte nga Gjakova. Kur ai e pa për herë të parë, thotë se Halili kishte një mjekërr simpatike dhe e quajti si burrë serioz. Pas disa minutash bisedë, kur Halili e kuptoi se Bajrami ishte nga Gjakova, i drejtoi një vërejtje ironike me pak humor: “Nga ju gjakovarët nuk ka gjë.” Por, Bajrami i qëndroi besnik deri në fund, dhe faktet flasin se ai kurrë nuk e nënçmoi punën, veprimtarinë dhe qëllimin e Halil Alidemës për të krijuar njësitet e para ushtarake. Përkundrazi, Bajrami e mbrojti më shumë se shumë veprimtarë që ishin pjesë e Unikombit, edhe atëherë, edhe pas vdekjes së Halil Alidemës.
Deklaratë për dokumentacionin e dorëzuar te përgjegjësi i zyrës së UNIKOMBIT, Mr. Halil Alidema
(Një moment historik i shoqëruar me disa dëshmi nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë.)
Në prag të një epoke të mbushur me pasiguri dhe tension, kur Kosova po përballej me mungesën e një strukture të organizuar për vetëmbrojtje dhe kur zërat për formimin e njësiteve të para ushtarake nisën të artikulohen më qartë, një grup i vogël i të rinjve idealistë dhe të përgatitur morën rrugën e organizimit përmes zyrës së Unikombit në Tiranë, nën drejtimin e Mr. Halil Alidemës.
Qëllimi ishte i qartë: ndërtimi i një baze ushtarake që do të mund të shërbente si embrion për strukturat e ardhshme të rezistencës së armatosur. Më poshtë paraqitet deklarata zyrtare e përgatitur nga dëshmitarët kryesorë të atyre zhvillimeve, të cilët me nënshkrimin dhe dëshminë e tyre e hedhin dritën mbi mënyrën e organizimit të parë, dorëzimin e dokumentacionit dhe procesin e mbyllur të rekrutimit ushtarak:
A) Takimi i parë i njohjes dhe dorëzimi i dokumentacionit: Në takimin fillestar, i cili shënoi fazën e parë të njohjes dhe rekrutimit, morën pjesë pesë persona: Bajram Dervishaj, Milaim Selimi, H. M., A. N. dhe D. S., të gjithë të përzgjedhur si kandidatë për stërvitje ushtarake. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Mr. Halil Alidema, i cili kishte me vete Ruzhdi Saramatin (me pseudonimin Shpëtim Drini), i prezantuar si përgjegjës i Shtabit Operativ për ushtrime ushtarake. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe z. Safet Sadiku, zëdhënës i zyrës së Unikombit në Tiranë. Në këtë ambient të mbyllur, dokumentacioni personal i secilit anëtar iu dorëzua zyrtarisht Ruzhdi Saramatit, në prani të të gjithë të sipërpërmendurve.
1) Dëshmia e Bajram Dervishajt: Nga momenti i dorëzimit të dokumentacionit te Mr. Halil Alidema dhe te përgjegjësi i Shtabit, Shpëtim Drini (Ruzhdi Saramati), pjesëtarët e grupit vepruan në kushte të fshehta dhe të mbyllura. Askush tjetër nuk kishte informacion për aktivitetin e tyre. Regjistrimi u bë edhe me pseudonime, siç ishte rasti me emrin “Arbnor Krasniqi” dhe vendlindja “Prishtinë”, që u përdor për Bajram Dervishajn.
2) Dëshmia e Milaim Selimit: Në cilësinë e koordinatorit të grupit, Milaim Selimi ka mbikëqyrur organizimin e brendshëm dhe menaxhimin e përditshëm. Ai sqaron se në takim u diskutuan jo vetëm rregullat disiplinore, por edhe kushtet e jetesës. Halil Alidema, në mënyrë të rregullt, ia dorëzonte personalisht të hollat, me të cilat ai siguronte ushqimin për gjithë grupin gjatë qëndrimit të tyre.
3) Dëshmia e Safet Sadikut: Të gjithë anëtarët e Shtabit kanë pasur me vete dokumentet përkatëse të identitetit dhe dëshmitë e nevojshme për të përligjur pjesëmarrjen e tyre. Këto materiale u dorëzuan personalisht te Halil Alidema dhe Ruzhdi Saramati në takimin fillestar. Megjithatë, dosjet e dokumentacionit u ruajtën ekskluzivisht nga Halil Alidema në zyrën e tij. Të gjitha aktivitetet, përpjekjet dhe dëshmitë për jetësimin e njësitit të parë ushtarak janë ruajtur dhe dokumentuar me kujdes.
B) Deklarata përkrahet dhe nënshkruhet në mënyrë unanime nga: 1) Bajram Dervishaj 2) Milaim Selimi 3) Safet Sadiku
Ky dokument dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e një grupi të vogël, por vendimtar, në rrugën e organizimit ushtarak kombëtar. Ai gjithashtu hedh dritë mbi sfidat e mëdha të përballuara nga të rinjtë e asaj kohe në përpjekje për të ngritur strukturat e para mbrojtëse, përballë mungesës së përkrahjes institucionale dhe sfidave politike të momentit.
______________
Sqarim 1: Sa i përket Ali Pepshit, ky i fundit, pas përfundimit të luftës, la uniformën ushtarake dhe iu kthye profesionit të tij të mëparshëm në fushën e arsimit.
________________
Sqarimi 2: Që nga fillimi i viteve ’90, brenda strukturës së LDK-së kishin filluar të formoheshin ndarje të dukshme ideologjike dhe strategjike. Këto ndarje kryesisht përfaqësonin dy grupe të mëdha: njëri i përbërë nga ish-të burgosurit politikë, që mbronin me vendosmëri idenë e përgatitjes për rezistencë të armatosur dhe mbrojtje të organizuar kombëtare, me në krye Mr. Halil Alidemen, dhe tjetri, grupi i atyre që vinin nga administrata e mëparshme jugosllave, të cilët ishin më të kujdesshëm, shpesh hapur kundër çdo lloj organizimi ushtarak.
_________________
Sqarim 3: Sqarimi mbi Mr. Halil Alidemën dhe përpjekjet e tij për të krijuar njësite ushtarake gjatë periudhës të zhvillimit të strukturave të mbrojtjes, ofron një panoramë të rëndësishme mbi vështirësitë dhe dështimet e këtyre përpjekjeve. Edhe pse Alidema kishte një vizion të qartë dhe një strukturim të detajuar për krijimin e njësive të para ushtarake, ai nuk u përkrah as nga Qeveria e Bujar Bukoshit dhe as nga strukturat e Unikombit në Perëndim.
Kjo mungesë mbështetjeje ka qenë një nga pengesat kryesore që pengoi realizimin e këtyre planeve. Strukturat, që aludohet se ishin të lidhura me Unikombin, sidomos ato në Perëndim, nuk arritën të krijonin burime financiare të mjaftueshme, çka ndikoi drejtpërdrejt në dështimin e këtij projekti. Madje, përpjekjet për të siguruar uniformë ushtarake për njësitet e para ishin të pamjaftueshme, dhe shumë nga planet për krijimin e forcave mbrojtëse mbetën të pazbatuara për shkak të këtyre pengesave të mëdha.
Ky dështim për të siguruar mbështetje të qëndrueshme dhe burime financiare të mjaftueshme është një element kyç në historinë e formimit të ushtrisë që do të luftonte për çlirimin e Kosovës, dhe tregon për fragmentarizimin e përpjekjeve për organizimin e një strukture të fuqishme ushtarake përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme.
__________________
Sqarimi 4: Po, këto rrëfime dhe përshkrime janë dëshmi të drejtpërdrejta nga Bajram Dervishaj dhe përfaqësojnë kujtesën e tij personale për ngjarjet, njerëzit dhe përvojat që ka përjetuar gjatë viteve të vështira të fillimit të viteve ’90, në përpjekje për të kontribuar në çlirimin e Kosovës. Ato kanë vlerën e dëshmive vetanake, të cilat ndonëse subjektive, përbëjnë burime historike të rëndësishme, sidomos për periudha të turbullta, ku dokumentacioni zyrtar është i mangët ose i politizuar.
Dëshmitë e tij:
1) Japin një pasqyrë të drejtpërdrejtë të realitetit në Shqipëri dhe Kosovës gjatë viteve 1991–1993;
2) Zbulojnë tensionet brenda LDK-së dhe përplasjet ndërmjet strukturave politike dhe atyre që kërkonin organizim ushtarak;
3) Tregojnë rolin e individëve të caktuar si Bujar Bukoshi apo Halil Alidema në drejtimin ose sabotimin e lëvizjes për çlirim;
4) Reflektojnë ndjenjën e zhgënjimit, vetëflijimit dhe idealizmit të shumë të rinjve shqiptarë nga Kosova në atë periudhë.
Këto dëshmi, nëse dokumentohen me kujdes dhe krahasohen me rrëfime të tjera, do të duhej të jenë pjesë e rëndësishme e një analize më të gjerë historike mbi rolin e mërgatës, shtetit paralel dhe organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marrë nga libri:“Frymëzuesi i lirisë“ i autorit Safet Sadiku
(Përgatiti për botim: Safet Sadiku)